Berisha: Djegësi i Tiranës, Erion Veliaj me firmën e tij u ngarkoi 1 miliardë euro pagesa mbi shpatulla, taksapaguesve shqiptarë

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi skandalin e kryebashkikut Erion Veliaj, lidhur me inceneratorin e  Tiranës. Berisha publikoi përgjigjen që Veliaj i ka dërguar  ish- ministrit Damian Gjiknuri, ku merr përsipër përgjegjësinë për djegësin e kryeqytetit.

Gjatë fjalës sëtij, Berisha tha se Erion Veliaj vetëm me firmën e tij u ngarkoi taksapaguesve shqipatrë 1 miliardë euro pagesa, për djegësin e Tiranës.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha sot se SPAK ka bërë sekuestrim klientelist për djegësin e Tiranës. Ai paralajmëroi protesta, ndërsa tha se Erion Veliaj nuk do i shpëtojë verdiktit të qytetarëve.

FJALA E PLOTE:

Është provuar në mënyrë të qartë dhe vendimtare se Erion Veliaj nuk është myshteri i djegësit të Tiranës, vjedhjes së shekullit, por ai është pronari dhe hajduti më kryesor në këtë vjedhje.

Përsëri duhet të kthehemi tek ato që Eri i shpalli si gabime për të cilat tha se duhet të mbarë përgjegjësi ai që i ka bërë. Dua ti them këtu, para jush dhe opinionit publik se, aktet, firmat, dokumentet, faktojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se ato nuk janë gabime, por krime të rënda dhe vepra penale që mbajnë firmën e Erion Velisë.

E them këtë me bindjen me të thellë, sepse rezulton se kontrata e djegësit të Erion Veliajt e cila në 30 vite u kushton taksapaguesve të Tiranës, rreth 1 miliardë euro, nga të cilat 450 mln euro janë pagesa për mbetjet e djegshme dhe 450 të tjera janë për dherat dhe inertet, restoja janë të gjitha fitimet që nxirren nga shitja e produkteve, hekurit, letrës etj.

Kështu që kjo ngarkesë 30 vjeçare, 1 miliardë euro mbi shpatullat e taksapaguesve shqiptarë, kalon vetëm me firmën e Veliajt, në dhunim të kushtetutës dhe të ligjeve, pa miratimin e Këshillit Bashkiak, për faktin e vetëm se ky, mund ti themi çdo epitet, por po e mbaj gojën, nuk kishte 3/5 dhe miratimi në këshill i kësaj barre të rëndë 1 miliardë eurosh mbi supet e qytetarëve të Tiranës dhe bashkive të tjera, kërkonte 3/5.

Erion Veliaj ka kryer një krim të shëmtuar, sepse ai ka marrë përsipër të gjitha detyrimet e kontratës që se ka kaluar në Këshillin Bashkiak.

Në përgjigje të një shkrese që i dërgon Damian Gjiknuri, asokohe ministria që duhej të bënte pagesat për djegësat, Erion Veliaj shkruan:

Bashkia e Tiranës pranon dhe deklaron se është vënë në dijeni, ka pranuar dhe kuptuar të drejtat dhe detyrimet që i janë ngarkuar nga kontrata dhe anekset e saj dhe për sa më sipër, konform aneksit përkatës dhe tabelave bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e kësaj forme angazhimi, angazhohet për të gjitha detyrimet që rezultojnë si të tilla për Bashkinë e Tiranës, duke përfshirë, por pa u kufizuar në kryerjen e të gjitha pagesave për depozitimin dhe përpunimin e sasisë minimale të mbetjeve sipas çmimit 29 euro për ton pa tvsh, përgjatë gjithë kohëzgjatjes së marrëveshjes, ose çdo çmimi të modifikuar të kontratës.

Në përgjithësi angazhohemi për të kryer të gjitha veprimet dhe të përmbushim detyrimet që realizojnë nga nga kontrata, përfshi gjithashtu pa u kufizuar edhe asistencën dhe procedurat e lidhura me ndërtimin dhe funksionimin e veprave, ashtu siç definohen në kontratë. Asistencën në proceset e shpronësimit dhe angazhohemi të shmangim çdo veprim që shkon kundër dispozitave të kontratës. Të gjithë marrëveshjet në kontratë, do të zgjidhen në përputhje me kontratën.

Firmos me firmën e tij në muajin mars të vitit 2018, kryetari i saj, Erion Veliaj, duke shkelur çdo ligj.

Ky zotim kriminal, në shkelje të të gjitha ligjeve por edhe të Kushtetutës, vjen pas shkresës që me datën 12 mars 2018, Damian Gjiknuri tashmë si autoritet kontraktor, i dërgon Bashkisë së Tiranës, për dijeni edhe kompanisë së tij, Integrated Energy.

Lidhur me këtë shkresë numër 2984, Gjiknuri shprehet se është i angazhuar për të përmbushur të gjitha detyrimet për të përmbushur sasinë minimale, citoj minimale. Ministria e Infrastrukturës  dhe Energjisë duke të ndërmarrë të gjitha veprimet për garantimin në tërësi në kohë dhe pa vonesë, të të gjitha pagesave për arritjen e sasisë minimale, të garantuar, deri në rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2018, mbi mundësinë e kalimit të këtij fondit, pranë buxhetit të bashkive si mbështetje financiare.

Këtu është edhe paralajmërimi; porsa më sipër duke qenë se bashkia e Tiranës është monitoruesja në terren e kësaj kontrate si njësia më e madhe vendore përfituese, kërkojmë që bashkë me letrën e angazhimit sipas aneksit 9, të cilën e ka firmosur vetë Erion Veliaj, të na dërgohen konfirmimet e situacinoneve, për sasinë minimale të mbetjeve të depozituara për çdo muaj, duke e ndarë vlerën që duhet të paguajë autoriteti kontraktues për këtë sasi, për llogari të bashkive.

Çfarë ka ndodhur? Këtu janë dërguar tabelat e pagesave që duhet të bëjnë, sasia minimale që duhet të paguajnë autoriteti kontraktues, bashkia e Tiranës, kompanisë.

Çfarë rezulton? Rezulton se në tabelën e parë që është me firmë dhe me vulë të të gjithë aktorëve, detyrimi për pagesë minimale ishte 5.6 mln euro. Por ky detyrim nga Erion Veliaj, pa asnjë shpjegim por vetëm për hajni, nga 5.6 mln euro, rritet në 7.4 mln euro. Pa asnjë asnjë justifikimin, ndërkohë që kontrata e parashihte sasinë minimale 5.6 mln euro pagesë.

Kontrata parashikonte 200 mijë ton, kurse Erion Veliaj faturonte 255 mijë ton.

Faturonte si pagesë minimale autoriteti kontraktues 1.6 milionë euro më shumë, të cilat sigurisht i zhdukte në vrimat e zeza në Zimbabve apo në kontot offshore.

Siç e dëgjuat, Bashkia e Tiranës ishte përgjegjëse kryesore për monitorimin e çdo muaji, të punimeve, të depozitimeve dhe të gjithë zhvillimeve në fushën e Sharrës për djegësin e Tiranës.

Kanë kaluar 6 vjet dhe nuk ka asnjë objekt të ndërtuar, në një kohë kur taksapaguesit e Tiranës, Durrësit, Kavajës dhe biznesmenët e detyruar nga Erion Veliaj kanë paguar mbi 120 milionë euro.

Ky është një akt i pashembullt në histori. Ky koncesion është quajtur koncesion privat, por çfarë koncesioni privat është ky, kur ka marrë nga qeveria dhe bashkia, 120 milionë euro dhe duhej ta kishte në përfundim djegësin.

Ato i ka marrë Erion Veliaj me shokë dhe djegësi nuk ekziston në asnjë gjurmë.

Së pari, t’i japësh privatit për të ndërtuar për veten e tij, dhe jo me paratë e tij, është një krim i shëmtuar.

Së dyti, zhdukja e 120 milionë eurove përbën gropën e zezë të djegësit të Tiranës.

Së treti, sekuestrimi gjysmak, për të mos thënë edhe klientelist i SPAK, që u duartrokit aq shumë, lejon në mënyrë të paimagjinueshme pagesat kriminale, të hedhura poshtë nga KLSH, në kundërshtim me kontratën për 29 euro për ton, në një kohë kur nuk digjet asnjë kilogramë.

Sepse SPAK nuk ka guxuar të urdhërojë anulimin e faturës prej 29 euro për ton. Të urdhërojë detyrimin e antiligjor kriminal të ndërtuesve dhe bizneseve, për të depozituar kundrejt tarifës, inerte dhe dhera, prej 6 vitesh në fushën e Sharrës.

Për këtë, SKAP-i nuk ka një fjalë.

Ju rikojtoj këtu një moment, tre polici janë marrë me garantimin e detyrimit të bizneseve për të dorëzuar në Sharrë inertet dhe dherat.

Policia e Shtetit, Policia e Bashkisë dhe policia e Agron Malajt të Burrelit, i cili merrte 32 mijë euro në muaj me ato papaqët që pronarët, bizneset, ndërtuesit të mos mund të nxirrnin një makinë dhe, përveç Salillarit që paguante policinë, atij i dilte më lirë t’i çonte në Skuraj dhe të mos paguante në Sharrë.

Çdo ditë që kalon, e bën më të rëndë, më kundërmuese, aferën e shekullit, vjedhjen e shekullit dhe nxjerr në pah, autorët më kryesorë të saj, ndër të cilët Erion Veliaj për djegësin e Tiranës zë vendin e parë.

E garantoj se do bëhet një proces publik shembullor dhe nuk ka asnjë shans t’i shpëtojë verdiktit të qytetarëve.

Tirana po zien nga një revoltë e brendshme e jashtëzakonshme, e cila së shpejti pritet të shpërthejë dhe do u tregojë vendin autorëve të vjedhjes së shekullit.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale