Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Ata që menduan se do na zëvendësonin ne si opozitë, ata përfunduan në hiç, mafia e ka tmerr Sali Berishën. Raporti i Komisionit Evropian damkoste Padrinon dhe Lubinë në çdo rresht, opozita ka luajtur rolin e saj për këtë raport

BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se raporti i fundit i Komisionit Europian për Shqipërinë konfirmon, sipas tij, akuzat e opozitës për korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe problematikat në proceset zgjedhore. Gjatë bashkëbisedimit të sotëm online me qytetarët, ai e cilësoi raportin një goditje të fortë për qeverinë e Edi Ramës, ndërsa pretendoi se opozita ka luajtur një rol të rëndësishëm në evidentimin e problematikave të vendit. ‘Ky vit raporti pasqyronte në tërësi në aspekte tërësore realitetin dramatik të Shqipërisë. Në raport, në çdo rresht, në çdo paragraf, Padrino dhe organizata e tij kriminale merrnin nga një damkë të zezë’, deklaroi Berisha.

Lideri i demokratëve u ndal te zgjedhjet, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe prokurimet publike, duke iu referuar shifrave të raportit të KE-së. Sipas tij, fakti që 38 për qind e procedurave të prokurimit anulohen dhe 25 për qind e tenderave fitohen me vetëm një ofertë dëshmon për problematika serioze në mënyrën se si administrohen fondet publike. Ai falënderoi Komisionin Europian për raportin, por theksoi se opozita ka kontribuar në evidentimin e këtyre çështjeve. ‘Opozita ia doli të bindë dhe të sjellë në Shqipëri misionin faktmbledhës të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, i cili hartoi një raport që është pasqyruar në tërësi plotësisht në raportin e Komisionit Europian’, u shpreh ai.

Një pjesë të madhe të bashkëbisedimit, kryetari i PD-së Sali Berisha ia kushtoi protestës studentore, duke përsëritur thirrjen për mbështetjen e saj nga të gjitha forcat politike dhe qytetarët. Ai hodhi poshtë pretendimet për incidente të shkaktuara nga studentët, duke pretenduar se provokimet janë organizuar nga persona të paguar. ‘Asnjë incident nuk pati nga studentët. Zero incidente. Ata ishin që të gjithë të paguar fort për të provokuar dhe për të krijuar incidente’, tha Berisha. Berisha deklaroi se opozita do të vijojë të jetë në mbështetje të studentëve, ndërsa bëri të ditur se mbi 600 prej tyre kanë përfituar mbrojtje ligjore nga zyra e Partisë Demokratike. ‘Ne jemi parti proteste. Kemi lindur në protestë dhe do të jemi në këtë protestë. Jo me simbolet tona, në respekt të studentëve dhe pluralitetit të tyre, por në mbështetje të plotë’, deklaroi ai.

Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha foli gjithashtu për mundësinë e bashkëpunimit me partitë e tjera opozitare për zgjedhjet lokale, duke u shprehur i gatshëm për kandidatë të përbashkët dhe një front politik kundër qeverisë Rama. ‘Partia Demokratike është e sinqertë, është e hapur dhe absolutisht e gatshme për kompromise dhe ujdi me këto forca politike për kandidatë të përbashkët në mbarë vendin’, tha ai, duke shtuar se synimi duhet të jetë krijimi i një qeverie kujdestare dhe realizimi i reformës zgjedhore. I pyetur për kërkesat që ai të largohet nga drejtimi i PD-së si kusht për bashkëpunimin opozitar, Berisha i lidhi këto kërkesa me atë që ai i cilëson si një strategji propagandistike për të barazuar përgjegjësitë e tij politike me ato të kryeministrit. Në këtë kontekst, Berisha deklaroi se: ‘Mafia ka tmerr Sali Berishën. Pse e ka tmerr? Unë nuk luftoj me armë, unë luftoj me ligj’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përsëriti thirrjen për bashkim të opozitës dhe qytetarëve kundër qeverisë, duke deklaruar se ata që synuan të zëvendësonin Partinë Demokratike në rolin e opozitës kanë dështuar. ‘Ata që menduan se do na zëvendësonin ne si opozitë, ata përfunduan në hiç’, përfundoi Berisha.

FJALA E PLOTE:

Java ishte një javë tejet e trishtë për narkoregjimin e Padrinos së Shqipërisë. Raporti i Komisionit Europian që është dhe raporti më i rëndësishëm për procesin më kryesor të Shqipërisë, avancimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian, këtë vit ishte si asnjë vit më parë.

Këtë vit raporti pasqyronte në tërësi në aspekte tërësore realitetin dramatik të Shqipërisë.

Në raport, në çdo rresht, në çdo paragraf, Padrino dhe organizata e tij kriminale merrnin nga një damkë të zezë.

Sipas raportit, zgjedhjet nuk plotësuan kriterin më themelor ndërkombëtar të zgjedhjeve të lira, barazinë e palëve në garë dhe u ndërthurën me ndikime nga më të ndryshmet.

Raporti denoncon Edi Ramën dhe parlamentin për bllokimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Por në mënyrë të veçantë si strumbullari i zi në këtë raport qëndron Lubi Rama, t’ia heqim atë mbiemër Balluku ose ta quajmë Edvin Balluku, me vjedhjet e saj të pallogaritshme së bashku me Palloshin e Gjatë dhe 81 mandatet e krimit që bllokuan drejtësinë, bllokuan arrestimin e saj.

Raporti i jep një mbështetje protestave të fuqishme kundër narkoregjimit, sikundër denoncon rënien e prodhimit në Shqipëri, denoncon ligjet e klientelës dhe kërkon anulimin e menjëhershëm të tyre.

Shpartallon siç është me denoncimet e tij prokurimet publike dhe fakton indirekt se ajo që thotë opozita se në 13 vite, nga rreth 72 miliardë euro taksa dhe tatime në total, Edi Rama, organizata e tij kriminale dhe lukunia e tij ka vjedhur dhe ka shpërdoruar të paktën 50 miliardë.

Po ku e thotë këtë?

Lexoni çfarë thotë për prokurimet. 38 përqind e prokurimeve anulohen. Dihet pse anulohen, kur ata që janë në tender nuk pranojnë pazare paraprake, tenderi gjithnjë anulohet.

25 përqind e tenderave, thotë raporti, fitohen me një garë.

Ai që fiton me një garë me tendera sekretë më shumë se çdokush tjetër është familja Rama, Armand Frangu, kunati i dashur i Linda Ramës dhe baxhanaku që shndërroi AKSHI-n në kopshtin privat të Edi Ramës.

Pra ai, me procedura sekrete me një ofertë është numri një në Shqipëri.

Raporti për prokurimet publike thotë se rreth 30 përqind e tenderave janë fituar me shumën më të lartë.

Me shumën më të lartë sepse ajo shuma më e lartë do të thotë që paratë ndahen midis tenderuesit dhe tenderfituesit.

Pra në historinë e raporteve të Komisionit Europian, ky raport damkos në mënyrë përfundimtare Edi Ramën, dhe unë falënderoj Komisionin Europian për raportin e tij, por theksoj këtu jashtë modestisë se opozita ka luajtur rolin e saj.

Se opozita ia doli të bindë dhe të sjellë në Shqipëri misionin faktmbledhës të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, i cili hartoi një raport që është pasqyruar në tërësi plotësisht në raportin e Komisionit Europian.

Opozita ia doli të sjellë në Shqipëri si mision faktmbledhës misionin e EPP-së të përbërë nga përfaqësues të 30 partive, shumica e të cilëve sot janë në pushtet.

Pra jemi mirënjohës por jemi gjithashtu krenarë sepse kemi bërë detyrën tonë në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë.

Mbetet prapë punë për t’u bërë, mbetet punë veçanërisht për zbërthimin e mëtejshëm të narkoshtetit dhe Shqipërisë si protektorat krimi, problemi më madhor, ndër më madhorët në tërë historinë tonë.

Ndërkohë, revolta studentore ka vazhduar e fuqishme.

Partia Demokratike ka organizuar dhe organizon përsëri protesta kombëtare në mbështetje të studentëve dhe mund të them se goditjet që ka marrë Edi Rama nga revolta studentore e kanë bërë atë një kufomë politike krejtësisht të pashpresë, e kanë damkosur para shqiptarëve dhe mbarë botës.

Nuk po ndalem më gjatë por dua t’ju falënderoj për vëmendjen dhe t’ju ftoj të adresoni pyetjet dhe komentet tuaja që të debatojmë së bashku.

BASHKEBISEDIMI ONLINE

Kristi: Doktor, në protestën e djeshme përsëri pati incidente mes protestuesve. Mendoni se ndoshta Partia Demokratike duhet të ketë protestën e vet dhe mos të shkojë në ditën që e shpallin studentët?

Sali Berisha: Siç e patë ju i dashur Kristi, asnjë incident nuk pati nga studentët. Zero incidente.

Unë mund të them ty, i kam dhe emrat e tyre. Dhe mund t’ua them, por vetëm për hir të asaj që s’po më duket e drejtë se do ta marrin si një sulm të egër personal, por absolutisht ata ishin që të gjithë të paguar fort për të provokuar dhe për të krijuar incidente.

Në qoftë se e vutë re ju Kristi, pikërisht aty ku u krijuan ato dy-tre, ndodheshin si për çudi mediat e qeverisë që t’i filmonin.

Por ata edhe njëherë, nuk janë studentë. Ju i rishihni edhe njëherë videot. Janë persona që ka prej tyre dhe 40-50 vjeç, ka të tjerë 30 vjeçarë me radhë, kështu që s’kanë asgjë të përbashkët me studentët.

Por një gjë, në qoftë se ju quani studentë disa eksponentë që i morën shpirtin Flamingove, gaboni. Ata janë rrezik për çdo lëvizje. Ata janë zjarrfikës të paguar profesionistë. Kështu që nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën.

Kurse, ata që thonë se kjo protestë ishte e popullit, dje populli siç e patë ishte populli demokrat.

Dhe ka qenë dhe do të jetë populli demokrat në mbështetje të studentëve, në mbrojtje të tyre.

Kristi, që kur ka filluar revolta studentore, e cila është thirrur dhe njëherë nga Sindikata e Pavarur e Arsimit të Lartë, thirrje të cilës të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në universitete, në shkolla të mesme dhe jashtë universiteteve u janë përgjigjur ndër të parët.

Deputetët e Partisë Demokratike, drejtuesit e saj, në mënyrë konstante kanë marrë pjesë në to. Dhe përveç pjesëmarrjes si mbështetje, kanë bërë një mbrojtje efikase të studentëve nga policia, narkopolicia, nga proceset gjyqësore dhe të tjera.

Janë mbi 600 studentë, të cilët kanë marrë mbrojtje ligjore nga zyra jonë ligjore.

Ndaj dhe ne jemi parti proteste.

Kemi lindur në protestë dhe do të jemi në këtë protestë.

Jo me simbolet tona, në respekt të studentëve dhe pluralitetit të tyre, por në mbështetje të plotë.

Dhe unë ftoj edhe njëherë të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë qytetarët, t’i mbështesim studentët.

Regjimi kreu barbarinë ndaj tyre.

Si mundet ne të pranojmë të tërhiqemi para akteve barbare, para plumbave që u vërshuan mbi të rinjtë, para gjymtyrëve të thyera, kafkave të çara.

Nuk mundet të ndodhë kjo kurrë.

Ne jemi forcë politike. Ne përdorim ato instrumente që kemi. Dhe kur ne bëjmë thirrje, nuk shkojmë kurrë për të postuar, jo, ne shkojmë për të mbështetur dhe për të mbrojtur, po.

Dhe unë them se këtë detyrë e kemi bërë më shumë se asnjë forcë tjetër politike.

Ndaj dhe edhe njëherë shfrytëzoj rastin të bëj thirrje për bashkim, të bashkohemi në mbështetje të revoltës studentore.

Ata që mendojnë se protesta është e tyre, ata përsërisin në mënyrë të pavetëdijshme, në një formë apo një tjetër, kufizimin e të drejtës për protestë.

Askush s’mund t’i kufizojë tjetrit të drejtën e protestës.

Kjo është e paimagjinueshme.

Petrit Hamiti: A mendoni se mund të arrini të bashkoheni me partitë e tjera si Bashkë, Mundësia, Shqipëria Bëhet, për kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale?

Sali Berisha: Partia Demokratike është e sinqertë, është e hapur dhe absolutisht e gatshme për kompromise dhe ujdi me këto forca politike për kandidatë të përbashkët në mbarë vendin dhe për një betejë të përbashkët në rrëzimin e Edi Ramës në Tiranë dhe kudo në Shqipëri.

Dhe unë prapë shfrytëzoj këtë moment, t’u bëj thirrje drejtuesve të këtyre partive të lënë me një anë kundërshtitë dhe të bashkohemi për të shpëtuar Shqipërinë nga një e keqe e madhe që s’e ka pasur ndonjëherë.

Çdo hezitim shkon në favor të Edi Ramës.

Unë nuk u them atyre në qoftë se ata s’duan, hajde të qeverisim bashkë.

Unë nuk u them atyre që në qoftë se ata nuk duan, urdhëro të dalim dhe në zgjedhjet e përgjithshme bashkë.

Por hajde të rrëzojmë Edi Ramën, të shkojmë drejt krijimit të një qeverie kujdestare për të bërë reformën zgjedhore dhe ju siguroj se ajo reformë do të pasqyrojë plotësisht propozimet dhe sugjerimet e tyre.

Plotësisht, unë i kam lexuar ato, kemi pasur dhe një dialog në këtë drejtim, pa asnjë hezitim.

Dhe t’i japim atij edhe në zgjedhjet lokale mësimin që meriton, të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo e keqe, e ju them prapë, mos hezitoni se kush përfiton.

Çdo shqiptar e din që përfiton Rama dhe ju nuk duhet të jeni kurrë që të përfitojë kjo e keqe.

Meri Kurti: Flitet se studentët janë drejt krijimit të një fronti apo partie, ku pjesë e saj nuk do të jenë as Partia Socialiste dhe as Partia Demokratike. A mendoni se po shkohet drejt një skenari serb dhe cilat do të jenë veprimet tuaja?

Sali Berisha: Meri, faleminderit për pyetjen.

Së pari, duke lënë modestinë mënjanë, Sali Berisha me bashkëpunëtorët e tij, duke themeluar Partinë Demokratike në vitin ’90, themeloi pluralizmin politik. Dhe unë kurrë nuk mund të kem asnjë lloj qëndrimi negativ ndaj atyre që duan të krijojnë formacionin e tyre politik.

Pra, për mua, pluralizmi politik është shtyllë kryesore e demokracisë dhe cilido ka të drejtën e tij të veprojë sipas mendimit, dëshirës së tij.

A ka ngjashmëri me skenarin serb, në qoftë se e duan një këshillë miqësore paraprake? Jo, absolutisht!

Thjesht miqësore, unë u them se nuk ka ngjashmëri.

Skenari serb, siç e dini zonjë, është skenar i udhëhequr i tëri nga infrastruktura shtetërore e universiteteve të Serbisë.

Me në krye rektorin e Beogradit, me në krye të gjithë dekanët, pra ishte bota akademike zyrtare shtetërore serbe që udhëhoqi lëvizjen e studentëve.

Së dyti, skenari serb ishte një skenar që u zhvillua në dy vite, në 700 e sa ditë.

Së treti, lista studentore në Serbi përballej me një numër prej 30 e sa partish opozitare të vockla që shkonin maksimumi mos gabohem gjer në 7-8%. Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike.

Ndaj dhe ajo që u sugjeroj të gjithë atyre, ata kanë shumë të drejtë të ndërmarrin çdo hap, vetëm të mos besojnë në atë që nuk është reale.

Ledion Qarri: Doktor, përshëndetje! Ju keni bërë thirrje për bashkim dhe, me sa kam dëgjuar, shumë prej forcave politike, por dhe vetë studentët, nuk janë kundër, por e kushtëzojnë këtë bashkëpunim me largimin e figurës tuaj. Sipas jush, kush është më e rëndësishmja: rrëzimi i Ramës apo qëndrimi juaj në krye të Partisë Demokratike? Sepse tërheqja juaj do i rrëzonte edhe alibinë e shprehjes së famshme, ‘Iku Rama, po kush vjen?’

Sali Berisha: A, bravo. Ke shtruar një pyetje themelore i dashur Ledion. Të falënderoj për pyetjen.

Së pari Ledion, ky qëndrim u dëshmua shkatërrimtar për lëvizjen më madhështore, më të fuqishme, më të bukur popullore që ka njohur Shqipëria në historinë e saj, që ishte Flamingo.

Pse kjo? Ata që merren me politikë, ata e dinë që beteja zhvillohet gjithmonë në rrafshin psikologjik. Poseduesit e megafonit të Flamingove, të paguar rëndë, dolën që në fillim me sloganin ‘Rama në burg, Berisha në burg’ ose ‘opozitë e shitur’.  Çfarë është kjo Ledion? Për ata që kanë ABC-në e propagandës, kjo është arma strategjike më e fuqishmja e një qeverie, e cila përpiqet me çdo kusht të mbulojë krimet, vjedhjet, përgjegjësinë e saj.

Në ç’mënyrë? Ta marrim pak fare thjesht. ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Rama, i nderuar mik, me dokumente shtetërore, me dokumente ndërkombëtare është i akuzuar se kur u bë kryeministër kishte 200 milionë euro në bankat offshore, u akuzua nga OSBE-ja, apo s’është kështu?

Rama sapo u bë kryeministër, shkarkoi kryetaren e ILDKP-së, zonjën Zana Xhuka sepse ajo filloi hetimin. Për çfarë? Filloi hetimin për pallatin e të shoqes së tij, zonjës Linda Rama, pesë kate dhe me bodrum të thellë, për të cilin zonja Rama nuk kishte asnjë faturë tatimore, doganore, ndërtimore, zero.

Dhe se vetë për sarajet e Surrelit me gjatësi themelesh 50 metra të gjata se vila e Enver Hoxhës, Edi Rama kur i ndërtoi ato kishte gjithsej të deklaruara në ILDKP 400 mijë lekë dhe 3800 euro.

Sapo filloi hetimin, ajo u shkarkua në mënyrë antikushtetuese. Edi Rama pra është akuzuar se ka shndërruar AKSHI-n në kopshtin privat. Baxhanaku i tij, Armand Frangu ka fituar qindra tendera me procedura sekrete antiligjore, me procedura unifikuese, fituesi vetëm në garë.

Thjeshtra e saj, të cilën Edi Rama njëherë e paraqet si pjesëtar të familjes, po kur vjen puna për deklarimin e pasurive nuk është vajza e familjes thotë, ndonëse ligji thotë po, ligji përcakton anëtarët e familjes, fëmijët e bashkëshortit dhe bashkëshortes. Pra, do të bëjmë një shpjegim pak të shtruar këtu.

Kur ti krahason Edi Ramën me Sali Berishën, ti çfarë bën? Ky i dyti i është nënshtruar një vetingu kombëtar dhe ndërkombëtar si asnjë politikan tjetër në Europë dhe kanë gjetur zero shkelje ligji.

Kanë gjetur pasurinë e Sali Berishës në 54 vite mjek dhe politikan bashkë me bashkëshorten e vet, 100 mijë euro dhe një apartament 40 metra më të madh se atë që kishin në diktaturë. Prit, ata që krahasojnë Ramën me Berishën, harrojnë se Sali Berisha vërtet ka që nga data 9 dhjetor 1990 në politikë, por gjatë këtyre 36 viteve ai ka qenë 13 vite në pushtet. Kurse Edi Rama ka 28 vite në pushtet.

Ata që krahasojnë Sali Berishën me Edi Ramën krahasojnë të pakrahasueshmen dhe lehtësojnë Edi Ramën nga përgjegjësitë që ka duke e krahasuar me një njeri i cili nga viti 2013 gjer në vitin ’21 ishte krejtësisht jashtë çdo funksioni dhe nga viti ’21 gjer sot është kryetari i Partisë Demokratike. Pra s’ka asnjë vendim.  Ata që krahasojnë, krahasojnë dy botë.

Ta them unë ty pse dy botë. Merri pak të dhënat. Qeverisi tetë vite Sali Berisha si kryeministër. Çfarë ndodhi gjatë atyre tetë viteve në rrafshin ndërkombëtar? Gjatë atyre tetë viteve Shqipëria hoqi vizat, unë jam i sigurt Ledio se janë sot me qindra, mijëra që kujtojnë se vizat i ka heqë Edi Rama, madje thoshte njëri që bëri të mundur lëvizjen e lirë.

Shqipëria u anëtarësua në NATO, unë jam i bindur që sot janë, jo të paktë, ata që nuk e dinë se është Partia Demokratike ajo që anëtarësoi Shqipërinë në NATO.

Shqipëria mori propozimin për statusin e vendit kandidat. Janë të shumtë ata që mendojnë se e mori Edi Rama, që në fakt e bllokoi në atë kohë.

Por, të marrim disa tregues të tjerë. Shqipëria gjatë viteve 2005-2013 bëri atë që e kanë quajtur, jo unë po të tjerë, quantum leap, një kapërcim epokal.

Po cili ishte kapërcimi epokal i dashur Ledio? Kalimi i Shqipërisë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Po si u shpreh kjo? A e ndjen qytetari shqiptar këtë? Unë të them që e ndjen qytetari shqiptar, me se faktohet kjo? E ndjen qytetari shqiptar sepse u dyfishuan rrogat dhe pensionet, me se faktohet kjo?

E ndjen qytetari shqiptar se ata u bënë me shtëpi, jo me kulla droge, por me shtëpi të ndërtuara me lumenj djerse, me shtëpi, me shtëpira të dyta.

Ata u bënë me rroga dhe pensione më të larta, se sa të gjitha vendet e rajonit përfshi Bullgarinë dhe Rumaninë.

Po ka dhe një studim Ledio, që unë ua sugjeroj ta gjeni, grupi i Bostonit, një grup shumë prestigjioz, në vitin 2012 publikoi raportin vjetor të tij me një parathënie të kryeministrit Tony Blair dhe në këtë raport i nderuar zotëri, Shqipëria rezulton në vendin e katërt në botë për shndërrimin e të ardhurave dhe rritjes ekonomike në mirëqenie dhe mirësi për qytetarët.

Pra, ata që krahasojnë Edi Ramën me Sali Berishën, i cili ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, i cili shndërroi krimin në pushtet, gjatë të cilit janë vjedhur të paktën 50 miliardë euro po të heqim rrogat dhe pensionet, ose 48 miliardë më falni, po të heqim rrogat dhe pensionet në organizatën e tij.

Atëherë, në fakt, në fakt nuk ka mendim më të gabuar dhe më me interes për Edi Ramën se sa ky.

Së fundi, e çliron atë nga çdo përgjegjësi duke përdorur armën strategjike të propagandës, t’i thuash se përgjegjësia nuk ka vlerë, s’ka pse të mbajë Rama përgjegjësi kur Berisha, që s’ka pasë asnjë nga ato, qenka njëlloj.

Së fundi i dashur Ledio, me një krahasim të tillë vret demokracinë. Edi Rama ka instaluar narkoshtetin, po përderisa Berisha qenka njëlloj, atëherë pse të lëvizim?

Së fundi vret shpresën. Si e shkatërruan protestën Flamingo? Po, shumë thjesht. ‘Rama në burg, Berisha në burg’, ‘opozitë e shitur.’ Atëherë, një pjesë e mirë e opozitarëve nuk e toleronin dhe nuk shkonin fare në protestë, por një pjesa dërrmuese e qytetarëve që shkon në protestë, kur dëgjon se qenkan njëlloj, po për këtë duhet të votoj unë atëherë? Qenkemi të pashpresë dhe ata largoheshin çdo ditë e më shumë nga protesta se natyrisht ata nuk mund të imagjinonin të votonin për ata tipa Xhomollarësh, të cilët, ja gjoja shoqëri civile dhe pastaj dalin si celula komuniste të majta duke pështyrë kundër opozitës, për ata tipa të cilët, të paguar detyronin njerëzit për të marrë mikrofonin merr këtë ose s’e merr dhe po të dije se është demokrat jo i thoshte s’mund të flasësh ti se je me damkë, je me Berishën.

Pra, a mund të nënshtrohet kurrë kjo opozitë e vërtetë këtyre gjërave? Në asnjë mënyrë. Në asnjë rrethanë.

Mos harro një gjë, se ky projekt, është piramida më e madhe e mashtrimit në historinë e Shqipërisë. Kishte vetëm qëllim të zëvendësojë jo partinë e krimit, edhe njëherë, nuk përmendim krime, i dëgjoje ti aty të flasin për krimet e Partisë së krimit?

I dëgjoje ti të flisnin për Edi Ramën për këto që u thashë unë ju? Në asnjë mënyrë. Jo.

Pra, këta që e përdorën këtë moto, këta janë aleatët më të ngushtë, më të çmuar të Edi Ramës dhe ajo nuk do të ndodhë. Kurse të tjerë, po, të tjerë.

Shiko, Sali Berisha në karrierën e tij ka dhënë katër herë dorëheqjen.

Ka dhënë dorëheqje kur është zgjedh president si kryetar partie.  Ka dhënë dorëheqje kur ka humbur zgjedhjet në 97-ën si president i Republikës.

Ka dhënë dorëheqjen nga kryetar partie dhe kryeministër kur ka humbur zgjedhjet në 2013-ën.

Por ama gjer në 2013-ën i dashur Ledio, janë zhvilluar katër rotacione.

Edi Rama nuk ka dhënë asnjë dorëheqje kurse mbrëmë, një artist dilte në një studio, dhe unë i shpreha atij keqardhjen se ai ka pas dy tipare, një afeksion patologjik për Edi Ramën, por që e kuptoi se ka qenë i gabuar në afeksionin e tij patologjik, dhe i thoshte gazetares dhe audiencës se Berisha s’jep kurrë dorëheqjen, s’ka dhënë kurrë dorëheqje. S’ka dhënë kurrë dorëheqje? Tani, dhe gazetarja, në vend që për hir të shikuesit, moderatorja ta zhvishte nga ky mashtrim.

Pra, janë të tmerruar, të them një gjë Ledion, mafia ka tmerr Sali Berishën.

Pse e ka tmerr? Unë nuk luftoj me armë, unë luftoj me ligj.

Ata kanë tmerr ligjin, po unë i garantoj se ligji do iu rezervohet çdo njeriu që nuk e respekton. Ligji, ligj.

Dhe nuk do të ketë njeri mbi ligjin.

Ndaj dhe ato kërkesa, ato përpjekje naive duke krahasuar të pakrahasueshmet.

Po dal edhe në një moment të vogël këtu dhe për ta mbyllur se u zgjata pak në përgjigje, por ishte me shumë interes.

I ke dëgjuar ndonjëherë ata që shkruajnë kundër sistemit 30-vjeçar.

Çfarë janë këta? Po në këto 35 vite kjo Shqipëri, që këta pështyjnë dhe përbuzin, është rritur gjer në vitin 2013 me statistika botërore, më shumë se çdo vend tjetër në botë.

Pse u rrit? Sepse unë si president i Republikës në vitin 1992, të ardhurat mujore i kisha 16 dollarë. Të ardhura vjetore 200 dollarë.

Pra, unë kisha në vitin 1992 sa kishin punëtorët, të ardhurat mujore kishin 4 deri në 6 dollarë.

Po u them këtyre zotërinjve se me nihilizëm ndërtohen dy gjëra, hiçi dhe fondamentalizmi.

Nihilizmi është dëshmi e katranit më të zi të shpirtit njerëzor. Si mund të thuash ti kjo Shqipëri 35 vite, ky sistem.

Ky sistem në 35 vite, gjer në vitin 2013 ka ndërruar katër herë qeveritë.

Si mund ta nxjerrësh ti një gjë të tillë?

Ky sistem në 35 vite gjer në vitin 2013 është anëtarësuar në NATO, është anëtarësuar në Këshillin e Europës, ka marrë statusin e kandidatit nga Komisioni Europian.

Kujt ia thua ti këto, ti bëhesh mburojë e narkoshtetit dhe e krimit që ndërtoi Edi Rama, duke folur për 35 vite.

A e din ti që se nga viti 2009 në vitin 2012, 180 mijë familje emigrantësh dhe emigrantë u kthyen në Shqipëri dhe se numri i shqiptarëve rritej nga viti në vit.

Kujt i thua ti sistem 35 vjeçar. Mos dëgjo tellallët e mafies.  Se mafia ka tmerr Sali Berishën, jo si person, po ligjin.

Se mafia e di që do përballet me ligjin dhe unë ua jap fjalën.

Kujtoni pak 2005-ën, kur unë në një zotim solemn, do t’i kap në çdo vrimë miu ku janë dhe do t’i nxjerr para ligjit, i kapa dhe i nxora para ligjit, në 18 muaj qeveria i kapi dhe i nxori para ligjit.

Këtë do bëj, ndaj dhe mafiozë të rrezikshëm nga zyrat e tyre, ju japin llokma gazetarëve që të mbrojnë të njëjtën gjë.

Berisha nuk mund të drejtojë parti, thonë, duhet të japë dorëheqje.

Po çfarë, a je ti anëtar i partisë? Ti nuk je anëtar i kësaj partie.

Çfarë tregon me këtë? Ti tregon se ke zero koncept dhe respekt për pluralizmin e vërtetë.

Po, në kohën e Enver Hoxhës kishte një pluralizëm burokratik. Ishin disa organizata, po ato ia caktonte Enver Hoxha të gjitha, dhe kryetarin, dhe ju mendoni se mund t’ia caktoni.

Ju pra, në një anë, tregoni sikur jeni bijtë e Hitlerit apo të Enverit, në fakt jo, jeni skllevër të xhepit.

E keni gjuhën të lidhur me xhepin dhe paratë e krimit që u vendosi mafia.

Por jeni të dështuar, asgjë s’ndërtohet mbi mashtrimin, ndaj demokratë e demokrate, të jeni shumë krenarë se ne mbrojmë, do mbrojmë së bashku vlerat, parimet që besojmë, të vërtetat që besojmë.

Ne nuk tërhiqemi prej këtyre të vërtetave dhe të jeni të sigurt që ata që menduan se do na zëvendësonin ne si opozitë, ata përfunduan në hiç.

Ata u treguan Makbeth të ëndrrave dhe energjisë më të fuqishme të qytetarëve shqiptarë.

I garantojmë shqiptarët se do punojmë me përkushtimin më të madh për të larguar këtë të keqe nga Shqipëria dhe për të sjellë në Shqipëri interesat, ligjet e tyre.

Rei Haka: Doktor, dje mësuam se ‘Albanian Files’ po hetohet nga SPAK. Në fakt kullat dhe ndërtimet në Tiranë kanë qenë gjithmonë qendra e dyshimit për pastrim parash, ndërsa kjo u vërtetua me ‘EncroChat’-in e Europës. Mendoni se me këtë dosje Rama nuk ka se si të ketë shpëtim pasi në çdo kullë është firma e tij? Pra, mund të na sqaroni si ish-kryeministër, përpara se të firmosë një kullë apo projekt, a është përgjegjësi e kryeministrit të kërkojë burimin e parave?

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen.

Së pari, e dashur, dua të sqaroj se me dorën time tetë vite nuk kam firmosur asnjë kullë. Asnjë kullë. Asnjë pallat mbi shtatë kate. Kjo, një.

Së dyti, në qoftë se pyet, kur Edi Rama shkon vetë, më së shumti po thonë tani, apo dërgon përfaqësuesit e tij në Aruba, për t’u takuar me bosët e drogës dhe dërgon bashkë me përfaqësues e tij, dërgon ndërtuesit e Tiranës në Aruba për të arritur marrëveshje që paratë, miliardat e tyre të lahen në ndërtim, besoj se kjo është përgjigja më e saktë e asaj pyetjes që kërkoni.

Së dyti, kur Edi Rama emëron në krye të Agjencisë së Planifikimit Urban të Shqipërisë famozen Adelaida Roko, motra e dy lejtnantëve të Suel Çelës të burgosur në Itali, po pse the ti? Nuk do kishte një tjetër që të mos ishte e lidhur me drogën që mund ta bënte atë punë?

Tetë vite kemi pasur edhe ne atë agjenci, po më thuaj pak, a ke dëgjuar një fjalë të vetme ti? Për ata punonjës, për ata zyrtarë të ndershëm që bënin punën e tyre në përputhje me ligjin.

Pra, së fundi, përveç lidhjeve direkte që Rama ka, Rama ka të gjitha përgjegjësitë e agjencive që ka.

Dihet që kullat 80% e parave nuk vijnë nga bankat, por Rama i dha guvernatorit që të mos thotë të vërtetën, imunitet të përjetshëm sepse është vetë një nga paralarësit kryesorë.

Edmond Sulejmani: Sa kanë kushtuar dy autobotët e ujit që ka sjellë qeveria? A jeni në dijeni?

Sali Berisha: Nuk ka sjellë vetëm autobotët, po ai ka sjellë mjetet nga më të kushtueshmet kundër studentëve.

Makinat thuhet se i ka marrë nga Turqia dhe thuhet që ato janë të ndaluara të përdoren kundër protestuesve për shkak të fuqisë së jashtëzakonshme që ka goditja e ujit.

Dhe ju e patë se çfarë saltoje bëri guximtari, heroi dje kur ata e gjuajtën direkt me një nga këto makinat që sollën.

Por ky ka sjellë, siç e dini ju, makinat e zhurmës së tmerrshme shurdhuese për protestuesit, i ka marrë si Vuçiçi në Beograd.

Ka marrë nga Serbia sasi kolosale gazi të skaduar, të ndaluar me të gjitha konventat për t’u përdorur kundër protestuesve.

Pra, ky e pa që revolta studentore po ja kthen patkonjtë, dhe në gramat e fundit firmosi aktet e turpit.

Albani: Përshëndetje Doktor. Rama ishte para një jave në Bruksel ku takoi sekretarin e NATO-s, Mark Rutte. Në kalendarin e Samitit të NATO-s është thënë që samiti i ardhshëm në 2027-ën do të mbahet në Tiranë. Nga ky takim nuk u konfirmua se samiti do të mbahet në Tiranë, se po të mbahej në Tiranë do të kishin buçitur mediat e majta të Ramës dhe lakenjtë e tij, si mbështetje ndaj qeverisë së Ramës. Pra, nga ky takim nuk u tha se samiti do të mbahet në Tiranë. A keni ndonjë koment për këtë takim të Ramës me zotin Rutte?

Sali Berisha: Takimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, zotit Rutte me një kryeministër të një vendi anëtar, është një procedurë normale.

Dhe unë jam i sigurt që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, bazuar në faktin se NATO-ja para së gjithash është në radhë të parë aleancë politike dhe pastaj ushtarake, i ka përcjellë Edi Ramës të gjitha shqetësimet mbi situatën në Shqipëri. Të cilat kërcënojnë sigurinë e vendit.

Natyrisht aty ka pasur çështje madhore, çështja e dorëzimit të sekreteve të mëdha, sekreteve transatlantike që aleanca i ka dorëzuar, aleanca ua çon vendeve anëtare dhe ato janë vjedhur nga Ergys Agasi dhe janë dorëzuar klanit Troplini, siç u pa puna e bashkëpunimit të saj me Vlora Hysenin e të tjerë.

Pra, takimi natyrisht mendoj se ka qenë një takim i duhur për të shprehur të gjithë problematikat e realitetit.

Për sa i përket samitit nuk kam asnjë dijeni, të them të vërtetën, por mund t’u them që takimi është një gjë që duhej, sigurisht NATO-ja ka shqetësimet e veta.

Durim Alibashi: Mirëdita Doktor. Përse nuk futeni në grevë urie, kjo do t’i ishte kambanë në të gjithë botën?

Sali Berisha: Ne nuk përjashtojmë asnjë nga format e rezistencës.

Por, i dashur Durim, problemi numër një sot është narko-diktatura.

Dhe një narko-diktator që kontrollon në vend 90% të propagandës dhe të indoktrinimit, të mashtrimit, do të më lejoni vetëm një moment. Pasi u doli boja me ‘janë njëlloj, janë njëlloj, janë njëlloj’, e përsëritën mijëra e mijëra herë për ta ngulur, ai vuri në tre-katër muajt e fundit, ju lutem rikujtoni kur pothuajse çdo studio televizive, me ndonjë përjashtim të rrallë, kishin vetëm një debat, një temë debati të dhënë direkt nga zyra e kryeministrit. Cila ishte tema e debatit? Rama po ikën, po iku Rama kush vjen?

Çfarë është kjo? Kjo është domethënë të mos ikë Rama se s’ka kush vjen.

Sepse Berisha apo tjetri apo tjetri janë njëlloj. Dhe meqenëse këta janë njëlloj, Xhomallari po ai, ata dolën siç janë apo jo? Pra, kush do vijë? Kështu u thotë ai, prandaj dhe njerëzit epo s’ka tjetër, ky është, duhet të jetë Rama.

Shikoni çfarë djallëzie, çfarë propagande djallëzore.

Po ju garantoj ju se 90% me qindra, me mijëra ekspertë, qytetarë, politikanë mund ta bënin atë detyrë pakrahasimisht.

Ne vuajmë narko-shtetin. Ne jemi i vetmi narko-shtet në Europë, narko-shteti më i konsoliduar në Europë dhe në botë.

Ky është problemi. Ata që flasin për sistem, ata nuk flasin për narko-shtet.

O zotërinj, njerëzisht u lutem, lexoni ç’është narko-shteti. Lexoni format e diktaturës në qoftë se e bëni pa qëllim, pastaj po e bëni me qëllim, Zoti u faltë.

Po në qoftë se e bëni pa qëllim, lexoni format e diktaturës që të kuptoni.

Se flisni për zgjedhje, po nuk ka zgjedhje. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Sepse Edi Rama, sepse zgjedhjet në Elbasan i përcakton Suel Çela, sepse zgjedhjet në Durrës i përcakton Troplini, etj me radhë.

Çfarë flisni domethënë? Ndaj dhe i dilte problemi tani në media, ikën Rama po kush vjen? Nuk ka kush vjen. Atëherë të rrijë Edi Rama. Ky ishte turpi i atyre debateve.

Unë u them atyre verbanëve që ishin në studio se secili prej tyre do ta bënte më mirë atë detyrë sesa Edi Rama në qoftë se do respektonte parimet themelore të shtetit ligjor dhe kaq.

Një kryeministër s’është kush. Kryeministria, Këshilli i Ministrave është një infrastrukturë e tërë. Por kushti i kushteve është zbato ligjin, mos qëndro mbi ligjin.

Iku Edi Rama, iku kryebanditi, kush do vijë? E paimagjinueshme. Kjo tregon se sa e drejton ky propagandën.

Unë ju them ju. Shikoni në debate e rikujtoni se çfarë qëndron prapa tyre. T’u them unë ju. Qëndron lista që marrin nga kryeministria. Dhe lista thotë: Filanin, filanin, filanin nuk do shohë ndonjëherë në studion tuaj.

Po, kjo është e vërtetë, këtë e kam nga gazetarë. Dhe ata nuk ftohen ndonjëherë aty.

Dy. Filani, filani, filani do ftohen dhe të dërrmohen. Të dërrmohen. Dhe ata ftohen, provokohen në mënyrë të ulët, fyhen nga ordinerë që janë qoftë me diplomën e gazetarit që janë gazetarë por bëjnë aktivistin, bëjnë militantin, ose nga të ftuar, bëhet me qëllim.

Dhe e treta, të ftohen ‘nice it is’, ata që punojnë ‘nice it is’. Pra kjo është, ju nuk duhet të bini viktimë e një propagande totalisht të diktuar nga narko-diktatori, nga diktatura e bandës.

Mos harroni asnjëherë se me këtë narko-propagandë, me krahasimet e të pakrahasueshmeve, me nihilizmin e 35 viteve, të gjitha këto kanë vetëm një qëllim, të lënë në pushtet atë që është se s’ka kush vjen mbrapa.

Milaim Nela: Gazetari holandez Vincent van Gerven Oei, një nga denoncuesit më në zë të aferave të Edi Ramës dhe sektit, nga dje është në arrest nga policia e regjimit. A mundet të bëni një apel të fortë për lirimin e tij?

Sali Berisha: Faleminderit Milaim për pyetjen.

Që sot kërkoj lirimin e tij të menjëhershëm.

Gazetari në fjalë është një kritik i zhvillimeve në Shqipëri, ndër më objektivët.

Ky gazetar nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike, por një gjë është e sigurt që ky gazetar e do Shqipërinë. Sepse në shkrimet e tij ai shpreh, nuk i di rrethanat çfarë e lidhin atë kaq shumë me Shqipërinë, po është një njeri, një gazetar që ndër më të mirët për realitetin shqiptar, dhe unë kërkoj urgjentisht lirimin e tij.

Sikundër kërkoj të mos e prekë kush, se Edi Rama ndaj armiqve personalë nuk ngurron për asnjë akt.

Arjan Beqiri: Në kohën e Sali Berishës ishte 500 euro metri katror i pallateve, tani ka shkuar deri në 4000.

Sali Berisha: Zoti Beqiri, faleminderit për pyetjen.

Pse ka shkuar 4000 tani? Sepse vagonët dhe kontejnerët e eurove dhe dollarëve të drogës investohen të gjithë kryesisht në kullat dhe ndërtimet në Shqipëri, resortet turistike dhe ndërtimet në Shqipëri.

Një miku im shkoi të blinte tek një ndërtues afër qendrës, një apartament. Se e njihte atë. Nuk kam, i tha. Si nuk ke, i tha. Po ti? Jo, tha, unë i kam shitur. I kam shitur…

Ai nuk i kishte shitur të gjitha, po ai i kishte shitur aq shtrenjtë çunave, saqë s’kishte nevojë të shiste asnjë metër katror dhe ata i priste për to, që të vinin çunat e tjerë t’ia merrnin me këtë çmim.

Përfundimisht miku im u kthye, nuk bleu dot shtëpi.

Pra, ata që i investojnë, të tjerët vijnë e i blejnë me çmime që qytetari shqiptar s’mund t’i prekë kurrë. Dhe ato mbeten bosh, i lënë aty se problemi i tyre madhor është të mos u kalben eurot nën tokë.

I keni dëgjuar ju telefonatat që i thotë: do t’i vendosësh arkat tek 180 rrënjë ulli, dhe me i siguruar mirë se mos na u futet lagështira dhe shiu.

Dhe kur thotë arkat, e dini mirë se çunat, trafikantët e drogës nuk përdorin kartëmonedhë tjetër vetëm 500-shen.

Leonardo Ymeri: Përshëndetje zoti Berisha. Mos harroni investimet e qeverisë tuaj, TAP-i dhe hidrocentrali i Moglicës mbi lumin Devoll, ku unë personalisht punova për dy vite ku paga para 13 vitesh ishte 700-800 mijë lekë pagë e lartë. Ju falënderoj.

Sali Berisha: Faleminderit për rikujtesën.

Nuk e përmenda, por në ato vite realizuam dy gjëra në fushën e energjisë. Dy gjëra që hapën një kapitull krejt tjetër.

Së pari, hoqëm motorrët që gumëzhinin në të gjithë Shqipërinë.  Së dyti, vendosëm çmimet më të ulëta në Europë për biznesin, dhe vendosëm çmime ndër më të favorshmet për 300 kilovatët e parë.  Së treti, lumenjtë dhe burimet ujore që prej 30 vitesh përfundonin në detërat të vendit, u shndërruan në hidrocentrale.  Gjatë atyre viteve u firmosën kontrata për ndërtimin e 432 hidrocentraleve.

U soll në Shqipëri kompania më gjigante në botë e ndërtimit të hidrocentraleve që është edhe sot Statkrafti i Norvegjisë, dhe u ndërtua hidrocentrali i Moglicës, u ndërtua hidrocentrali i Banjës si kompleks hidroenergjetik. U ndërtua kaskada e Fanit. Gjer sot nga ato kontrata janë ndërtuar hidrocentrale që prodhojnë mbi 60% të energjisë së vendit.

Por mbi të gjitha miq, është periudha kur projekti për kohën më i rëndësishmi në Europë, gazsjellësi Trans-Adriatik u firmos, me një rivalitet shumë të madh, por vendosmëria e Presidentit të Azerbajxhanit dhe diplomacia e Shqipërisë bëri të mundur që ai projekt të triumfojë.

Ai ishte projekti më i rëndësishëm në atë kohë, por ndaj të cilit kundërshtimet ishin të mëdha, sepse rusët kishin ndërhyrje të fuqishme tek të gjitha vendet për sabotimin e tij.

Ata donin me çdo kusht të kapnin korridorin jugor, por e vërteta është se TAP ishte projekti më fizibël dhe TAP triumfoi.

Pra, përveç këtyre, ju jeni dëshmitarë, u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë, u bashkua kombi, u bashkua Elbasani me Tiranën, dhe mijëra shkolla, sisteme ujësjellës-kanalizimesh.

Me një buxhet dy herë më të vogël se buxheti i sotëm, sepse ne jemi parti e taksave të ulëta.

Ne nuk shtojmë mbi supet e qytetarëve barrë fiskale, ne përkundrazi përpiqemi t’i lehtësojmë ata.

Por jam i bindur se kjo propagandë e turpshme, kjo propagandë mashtrimi, kjo piramidë gjigante mashtrimi e ngritur kundër Partisë Demokratike, do përfundojë aty ku përfundojnë ujërat e shiut, pa asnjë lloj efekti dhe suksesi.

U bëj thirrje dhe një herë të gjitha forcave politike, në rast se jeni të bindur se Edi Rama është e keqja më e madhe, hajde të luftojmë dhe ta largojmë këtë të keqe.

Në rast se ky bashkëpunim nuk u përshtatet, thojuni qytetarëve shqiptarë se ju jeni për jetëgjatësinë politike të Edi Ramës, por unë nuk besoj se ky është misioni i opozitës.

Artan Begollari pyet në lidhje me faqen që Edi Rama ka hapur FolmeKryeministrin.al. Ai kërkon në dialog: Çfarë është ky burracak kryeministër që fshihet pas tastierës dhe s’ka guxim t’i përgjigjet qytetarëve të tij?

Sali Berisha: I dashur mik, është akoma e vështirë për shqiptarët të imagjinojnë se çfarë përfaqëson Edi Rama.

Edi Rama është modeli, është shëmbëlltyra e cinikut, frikacakut dhe hajdutit njëkohësisht. Është i aftë të bëjë gjithçka për të mbrojtur veten nga krimet që ka kryer. Por prej tyre nuk del dot. Prej tyre nuk del dot.

Berisha: Katër mediat kombëtare në Shqipëri janë totalisht simotra njëra me tjetrën në mbështetje të qeverisë

Aleks Kapllaj: Përshëndetje Doktor. Si e komentoni heshtjen e Top Channel dhe Tv Klan për vendimin e SPAK të hapjes së procedurës hetimore ndaj ‘Albanian Files’ kundër qeverisë Rama që kërkon të shesë vendin tonë miqve të tij vetëm për forcimin e pushtetit të tij piramidal të korruptuar dhe në shërbim të karteleve të narkotrafikantëve sipas edhe ish-bashkëpunëtorit të tij Arben Ahmetaj. Ju uroj shëndet.

Sali Berisha: Të falënderoj. Unë jam shprehur, katër mediat kombëtare në Shqipëri janë totalisht simotra njëra me tjetrën në mbështetje të qeverisë. Ju e dini.

Por kemi bërë një analizë dhe ajo analizë tregon se dhe këto sorelat e tjera nuk mbeten mbrapa atyre në censurën ndaj opozitës, pa lënë mënjanë negativitetin e tyre.

Por ne qëndrojmë në ato parime, vlera që besojmë. Dhe mbrojmë të vërtetat që besojmë.

Ajo është dëshmi e kontrollit qeveritar.

***

Ju falënderoj shumë për pyetjet që bëtë, për interesin që treguat.

Dhe ju ftoj të bashkojmë çdo përpjekje me çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi për të larguar Edi Ramën nga pushteti.  Ai sot është më i dobët se kurrë.

Protesta Flamingo dhe revolta studentore, protestat e qytetarëve dhe denoncimet e saj nga opozita, të cilat janë me qindra e qindra, qëndrimi i pamposhtur i Partisë Demokratike dhe aleatëve, e ka sjellë Edi Ramën në një kufomë politike të pakallur buzë gropës që meriton.

Rëndësi të jashtëzakonshme ka të bashkohemi, pavarësisht nga diversiteti, pavarësisht nga kimizmi.

Sot vlen më shumë se kurrë për shqiptarët parimi: armiku i armikut tim është aleati im kundër të keqes më të madhe.

Ai që është armik i vërtetë i armikut tim, ai do gjejë forca të bashkohet me ne.

Se përndryshe, në fakt, do të dëshmojë se është një mik i fshehtë i të keqes së madhe, i armikut tonë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale