FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË DISKUTIMIN ME DEPARTAMENTET E PD MBI BUXHETIN 2024
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha pasditen e sotme zhvilloi një takim me drejtues të departamenteve dhe specialistë të fushës, në lidhje me buxhetin e 2024 të miratuar nga mazhoranca socialiste në vetëm 4 minuta. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se buxheti 2024 për arsimin dhe shëndetësinë, shënon një rënie, një mashtrim dhe një shpërdorim të madh.
Berisha tha se, buxheti për shëndetësinë nuk garanton shërbimet jetike, siç janë operacionet, analizat e domosdoshme për qytetarin shqiptar. Berisha tha se, buxheti që u lihet tani spitaleve për analiza është kurrëkund për plotësimin e nevojave me çmimet që ka vendosur koncensionari.
Berisha tha se, buxheti i arsimit, është buxheti de fakto i rrënimit të arsimit universitar. Ai tha se, universitetet po reduktohen në nivelin e shkollave të mesme.
Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë diskutimit me departamentet e PD mbi buxhetin e viti 2024, akuzoi kryeministrin Edi Rama si sipërmarrësin kryesor të aferës së sterilizimit. Berisha u shpreh se buxheti është buxheti që ndëshkon pacientët, ndërsa shtoi se nuk garantohet asnjë shërbim jetik për qytetarët siç janë operacionet apo analizat e domosdoshme.
Berisha, gjatë takimit me ekspertët dhe drejtuesit demokratë, tha se, ky është një buxhet cinik ndaj pensionistëve. Berisha tha se, vendosja e minimumit jetik do zgjidhte problematikat e tyre.
Berisha tha se, në këtë vend gjykatës dhe prokurorë mercenarë, i marrin parlamentit pushtetin, si dikur në zyrat e Sigurimit të Shtetit. Ai tha se, Edi Rama me ‘Ismailin’ e tij në dy vite ka harxhuar 22 milionë euro. Prandaj nuk pranon kurrsesi të hetohet.
FJALA HYRËSE E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA
Së pari, dëshiroj të ju përshëndes ju përzemërsisht, dhe të mësueset, mësuesit, pedagoget, pedagogët e shkollave dhe universiteteve tona.
Ne diskutojmë sot për buxhetin në dy fusha më të rëndësishme për qytetarët, për shërbimet, por në tërësi për kombin. Në dy fusha, si arsimi dhe shëndetësia, të një rëndësie të jashtëzakonshme në zhvillimin njerëzor të një kombi.
Buxheti i këtij viti siç e patë, kaloi në 4 minuta në një parlament monist, në një parlament që ka përjashtuar opozitën duke i mohuar asaj të drejtat kushtetuese. Mes respektimit të të drejtave kushtetuese, deputetëve të opozitës dhe popullit opozitar në parlament dhe kalimit në mënyrën më të turpshme, të papërgjegjshme të buxhetit vjetor të shtetit, Edi Rama zgjodhi këtë të dytën.
Zgjodhi të dytën duke dëshmuar se ai është i vendosur të konfiskojë të drejtat kushtetuese të popullit opozitar, të qëndrojë mbi kushtetutën e vendit, është i vendosur defakto të bëjë gjithçka për pushtetin e tij monist.
Kurrë në asnjë vend nuk është regjistruar votimi në 4 minuta i një buxheti. Kjo ndodh vetëm në narkoshtetin e Edi Ramës.
Qëndresa e deputetëve të PD-së, për të drejtat kushtetuese nxori në dritën e diellit para gjithë botës, fytyrën e vërtetë të regjimit të Tiranës.
Nxori shkallën më të lartë të papërgjegjshmërisë. Të votosh buxhetin e një viti në 4 minuta, do të thotë se je larg çdo norme, çdo standardi, çdo ligji.
Por ne jemi të vendosur që me këto takime të paraqesim para shqiptarëve, pikëpamjet, opinionet, mendimet tona lidhur me buxhetin që kaloi në 4 minuta.
Ky është takimi i dytë i rëndësishëm që bëhet nga departamentet dhe unë i përgëzoj. Diskutimi i buxhetit me specialistët, grupet e interesit, qytetarët është detyrim kushtetues nga ata që hartojnë dhe miratojnë buxhetin. Por kur hartoj një buxhet të tillë dhe miratoi një buxhet të tillë, ata do të donin që ta kalonin edhe për 3 minuta.
Buxheti për shëndetësinë dhe arsimin nuk shënon një avancim, jo që nuk përputhet kërkund me kërkesat e domosdoshme të këtyre fushave, të një rëndësie jetike për shoqërinë shqiptare, por përkundrazi shënon një rënie, shënon një mashtrim të ri dhe një shpërdorim të madh.
Në rast se marrim buxhetin për shëndetësinë.
Dy të pestat e tij shkojnë për aferat tashmë kriminale të njohura të sterilizimit, proces i cili në Shqipëri perset me koncesionin e tyre, kushton 4 herë më shtrenjtë se në Gjermani, kushton 83 herë më shumë se sa kushtonte ky proces kur kryhej nga sektori publik.
Dhe kjo megjithë vendimet që ka marrë gjoja gjykata, vazhdon njëlloj të gllabërojë paratë e buxhetit vetëm e vetëm se është ndërmarrje e Edi Ramës
Ju garantoj ju dhe shqiptarët se Ilir Beqaj, e asnjë Ilir Beqaj tjetër cilido që të jetë ai, nuk do të guxonte kurrë të firmoste një marrëveshje të tillë.
Nuk ka ministër që mund të firmosë një aferë siç është ajo e sterilizimit. Autori i saj i vërtetë është njeriu që për sipërmarrjen e vet dilte para shqiptarëve me një pincë të thyer dhe gërshërë me një krah.
Duke menduar se i mashtron ata, ja se me çfarë operoheshin.
Pra sado që Beqaj është një hajdut parekselancë, sipërmarrësi numër 1 i kësaj afere që i shkon vendit deri tani 79 milionë euro, pra i shkon mbi 150 mln euro është direkt Edi Rama.
Edhe njëherë ju them nuk ka ministër, zv/kryeministër që mund të firmosë një marrëveshje të tillë. Atë e firmos vetëm në emër të kryeministrit.
E tillë po në këto përmasa është check up. I tillë janë analizat.
Mirë po këto procedura përveç se një vjedhje e madhe në qindra milionë të taksave të qytetarëve janë një gjobë e rëndë shumë për qytetarët e sëmurë.
Sot shqiptarët detyrohen të bëjnë analizat ku munden, dhe me çmime, ju garantoj unë, këtu në Shqipëri analizat kanë çmimin 3-4 herë më të larta se në Gjermani. Çmime stratosferike.
Buxheti që u lihet tani spitaleve për analiza është kërkund për plotësimin e nevojave me çmimet që ka vendosur koncensionari.
Në takimin tjetër u tha se, qytetarët në Shqipëri paguajnë për shërbimin shëndetësor mbi 50% të kostos së tij. I paguajnë po çfarë shërbimi marrin. Por jo të gjithë mund ti paguajnë.
Pra një sektor kaq jetik është në shkatërrim e sipër. Me një buxhet që nga 5% që ishte premtuar katandiset në 1.3 %.
Ndaj dhe buxheti për shëndetësinë, në fakt është një buxhet vjedhje, ndëshkimi, gjobe dhe ndëshkimi për qytetarët.
Me këtë buxhet nuk garantohen shërbimet jetike, siç janë operacionet, analizat e domosdoshme në sektorin publik për qytetarin shqiptar.
I tillë është edhe buxheti për arsimin.
Buxheti i arsimit është, buxheti defakto i rrënimit të arsimit universitar.
Një ulje dramatike e investimit në fushën e kërkimeve.
Faktikisht universitetet tona po reduktohen në këtë mënyrë, pa kërkimin shkencor në nivelin e shkollave të mesme.
Është dramatike.
Një universitet e mban kërkimi shkencor. E dallon nga një shkollë e mesme, përpara së gjithash kërkimi shkencor i pedagogëve, studentëve.
Një fakultet mjekësie e dallon nga një shkollë e mesme shëndetësie, kërkimi shkencor.
Fondet janë ulur me 30-40 %, ndonëse kanë qenë minimale.
Ankohen se universitetet nuk i administrojnë mirë. Kujt i ankohen, ata i kanë dërguar aty, bordet dhe kancelarët i emëron qeveria.
Unë nuk jam që të mos miradministrohen fondet, por faktikisht nuk administron gjë, për ti bërë objekt kritikash.
Të gjitha këto i bëjnë kancelarët dhe bordet e qeverisë.
Ndaj dhe sigurisht ju do të bëni një analizë më të gjerë, por shifrat e këtij buxheti janë dramatike për dy sektorë jetikë të mbarë shoqërisë tonë.
FJALA PËRMBYLLËSE E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA
Së pari, ndërhyrjet kompetente të rëndësishme që bëtë në këtë takim. Nuk ka mëdyshje se ky buxhet, përsëri kthehet buxheti i vjedhjes më të madhe të shqiptarëve.
Në qoftë se marrim parasysh ku investohen paratë e shqiptarëve, Portin e Durrësit dhe PPP-të e sektorëve. Dramatika është se në këto sektorë ku vidhet me thes, me baule, investimet tejkalojnë disa herë atë që duhet të jetë investim themelor për një shoqëri, investimin kapitalin njerëzor, që është investimi më jetik, qoftë ai në kulturë, në art, në arsim, në shëndetësi, investimi tek njeriu.
Cilido që studion këtë buxhet, ky është një buxhet cinik ndaj pensionistëve. Ata janë më në nevojë se të gjithë të tjerët, sepse marrin pak dhe ne mendojmë se shpenzojnë pak. Jo, kanë nevojë për shpenzime.
Në qoftë se në gupmoshën 40-50 mund të jenë 5 apo 10 përqind që marrin ilaçe, në grupmoshën 70-80 kjo përqindje shkon 60 përqind dhe më lart. Po marr vetëm këtë aspekt, dhe shumë aspekte tjera.
Në vend se të vendosej minimumi jetik dhe mbyllte përkohësisht, sepse gjithçka lëviz, por mbyllte të paktën për 2-3, apo 3-4 vite. Prolematika të mëdha të pensioneve të ulëta të ndihmës ekonomike të paqenë.
Këtu shpenzimet shkojnë strikt në sektorët ku vidhet dhe vidhet më shumë. Kjo është e vërteta.
Ju i përmendët shumë mirë sektorët tuaj, dhe unë nuk do ndalem t’i citoj më. Por unë jam këtu tek ju për t’u ndal në një aspekt tjetër tonin si intelektualë. Ne jemi zantçi, profesionistë, dhe të gjithë e duan profesionin e vetë. S’ka pasion më fisnik se pasioni për profesionin në shërbim të asaj që i ke dedikuar jetën. Por sot më shumë se kurrë, dua t’ju rikujtoj ju dhe çdo intelektuali shqiptar: mos të harrojë kurrë se thelbi i vërtetë i yni është avokatia për interesin publik.
Çfarëdo profesioni që të kemi ne, dhe në çdo pozicion që të gjindemi, ne duhet të kemi parasysh se roli ynë, se thelbi ynë është është mbrojtja e interesit publik.
Do ndal te zoti Luma, nuk ka liri, tha. Në qoftë se shohim sot problemin më madhor të shoqërisë shqiptare qendron pikërisht në këtë fakt tragjik. Unë ftoj çdo intelektual të ndalet tek skenat që zhvillohen në parlament. Një grup deputetësh të opozitës qëndrojnë në një mosbindje civile, sepse aty ai që sundon sot këtë vend në mënyrën më të inkriminuar, ai iu ka privuar atyre të drejtat themlore kushtetuese.
Po kur deputetëve iu mohohen të drejtat themelore kushtetuese, të harrojnë qytetarët se kanë të drejta të vërteta. Të harrojnë intelektualët se ekziston liria intelktuale, se ekziston liria akademike, se ekziston liria si e tillë.
Ju i ndiqni skemat. Çfarë kërkojnë deputetët aty? Kurrë, që nga rrëzimi i diktaturës, nuk ka pasur kërkesa të tilla. Kërkojnë t’u respektohet e drejta e tyre kushtetuese për të ngritur komisione hetimore parlamentare, në emër tuaj. Në emër të transparencës për qytetarët.
Sot të përndjekurit politikë në këtë buxhet, kanë gjithsej 11 milionë euro. Edi Rama me ‘Ismailin’ e tij në dy vite ka harxhuar 22 milionë euro. Prandaj nuk pranon kurrsesi të hetohet.
Nuk mund të vazhdojmë ne më tutje.
Ju them unë ju. Sot, absolutisht njëlloj si në diktaturë, se diktatura nuk është se nuk kishte ligje. Diktatura kishte parlament, kishte komisione parlamentare, kishte kryetar parlamenti. Por diktatura thoshte se Shqipëria është diktaturë proletariati dhe ishte Sekretari i Parë ai që është i gjithëfuqishëm. Kurse kjo Kushtetuta jonë thotë se ne jemi Republikë Parlamentare. Dhe në këtë vend dhe në këtë kohë, gjykatës dhe prokurorë mercenarë, i marrin parlamentit pushtetin. I marrin pushtetin parlamentit.
Imagjinoni se cila është situata. Kushtetuta përcakton atribut parlamentin, kurse mercenarët në prokurori dhe gjykata, njëlloj si dikur në zyrat e hetuesisë së Sigurimit të Shtetit, vendosin për atë që duhet të vendosë parlamenti.
Ua them këtë thjesht për të realizuar se në çfarë situate dramatike është Shqipëria sot.
Ajo potestë rreth një mujore e deputetëve siç e patë ndriçoi në të gjithë botën, sepse dihet se çdo të thotë t’i mohosh deputetit krijimin e komisionit. Krijimi i komisionit në rrafshin e të drejtës ushtetues është një veto që sovrani, Kushtetutën, i jep pakicës. Aty i jep një veto që nuk e pyet shumicën. Nuk ia jep një deputeti. Ua jep 3 deputetëve se bashku. Por ama kur firmosin 35, ata në atë komision janë të pavarur. Varet nga ligji dhe Kushtetuta.
Prandaj edhe jehonë e jashtëzakonshme e episodit në parlamet. Por sot dua t’u them ju miqtë e mi dhe të gjithë intelektualëve. Sot është koha e shembullit. Është koha të përballemi me të gjitha mundësitë dhe mënyrat me një diktator të bazuar mbi drogën, narkodiktator, i cili konfiskon Kushtetutën, konfiskon të drejtat kushtetuese të opozitës.
Ndaj edhe, çfarëdo që jemi dhe kudo që jemi, ne duhet të nxisim revoltën. Ju them këtu, beteja jonë është pa kthim, nuk ka kthim. Ne kemi dal në fushë, dhe ne nuk kthehemi prapa, ne do fitojmë.
Por rëndësi të jashtëzakonshme ka që çdo intelektual, çdo student, çdo i ri, çdo grua, çdo burrë të dalë në arenë, të përballemi me këtë të keqe.
Nuk ka të keqe si kjo. Në 32 vite nuk ka ndodhur kurrë që qeveria t’i përcaktojë opozitës përfaqësuesin. Shqiptarët duhet të kuptojnë se te Edi Rama është zgjuar Spiro Koleka, është zgjuar xhelati Kristaq Rama që firmoste varjen e njerëzve në 1988. Dhe tani nuk njeh asnjë të drejtë.
Ne e kemi nisur betejën dhe e kemi nis me një vendosmëri absolute dhe do e fitojmë betejën, ju garantoj.
Por shqiptarët do mësojnë në vazhdim se çfarë aktesh të shëmtuara, jashtë çdo imagjinate, kryen sot Edi Rama dhe organet e reja të drejtësisë si polici e Sigurimit të Shtetit. Janë rrëqethëse.
Një gjykatëse jep vendim për 70 qytetarë në një ditë, i dënon me burg dy muaj dhe nuk e zbardh vendimin as pas 70 ditësh. Sepse urdhërohet që të mos zbardhë vendimin. Në një kohë kur ligji e detyron brenda 48 orëve vendimin.
Pra, këto që shihni ju në parlament dhe që shohin qytetarët, janë vetëm aspekti në kupolë i diktaturës. Por kjo shtrihet frikshëm, pamëshirshëm edhe aty ku tha zoti Nuha, që asfikson lirinë, shuan lirinë. Ndaj dhe sot, në këtë situatë, është e një rëndësie kapitale të ngrihemi në misionin tonë.
Nëse ne nuk ngrihemi sot, ju garantoj që pas një viti, këto që i rreshtuam me shumë të drejtë dhe shumë përgjegjësi sot, me shumë vërtetësi para shqiptarëve, këto do dyfishohen për keq dhe më shumë. Ajo e keqe, që e ka emrin Edi Rama, nuk ka të ndalur. Dhe ai përbën sot të keqen më të madhe për shqiptarët, pas Enver Hoxhës.
Kjo është thirrja ime për ju, për intelektualët shqiptarë, për studentët e ndëshkuar, paguajnë tarifat më të larta në Europë, vitin tjetër më të larta do i keni.
Pra, koha është të kalojmë në veprim, secili aty ku është të bëjë atë që mund të bëjë, duke i thënë vetes se duhet të bëj diçka për të shpëtuar këtë vend, kundër këtij njeriu.
Kjo betejë është pa kthim, kjo betejë është e destinuar për fitore. Dhe ne do e fitojmë. Por kjo kërkon një angazhim sepse kjo është një diktaturë, dhe ai që nuk e koncepton këtë si diktaturë, mashtron veten. Në qoftë se asgjësohet parlamenti në një republikë parlamentare, në qoftë deputetëve të opozitës iu mohohen tre të drejtat më themelore: iniciativa legjislative, komisionet hetimore, zgjedhja e përfaqësuesve, nuk ka më parlament.
Parlamenti kishte edhe në ditkaturë, por ishte në kontroll të plotë të diktatorit dhe ky është parlamenti shqiptar. Dhe unë duke ju përshëndetur dhe duke e mbyllur këtë fjalë edhe njëherë ju falënderoj për praninë tuaj sot këtu dhe ju ftoj të përsërisim me veten tonë: Thelbi ynë është interesi publik. Ajo që na bashkon të gjithëve ne, dhe mijëra e mijëra që nuk janë këtu, na bashkon mbrojtja e interesit publik.
Ne kemi pasion profesionet dhe është gjë shumë e madhe, por asgjë nuk mund të zgjidhim nëse nuk mbrojmë demokracinë, pluralizmin lirinë dhe vlerat e saj.
Faleminderit shumë!