Berisha denoncon skandalin: Rama bleu vota duke përdorur pagesat për personat me aftësi ndryshe! Ai shpërndau 40 euro për rreth 200 mijë persona me aftësi ndryshe dhe kujdestarët e tyre

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha,  gjatë konferencës së sotme me gazetarët, denoncoi me forcë farsën më çnjerëzore dhe më cinike zgjedhore në historinë e vendit, zgjedhjet e 11 majit 2025. Gjatë fjalës së tij në konferencën për shtyp, kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për përdorimin e pensionistëve dhe personave me aftësi ndryshe si mjet për blerje votash, nëpërmjet shpërblimeve monetare të shpërndara gjatë fushatës.

Lideri Opozitar, Sali Berisha deklaroi se qeveria shpërndau nga 100 euro për rreth 760 mijë pensionistë dhe nga 40 euro për rreth 200 mijë persona me aftësi ndryshe dhe kujdestarët e tyre, duke e kthyer ndihmën sociale në një mjet elektoral. Berisha publikoi statistika nga Eurostat, sipas të cilave pensionistët shqiptarë janë më të keqpaguarit në Europë, me një pension mesatar prej vetëm 133 eurosh, ndërkohë që çmimet në Shqipëri janë 17 përqind më të larta se mesatarja e BE-së. Në fuqi blerëse, pensionistët shqiptarë janë deri në 7 herë më poshtë se mesatarja evropiane.

Kryetari i PD, Sali Berisha e cilësoi këtë qasje si dëshmi të politikave çnjerëzore dhe të korruptuara të një “narkoqeverie” që nuk rrit pensionet dhe nuk vendos minimumin jetik, por përdor ndihmat si shpërblim për votë.

Duke e zgjeruar akuzën, Berisha e cilësoi kreun e SPAK, Altin Dumanin, si përgjegjësin më të madh pas Ramës për farsën elektorale. Sipas Berishës, Dumani është një mercenar politik që me heshtjen dhe veprimet e tij ka mbrojtur krimet zgjedhore të qeverisë, përfshirë amnistinë e dosjeve 184 dhe 339. Ai e akuzoi për lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin dhe mbrojtje të pasurive të veta, duke përmendur pagën e lartë dhe tre apartamente që, sipas tij, nuk justifikohen me të ardhurat si prokuror.

Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se largimi i Edi Ramës është kushti i vetëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe se Partia Demokratike do bëjë gjithçka për të mobilizuar qytetarët brenda dhe jashtë vendit në mbrojtje të votës së lirë. Lideri opozitar i bëri thirrje shqiptarëve për qëndresë të përgjithshme ndaj një regjimi që e përshkroi si diktaturë autokratike, të mbështetur mbi krimin, drogën dhe vjedhjen.

FJALA E PLOTË

Farsa elektorale 11 maj 2025 kishte aspektet më çnjerëzore, më cinike.

Edi Rama përdori dhuratën 100 euro për pensionistë, për 760 mijë pensionistë, për të ndikuar për votën në një kohë kur unë kam sjellë këtu një statistikë të Eurostatit.

Dhe kjo statistikë e Eurostatit tregon se pensionistët shqiptarë në të gjithë Europën janë ata që paguhen më pak se të gjithë të tjerët.

Janë ata, të cilët në vlerë nominale mujore paguhen 50 përqind më pak se sa vendi i parafundit, se sa Turqia.

Kurse në fuqi blerëse të monedhës, ata janë pothuajse tre herë nën Turqinë.

Janë rreth dy herë nën Bosnjen dhe janë mbi dy herë gjer në 6.5 herë nën pensionistët e tjerë.

Pra në qoftë se me fuqi blerëse, nuk po them se me kështu janë 20-30 herë, por po marr fuqinë blerëse se ky është tregues më real, me fuqi blerëse, pensionisti shqiptar është rreth 7 herë nën një pensionist evropian.

U ndala te ky grafik për dy arsye.

Për të dënuar politikën çnjerëzore që ndiqet ndaj pensionistëve, një politikë e cila bazohet kryekëput për shkak të vjedhjes dhe korrupsionit qeveritar.

Mos harroni se këta 760 mijë pensionistë, që siç e shihni në fuqi blerëse marrin 2 deri në 2.5 herë më pak se dy vendet e parafundit, marrin shumë më pak se minimumi jetik i premtuar, i cili do ishte 1.6, por do ishte 2.4, më shumë se sa është sot dhe natyrisht 100 eurot e dhuruara kanë pasur efekt jashtëzakonisht të këta njerëz që marrin një mesatare në muaj prej 133 eurosh.

Po të kemi parasysh çmimet, të cilat janë 117 përqind, pra 17 përqind më të larta se mesatarja e BE, i bie që hendeku midis pensionistit shqiptar dhe pensionistit evropian me mesatare pension të jetë edhe shumë herë më i madh.

Por, pse unë u ndala te kjo?

Sepse krimi elektoral i Edi Ramës nuk ka të ndalur.

Ai ka përdorur pagesat për personat me aftësi ndryshe në kulmin e fushatës elektorale për të blerë vota.

Ka shpërndarë për 164 mijë persona me aftësi ndryshe, dhe për mijëra e mijëra kujdestarë të tyre që në total shkojnë rreth 200 mijë, ka shpërndarë si shpërblim  4 mijë lekë apo 40 euro.

Një vendim, të cilin e kanë marrë në dhjetor, por e kanë zbatuar pikërisht atëherë kur nuk mund të zbatohej, e kanë zbatuar në fushatën elektorale.

Solla këto shembuj për të ilustruar cinizmin ekstrem dhe pashpirtësinë e narkoqeverisë, e cila ndonëse i lë në kushte më të mjera, ju e patë, pensioni në Shqipëri është 60 përqind më i ulët se sa në vendin me pensionin më të ulët në Europë.

Dhe në vend se të ishte ndjekur politika e rritjes së pensioneve, e vendosjes së minimumit jetik, ndiqet praktika e shpërblimit për votë si për pensionistët, ashtu edhe për 200 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre.

Dënoj dhe njëherë me forcën më të madhe këtë farsë të shëmtuar zgjedhore dhe deklaroj se PD kurrë nuk do të njohë, nuk do ta pranojë.

Do bëjë gjithçka që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë.

PYETJE-PËRGJIGJE

Marsi Çerma, Syri Tv: Z.Berisha, po e nis me fjalën e fundit që thatë se PD do të bëjë gjithçka për fjalën e lirë, që keni thënë herë pas here në konferencat tuaja për kërkesën për qeveri teknike, çfarë do të bëjë konkretisht opozita, na ndan vetëm një muaj nga fillimi i vjeshtës,, fillimi i parlamentit dhe duhet të ketë diçka konkrete nga kampi opozitar?

Berisha: Opozita dhe shqiptarët duhet ta kenë dhe e kanë të qartë se, kurrë me Edi Ramën nuk mund të votojnë si qytetarë të lirë.

Largimi i Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve që qytetarët shqiptarë të vendosin me vullnetin e tyre për qeverinë e ardhshme.

Ndaj dhe PD do bëjë çdo gjë për të mobilizuar shqiptarët të qëndrojnë për votën e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë diasporën, ndaj përfaqësuesve të narkoshtetit në diasporë.

Ata janë përfaqësuesit e shtetit armik të votës së lirë të shqiptarëve.

Dhe kemi të bëjmë me një diktaturë autokratike, e cila ka si forcë lëvizëse drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Ndaj dhe qëndresa e përgjithshme e qytetarëve shqiptarë është rrugëdalja e vetme nga kjo situatë.

Anisa Kadesha, Tvsh: Z.Berisha, shpërblimet janë të ndaluara me kod zgjedhor gjatë fushatës elektorale, a do të ishin prova të mjaftueshme marrja e këtyre vendimeve nga institucionet, si SPAK, përshembull?

Berisha: Për çdo gjykatës, për çdo prokuror, me minimumit e integritetit dhe dinjitetit profesional dhe njerëzor, këto do ishin superprova, po këto nuk janë për Altin Troplinin.

Nuk janë për kreun e Skapit, i cili është një mercenar i Edi Ramës, i cili me amnistinë e dosjeve 184 dhe 339 shtroi platformën ligjore të drejtësisë së kapur, firmosi licencat në një akt kriminal për vazhdimin e praktikave antikushtetuese, antiligjore në qëndrimin ndaj votës së qytetarëve shqiptarë.

Unë i kam denoncuar Altin Troplinin që në atë kohë dhe e garantoj se do japë llogari gjer në një për këto qëndrime kriminale, antikushtetuese që mban ndaj krimit masiv elektoral të qeverisë, me të cilat ai mbron karrigen e tij, pasuritë e tij, mbron tre apartamentet me rrogë shteti si i vetmi zyrtar në Shqipëri.

Mbron rrogën prej mercenari.

Shqiptarët duhet ta dinë se asnjë prokuror në Ballkan, në rajon, asnjë prokuror, edhe në vendet ku rrogat janë tre-katër herë më të larta se në Shqipëri, nuk merr rrogën e Altin Troplinit.

Pra, është pikërisht ky avokat i krimit elektoral pas Edi Ramës, përgjegjësi më kryesor për farsën elektorale.

Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale