Berisha: Beteja e tyre kundër meje ka qenë beteja ime kundër tyre! Do përdorim çdo mjet të mosbindjes civile për të përmbysur Ramën

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME LDGSH

EKSTRAKT

Lidhja Demokratike e Gruas ka organizuar sot në ambientet e selisë Partisë Demokratike një takim, së bashku edhe me pjesëmarrjen e liderit demokrat, Prof. Dr. Sali Berisha me tematikën: Gratë në Aksion për Shqipërinë – O sot, o kurrë!

Gjatë fjalës së tij, Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, epoka e ndritur që solli PD ka marrë fund dhe sot jemi në një monizëm më të fuqishëm se ai që rrëzuam.

Berisha tha në takimin me Lidhjen Demokratike të Gruas se, ne nuk jemi republika e të huajve, ne jemi republika e Shqipërisë me partnerë në mbarë botën njerëzit e lirisë. Berisha tha se, ju jeni dëshmitarë, çdo ditë e ndjeni se çfarë frike ka mbjellë Edi Rama.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, beteja e regjimit kundër tij në fakt ka qenë krejtësisht e kundërta. Ai u shpreh se kjo betejë ka qenë e tija kundër tyre duke ia nxjerrë regjimit fytyrën e vërtetë i cili veproi duke shkelur ligjet.

Berisha tha se, do përdoret çdo mjet të mosbindjes civile për të përmbysur Ramën.

Në mbyllje të fjalës së tij, Berisha përfundoi duke thënë se, ka shumë besim te gruaja shqiptare dhe në kontributin që ajo jep në shoqërinë shqiptare.

FJALA E PLOTË

Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht. Shpreh mirënjohje të pakufijshme për kontributin dhe mbështetjen tuaj. Vij sot tek ju për një bisedë në të cilën dua të theksoj këto momente kryesore.

Prej kohësh është përsëritur se PD është në një betejë jetë a vdekje, në një betejë për ekzistencën, ose jo të saj. Ne para pak ditësh kremtuam 33 vjetorin e themelimit të partisë. Tani duhet të flasim haptas me ju.

Kjo parti që përmbysi epoka, ndau epoka dhe solli për shqiptarët epokën më të ndritur në tërë historinë e tyre ka një trashëgimi të jashtëzakonshme. Por në qoftë se, si njerëz që do t’u përmbahemi të vërtetave, dua të pranojnë se ajo epokë që solli PD ka marrë fund. Ajo nuk ekziston më në parimet e saj të lirisë, përveç tregut, ajo epokë nuk ekziston më në Shqipëri.

Sot në Shqipëri është vendosur një monizëm më i fuqishëm, ua them me siguri të plotë, se ai që rrëzuam në vitin ’90 -’91, më i fuqishëm.

Sot liritë politike të popullit opozitar janë absolutisht de facto të asgjësuara. Çdo formë shteti që të prekë lirinë është pushtim i brendshëm apo i jashtëm. Dhe mund t’ju them se në histori janë të rralla kombet që kanë përjetuar pushtime më të shumta se ne. Por asnjëri nga këto pushtime nuk ka shfarosur, nuk ka spastruar në 9 vite 35% të kombit shqiptar. Kurrë dhe asnjëherë!

Ju jeni nëna, motra, vajza, gjyshe, jeni kontributore kryesore në eopkën që është mbyllur. Me shumë të drejtë mund të shtroni pyetjen. Po mirë, ju thoni se epoka që solli PD u mbyll. Çfarë mbetet para nesh? Çfarë mbetet për ne demokratët? Gjthmonë do i përmbahemi të vërtetës.

Për ne demokratët mbeten vetëm dy gjëra.

Thashë edhe njëherë. Ne sollëm epokën më të ndritur në historinë e këtij kombi. Kurrë ndonjëherë në mijëra vitë kombi shqiptar nuk ka patur epokë si ajo. Por ne sot këtu ku jemi, jemi para një vendimi të parë ose të dytë të jetës sonë.

Të parë, për vajzat e reja që ndoshta në ’90 kanë qenë apo nuk kanë qenë, ndoshta nuk kanë pas lindur akoma. Të dytë, për ne tjerët që në ’90 u ngritëm dhe rrëzuam diktaturën. Pra, për të përmbysur këtë diktaturë.

Nuk ka asnjë dyshim për çdo njeri që ka gjykim politik se kjo është një diktaturë bande dhe të gjithë ata që kanë studiuar diktaturat, diktutaturën e bandës e kanë cilësuar si më të keqen e diktaturave. Sepse në dallim nga diktatura komuniste, naziste, teokratike që kanë ligjet e tyre, kjo nuk ka ligj, kjo vetëm vullnet të një njeriu që bën gjithçka dhe merr çdo vendim.

Po për çfarë na duhet ne tjetër e shkuara jonë përveç epokës që sollëm?

Na duhet një reflektim për përgjegjësinë tonë, për këtë që ka ndodhur. Se kjo që ndodhi, ne përmbysëm diktaturën si luftëtarë lirie. Si njerëz që  dëshmuam që pasioni ynë kryesor është liria. Por këto 10 vite para syve tanë liria u tret.

Para syve tanë liria në institucionet demokratike u tret. Para syve tanë te drejtat e qytetarëve shqiptarë u shkelmuan. Para syve tanë, u arrestuan për çështje civile 22 mijë qytetarë, në një vit. Para syve tanë banda rivendosën sundimin e tyre që ne me duart e hekurta i përzumë. Para syve tanë fëmijët tanë u larguan dhe vetëm u larguan nga Shqipëria. Shqipëria u braktis.

Para syve tanë ndodhën të gjitha këto. Jo se ne na kishte lënë fuqia, jo nuk na kishte lënë fuqia ne. Jo se ne nuk kishim pasion lirinë, jo, e kishim pasion lirinë, por në mënyrën më tragjike ne u tradhëtuam.

Ne jemi sot opozitarët e kauzave të tradhëtuara, kjo është e vërteta. Se ne nuk mund të lejonim kurrë të ndodhnin këto, kurrë. Ne kishim çdo fuqi për të mos lejuar fuqinë e kësaj që është instaluar.

Çfarë na duhet ne kjo analizë? E para, trashëgimia na duhet se është frymëzim dhe do mbetet frymëzim përjetë.

E dyta, na duhet se si njerëz të qytetëruar, njeriu i qytetëruar dallon nga njeriu primitiv tek përgjegjësia. Njeriu i qytetëruar njeh përgjegjësitë për atë që ka ndodhur dhe atë që do ndodhë. Pra, na duhet për të nxjerrë përgjegjësitë tona dhe për të marrë vendime të drejta. Për t’u shndërruar në luftëtarë të vërtetë lirie, në luftëtarë të fuqishëm të të vërtetës.

Sot, ne jemi në një situatë të vështirë.

Ku qëndron potenciali dhe fuqia jonë? Unë e di se ka shumë demokrate e demokratë që mendojnë, po ja të huajt, ja të huajt. Ne nuk jemi republika e të huajve, ne jemi republika e Shqipërisë me partnerë në mbarë botën njerëzit e lirisë.

Në vitin 1990, absolutisht ne kishim ato ditë vetëm veten tonë. Kjo është e vërteta. Pse po e them këtë? Po e them këtë se është naive, është e pafalshme të pretendosh për mbështetje kur nuk ke zë.

Edhe Bibla, edhe Kurani e thotë, Zoti e ka thënë: Ndihmo veten që të të ndihmoj.

A është e vërtetë që nuk kemi mbështetje? Absolutisht nuk është e vërtetë. Pse nuk është e vërtetë, ua them unë. Sapo filluam të ndihmojmë veten, zëri ynë ushtoi në gjithë botën. Mos e identifikoni botën e lirë me një diplomat, me një ministër. Asnjëherë. Është krejt tjetër, është një univers lirie. Por askush nuk duhet të presë se do vijë dikush të votojë për ne, se do vijë dikush të luftojë me bandat për ne, se do vijë dikush të marrë pjesë në demonstrata.

Albana ishte në një seri takimesh. Cili ishte mesazhi? Mesazhi ishte i kthjellët. Ne rolin e opozitës nuk mund ta bëjmë.

Ama një mosbindje civile dymujore e deputetëve në parlament, çoi peshë mediat e botës. Mediat janë një pushtet moral shumë i fuqishëm. E vërteta është se jo vetëm mediat, por edhe një seri institucionesh deklarata nga më të fuqishme. Dhe BE i mbylli derën, nuk ka negociata i tha.

U ndala në këtë pikë, sepse ky diskutim nuk shërben, përkundrazi është largim nga e vërteta. Ne nuk kemi armë tjetër përveç të vërtetës. Në qoftë se nuk ngrihemi, ne nuk dëgjohemi nga shqiptarët. Ju jeni dëshmitarë, çdo ditë e ndjeni se çfarë frike ka mbjellë Edi Rama. Dikush duhet ta vrasë frikën. Po nuk vramë frikën, po nuk nxorëm shqiptarët nga mbretëria e frikës në të cilat janë zhytur, diktaturat këtë kanë, diktaturat kanë armën më të fuqishme frikën.

Së dyti, do dëgjoni rëndomë, e mo ça diktature është kjo? Jo mo jo, diktaturë është kjo. Sepse diktaturat komuniste, përveç Koresë së Veriut, nuk ekzistojnë. Edhe atje ka filluar të modifikohet, edhe atje ka filluar të piptijë tregu. Kurse diktaturat me ekonomi tregu janë shumica e diktaturave që janë sot në botë. Shqipëria rreshtohet sot me to.

Beteja që është bërë këo dy muaj ka qenë një betejë shumë e suksesshme. Parlamenti siç e shihni është katandisur në 4 minuta, është katandisur në klandestinitet, është katandisur në sallë anë e kënd me gardistë. De facto ai nuk ekzisotn më, ekziston de jure, dhe kjo është meritë e jashtëzakonshme e deputetëve të parlamentit.

Së dyti, beteja e tyre kundër meje. Ne fakt kjo ka qenë beteja ime kundër tyre. Në fakt, p ta shihni, ka qenë beteja e Sali Berishës kundër tyre, sepse unë i detyrova ata të ndjekin çdo hap në rrugë antikushtetuese, antiligjore.

Pse i detyrova? Sepse janë të tmerruar. Ata janë të trembur nga opozita që nuk e kontrollojnë dot më. Edi Rama e di, e ka të qartë si drita e diellit se në pushtet nuk mund të qendrojë më.

Të nderuara zonja demokrate këtu!

Duhet të jemi të vërtetë. A bëhen zgjedhje në Rusinë e Putinit? Bëhen. Tani ka shpallur kandidaturën. A bëhen zgjedhje në Bjellorusinë e Lukashenkos? Bëhen. A bëhen zgjedhje në Tunizi? Bëhen. A bëhen zgjedhje në Mianmar? Bëhen. Në Venezuelë, bëhen. Por opozita nuk fiton.

Askush nuk mendon se Putini mundet me zgjedhje. Askush nuk mendon se Lukashenko mundet me zgjedhje. Askush nuk beson se junta ushtarake mundet me zgjedhje. Duhet të ishte një vetëmashtrim i madh në qoftë se  ne mendojmë se mundim me zgjedhje Edi Ramën. Jo. Kurrë. Do të ishte absurde në qoftë se mendojmë se në ditën e votimit do të rrëmbejmë armët për të vrarë, për të asgjësuar bandat dhe kriminelët që shqetësojnë, që kontrollojnë votimin. Do të ishte jo realiste në qoftë se mendojmë se ditën e votimit, apo javët e para votimit do bllokojmë thasët e parave që shpërndahen për të blerë votën.

Nuk duhet të mashtrohemi, nuk duhet të bëhemi naivë. Ne jemi njerëz politikë. Atë që duhet të bëjmë ne është rrëzimi i Edi Ramës. Atë po.

Ne nuk rrëmbejmë armët të përleshemi me bandat, por ne përdorim çdo mjet të mosbindjes civile për të përmbysur Edi Ramën..

Pra, thashë, një kohë kthese, reale. Një kohë kthese në vendimin e çdo njeriu. Të luftosh një diktaturë është një vendim hyjnor për nga rëndësia e ij. Por të vendosësh të luftosh një diktatyrë do të thotë të mbrosh të ëvrtetën pa patur parasysh asgjë tjetër.

Të mbrosh të vërtetën i gatshëm për sakrifica. Të mbrosh të vërtetën duke bërë gjithçka në funksion të saj. Dhe kjo pra është çfarë kërkon të themi kjo kohë e dytë për ne, për përmbysjen e diktaturës së dytë. Kjo kërkon që secila nga ju të bëjë gjithçka me të gjithë rrethin e saj, me të gjitha njohjet e saj. Se armët më të fuqishme i kemi ne, nuk i kanë ata.

Arma jonë më e fuqishme janë qytetarët, janë e drejta, janë e vërteta. Ne i kemi. Janë në frikë, janë në heshtje, janë në indiferencë. Duhet të bëjmë gjithçka, por duhet të prijmë vetë me shembullin tonë.

A mundet diktatura të na rezistojë ne? Absolutisht kurrë.

Ua thashë edhe njëherë. Ata në fakt organizuan një proces, në fakt procesin e vërtetë ua kam bërë unë atyre. I detyrova të veprojnë si mercenarë, siç janë. I detyrova të shkelin çdo ligj dhe parim, siç janë. I detyrova të veprojnë me superurgjencë dhe këto janë vetëm fillimet e detyrimeve që do të njohin ata nga ne gjer në shporrjen e tyre.

Pra, mosbindja civile, beteja pa kthim me moton: O sot, o kurrë, ka dhënë rezultatet e para të shkëlqyera. Por këto janë rezultatet e para. Është në dorën tonë, në dorën e secilit prej jush që të vendosni për të vendosur tulla tjera në këtë godinë të re, në këtë epokë të re që duhet të çelë duke e ndarë Shqipërinë nga diktatura e bandave, të krimit të Edi Ramës që është instaluar.

Detyrë e vështirë, por detyrë jetike e vendimtare para vetes sonë, fëmijëve, kombit shqiptar. Ne duhet të mobilizojmë çdo potencial tonin për të larguar këtë armik që në aspektin e qenies faktohet armik më i egër se çdo diktator që kemi njohur ne gjer sot.

Ju falënderoj dhe unë kam shumë besim tek ju. Kam shumë besim tek ju, se në kontributin tuaj sot ju jeni jeni shumicë, mos e harroni këtë. Nuk jeni vetëm shumicë numerike për jeni edhe shumicë cilësore në të dy aspektet.

Pra, realisht askush nuk ka më në dorë fatin e këtij vendi, e këtij kombi, e shpresës dhe të ardhmes së tij më shumë se ju. Fëmijët tuaj dhe të gjithë qytetarët dhe opozitarët e vendit.

Ju falënderoj shumë dhe ju uroj shumë suksese!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale