FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË ELBASAN
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë një takimi me Drejtuesin Politik të Qarkut, kryetarin e PD Elbasan, dhe kandidatët për deputetë e fokusoi thirrjen e tij për bashkimin e opozitës dhe konsolidimin e forcave opozitare për të arritur ndryshimin e qeverisjes aktuale në Shqipëri. Berisha theksoi rëndësinë e një fitoreje historike në zgjedhjet e 11 majit, duke e konsideruar këtë një mundësi për të përmbysur “diktaturën e dytë”, që ka udhëhequr vendin për më shumë se tre dekada. Kryedemokrati kritikoi keqadministrimin e burimeve financiare të vendit dhe tha se miliardat e investuara nga qeveria nuk janë përdorur për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por janë shfrytëzuar në mënyra të pasinqerta dhe të korruptuara.
Kryetari i PD, Sali Berisha gjithashtu apeloi për bashkimin e të gjitha grupeve opozitare, duke theksuar se diversiteti në mesin e tyre duhet të pranohet si një element i rëndësishëm për të arritur qëllimet e përbashkëta. Berisha tha se toleranca dhe përpjekja për të tërhequr të tjerët në betejën kundër qeverisë aktuale janë thelbësore për suksesin. Lideri demokrat, Sali Berisha ftoi opozitarët të lënë mënjanë dallimet e brendshme dhe të fokusohen në largimin e Edi Ramës nga pushteti.
Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi se ndërtimi i bajpasit të Elbasanit do të jetë përparësia absolute e qeverisë së tij. Ai theksoi se ky projekt do të lehtësojë trafikun dhe do të ndihmojë qytetin dhe gjithë zonën juglindore të Shqipërisë. Berisha gjithashtu kritikoi qeverisjen aktuale për rënien e cilësisë në arsimin dhe shëndetësinë, duke u angazhuar për përmirësimin e këtyre sektorëve. Lideri demokrat, Sali Berisha premtoi një fokus të veçantë në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, duke përmendur gjithashtu investimet në shëndetësi dhe arsim.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se ekonomia dhe prodhimi do të jenë epiqendra e programit të tij për Shqipërinë. Ai kritikoi fokusin e tepruar në turizëm, duke e konsideruar atë të pamjaftueshëm për të sjellë të ardhura të mëdha për qytetarët. Sipas Berishës, turizmi aktual është një formë shfrytëzimi, ku shqiptarët përfitojnë shumë pak nga të ardhurat që sjellin turistët. Berisha premtoi se do të përqendrohet në nxitjen e prodhimit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, me synimin për ta bërë Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja, duke tërhequr kompani të teknologjisë së lartë. Berisha theksoi se ky program do të çojë në një Shqipëri Madhështore dhe është plotësisht i realizueshëm.
Kryetari i PD, Sali Berisha ftoi deputetët që nuk janë përfshirë në listat e Partisë Demokratike të kontribuojnë në fushatën dhe të mos ndalojnë së mbështeturi idealet e lirisë dhe dinjitetit. Berisha theksoi se udhëtimi politik është i gjatë dhe se mundësitë mund të vijnë më vonë. Berisha kritikoi sistemin aktual zgjedhor dhe padrejtësinë që ka sjellë, duke theksuar se partitë e vogla duhet të kenë hapësirë dhe se një koalicion qeverisës është më demokratik dhe më i përmbajtur. Ai tha se programi i Partisë Demokratike është plotësisht i realizueshëm dhe beson se një fitore e madhe është e mundur në zgjedhjet e 11 majit.
FJALA E PLOTË
Së pari, dhe njëherë u uroj gëzuar këtë ditë, ditë që ka frymëzuar dhe frymëzon njeriun, ndërrimin, shpresën, optimizmin.
Ditë në të cilën qytetarët shqiptarë, qytetarët e Elbasanit, presin fillimin e ndryshimit të madh, presin kurorëzimin me sukses të plotë të fitores së 11 majit.
Fitore e një rëndësie të pakrahasueshme në tërë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri.
Fitore në të cilën ne duhet t’u faktojmë shqiptarëve dhe botës se arritëm me votën e lirë, me votën tonë, në mënyrë të civilizuar të përmbysim në një hark kohor prej 3 dekadash një diktaturë të dytë.
Një diktaturë, e cila sot ka shndërruar vendin në vendin e të burgosurve politikë, në vendin e persekutimit politik, në vendin e grabitjes me gjykata të mandateve, në vendin e plaçkitjes më të madhe të një kombi në histori.
Ngado që t’i analizosh, kur mendon se ky vend në 12 vite, kjo qeveri në 12 vite, ka administruar 65 miliardë euro dhe ka sjellë shqiptarët nga më të mirëpaguarit, në më keqtëpaguarit në rajon.
Pra, këto miliarda nuk u përdorën për jetën e qytetarëve, rrogat, pensionet e tyre.
Këto miliarda nuk u përdorën për një transformim madhështor të infrastrukturës.
Këto miliarda u zhdukën, u vodhën dhe vetëm u vodhën.
Këto miliarda u investuan në skemat se si të vidhet më shumë.
E kemi lënë në vitin 2013 me rrugën Tiranë-Elbasan, vepra e vetme më e parë, më e rëndësishme që prisnin qytetarët e Elbasanit për ta gëzuar siç duhet këtë rrugë, ishte bajpasi.
Këta dalin dhe shkojnë e investojmë përtej Elbasanit se kështu kërkon klientela e atyre që ndajnë paratë, dhe bajpasin që e ka projektin gati, që ka çdo gjë gati, bajpasi nuk e ndërtojnë, çka u kushton mesatarisht të paktën gjysmë ore më shumë qytetarëve jo vetëm të Elbasanit, por qytetarëve të Shqipërisë juglindore, për të ardhur në Tiranë.
Mund të numërojmë shumë, por çfarë do t’u sugjeroja unë ju në këtë përpjekje të jashtëzakonshme.
Së pari, do bëni gjithçka të bashkoni çdo fluks opozitar.
Do i shtrini dorën çdo opozitari.
Do të pranoni bashkimin në diversitet.
Bashkimi në diversitet është prova e tolerancës, është lakmusi për një demokrat, për një njeri që u qëndron vlerave demokratike.
Unë u them ju, janë ftuar të gjitha këto partitë, pavarësisht se ka prej tyre që nga mëngjesi deri në darkë flasin Sali Berisha, Sali Berisha.
Urdhëroni u thashë unë, mbani atë mendim për Sali Berishën, por hajde të rrëzojmë Edi Ramën. Nuk më prish punë pse e keni atë obsesion. Të largojmë këtë të keqe që po e shkatërron Shqipërinë.
Ndaj do të përpiqeni të tërhiqni me vete, do përpiqni të bindni çdo person që do të jetë opozitar dhe e konsideron largimin e Edi Ramës nga pushteti si shpëtimin e Shqipërisë.
Në tërësi, klima është shumë pozitive.
Siç keni parë ju, listat janë mirëpritur gjerësisht.
Por një gjë është e sigurt, që nuk kanë asnjë krahasim me listat e palës tjetër.
Edi Rama ka sot dhjetëra prej tyre me dosje të rënda vjedhjesh, hajnish, përvetësim pronash.
Ja ku jemi ne, opozitarë 12 vite.
Montuan procese politike dhe nxorën se janë persekutorë politikë.
Ky është një avantazh shumë i madh për kandidatët e opozitës.
Ne kemi të metat tona, por ne nuk kemi mëkatet e tyre.
Ne kemi qëndruar 12 vite në opozitë dhe dalim sot para shqiptarëve të betuar që do punojmë për ta.
Të betuar që do ndryshojmë jetën e tyre në qytet, fshat dhe kudo.
Ne kemi një program që vërtet e transformon Shqipërinë.
Çfarë do t’u sugjeroja një gjë të dytë ju?
Çdo fjali, çdo fjalë, çdo bisedë, ju do shpalosni programin e PD. Kurrë mos u lodhni me këtë.
Ju do i thoni çdo qytetari që ne do vendosim minimumin jetik 200 euro. Me 200 euro, varfëria ekstreme nuk ekziston. Dhe po të merrni vendet e BE, ato nuk kanë varfëri ekstreme. Sepse këto japin pikërisht këtë.
Ne po e përgatisnim që në vitin 2013, por ne e humbëm pushtetin. Gjetëm 15 mijë familje në varfëri ekstreme dhe do u jepnim atyre minimumin e tyre që u duhej për të mos qenë në varfëri ekstreme.
Tani ne do e vendosim këtë normë. Ne do u kthehemi me forcën më të madhe 3 muajt e parë njerëzve në nevojë.
Dhe njerëzit më në nevojë sot janë pensionistët, janë një e treta, më shumë se një e treta e kombit. Njerëz që kanë shkrirë jetën e tyre në ndërtimin e këtij vendi dhe tani ndjehen të shpërfillur.
57 përqind e tyre nuk kanë pension të plotë, kanë pensione të pjesshme. Ndaj dhe në këto raste, zgjidhja është këputja e nyjes së rubikonit. Është vendosja e një minimumi jetik 200 euro.
Ky është zotimi ynë i prerë.
Nuk mund të marrin pensionistët, ata që janë me rroga të ulëta, me të njëjtin çmim gjerat bazë. Atyre do u jepet karta e konsumatorit, për të cilën do u rikthehet e gjithë TVSH-ja e blerjeve dhe ushqimeve bazë. Nuk janë kaq pak, janë 450 euro, janë më shumë sa u përket pensionistëve, janë tre pensione të sotme. Janë afërsisht një rrogë minimale, pra nuk është një gjë e papërfillshme.
Bëjmë një gjë shumë të mirë, sepse të paktën nuk numërojnë kafshatën.
Nuk mund të pranohet ky çmim nafte dhe kjo do pasqyrohet tek të gjithë qytetarët. Kështu që ne naftën, sepse nafta është një piramidë në Shqipëri, me 7 prill të vitit 2013, nafta në bursë 160 dollarë për fuçi, në tregun shqiptar 1400 lekë. Më 7 prill të vitit 2023, nafta në bursë 80 dollarë për fuçi, në tregun shqiptar 1800 lekë.
Pra, këtu është një piramidë e tmerrshme. Ky i ka vu një taksë naftës më absurden. Po të marrësh për çdo litër naftë 1.1 euro, kjo është një taksë që nuk ekziston kund në këtë formë.
Ndaj ne do ulim taksën e naftë dhe do e sjellim naftën në çmimet që e shet Kosova.
Kosova e merr naftën pothuajse tërësisht nga Durrësi dhe atje e shet 40 përqind më lirë.
Ka kontrabandë të jashtëzakonshme. Kosova me 400 e ca mijë automjetet, konsumon 630 mijë ton naftë, kurse me 870 mijë automjete, konsumon 540 mijë ton naftë. Këtu ka një kontrabandë që shkon të paktën në 300 mijë ton.
Të gjitha këto do luftohen sepse kontrabanda e naftës nuk bëhet pa qeverinë kurrë.
Kështu që ne duhet të përqendrohemi me të gjithë kohën tonë, me qytetarët tek shpjegimi, tek programi që kemi, një program që përfill dhimbjet e qytetarëve.
‘Shqipëria Madhështore’/ Berisha: Ne do përqendrohemi me të gjitha forcat tona që të nxisim prodhimin në vend
Unë besoj se përzgjedhja jonë që ekonomia të jetë epiqendër e programit dhe në këtë kuadër prodhimi në Shqipëri të jetë krenaria jonë, është e drejtë.
Po shterron, nuk po prodhon Shqipëria.
po të vini re ju, nga mëngjesi gjer në darkë flitet për turizëm. Shumë mirë, është potencial i madh, por të ardhurat nga turizmi janë qesharake për të gjithë popullatën.
Statistikat tregojnë se vitin e kaluar me 11.6 milionë turistë, janë gjithsej 7.8 milionë net fjetje. Përsëri turistëve u takon 0.7 net fjetje, asnjë natë fjetje për turist.
Kjo do të thotë se në shitjen e përgjithshme, kanë pasur një vit më parë 140 milionë euro, këtë vit mund të kenë 150 milionë euro. Si TVSH e tyre merren 7-8 milionë euro. Pra, qytetari që nuk ka hotel apo apartamente me qira dhe që janë 90 përqind e shqiptarëve, ata fitojnë gjithsej 4-5 euro për turist. Ndërkohë japin për turizmin 230 euro nga taksat e tyre. Sepse ky shpenzon 430 milionë euro për infrastrukturën e komplekseve të investitorëve strategjikë.
Ky është stil kolonial. Ky është shfrytëzimi më tipik kolonial.
Kjo merr fund.
Ne do të formalizojmë turizmin. Ne kemi investuar dhe do investojmë përsëri në turizëm.
Por prodhimi është prioriteti ynë absolut. Gjashtë semestra me radhë që bie punësimi. Rënia e prodhimit është stopim i zhvillimit.
Ndaj ne do përqendrohemi me të gjitha forcat tona që të nxisim prodhimin në Shqipëri.
Absolutisht e realizojmë këtë me siguri dhe shpejtësi.
Do e bëjmë Shqipërinë vendin më tërheqës për investimet e huaja.
Do tërheqim kompanitë më të mëdha të teknologjisë së lartë.
Ku e bazoj këtë? Kemi rritur nga viti 2006 deri në vitin 2013 eksportet me 320 përqind. Eksporti është prodhim.
Ndaj dhe ne përqendrohemi tek ky program, sepse ky program për Shqipërinë Madhështore është absolutisht në duart tona dhe kjo realizohet plotësisht.
Se çfarë kanë këta?
Këta duan ta devijojnë diskursin.
Kanë tre ditë që merren me Dash Sulën dhe mustaqet e Kujtim Gjuzit.
Këta duan që të eklipsojnë me propagandën e tyre një program madhështor, një program që shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë, 100 përqind të realizueshëm.
Nuk duhet të biem asnjëherë në këtë spirale të tyre, ata le të flasin për këto e ato, ne do flasim për programin tonë. Ne do pyesim qytetarët.
Pra, ne do shkojmë me këtë gjuhë tek qytetarët. Ai të vazhdojë.
Ne udhëheqim fushatën tonë, nuk e udhëheq kurrkush tjetër, as mediat, as kundërshtari, asnjë njeri.
Kemi një avantazh ne që nuk e ka kush sot në botë, ne kemi kryemagjistarin planetar të fushatave elektorale.
Chris LaCivita është bashkëarkitekti i fushatës më të suksesshme në historinë e njerëzimit që ishte fushata e fitores së Donald Trump.
Ishte jo vetëm Amerika, por e gjithë bota kundër. Dhe ata fituan, fituan njerëzit që besuan tek parimet e lirisë dhe tek e drejta.
Nuk e zgjodhi rastësisht Shqipërinë, ai ka pasur oferta edhe shumë më të mëdha dhe më të fuqishme se kjo që i bën PD. Por ai e zgjodhi, e tha ku erdhi këtu, unë erdha se ky është kukulla e Xhorxh Sorosit, unë erdha për të vazhduar punën e Trump, për të vendosur një fitore të opozitës.
Deputetët që nuk janë në lista, unë i ftoj që të kontribuojnë.
Në politikë, udhëtimi nuk është me një finish.
Udhëtimi është i gjatë. Sot nuk u zgjodhe, nesër zgjidhesh.
Ata njerëz që na përshëndetën këtu, me qindra prej tyre kanë 30 vite që na ndjekin, që na mbështesin, që sakrifikojnë dhe përsëri nuk janë bërë as deputetë dhe as nuk kanë marrë ndonjë ofiq. Ata u qëndrojnë besnikë idealeve të tyre.
Ata nuk na mbështesin se u kemi krijuar privilegje atyre, jo, por ata kanë atë botëkuptim ndaj lirisë, dinjitetit, vlerat.
E kam fjalën këtu për miqtë, kolegët tanë deputetë që nuk u vendosën në listat e mbyllura.
Një padrejtësi e diktuar nga Edi Rama në vitin 2021.
Në mënyrë absurde ky synoi të shfarosë partitë e vogla në radhë të parë, duke mos u lënë asnjë shans tjetër, që ose të bashkohen me partitë e mëdha, si LSI që me 108 mijë vota, mori 4 deputetë. Kurse partitë e mëdha morën 7-8 mijë vota një deputet. Po këto janë antidemokratike.
Ne në rastin e parë që na jepet mundësia, i japim hapësirë lirisë.
Partitë e vogla të marra së bashku janë një e treta e elektoratit shqiptar.
Është mentaliteti diktatorial i njeriut që t’i heqësh këta qafe. Këta kanë elektorat, janë pjesë e spektrit politik pluralist të Shqipërisë.
Prapë lista është e padrejtë, unë e them. Por siç ishte, ishte më keq. Sepse për t’u futur deputet, duhet të merrje 10 mijë vota. U futën 3-4 vetë gjithsej. Kurse kështu, këta që kanë mbetur, kush merr më shumë, futet.
Pra, një korrigjim u bë.
Nuk është ajo që duhet të jetë. Shpresojmë që pas zgjedhjeve të ndryshojmë kodin dhe ta bëjmë të drejtë.
Ne kemi qeverisur që nga viti 1996 gjer sot me koalicione, edhe atëherë kur nuk ka qenë e nevojshme për koalicione, ne kemi bërë koalicion.
Më pyesni ju mua a është i dobishëm? Është shumë i dobishëm.
Midis të tjerave është njëfarë frenimi që të mos e përdorësh atë mazhorancë që ke duke tejkaluar disa kufij ose duke i çuar në ekstrem ato.
Një qeveri koalicioni është më demokratike, më e përmbajtur.
Ne kemi nevojë për të qeverisur në këtë mënyrë dhe kjo do rikthehet përsëri.
U falënderoj shumë për këtë pritje dhe shpreh bindjen më të thellë se një fitore e shkëlqyer na pret në datën 11 maj me punën tonë, me mundin tonë, me djersën tonë.
Ju keni qëndruar, keni rezistuar dhe duhet t’u përshëndes të gjithëve.