FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në ditën e 291 të protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ shprehu mirënjohjen për qëndrimin e palëkundur të qytetarëve shqiptarë që kanë mbrojtur kauzën e drejtë të demokracisë dhe drejtësisë. Berisha theksoi se qytetarët shqiptarë meritojnë të kenë një sistem ligjor që respekton moralin dhe ligjin, por përballen me një sistem të korruptuar.
Lideri demokrat, Sali Berisha kritikoi ashpër drejtësinë shqiptare, duke e përshkruar si të verbër dhe të lidhur me krimin. Ai shtoi se zyrtarë dhe gjyqtarë janë të përfshira në pazare me kriminelë dhe për marrjen peng të politikanëve dhe qytetarëve. Gjithashtu, Berisha denoncoi faktin që disa liderë të partive opozitare janë burgosur për arsye politike, duke e krahasuar situatën me diktaturat e tjera në botë.
Kryedemokrati, Sali Berisha iu drejtua mbështetësve të tij, duke i përshkruar si njerëz me vlera morale shumë më të larta krahasuar me ata që i quajti “llumi mercenarësh”, të cilët kalojnë nga studio në studio duke mbështetur qeverinë për përfitime personale. Berisha kritikoi ashpër intelektualët që mbështesin Edi Ramën, duke i akuzuar se injorojnë arrestimet politike dhe manipulimet zgjedhore.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se qeveria e Ramës kontrollon drejtësinë dhe zgjedhjet, duke i shndërruar ato në farsë elektorale përmes blerjes së votave dhe frikësimit të zgjedhësve. Berisha i portretizoi mbështetësit e tij si mbrojtës të të drejtave të rinisë shqiptare, duke thënë se ata po luftonin për interesat e atyre që vuajnë nga varfëria dhe padrejtësia e qeverisë.
Berisha kritikoi ashpër sistemin arsimor të Shqipërisë, duke thënë se Banka Botërore e ka cilësuar si 4 herë më të dobët se ai i Serbisë dhe 3 herë më të dobët se ai i Maqedonisë. Madje, ai theksoi se gjatë qeverisjes së Rilindjes arsimi ka pësuar një rënie drastike, duke shënuar një nga historitë më të turpshme në botë. Berisha iu drejtua kryeministrit Rama, duke e quajtur “kryehajdut”, duke e kritikuar ashpër për rritjen e kostove të jetesës dhe pamundësinë e të rinjve për të blerë apartamente në Tiranë.
Lideri opozitar, Sali Berisha u shpreh për Edi Ramën dhe drejtuesit e QSUT për krimet kundër njerëzimit, duke i cilësuar si përgjegjës për mungesën e ilaçeve për të sëmurët me sëmundje të rënda, veçanërisht ata të Onkologjikut. Berisha tha se, fondet për ilaçet janë vjedhur dhe se tenderat jannnë manipuluar, duke lënë pacientët pa trajtimin jetik. Berisha e quajti Ramën “autor kryesor të krimeve kundër njerëzimit” dhe “korb i korrupsionit”, ndërsa i akuzoi edhe për abuzime financiare në ndërtimin e rrugëve.
Berisha gjithashtu, iu drejtua me tone të ashpra ministres Balluku dhe Edi Ramës për korrupsion në ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë. Ai tha se 17 kilometrat e fundit të rrugës u ndërtuan me një kosto 4 herë më të lartë sesa pjesa e parë, duke arritur në 3.4 milionë euro për kilometër, ndërsa fillimisht ishin ndërtuar për 800 mijë euro kilometri. Berisha u shpreh se, këto para shkojnë në llogaritë bankare të qeveritarëve dhe jo për nevoja publike si ilaçe apo shkolla. Kryetari i PD, Sali Berisha i motivoi qytetarët të protestojnë me vezë dhe domate kundër këtyre “hajdutëve”, duke bërë thirrje për mosbindje civile dhe revoltë.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta. Mirënjohjen më të thellë për qendrimin tuaj të pamposhtur misinare dhe misionarë të kauzës së drejtë të çdo shqiptari. Të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar që dëshiron të vendosë me vullnetin e tij të lirë, me votën e tij të lirë për përfaqësuesit e tij, për të ardhmen e tij.
Misionare dhe misionarë të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar që meriton një proces ligjor të drejtë në çdo rast kundërshtie dhe padrejtësie, por që në vend të tij ka përballë një sistem në të cilin në variantin më të mirë duhet të presë 14.6 vite për të marrë vendimin e gjykatës dhe duhet të shesë shtëpi dhe katandi për të ndikuar në vendimin që i takon.
Për qytetarin shqiptar që beson në një drejtësi e cila duhet të jetë në lartësinë e moralit të së drejtës dhe ligjit, dhe jo një drejtësi skllave dhe të verbër, bashkëpunëtore në krime. Jo një drejtësi të Dumanëve, të Irena Gjokëve, xhelatëve, ish-xhelatëve të Sigurimit, apo ndrikullave të krimit të cilët si hiena bëjnë pazare pazare ditën e natën me kriminelët, rrjepin qytetarët, shesin dhe tregëtojnë dosjet e tyre, marrin peng individë dhe politikanë për interesa të tyre dhe zbatojnë në verbëri urdhrat e kryehajdutit të vendit, duke e shndërruar sot Shqipërinë në vendin e vetëm në Europë dhe ndër më të paktët në botë në një diktaturë në të cilën tre drejtuesit kryesorë të partive politike opozitare janë në procese politike të arrestuar.
Drejtues të tjerë të PD dhe partive opozitare u burgosën, iu morën mandatet si as në Bjellorusinë e Lukashenkos, si në asnjë vend në Europë, dhe megjithatë mjeranë të zhveshur nga çdo normë morale kalojnë si hiena nga studio në studio për të bërë doktrinën e diktaturës demokratike.
Unë u them këtyre faqezinjve, këtyre intelektualëve kriminelë, këtyre shërbëtorëve të fëlliqur të diktaturës, këtyre mjeranëve që mbahen me kockat e Edi Ramës, se një diktaturë teokratike, naziste, komuniste, apo e bandave narko-kraturë, që të gjitha kanë tipar kryesor, të gjitha pushtetet në duart e një njeriu.
Të gjitha kanë tipar kryesor kontrollin e drejtësisë nga diktatori.
Të gjitha kanë tipar kryesor vjedhjen dhe rrjepjen e qytetarëve shqiptarë.
Të gjitha kanë tipar kryesor shndërrimin e zgjedhjeve në farsë elektorale.
Ja sepse ju, qendrestare e qendrestarë jeni 100 herë eprorë në vlera morale krahasuar me këtë llum njerëzish, llum mercenarësh që kalojnë nga studio në studio, mashtrojnë më pafytyrësi për pagat që marrin nëndorë, për paratë që marrin nëndorë. Justifikojnë, injorojnë për qëndrimin e pushtetit në një dorë.
Injorojnë arrestet dhe burgjet politike në vit elektoral.
Injorojnë këta shërbëtorë të Edi Ramës, atë çka dokumentet ndërkombëtare të zgjedhjeve thonë, se në Shqipëri kontrollohet vullneti i zgjedhësve nga industria e blerjes së votës, nga makineria e trembjes dhe frikësimit nga patronazhistët, të zgjedhësve.
Ju jeni misionarë, misionarë të vërtetë, sepse ju qendroni në mbrojtje të interesave të çdo të riu shqiptar, të çdo fëmije në Shqipëri, të çdo fëmije që prindërit nuk e ushqejnë dot, të çdo të riu që prindërit detyrohen t’i thonë: shko bir, se këtu nuk na del kafshata.
Ju jeni avoketër në qendresën tuaj të të gjithë atyre nxënësve që u ulën në shkolla dhe që Edi Rama me vjedhjet, plaçkitjet e buxhetit i rrokullisi në mënyrën më të turpshme.
Historia e arsimit, miqtë e mi, gjatë periudhës së Rilindjes, është historia më e turpshme e planetit.
I vetmi vend që pas një ngjitje vertikale, pësoi një rënie katastrofale, pësoi një rënie prej 68 pikësh në në 8 vitet e tyre, pësoi një rënie rrënimtare për sistemin e arsimit.
Ndaj edhe sot, Banka Botërore damkoste Shqipërinë për sistemin e saj arsimor, më i dobëti, 4 herë më i dobët se i Serbisë.
Imagjinoni miq, 4 herë më i dobët se i Serbisë. 3 herë më i dobët së sa i Maqedonisë.
Ndaj dhe ju, po mbroni pra interesat e të gjithë nxënësve, por edhe të studentëve, edhe të të rinjve.
Përsëri kryehajduti i Tiranës, ky kryehajdut që iu thotë qytetarëve se kam mbjellur 1 milionë fidanë dhe pyll, sepse ka vjedhur, ka vjedhur, ka vjedhur.
Çmimi në një kohë i fidanëve kur nuk e mbjell as 6 mijë. Ky hajdut mburrej e rrihte gjoksin me rritjen e çmimeve, në një kohë kur një njeri që shkollohet në Tiranë për të blerë një apartament në kryeqytetin e tij të dashur, nuk e blen dot, duhet të punojë 100 vite. 100 vite nuk punon asnjëri.
Ju jeni heronj të vërtetë, sepse ju me një guxim epik përballeni çdo natë, këtu në ‘Rrugën e Shpresës’ dhe platformën e fjalës së lirë me autorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve, gjenocidit më të egër që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre nga Pashiqi i Tiranës.
Përzënien në 8 vite nga Shqipëria të 34% vetëm në hapësirën e BE të qytetarëve të këtij vendi.
Ju jeni misionarë të vërtetë, sepse qendroni të pamposhtur ndaj mizorisë, ndaj barbarisë, ndaj krimeve kundër njerëzimit që kryen regjimi i Edi Ramës me të sëmurët në spitalet tona.
Ndiqni hetimin e gazetarëve.
Ndokush mund të thotë se ata janë 300, 1000, 5000, nuk janë më shumë. Drama e tyre të dashur miq, është drama jonë, është e madhe për 3 milionë, është e madhe për 5 milionë, është e madhe për 10 milionë, është e madhe për njerëzimin.
Të lësh të sëmurët me sëmundje të rënda pa ilaçet të cilat kanë rëndësi jetike për ta, ta bësh këtë për të vjedhur fondet e tyre, kryen një krim të tmerrshëm kundër atyre, kundër shqiptarëve, kundër mbarë njerëzimit.
Ju jeni dëshmitarë, se si hetimet e gazetarëve kanë treguar se janë tenderuar dy herë paratë që janë dhënë, ndërkohë që një ilaç, një kapsulë nuk ka ardhur për të sëmurët.
Ju jeni dëshmitarë, akoma më e tmerrshme. 41 milionë euro të caktuara, të votuara në parlament për ilaçe.
Nuk u blenë, ilaçet nuk u blenë, të sëmurët mbetën pa ilaçe, kurse korba e kovidit, kjo korbë e pashembullt në historinë e një administrate kalon si shpërblim nga bursa e vdekjes së ministrisë së Shëndetësisë në ministren për Arsimin.
A ka cinizëm më të madh? A ka shkallë ekstreme më të madhe krimi se kjo?
Edi Rama do t’u thoshte mjekëve të Onkologjikut se keni kryer krime kundër njerëzimit.
Une e them këtu publikisht, se autor kryesor i krimeve kundër njerëzimit në raport me këta të sëmurë është Edi Rama, korba e korrupsionit, është drejtoria e QSUT. Janë ata që kanë futur duart e tyre të zeza në ilaçet e të sëmurëve.
Është Edi Rama me lubi Ballukun që ndërtojnë rrugë me 4-12 herë më shtrenjtë, dhe nuk lanë lek për ilaçe, nuk lanë fonde për të sëmurë.
Miq, dje Edi Rama jepte sihariq, se përfundoi rruga Korçë-Ersekë.
Rruga Korçë-Ersekë miqtë e mi përfundoi pas 13 vitesh, dhe dua t’u informoj këtu se, për ndërtimin e 17 kilometrave rrugë u deshën 11 vite. 18 kilometrat e para të rrugës Korçë-Ersekë përfunduan brenda 2 viteve me një kosoto 800 mijë euro kilometri.
Merrini të dhënat, shihini. 800 mijë euro kilometri. Çfarë ndodhi me 17 kilometrat e tjera?
Pra, në qoftë se 18 kilometrat e para u ndërtuan me 15 milionë euro, 17 kilometrat e dyta të rrugës u ndërtuan me 54 milionë euro. U ndërtuan me një çmim 4 herë më të lartë.
Shikoni pra, sa vjedh Edi Rama dhe lubi Balluku.
Rrugën që ndërtohej me 800 mijë e kaluan me 3.4 milionë kilometrin.
Po këto nuk shkojnë për të sëmurët, nuk shkojnë për shkollat, këto shkojnë për vital, për kontot e fryra bankare edhe kanë moral këta të dalin të kërkojnë vota.
Qytetare dhe qytetarë, vezë dhe domate kudo që t’i gjeni. Vezë dhe domate hajdutëve fytyrës kudo që t’i gjeni!
Mos i lejoni të bëjnë xhap në rrugicat e rrugëve tuaja. Këta hajdutë duan t’i damkosni. Vjedhjet e tyre janë fatkeqësia juaj!
Pensioniste e pensionistë, ja pra ku shkojnë paratë dhe juve ju japin thërrime, dhe tallen me ju.
Nuk durohet më! Koha ka ardhur! Në revoltë, në mosbindje civile, në fitore.
Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë!
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!