Berisha: Çdo orë dalin fakte, dokumente shkatërrimtare për farsën elektorale të 11 majit të organizuar nga Toto Riina i Tiranës, Edi Rama. Do dërgohen në Senatin dhe Kongresin e SHBA dhe kancelaritë e Europës

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një konferencë për mediat u shpreh se, ‘çdo orë dalin fakte, dokumente shkatërrimtare për farsën elektorale të 11 majit të organizuar nga Toto Rina i Tiranës, Edi Rama’.

‘Çdo orë që kalon, nxjerr fakte, dokumente shkatërrimtare për farsën elektorale të 11 majit të organizuar nga Toto Rina i Tiranës, Edi Rama. Por unë jam këtu para së gjithash, për të shprehur vlerësimin tim, për të gjithë ata komisionerë dhe numërues, vëzhgues të opozitës që në kushtet e një presioni të gjithëanshëm, në kufijtë e një terrorizmi shtetëror, por kryejnë detyrën e tyre dhe i ftoj ata ta kryejnë gjer në fund’, theksoi Berisha.

Lideri i demokratëve Sali Berisha, deklaroi gjatë një konferencë shtypi nga selia e PD se raportet paraprake i kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri.

‘Unë këtu shpreh vlerësimin tim për raportet paraprake, të cilat defakto në parimin më themelor ndërkombëtar dhe kombëtar të zgjedhjeve, atë të barazisë së palëve, i kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet.’, deklaroi kryetari i PD.

‘Faktet dhe dokumentet e farsës elektorale do i çojmë në kancelaritë Evropiane dhe Senatin dhe Kongresin e SHBA’, kështu deklaroi para gazetarëve në konferencën për shtyp kreu i opozitës shqiptare.  ‘Narkoregjimi i Tiranës nuk mundet kurrë të përfitojë për kohë të gjatë nga kjo masakër zgjedhore që kreu’, nënvizoi Berisha.

Kryedemokrati Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp, deklaroi se e vërteta do të dalë në pah, pavarësisht përpjekjeve për ta fshehur. Ai rikujtoi ngjarjet e vitit 2001, kur opozita u angazhua për të zbuluar fakte të rëndësishme, dhe shprehu besimin se sot janë mbledhur aq shumë prova, sa është e vështirë të zgjidhen se cilat të paraqiten. Berisha theksoi se misioni kryesor i opozitës është mbrojtja e të drejtës themelore të shqiptarëve për të votuar të lirë, një kauzë që, sipas tij, mbetet thelbësore për çdo demokrat.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha gjatë konferencës me gazetarët se, duke denoncuar krimet zgjedhore të rilindjes se ‘Rama është i gatshëm ta shndërrojë Shqipërinë në megaburg që të marrë mbështetje ndërkombëtare’.

‘Thashë dhe njëherë, e kemi parë dhe në 2001 këto urime, përveç të tjerave se, ka interesa për burgje, se ky është i gatshëm ta shndërrojë Shqipërinë në megaburgun e gjithë kontinentit për të marrë mbështetje për zgjedhjet. Por dhe kjo nuk ecën. Nuk ecën se janë vende të lira ato’, theksoi gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita!

Çdo orë që kalon, nxjerr fakte, dokumente shkatërrimtare për farsën elektorale të 11 majit të organizuar nga Toto Riina i Tiranës, Edi Rama.

Por unë jam këtu para së gjithash, për të shprehur vlerësimin tim, për të gjithë ata komisionerë dhe numërues, vëzhgues të opozitës që në kushtet e një presioni të gjithanshëm, në kufijtë e një terrorizmi shtetëror, por kryejnë detyrën e tyre dhe i ftoj ata ta kryejnë gjer në fund.

Kjo është rruga më e mire për të mbrojtur votën e shqiptarëve, në kuptimin që ne jemi të detyruar, ligjërisht dhe me kushtetutë, të mbrojmë çdo votë të hedhur nga qytetarët shqiptarë.

Por kjo është rruga gjithashtu për të faktuar para shqiptarëve dhe botës, farsën e paprecedentë që po kundërmon në të 4-anët, farsën elektorale që organizoi narkoregjimi i Tiranës me datën 11 maj të vitit 2025.

Në këtë kuadër, Partia Demokratike dhe opozita po përgatit luftën e fuqishme për mbrojtjen e të drejtës së votës së shqiptarëve.

Unë këtu shpreh vlerësimin tim për raportet paraprake, të cilat defakto në parimin më themelor ndërkombëtar dhe kombëtar të zgjedhjeve, atë të barazisë së palëve, i kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet.

Por natyrisht jo vetëm në këtë parim, ka patur probleme të tjera po kaq të rënda, edhe më të rënda. Zgjedhje të kapura nga organizata kriminale më të fuqishme të Shqipërisë dhe rajonit, të cilat disponojnë në kontot e tyre të nëndheshme, miliarda euro dhe që luftojnë këto zgjedhje për lëkurën e tyre, sepse siç e dini, i kisha garantuar dhe vazhdoj ti garantoj se ato me PD në pushtet, do të shpallen organizata terroriste, ç’ka do të thotë ligji do të jetë i tmerrshëm për to. Mos të kenë iluzion sepse ato janë bërë pengmarrës të demokracisë së një shteti dhe një kombi, me Edi Ramën.

Në këtë kuadër dënoj me forcën më të madhe terrorin policesk, ndaj numëruesve dhe komisionerëve tanë. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të vëzhguesit Luan Tollozhina. E gjithë ngjarja është një kurth policesk i organizuar kundër tij. Ai mbahet në burg vetëm si qëndrestar dhe mbrojtës i votës.

Dënoj akte të tjera të falangave të krimit që kanë terrorizuar demokrate e demokratë, opozitarë dhe opozitare që kanë dorëzuar filmime, dokumente mbi dhunimin masiv të këtyre zgjedhjeve.

Pra, ftoj demokratët dhe demokratet e mbarë opozitarët të vazhdojmë këtë mision, si misioni i të gjitha misioneve të një opozite, mbrojtjen, rikthimin e votës së lirë.

Asgjë në botë, asnjë fuqi politike nuk do mund të fshehë të vërtetat e shëmtuara të grabitjes së zgjedhjeve nga narkoregjimi i Tiranës.

Ata të cilët injorojnë se këto zgjedhje u grabitën, u plaçkitën në mënyrat më kriminale dhe antidemokratike, do të zhgënjehen më vonë, kur ne të kemi faktuar para çdo shqiptari dhe në çdo kryeqytet të Europës dhe botës, shëmtinë e kësaj farse elektorale.

Faleminderit!

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Anisa Kadesha, RTSH: A keni fakte të mjaftueshme për të sensibilizuar faktorin ndërkombëtar për këtë proces zgjedhor që ju e konsideroni të manipuluar, ashtu siç keni vepruar në vitin 2001, zgjedhje të cilat nuk u certifikuan nga ndërkombëtarët si zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sali Berisha: Më të shumta, më shumë se kurrë kemi fakte dhe dokumente, më shumë se kurrë. Por fakti është se vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE-ODIHR për çka unë përgëzoj misionin e ambasadorit Zannieri, i cili në kushte jo të lehta, arriti në një vlerësim paraprak, në tërësi do të thosha, real.

Por natyrisht me ODIHR dhe OSBE, sikundër me të gjitha kancelaritë europiane, me senatin, kongresin dhe administratën e SHBA, ne në mbrojtje të votës së qytetarëve shqiptarë, do të kemi paraqitje dhe shkëmbime intensive mendimesh, dokumentesh dhe faktesh të pakundërshtueshme.

Narkoregjimi i Tiranës nuk mundet kurrë të përfitojë për kohë të gjatë nga kjo masakër zgjedhore që kreu.

Ardit Hoxha, EuroNews: Ju përmendët dhe kancelaritë Europiane për të denoncuar atë që ju e cilësoni si farsë elektorale. Por që nga mbrëmja e djeshme ka një seri liderësh, presidenti të vendeve Europiane, mes tyre dhe anëtarë të PPE, të cilët e kanë përshëndetur fitoren e Edi Ramës.

Sali Berisha: Ndodhi edhe në 2001 kjo. Miq, në qoftë se ka dy gjëra që ngjasin njëra eterike, tjetra materiale njëri me tjetrin është e vërteta dhe diamanti, për nga forca e tyre.

Sado të përpiqen ta nxijnë diamantin, diamanti mbetet diamant, pastrohet dhe shndërrit. E vërteta është eterike, por është njëlloj me diamantin.

Ndaj dhe këtë situatë, nuk them se është situatë e pëlqyer, e lumtur. Por ama kur ne kemi shkuar në 2001, kemi dëshmuar me fakte që sot i kemi aq të panumërta, sa kemi vështirësi të zgjedhim, çfarë të paraqesim përpara, atëherë nuk mundet kush.

Mos harroni, ne kemi kaluar periudha dhe kemi fituar, dhe do fitojmë. Unë u them demokratëve se nuk ka mision më të shenjtë se sa ti dalim zot të drejtës themelore të shenjtë të qytetarëve shqiptarëve për të votuar të lirë.

Jolldiz Mitro, Tv Klan: Këtë betejën tuaj për prezantimin e fakteve përsa i përket asaj që ju e cilësoni masakër elektorale, a do ta nisni që nesër nga Samiti i Brukselit.

Sali Berisha: Ajo betejë ka nisur që para zgjedhjeve dhe ka nisur dhe me sukses. Po të kemi parasysh që rezoluta e Partisë Popullore Europiane në Valencia, shkruan se Edi  Rama po blen vota me lek, po blen vota me drogë, me kanabis, me prokurorime, me punësime.

Këto janë të gjitha para ditës së votimit.

Takimin që kemi patur, një seri takimesh që kemi patur me ambasadorin Zannieri dhe përfaqësuesit e tij, takimin e fundit që patëm me të gjithë delegacionet, u quajt një aleancë e delegacioneve që u krijua, dhe ato siç e shifni ju, zgjedhjet janë rrëzuar.

Zgjedhjet kanë mbetur vetëm skeleti.
Ua thashë edhe njëherë, ndërgjegjien e njeriut të lirë nuk mundet kurrë të mposhtet me mashtrime. Një njeri i lirë, ka respekt për votën e lirë.

E kemi nisur këtë betejë dhe do e bëjmë ketë betejë dhe me sukses. Mbajeni mend. Është  e vërteta ajo që na garanton suksesin.

Olta Blaceri, Vizion+: Raporti i ODIHR i vitit 2001, vuri në diskutim gjerësinë e fitores së PS, por PD mbeti në opozitë 4 vite. Por sot është fakt tashmë, PD do të rrijë në opozitë dhe 4 vite, demokratët do rrinë në në opozitë 16 vite. Çfarë do ti thoni ju sot demokratëve që qëndrojnë prej 16 vitesh në opozitë?

Sali Berisha: Ju po flisni për 2001, për fitore. Unë po them se kjo është e grabitur, nuk ka fitore këtu. Nëse flisni për fitore në 2025, pastaj bëhesh palë me Edi Ramën. Nuk është fitore kjo. Kjo është grabitje e zgjedhjeve.

Dhe këtu nuk ka shqiptar që nuk e pa me sy këtë grabitje.

Atëherë plaçka e vjedhur duhet të kthehet, ky ësHtë rregulli. Zgjedhjet janë grabitur. Dhe cilido që i pa me sy vjedhjen e zgjedhjeve dhe shprehet për fitore të Edi Ramës, përdor fjalorin e tij. Të lutem. Këto janë evidente.

Kush ishte ai që nuk pa shpërndarjen e 100 eurove për pensionistë, në një kohë kur pensionistët përbëjnë 48% të elektoratit. Qëndrimi ndaj zgjedhjeve për çdo njeri, cili do qoftë ai, është qëndrim i ndërgjegjes së tij ndaj vlerave të lirisë.

Merr këto 100, më jep 48% të zgjedhësve. Kaq janë ata që votuan.

Cili nuk i pa, faljen e 200 mln gjobave 2 ditë para zgjedhjeve.

Cili nuk e mori vesh mbjelljen e milionave rrënjë kanabis në të 4-anët e vendit me licenca. Mos harroni 1 bimë, 1 mijë euro e ka prodhimin.

Cili nuk i pa këto, kush nuk i pa Xhabaftët në Vorë, kush nuk ka Pojën në Durrës. Kolegët tuaj ishin më të saktit që përshkruan gjithçka për ta.

Suel Çelën në Elbasan, të tjerët në Shkodër, e me radhë e me radhë.

Këtu nuk ka ndërgjegje njerëzore që mund të mohojë grabitjen e zgjedhjeve. Këto janë zgjedhje të grabitura, të plaçkitura.

Thashë dhe njëherë, e kemi parë dhe në 2001 këto urime, përveç të tjerave se, ka interesa për burgje, se ky është i gatshëm ta shndërrojë Shqipërinë në megaburgun e gjithë kontinentit për të marrë mbështetje për zgjedhjet. Por dhe kjo nuk ecën.

Nuk ecën se janë vende të lira ato. Do ketë një dialog intensiv shumë të opozitës me kancelaritë e vendeve të lira. Nuk kalohet duke shkelmuar votën e shqiptarëve, kërkund.

Jolldiz Mitro, Klan: Këtë plaçkën e vjedhur ku ju thoni, prisni ta merrni nga mbështetja që do keni nga BE-ja, apo nga SHBA-të që ende nuk kanë folur për zgjedhjet në Shqipëri.

Sali Berisha: Të saktësojmë, të gjithë deklaratat janë paraprake. Ne jemi opozitë që kemi faktuar.

‘We change the World’ (kemi ndryshuar botën) e bëmë ne këtë, e kemi bërë, dhe e kemi tani më të mundur se kemi shumë më tepër fakte.

Ku do të thoni ju? Në të gjitha qendrat e mëdha. Në Kongresin dhe Senatin e SHBA. Në Parlamentin Europian, në Këshillin e Europës, në Asamblenë Parlamentare të OSBE, në ODIHR, pranë qeverive të vendeve të lira.

E drejta e këtij populli do të mbrohet për votën e lirë, do mbrohet, do mbrohet.

Anesti Bajramemaj: Duke mos mohuar asnjë prej akuzave të tuaja për manipulime dhe vjedhje të zgjedhjeve. A ka nevojë PD për një analizë brenda saj?

Sali Berisha: Janë të miat apo dhe të tuajat këto. Hidh poshtë ti njërin nga këto pretendime. Këto nuk janë të miat, janë të çdo njeriu që beson tek vota e lirë, që thotë, qytetari im duhet të shprehë vullnetin.

Ju nuk mund të imagjinoni se çfarë është bërë. Ju i dini.

Pjesa e dytë tani.

Partia Demokratike në emergjencë duhet të përcaktojë rrugët e mbrojtjes së votës së shqiptarëve, dhe pastaj të gjitha të tjerat.

Por emergjenca e emergjencës është se, zgjedhjet e grabitura nuk i falen kurrë, narkodiktatorit Edi Rama.

Cilido që mendon ndryshe, le të hedhë poshtë njërën nga faktet që kemi paraqitur.

Kësaj here gjërat bazë janë publike, i bëri me vendime qeverie Edi Rama. Nuk po merremi me ato të nëndheshmet.

Xhabaftët dolën haptas dhe i dhanë Blendi Xhabaftit 5500 vota, dhe i dyti merr 500 vota, 10 herë më pak se një hajdut i shpifur siç është Blendi Gonxhja. Ata dolën haptas, nuk e fshehën.

Ose lexoni shkrimet për Xhafzotajn, Pojën etj. Për Elbasanin, kudo. Kësaj here gjërat janë evidente dhe kjo është luftë, është luftë e vërtetë për vlerën më themelore të lirisë që është vota e lirë. Besoj se biem dakord për këtë.

Unë kam besim dhe tek mediat, që do të qëndrojnë fuqishëm, natyrisht ato të pakapurat se të kapurat do të çlirohen vetëm pas fitores së PD.

Bekim Bici, TopNews: Nëse shohim rezultatet përfundimtare të deritanishme pa diasporën, rezulton se PD apo Sali Berisha i ka votat e tij. Por nga ana tjetër nëse shohim votat preferinciale e kandidatëve, rezulton se 3-4 kanë punuar se kjo e tregon vota. Nga ana tjetër Ilir Meta të cilit i keni dhënë 4 vende të sigurta rezulton se, nuk arrin dot deri në këtë momente të mbledhë 1800 vota. A mendoni ju se lista e hartuar nga ju dhe zyrtarë në PD ishte ajo që solli një pjesë të fajit për këto rezultate.

Sali Berisha: Mendoj se lista e hapur e PD-së ka kandidatura të shkëlqyera dhe e them këtë me bindjen më të madhe. Ka vajza dhe djem, burra dhe gra me një CV ndër më të admirueshmet dhe ju nuk mund të më thoni një prej tyre, pse është dhe më thoni për cilin, që unë të ju përgjigjem.

Përsa i përket Ilir Metës atij i bëhet lufta më e egër që i është bërë njeriu ndonjëherë, nga armiku kryesor i votës së lirë, Edi Rama.

Si është kjo, mbaje në burg që të mos fitojë. Kjo dëshmon efektin e terrorit politik ndaj tij. Kjo është.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale