FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE “RRUGA E SHPRESËS”
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur nga dritarja e banesës së tij në ditën e 75-të të tubimit qytetar që zhvillohet te “Rruga e Shpresës”, akuzoi Edi Ramën se ka urdhëruar mediat që të censurojnë fjalën e pjesëmarrësve në tubimin e përnatshëm qytetar. Berisha ftoi çdo qytetar shqiptar të mendojë se kjo betejë është për secilin prej tyre.
Gjatë fjalës së mbajtur, Berisha e vuri theksin në investimet e bëra gjatë qeverisjes së PD. Berisha tha se, gjatë kohës së qeverisjes së tij, taksat e shqiptarëve u përdorën për të ndërtuar dhe rikonstruktuar spitalet në të gjithë Shqipërinë.
Kryedemokrati, Sali Berisha, tha se gjatë qeverisjes së tij, pagat e mjekëve dhe infermierëve u rritën me 150 %, ndërsa sot ata po largohen nga vendi.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se, Covid vrau në Shqipëri 20 mijë persona dhe ne u treguam në raport me shërbimin shëndetësor jo vend i botës së tretë, por vend i botës së katërt apo të pestë. Berisha tha se sot, spitalet mbyllen njëri pas tjetrit dhe se specialistët mungojnë edhe në spitalet rajonale shumë të rëndësishme.
Berisha, gjatë fjalës në tubimin qytetar ka akuzuar prokurorët e SPAK se nuk e po akuzojnë Ilir Beqajn për korrupsion siç e meriton, por veç për shpërdorim detyre. Berisha tha se, ish-ministri i Edi Ramës hyn dhe del në SPAK, si të ishte në selinë e PS-së.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se, kompania e sterilizimit është e Edi Ramës dhe se Dumanit ia mbyllën gojën dhe u tërhoq nga mendimi veçmas.
FJALA E PLOTË
Të dashur miq, misionarë të vërtetë të dinjitetit, të lirisë, të shpresës, të të ardhmes.
Një përshëndetje të përzemërt dhe mirënjohje të pakufijshme për qëndresën tuaj, për angazhimin tuaj të përnatshëm, për fjalët tuaja frymëzuese për çdo shqiptar.
Miqtë e mi!
Ju përballeni me një censurë të egër staliniste. Edi Rama iu dikton mediave të tij që të censurojnë çdo fjalë tuaj. Treguesi më i fuqishëm i vërtetësisë të fjalëve që ju thoni këtu në Rrugën e Shpresës, në parlamentin e lirisë.
Por dua t’u garantoj se sa më shumë përpiqet Edi Rama t’i mbështjellë me vellon e zezë të censurës fjalët tuaja, aq më shumë ato oshëtijnë në veshët, zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. Aq më shumë ato dëgjohen, kalojnë nga njëri te tjetri si të vërteta që fshihen nga ky regjim dhe që njerëzit duhet t’i dinë.
Miqtë e mi!
Unë përsëri sonte ftoj çdo qytetar shqiptar të mendojë se kjo betejë është për secilin prej tyre. Se kjo betejë është për liritë e tyre, dinjitetin e tyre, mirëqenien e tyre, arsimimin e tyre. Se kjo betejë është edhe për shëndetin, kujdesin shëndetësor që ata meritojnë.
Dhe në këtë betejë unë i ftoj ata të mos harrojnë për asnjë moment krahasimin.
Çfarë ndodhi nga viti 2013 gjer sot me pagat, çfarë ndodhi me vendet e punës, çfarë ndodhi me arsimin, çfarë ndodhi në të gjitha fushat?
Në 10 vite, koha për shqiptarët u kthye në kohën e mosbesimit, në kohën e largimit të tyre masiv nga Shqipëria.
Sonte unë do sjell në vëmendjen tuaj një shërbim që është jetik për çdo shqiptar, për çdo të moshuar, për çdo të sapolindur, për çdo fëmijë, për çdo nënë, për çdo të sëmurë. Shërbimin shëndetësor.
Unë nuk pretendoj dhe nuk them se në vitin 2013 ishte shërbimi shëndetësor që meritonin qytetarët. Por e them me shifra dhe fakte të vërteta se ishte i pakrahasueshëm me shërbimin e sotëm.
Miqtë e mi!
Ishte i pakrahasueshëm se ato taksa tuaja, ato të ardhura tuaja që u përdorën për shëndetësinë, shkuan së pari për të rritur me 150 përqind rrogën e infermierëve. Në vitin 2005, infermierja merrte 150 mijë lekë.
Për të rritur me 150 përqind rrogën e mjekëve, të cilët paguheshin me rroga qesharake. Çfarë solli kjo miq? Kjo i motivoi infermieret tona, kjo i motivoi mjekët tanë. Ata nuk largoheshin siç ikin sot. Jo se ato ishin rroga të larta, por se ato ishin rroga që rriteshin çdo vit. Dhe se kjo atyre u jepte besim që gjendja e tyre ekonomike, puna e tyre do vlerësohej gjithnjë e më shumë.
Dhe kjo qe e vërtetë.
Ato para, që vileshin nga taksat tuaja, nuk u përdorën për check-upin e Edi Ramës. Nuk u përdorën për vjedhjen e tmerrshme të dytë të shekullit me sterilizimin.
Jo, miqtë e mi.
Në mbarë Shqipërinë, sterilizimi ekzistonte, nuk e shpiku Sali Berisha atë. Atë e kanë praktikuar që nga fillimet e mjekësisë shqiptare në dekada e dekada. Por nuk ndodhte kurrë që ai proces të kushtojë sa sot, 83 herë më shumë se në vitin 2013.
Jo, nuk mund të ndodhte. Nuk mund të ndodhte kurrë që ai proces që ju e paguani me taksat tuaja, të kushtojë sot në Tiranë 4 herë më shtrenjtë se në Berlin, 5 herë më shtrenjtë se në Londër.
Kjo nuk ndodh! Ato para që ju paguanit për sistemin shëndetësor, ato shërbyen për të rritur numrin e barnave të rimbursueshme dhe Shqipëria futi në listë të plotë çdo bar gjenerik që përcaktonte Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ato para u përdorën për të blerë numër të konsiderueshëm skanerësh, akseleratorësh, rezonanca, mjetet më moderne.
T’u tregoj vetëm një ngjarje të shkurtër, qesharake.
Porositëm 7 milionë euro dy akseleratorë. Mirëpo, ata duheshin të vendoseshin në bunkerë betoni. Edi Rama shkoi dhe inauguroi gropën e njërit prej tyre për të paraqitur suksesin e shëndetësisë së tij.
Ato para u përdorën për të rikonstruktuar spitalet nga Gjirokastra në Shkodër, për të ndërtuar spitale të reja, urgjenca e të cilit në marrëzi e rinauguronte Edi Rama, 2 vite pasi e kishim bërë ne, duke pretenduar se ishte investim i tiji.
Pra, dhjetëra e dhjetëra milionë euro u përdorën për rindërtim spitalesh. 22 milionë për spitalin e urgjencës, 50 milionë të tjera u bënë gati për QSUT-në. Ky ishte përdorimi i taksave tuaja qytetarë.
Por u them një gjë unë prapë, se përmirësime cilësore erdhën në mënyrë të pamohueshme. Vdekshmëria foshnjore zbriti në nivelet njëshifrore dhe zbriti në nivelet e BE. Po kështu vdekshmëria amtare. U lehtësua me tre herë mundësia e vizitave për qytetarët.
Çfarë ndodhi miqtë e mi, pas vitit 2013 gjer sot?
Çdo shqiptar duhet ta dijë, se në qoftë se në vitin 2013 ne kishim një mjek për 600 banorë, sot kemi zbritur në nivelin e mjekëve për frymë në nivelin e viteve 1960.
Sot, spitalet mbyllen njëra pas tjetrës. Sot, specialistët mungojnë edhe në spitalet rajonale shumë të rëndësishme.
U ndërtua një spital i ri, u dogj spitali 5 muaj pas inaugurimit. U dogjën dhjetëra milionë aparatura, u fsheh, zjarrvënësit e fshehën krimin e shëmtuar, vetëm e vetëm se ish-kunata e Edi Ramës është drejtoreshë e përgjithshme e spitalit dhe ministrja është favorite e tij.
Çfarë ndodhi nga viti 2013 gjer sot?
Shqipëria dhe mbarë bota u përball me një pandemi nga më të rrezikshmet. Por Shqipëria pati rritjen më të madhe të vdekshmërisë në Europë nga Covid-i dhee një nga vendet me rritjen më të madhe në botë.
Miqtë e mi!
20 mijë burra e gra, fëmijë, të rinj, të moshuar u mori jetën Covid-i dhe ne u treguam në raport me shërbimin shëndetësor jo vend i botës së tretë, por vend i botës së katërt apo të pestë.
Pse kjo? Ta shtroni këtë pyetje. Si ka mundësi një vend që arriti të ketë vdekshmëri foshnjore njëshifrore, të rrokulliset në këtë mënyrë, me këto fatalitete?
Fare e thjeshtë miq, sepse paratë që ju paguat o qytetarë, dhe jo pak, por të paktën 300 milionë euro, u vodhën, u vodhën dhe vetëm u vodhën nga ministra dhe zyrtarë të Edi Ramës.
Pse kjo vdekshmëri e tmerrshme, njëlloj si në katër vendet më të pazhvilluara të botës?
Sepse Edi Rama me ministren e tij e shndërruan Tiranën në spital. Nuk shtronin të sëmurët, i mbanin në shtëpi në një kohë kur në gjithë botën dilte se mbajtja në shtëpi shënonte rritje vertikale të vdekshmërisë.
A mund të imagjinoni ju se Kosova me dy milionë kishte shtretër me Covid gjatë gjithë kohës dy herë e gjysmë më shumë se Shqipëria.
Ndaj qytetarë, duhet të pyesni, çfarë po ndodh me ju? Kush po e paguan? Ju lutem, ftoj qytetarët të pyesin. Kush po paguan faturën e këtij rrënimi të shëndetësisë? Ata dhe vetëm ata. Se ministrat, qeveritarët shërbimet i marrin në botë, në spitalet më moderne, dhe kur ndonjëherë bjenë në mbidozë nga kokaina. Se tani kanë filluar kokaina-party.
Shkojnë në spitale të veçanta për t’u shkumëzuar. Po, miq, po!
Po pse ky rrënim?
Sepse 400 milionë euro vidhen vetëm me PPP-të në shëndetësi.
Miqtë e mi!
Edhe njëherë i ftoj qytetarët të shtrojnë pyetjen: çfarë po ndodh me kujdesin e tyre shëndetësor?
OBSH deklaroi para një muaji se shqiptarët paguajnë për kujdesin e tyre shëndetësor 60 përqind nga xhepi i tyre, se ata paguajnë dy herë më shumë se paguanin në vitin 2013. Po pse, ku shkojnë këto para? Këto para i vjedh Edi Rama me ministrat e tij.
Do ju sjell një shembull.
Sterilizimi kushtonte gjer në vitin 2013, 800 mijë euro. Blemë një aparaturë ultramoderne, ndërtuam spitalin, e instaluam për të pasur sterilizim të cilësisë më të lartë. Çfarë ndodhi? Ia dhanë mikut të Edi Ramës, muratorit, i cili me diplomë mjeku kishte një skuadër ndërtimi me dy punëtorë në Itali.
Tani miq, ju e keni ndjekur gjyqin. Nuk ka krim më të shëmtuar. Sterilizatorët janë vjedhja e dytë të shekullit. Po, po. Sepse me këtë procedurë, Ilir Beqaj me urdhër të Edi Ramës rriti me 83 herë çmimin e sterilizimit.
Sepse me këtë procedurë, Ilir Beqaj i dha kompanisë së Edi Ramës dhe vetes, aparaturën e blerë gratis dhe katin e spitalit, energjinë elektrike falas, ujin falas. Dhe më e keqja, më e zeza, çdo muaj përjashtoheshin nga operacionet 1 mijë shqiptarë, sepse spitalet nuk blinin dot kompletet kirurgjikale nga kompania e sterilizimeve.
Çdo muaj 1 mijë, në një vit 12 mijë, në 5 vite, 60 mijë. Po sa prej tyre kanë vdekur se nuk arritën të operoheshin.
Miq!
Beqja hyn dhe del në SPAK si në selinë e PS. E dini se ç’po ndodh?
Beqen, i cili ka firmosur kontratën e sterilizimit, Beqen i cili ka firmosur hapjen e tenderit për sterilizimin, Beqën i cili ka firmosur pikët për kompaninë e muratorit të Edi Ramës, Beqën i cili ka firmosur dhënien e ujit dhe energjisë falas kompanisë së tyre, Beqën që ka firmosur dhënien e aparaturës falas dhe katit dhe lokaleve kudo në Shqipëri, Beqa do të shkojë pas insistimit të gjykatës, jo me akuzë për korrupsion, jo për korrupsion, por thjesht për shpërdorim detyre.
A nuk janë kriminelë këta prokurorë që veprojnë në këtë mënyrë kur kjo ka kushtuar qindra e qindra jetë? Po tani pse ndodh kjo? Qytetare dhe qytetarë, ju ftoj të shtroni pyetjen.
Kjo ndodh sepse në qoftë se kthehemi 5 vite më parë, kushdo që e njeh Ilir Beqën, çdo gjë mund të thotë për të, por i mençur nuk thotë dot se është.
Pse ua thashë këtë? Ua thashë këtë se nuk ishte Beqja që dilte nga një studio në studio tjetër më gërshërën e bishtthyer dhe pincën me një krah. Ishte Rama qytetarë që paraqitej para jush, dhe ju thoshte se me çfarë jeni operuar gjer më sot. Një çfarë të thuash. Se gërshëra me një krah nuk pret, se pinca me një krah nuk mban.
Dhe Edi Rama e bënte këtë vetëm e vetëm se sipërmarrja, vjedhja e dytë e shekullit ishte e tij. Ishte ai hajduti kryesor i saj.
Kurse SKAP-i partisë, Duman-Kraja e të tjerë, e dërgoi për shpërdorim detyre.
Po pse e bëjnë këtë? Sepse Dumani, pasi bëri një mendim veças në padinë e parë, që nuk u bë asnjë padi ndaj Beqës, u tërhoq, ia mbyllën gojën.
Po si ia mbyllën gojën? Hë i thanë ata, po ti pse nuk çon Erion Veliajn, që ka vjedhur dyfishin me inceneratorët?
Ka firmën në të gjithë procedurën, është përgjegjës direkt me Belinda Ballukun për kontrollin e ndërtimeve, dhe sot pas 6 viteve nuk ekziston gjurmë e tyre. Kështu që, ata pra e gjuajnë me krime në surrat njëri-tjetrin dhe bëjnë amnistinë e kriminelëve qeveritarë.
I thashë këto fjalë, duke ftuar çdo shqiptar të bëjë krahasimin sepse në vitin 2013, vërtet nuk ishte niveli që meritonim, por absolutisht ishte një nivel në përmirësim, në cilësi, në të gjitha drejtimet. Kurse sot është në shpartallim, në shpartallim, në shpartallim.
Edhe njëherë duhet t’u falënderoj me shumë mirënjohje, t’u ftoj ta vazhdojmë këtë betejë, këtë mosbindje pa kthim, gjer në krijimin e qeverisë teknike, përmbysjen e diktaturës të bazuar në aleancën e pushtetit me krimin.
Shqiptarët të votojnë të lirë. Opozita shqiptare do vijë në pushtet, dhe unë u them shqiptarëve se të krahasosh pushtetin e viteve të saj, me pushtetin e rilindjes së Edi Ramës është një gabim i rëndë, çmimin e të cilit e paguan çdo qytetar që e paguan atë.
Ndaj dhe ne jemi këtu misionarë të të vërtetës, për të ndriçuar mendjen dhe zemrat të shqiptarëve me të vërtetat e pamohueshme.
E vërteta do na bëjë të lirë. E vërteta do na bëjë të lirë. E vërteta do na çdo drejt fitores.
Rrofshi ju, rroftë fitorja.
Fitore, fitore, fitore!