Berisha: Dje i treguat shqiptarëve dhe mbarë Europës se nuk pajtoheni kurrë me vjedhjen! I them Ballës, mos guxo të prekësh demokratët me dorë

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’

EKSTRAKT

Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin e përnatshëm qytetar, tashmë në ditën e tij të 110, kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha duke komentuar protestën e së premtes së opozitës, u shpreh se, qytetarët treguan se nuk do të pajtohen kurrë me vjedhjen 100% të taksave të tyre.

Në protestën maratonë, gjatë fjalës së mbajtur, kryedemokrati, Sali Berisha ka sulmuar drejtuesin e SPAK, Altin Dumani. Berisha u shpreh se, çfarë do medalje që mund të marrë Dumani nëpër botë, në Shqipëri ai ka medaljen e krimit.

Pas bastisjeve dhe kontrolleve të kryera mbrëmjen e djeshme nga policia në banesat e qytetarëve, Berisha iu drejtua Ballës, që të mos guxojë të prekë demokratët me dorë, pasi që rruga që po ndjekin është rruga e qytetëruar dhe evropiane.

Berisha tha se, Altin Dumani nuk e padit dot Sali Berishën sepse i duhet të tregojë paratë me të cilat është bërë me tre. Berisha u shpreh se si ish-president dhe ish-kryeministër, me rrogën e tij dhe të bashkëshortes, ka arritur të blejë vetëm 38 metër katrorë më shumë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në tubimin qytetar që zhvillohet në Rrugën e Shpresës, tha se braktisja masive e Shqipërisë nën regjimin e Edi Ramës nuk ka ndodhur ndonjëherë në histori. Berisha tha se deri në vitin 2013, numri i shqiptarëve është rritur çdo vit në këtë vend.

FJALA E PLOTË

Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, luftëtarë të lirisë, misionarë të shpresës, besimit dhe dinjitetit, që me protestën tuaj të djeshme tronditët në themele regjimin e kalbur të krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Në protestën tuaj të fuqishme dje te bashkia përfaqësuat aty çdo qytetar të këtij vendi që urren me gjithë shpirt këta hajdutë të pamëshirë që vjedhin ditën, natën e në çdo kohë. Që vjedhin gjer në palcë qytetarët shqiptarë. Që vjedhin buxhetin. Pasuritë e tyre kombëtare dhe i shndërrojnë ato në pasuri personale familjare.

Misioni juaj është i shenjtë! Beteja pa kthim është beteja e fitores.

Dje ju i treguat shqiptarëve, i treguat kombit dhe mbarë Europës se nuk pajtoheni kurrë me vjedhjen 100 përqind si në asnjë vend tjetër të botës të taksave, parave tuaja. Se nuk pajtoheni kurrë me Erion Veliajn, këtë monstër që e turpëron emrin njeri. Që i konsideron qytetarët shqiptarë, i konsideron kryeqytetasit si qenie për t’u mashtruar. Si qenie për t’u vjedhur. Si qenie për t’u poshtëruar.

Që dy-tre vite me radhë flet për pyllin imagjinar 1 milion pemë vetëm se ka vjedhur koston e 1 milion fidanëve. Që dy, tre vite me radhë, tenderat i merr me drejtorët e tij mostra.

Paratë e taksapaguesve i kthen në hotele luksoze me 5 yje. Paratë e qytetarëve i kthen në pallate private për veten dhe bandën e tij. Paratë e qytetarëve i dërgon në konto offshore dhe zhduk pa nam dhe nishan mbi 130 milionë euro të paguara nga mundi, djersa e shqiptarëve për djegësin e Tiranës, për të cilin nuk ekziston as gjurmë, as nishan.

A ka protestë me të drejtë se kjo? A ka protestë dhe revoltë më të merituar se kjo? Jo dhe jo.

Ndaj dhe përshëndes ju dhe të gjithë ata të cilët dje tronditën themelet e këtij pushteti të kalbur.

Por unë kam një përshëndetje të veçantë për të burgosurit tanë politikë, të rinjtë Franc Kaloshi, Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj, të cilët u rrëmbyen, u morën peng nga banditët me uniformë, në shkelje të ligjit, në shkelje të Kushtetutës dhe u keqtrajtuan nga horra në qelitë e narkoshtetit.

Unë i them Taulant Ballës, se ti o mik i bandave, se ti o kriminel që ke porositur vrasje, në salla gjyqi të kanë dalë, bashkëpunëtorë në trafiqe monstruoze, mos prek demokratët me dorë, sepse do ta pësosh atë që meriton.

Miqtë e mi!

Ju duhet ta dini se në qeli luftëtarëve të paepur, guximtarë, u kanë dërguar policë vrasës, të dënuar për vrasje në vende të tjera për të bërë rrugaçin, për t’i sharë dhe për t’i terrorizuar. Por ata kanë qëndruar si viganë, kanë qëndruar si heronj të vërtetë dhe të premten beteja vazhdon e fuqishme, e premtja është fitorja.

Të dashur miq!

Rruga që ndjekim është rruga e qytetëruar, është rruga evropiane, është qëndrimi evropian kundër padrejtësive të mëdha, është qëndrimi evropian kundër vjedhjeve të mëdha, është qëndrimi i kombit të qytetëruar kundër mafies kriminale. Është vendimi për të paguar çdo çmim për t’u çliruar prej tyre. Është guximi për t’u përballur dhëmb për dhëmb me krimin shtetëror. Asgjë nuk mund të na impresionojë ne. Asgjë nuk na ndal ne në rrugën tonë.

Një nga një do presim lidhjet e Erion Veliajt me mafien dhe i themi, forcë në botë që të mbron ty nuk ka.

Jep dorëheqjen o kriminel, o hajdut!

Sot të mbron Edi Rama se mbron krimet e tij. Sot të mbron Edi Rama se mbron konton bankare, paratë e vjedhura së bashku në djegësin e Tiranës. Sot të mbron Edi Rama sepse mbron 30 përqindëshin e tij në kullat dhe pallatet të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Por Edi Rama do marrë përgjigjen që meriton fill pas teje. Të pashpresë jeni.

Qeveria teknike është betimi ynë para shqiptarëve!

Sot të mbron Altin Dumani, kreu i një organizate më të rrezikshme kriminale që ka pasur drejtësia shqiptare ndonjëherë.

Por të garantoj se do ketë fatin tënd. Të garantoj se ky mercenar pa ligj dhe moral, do marrë atë që meriton. Se ky antishqiptar, pa nder dhe ligj, do marrë atë që meriton.

Miqtë e mi!

Sot një analist i majtë, por jo i thekur, i shtronte Dumanit një pyetje: Pse nuk padit Sali Berishën në gjykatë për ato që të thotë? Dhe unë do i përgjigjem këtu në emër tuaj dhe para jush.

Nuk padit dot Sali Berishën, sepse i duhet të tregojë paratë me të cilat është bërë me tre shtëpi, të deklaruara në vitin 2016. Dhe i them këtij analisti, cili shqiptar me rrogë shteti mund të bëhej me tre banesa?

Jam ish-president, ish-kryeministër, me rrogën time dhe të bashkëshortes, kam arritur të blej gjithësej 38 metër katror më shumë se ç’kisha.

Nuk e padit dot Sali Berishën mercenari, sepse është autori i amnistive më monstruoze të krimit. Sepse në dosjen që dërgon për Arben Ahmetajn, e citon 13 herë për Erion Veliajn. Kurse kur dërgon dosjen e bashkisë për inceneratorin e Tiranës, hesht si fija e barit, nuk guxon t’i përmendë emrin njëherë. Se i mbyllet goja me valixhe me euro, se i mbyllet goja me pengje të tjera.

A mund të padisë njeri ai i nderuar zotëri, që nuk lëshon fletë arresti, por lejon largimin në Dubai të Amant Josifit, vetëm se është bashkëpunëtor i Olsi Ramës?

A mund të padisë ai Sali Berishën, kriminel që fle mbi dosjet e tmerrshme të krimit elektoral? Më thoni ju mua, kë mund të padisë ai?

Ai është një nga personat më të inkriminuar të shtetit shqiptar. Le ta mbrojë kush të dojë, le t’i thurin poema, apoteoza, por krimi, krim mbetet dhe ai do marrë ndëshkimin e merituar. Ndaj nuk e akuzon dot ai Sali Berishën.

Dhe unë i them këtij zotërie, që shtron këtë pyetje: Altin Dumani është bërë mburojë kryesore e veprave më të mëdha kriminale, vjedhjeve më të mëdha të shekullit të kësaj bande kriminale.

Është bërë një vegël e shpifur në duart e Edi Ramës. Një lake që qëndron aty në kundërshtim me Kushtetutën dhe që mendon se mbështetja e të huajve do e mbajë atë në detyrë, mos harro se je prokuror i shqiptarëve, por për shqiptarët je një kriminel.

Çfarëdo dekorate që mund të të japin, nga cili vendi i botës, ti ke në Shqipëri medaljen e turpit, të krimit. Armik i opozitës, armik i votës së lirë, armik i shqiptarëve.

Ndaj dhe dil e tregoju shqiptarëve me se i ke blerë tre apartamentet gjer në vitin 2016? Të tjera do i marrësh vesh më vonë një nga një.

Ndaj dhe ata që ngrenë kulte mbi hiçin, ata që ngrenë mite mbi plehun. Ne i qëndrojmë të vërtetave, do luftojmë për të vërtetat. Të vërtetat janë motoja jonë. Do marrim fatin tonë në duart tona. Shqipërinë e bëjnë shqiptarët. Demokracinë shqiptare po e mbrojnë shqiptarët. Shqipërinë e shpëtojnë shqiptarët.

Edhe njëherë, cilin dëgjuat ju të shprehë shqetësim se një e treta e kombit në sundimin e armikut, e Pashiqit shqiptar, Edi Rama, braktisi Shqipërinë?

Miq dhe partnerë!

U them këtu sonte se kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë në histori. Se gjer në vitin 2013, numri i shqiptarëve është rritur çdo vit në këtë vend.

Vërtet kanë lëvizur, vërtet kanë dalë, vërtet kanë hyrë. Por numri i shqiptarëve është rritur nga viti në vit. Sepse nga viti në vit forcohej shteti ligjor. Nga viti në vit forcohej barazia para ligjit. Nga viti në vit forcohej drejtësia. Nga viti në vit forcohej ligji, të drejtat. Nga viti në vit rriteshin rrogat, rriteshin bizneset, rriteshin vendet e punës, rriteshin pensionet, ndërtoheshin shkolla, ndërtoheshin rrugë. Kjo është e vërteta.

Prandaj nuk ka betejë më të shenjtë se beteja kundër kësaj vjedhje të tmerrshme që po u pin gjakun shqiptarëve.

Që po i denigron dhe poshtëron shqiptarët në qeniet më inferiore. Që i shndërron institucionet e tyre në institucione private. Bashkinë e kryeqytetit në bashki private të Erion Veliajt dhe drejtorëve të tij hajdutë.

Ku durohet kjo mo?

Zemërim, revoltë, revoltë, zemërim gjer në fitore.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale