FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN PËR SHTYP
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp ditnë e sotme denoncoi me pamje aksionin e shembjeve në Theth, duke e cilësuar si një nga krimet më të rënda shtetërore në historinë e Shqipërisë. Lideri histoik i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për urrejtje të thellë ndaj banorëve të zonës dhe për shkatërrimin e qëllimshëm të Thethit, krahasuar me pushtimet më barbare.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se asnjë nga ndërtesat e prishura nuk ndodhej në zonën e mbrojtur, por në zonën urbane, dhe ishin ndërtuar mbi tokë private, me materiale tradicionale si dru dhe gur. Berisha theksoi se përpara zgjedhjeve qeveria krenohej me zhvillimin turistik të Thethit, që kishte arritur mbi 2 mijë shtretër, ndërsa tani ky potencial po shkatërrohet si ndëshkim për rezultatin elektoral.
Lideri Opozitar, Sali Berisha vijoi gjatë konferencës me akuza dhe denoncime të mëtejshme edhe për diskriminimin sistematik të veriut, duke deklaruar se investimet në këtë zonë janë më të pakta se ato të diktaturës së Enver Hoxhës. Ai u shpreh se qytetarët e veriut paguajnë miliona euro taksa por marrin mbrapsht vetëm “thërrime” dhe përballen me emigracion masiv e përjashtim nga zhvillimi.
Kryetari i PD, Sali berisha tha se “Paketa e Maleve” përbën një përpjekje të paligjshme të qeverisë për të grabitur tokat e banorëve dhe për t’ua dhuruar individëve të pasur me para të dyshimta. Ai e cilësoi këtë nismë si të rrezikshme dhe nxitëse për përçarje, urrejtje dhe gjakderdhje mes komuniteteve malore.
Berisha i bëri thirrje qytetarëve të veriut, të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë të ngrihen kundër kësaj “të keqe të madhe” që po rrënon çdo ditë shqiptarët, të mbrojnë të drejtën e pronës dhe të refuzojnë çdo shitje toke ndaj personave me origjinë apo qëllime të dyshimta.
FJALA E PLOTË
Thethi përbën në historinë e Shqipërisë një nga krimet shtetërore më të rënda, më të shëmtuara.
Dëshmi e shpërthimit të urrejtjes së një njeriu që ka urrejtjen njerëzore si shtyllë kryesore të moralit të tij të kalbur.
Edi Rama e ka shndërruar Thethin në një shesh shkatërrimi, në të cilin ky fshat, kjo zonë nuk është shndërruar kurrë nga asnjë pushtues, qoftë edhe më barbarët.
Sot që flasim, në Theth janë hordhitë e ushtrisë, të cilat në kundërshtim me çdo ligj, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, janë shpalosur me urdhër të armikut të egër të Thethit dhe kryejnë detyrat që i ka ngarkuar Rama.
Pra, është i pabesë, i pamoral, i pafjalë.
Asnjë ndërtesë nuk është në zonën e mbrojtur, të gjitha ndërtimet janë në zonat urbane.
Po, Thethi është park kombëtar, por Thethi ka një zonë urbane ku ndërtohet.
Shiheni atë zonjën që ka në krah, shend e verë.
Asnjë ndërtim në tokë publike, as edhe në tokën e tjetrit, të gjitha në tokën e vet.
Ndërtime druri, siç përcakton rregullorja për Thethin, druri ose guri.
Pse kjo?
Ky është rezultati i qendrës së votimit ku ju patë atë krim të shëmtuar.
PD në këtë qendër ka marrë 95 vota dhe PS 82 vota.
Pra, nuk kanë votuar PS-në, kanë votuar PD-në dhe kjo është hakmarrja primitive, kriminale e Edi Ramës ndaj tyre.
Dëgjojeni këtë.
Para zgjedhjeve mburreshin me ato ndërtime, mburreshin se Thethi kishte arritur të ketë 2 mijë shtretër.
Vërtet arritje shumë e madhe, po të kemi parasysh se një shtrat në Theth ka një kosto të paktën tre herë më të lartë se një shtrat në Tiranë apo bregdet, për shkak të infrastrukturës, distancës, etj.
Por ja ku janë 2 mijë shtretërit e Thethit, se si Edi Rama për shkak të disfatës elektorale, u hakmor në mënyrën më primitive, më çnjerëzore ndaj tyre.
Unë u bëj thirrje banorëve të Thethit, Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, të ngrihemi për t’u ndarë në mënyrë përfundimtare nga kjo e keqe e madhe që po rrënon çdo ditë shqiptarët dhe qenien e tyre.
Nga ky armik i egër i veriut të Shqipërisë në mënyrë të posaçme, por edhe shqiptarëve në tërësi, i cili rrezaton çdo ditë armiqësi, urrejtje, negativitet ndaj tyre.
Pra, ky është Thethi i 2 mijë shtretërve sot.
PYETJE- PËRGJIGJE
Ermal Rizaj, Syri Tv: Z.Berisha, ju sot, por edhe më herët e akuzoni z.Rama se diskriminon zonën e veriut. Ju keni informacion se pas shembjeve në Theth ka zonë tjetër në veri ku mund të shkojnë fadromat e IKMT-së për të parë të njëjtën pamje, për të parë të njëjtat ngjarje?
Berisha: Ai në veri mund të shkojë kudo, domethënë nuk ka pasur në historinë e shqiptarëve që është sjellë në mënyrë më të egër ndaj veriut se Edi Rama.
Ndërkohë që paguajnë qindra milionë euro taksa, marrin thërrime dhe vetëm mërgim, mërgim, mërgim.
Prerje të ndihmave, mërgim, investimet më qesharake.
Diskriminimi i veriut është i pashembullt.
Enver Hoxha e konsideronte zonë jo të veten veriun, por investimet i ka pasur më të mëdha.
Investimet e diktaturës kanë qenë më të mëdha se investimet e Edi Ramës në zonat e veriut.
Ermal Rizaj, Syri Tv: 24 orë më parë z.Rama ka publikuar një hartë, ku thotë se, kjo është një hartë frymëzuese e aplikimeve për paketën e maleve, ku vetëm në 5 ditë numërohen 787 aplikantë. Ccfarë qëndron pas paketës së maleve dhe pas këtyre aplikimeve që fadromat shembin ndërtesat dhe bujtinat në Theth?
Berisha: Pas Paketës së Maleve qëndron një paligjshmëri absolute sepse Edi Rama autorizon veten të marrë tokat dhe të bëjë dhuratë tokat atyre që nuk mund t’i disponojnë kurrë tokat e tyre.
Veriu ka ndarë tokën sipas trashëgimisë dhe nuk kanë marrë asnjë pëllëmbë tokë nga tjetri.
Çdo përpjekje për të rrëmbyer pronë private në veri është një përpjekje për të nxitur gjakderdhje, për të nxitur armiqësi, urrejtje dhe përçarje.
Në Paketën e Maleve, Edi Rama autorizon veten sikur të ishte pronar i maleve dhe alpeve dhe zonave të tjera.
Ndaj dhe unë ftoj çdo qytetar t’i përmbahet me rigorozitet të madh respektimit të të drejtës së pronësisë në çdo zonë dhe kudo.
Nga ana tjetër jam i sigurt se Edi Rama do ndërsejë skuadrat e tij të trafikantëve drejt zonave malore.
U bëj thirrje qytetarëve, asnjë metër katror tokë mos u shisni njerëzve të dyshimtë, njerëzve me para të pista apo me origjinë të paqartë.


