Berisha: Ditën e enjte, të gjithë te bashkia për t’i dhënë përgjigjen përfundimtare dyshes Rama-Veliaj!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës në tubimin qytetar në ditën e tij të 98-të u shpreh se, edhe dy ditë i ndajnë qytetarët nga protesta e madhe e të enjtes. Sipas Berishës, kjo do të jetë dita e rikthimit të bashkisë qytetarëve të Tiranës.

Kryedemokrati, Sali Berisha gjatë fjalës së tij tha se, nga viti 2016 gjer sot, Erion Veliaj si titullar i autoritetit kontraktor Bashkia e Tiranës, ka vjedhur së bashku me bandën e tij, në tendera e prokurime, 40 milionë euro më së paku.

Berisha tha se, në këtë dosje që përfshin disa prej këtyre banditëve, emri i Erion Veliajt nuk figuron në asnjë rresht të vetëm, në asnjë fjalë të vetme.

Kryetari i PD, Sali Berisha u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të protestojnë kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj pas arrestimeve të drejtorëve të tij. Berisha ka theksuar se historia ka faktuar se mosbindja civile e qytetarëve ka dridhur diktatura dhe perandorira, se mosbindja civile e qytetarëve ka përmbysur mbretër dhe diktatorë.

Kryetari i PD, Sali Berisha komentoi edhe mbledhjen e sotme të Këshillit të Mandateve, ku PS-ja nuk i hoqi mandatin Olta Xhaçkës. Sipas Berishës, mbrojtja e Xhaçkës është bërë me urdhër të Edi dhe Olsi Ramës.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen e pakufijshme ndaj jush, misionarëve të vërtetë të dinjitetit njerëzor, të lirisë, të shpresës. Mirënjohje të pakufijshme oratorëve fjalëzjarrtë në parlamentin e të vërtetës në këtë rrugë.

Të dashur miq!

Dy ditë na ndajnë nga dita e enjte, dita e protestës së madhe.

Dita e fitores!

Dita e rikthimit të bashkisë qytetarëve të Tiranës.

Çdo ditë, akti i Erion Veliajt, Taulant Tushës, Julian Zanajt, Mollës, Qatos dhe kompanisë së tyre, bëhet më i shëmtuar. Çdo ditë, ky akt i pashembullt në historinë e një shteti bëhet më i zi. Por çdo ditë, më e zezë bëhet fytyra e kësaj drejtësie, që është shndërruar totalisht në parzmore të krimit qeveritar, shtetëror. Në mburojë të vjedhjeve të tmerrshme të qytetarëve.

Çdo ditë bëhet më imperative fuqia juaj, zëri juaj, aksioni juaj, mosbindja juaj civile për shpëtimin e Tiranës, shpëtimin e Shqipërisë.

Të dashur miq!

Nga viti 2016 gjer sot, Erion Veliaj, titullar i autoritetit kontraktor Bashkia e Tiranës, ka vjedhur së bashku me bandën e tij, në tendera e prokurime, 40 milionë euro më së paku. Dhe në këtë dosje që përfshin disa prej këtyre banditëve, emri i Erion Veliajt nuk figuron në asnjë rresht të vetëm, në asnjë fjalë të vetme.

Dy janë personazhet më të zeza në aferën e vjedhjes 100 përqind. Në këtë aferë është edhe një Julian Zanaj. Ky Juliani, që ta dini ju, ka qenë shefi i prokurimeve të Edi Ramës, drejtor i njësisë së prokurimeve në bashki gjer dje. Por Juliani i Edi Ramës ndiqet në gjendje të lirë sepse Skapi i partisë, i Dumanëve dhe Zamanëve, zbaton verbërisht vetëm urdhrat e Edi Ramës.

Të dashur miq!

Drejtësia e re shfaqet në këtë mënyrë si fytyra më e shëmtuar e një sistemi drejtësie në Europë dhe në botë.

Si fytyra e vërtetë e qeveritarëve hajdutë që vjedhin qindra milionë euro qytetarët e tyre dhe mbrohen prej saj. Si fytyra e vërtetë e mburojës së lidhjeve të krimit me qeveritarët. Armike e egër e vullnetit të shqiptarëve dhe rotacionit të pushtetit.

Ndaj dhe ftoj shqiptarët të mos kenë asnjë iluzion se kjo organizatë e strukturuar kriminale që quhet Skrap, nuk është gjë tjetër, veçse vegël e verbër në duart e Edi Ramës, i cili vendos në mëngjes ato që merr në darkë nga zyrat e Edi Ramës.

Atëherë çfarë mbetet? Mbetet revolta, revolta, revolta me mosbindje civile. Historia ka faktuar se mosbindja civile e qytetarëve ka dridhur diktatura dhe perandorira, se mosbindja civile e qytetarëve ka përmbysur mbretër dhe diktatorë. Ndaj dhe forca e saj është magjia e fitores së demokracisë në Shqipëri.

Ditën e enjte, qytetarë të Tiranës, të gjithë te bashkia, te shtëpia e parë e juaja, te shtëpia e parë e qytetarëve. Të gjithë te bashkia për t’i dhënë përgjigjen përfundimtare dyshes Rama-Veliaj, për të shkëputur Tiranën nga kthetrat e këtyre hajnave amoralë, që nuk kanë kurrë të ngopur, që përdhosin qytetin dhe qytetarët e këtij vendi.

Do të jetë e pafalshme për cilindo që pret zgjidhje nga drejtësia e Edi Ramës. Çdo njërin prej nesh, zgjidhjen duhet ta kërkojë te vetja e tij, te guximi i tij, te vendosmëria e tij.

Të mos lejojmë më të luajnë me fatin tonë, të mos lejojmë më të luajnë me fatin e kombit tonë, të luajnë me fatin e Shqipërisë. Të marrim në dorë fatin tonë, Shqipëria e shqiptarëve, fati i saj në duart e shqiptarëve, liria jonë në duart tona.

Betejë dhe vetëm betejë gjer në fitore!

Krimet që ka kryer Edi Rama, krimet që ka kryer Erion Veliaj janë të tmerrshme. Ato në çdo kod penal të vendeve të lira meritojnë qindra vite burg dhe nuk shlyhen dot.

Ndaj dhe ora po vjen, dita është afër, Tirana në shesh!

Erion Veliaj, jep dorëheqjen, njofto dorëheqjen, mos u përball me zemërimin e qytetit. Mos u përball me zemërimin e tmerrshëm të qytetit që e ke vjedhur, e ke mashtruar, që i ke shkatërruar kulturën, urbanistikën.

Jep dorëheqjen, përndryshe nuk ka vend mbi tokë nga qytetarët e Tiranës. Do të kapin kudo që të jesh për zverku dhe drejt atje ku e ke vendin.

Edhe njëherë, ftoj qytetarët e Tiranës, të enjten në ora 11:00 të jenë të pranishëm në një betejë epike, në mosbindje civile, në fitore, në fitore të kryeqytetit, në fitore të kombit dhe mbarë Shqipërisë.

Miqtë e mi!

Të dashur qytetarë, fitorja pra është në duart tuaja.

Ajo pret nga ju të merrni në dorë fatin tuaj. Ajo pret nga ju të ngriheni me guxim kundër armiqve tuaj të egër, kundër hajdutëve dhe bandave të tyre.

Ju e patë sot në parlament se si deputetët e partisë së krimit mbrojtën ndrikull Xhaçkën me urdhër të Edi Ramës dhe jo më pak të Olsi Ramës.

Po, po! Sepse në çdo firmë Edi Rama ka 30 përqind. Sepse në hotele, në motele, në resorte dhe çdo gjë ai ka përqindjet e tij. Ndaj dhe nuk lëshon mandatin e saj. Por ai përfaqëson një kalbësirë që rri në këmbë vetëm për shkak tonin. Ndaj dhe në sulm, në sulm me mosbindje civile gjer në fitore të plotë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale