FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA BANESA E TIJ
EKSTRAKT
Qindra qytetarë u mblodhën sërish mbrëmjen e sotme në ditën e 21 të protestës së organizuar në mbështetje të liderit të opozitës poshtë banesës të tij në rrugën e quajtur tashmë si “Rruga e Shpresës”. Demokratët janë solidarizuar dhe kanë mbajtur fjalime duke kundërshtuar masën e sigurisë të dhënë nga regjimi i narkodiktaturës së Ramës për liderin demokrat, Sali Berisha.
Berisha ka falenderuar mbështetësit e tij përmes fjalimeve që ka mbajtur nga dritarja e banesës.
Gjatë fjalës së tij, në përvjetorin e 18 të vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kryetari i PD, Prof.Dr. Sali Berisha tha se, në këtë natë nderojmë Ibrahim Rugovën. Asgjë në histori shqiptarët nuk kanë patur më të fuqishme se shpatën e Skënderbeut dhe penën e Ibrahim Rugovës
Berisha tha se, prijësi legjendar Skënderbeu dhe gjeniu i politikës, Ibrahim Rugova, na frymëzojnë që mbrojmë kauzat e drejta të cilat nuk vdesin kurrë
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se peng-Basha punon për mandatin e Edi Ramës dhe qeverisjes me të dhe se kjo betejë është vendimtare për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi i narkokracisë
Berisha i bëri thirrje ODIRH duke thënë se, çdo ndihmë për binomin Rama-Basha është ndihmë për monizmin është ndihmë për konsolidimin e pushtetit të krimit të Edi Ramës.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta!
Mirënjohje të pakufijshme, për secilin prej jush, për guximin, vendosmërinë tuaj në këtë betejë epike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Me qendresën tuaj, rezistencën tuaj, ju frymëzoni dhe do të frymëzoni çdo ditë, çdo shqiptar që aspiron për lirinë e tij. Çdo shqiptar që konsideron thelbin e qenies së tij, të lirisë së tij, dinjitetin njerëzor.
U bënë tre javë që ju çdo natë, në çdo kohë, në muajin më të idhët të vitit për motin, mblidheni në ‘Rrugën e Shpresës’ dhe e shndërruat atë në rrugën jo vetëm të shpresës, por rrugën e ndriçimit të mendjes dhe zemrave të shqiptarëve, rrugën e frymëzimit dhe inkurajimit të shqiptarëve në këtë betejë, kundër të keqes më të madhe që ka pllakosur Shqipërinë dhe shqiptarët pas Enver Hoxhës dhe që quhet, Edi Rama.
Të dashur miq!
Sonte në fjalët tuaja, trajtuat dhe sollët probleme të mëdha. Këtë ditë, këtë natë një nderim i përket arkitektit të Kosovës së pavarur, burrit që e bëri çdo shqiptar të lirë, Ibrahim Rugovës. Ibrahim Rugova është luftëtari më i fuqishëm, më legjendar, personaliteti më i madh që nga koha e Skënderbeut i Kombit shqiptar. Është gjeniu i penës politike. Askush në historinë e këtij kombi nuk ngjet më shumë me Skënderbeun legjendar, se sa Ibrahim Rugova.
Shpata, mendja, diplomacia e Skënderbeut mahniti botën. Shpata, mendja dhe diplomacia e Skënderbeut lartësoi shqiptarët në zenitin e kohërave. Ibrahim Rugova, pena, mendja dhe diplomacia a tij i bëri shqiptarët si komb të lirë, pasi gjysma e këtij kombi ndodhej në pushtim.
Asgjë në histori shqiptarët nuk kanë patur më të fuqishme se shpatën e Skënderbeut dhe penën e Ibrahim Rugovës.
Të dashur miq!
Partia Demokratike, fill pas themelimit të saj do të shndërrohej në mbështetjen më të fuqishme të presidenti Rugova dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Do të shndërrohej në promotor i pazëvendësueshëm i përpjekjeve të shqiptarëve në Kosovë për liri dhe dinjitet kombëtar. Por, dua të sjell në vëmendjen tuaj, se armiqtë më të egër, mos e harroni kurrë këtë, Ibrahim Rugova i kishte në Beograd dhe në Tiranë.
Në vizitën e tij të parë në Shqipëri ai do t’u deklaronte shqiptarëve dhe botës se, erdha me ftesë të Sali Berishës. Me një solidaritet të madh me përpjekjet e demokratëve për të përmbysur diktaturën, refuzoi në mënyrë kategorike protokollin e diktaturës për të vendosur lule të varri i diktatorit.
Cili ishte qëndrimi?
Diktatura dërgoi skuadrën e pushkatimit për të ekzekutuar Rugovën për aktin e tij.
Cili është qendrimi sot i bastardit të bllokmenëve hoxhistë të Edi Ramës?
I njëjti me Vuçiçin, armiqësor, sepse Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama nuk ia falin kurrë Ibrahim Rugovës projektin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Ndaj dhe them dhe njëherë, ky Skënderbe me penë, mendje dhe diplomaci sot nuk ka një bust, nuk ka një shtatore në kryeqytetin e Shqipërisë. Prej kaq vitesh, Edi Rama dhe Erion Veliaj mbajnë në magazina shtatoren e Ibrahim Rugovës.
Edi Rama në vizitën e parë në Kosovë, shkoi me misionin e sulmit ndaj Ibrahim Rugovës. Qendrimet e tij ndaj pavarësisë së Kosovës janë të njëjta me ato të Beogradit. Urrejtja e tij për Rugovës është urrejtje për veprën e tij, pavarësinë e Kosovës.
Miqtë e mi!
Është me rëndësi të kujtojmë dhe nderojmë prijës të pavdekshëm legjendar si Skënderbeu, gjeni të politikës së Ibrahim Rugova, sepse ata na frymëzojnë ne dhe çdo shqiptar që të ngrihen të mbrojmë me të gjitha kushtet dhe mjetet kauzat e drejta, kauzat e drejta nuk vdesin kurrë, nuk mposhten kurrë.
Edi Rama vazhdon përpjekjet e tij prej përbindëshi kundër demokracisë në agoni. Sot ai për reformën më të rëndësishme zgjedhore po shërbehet me veprën e tij, me pengun e tij në mënyrë që të bëjë gjithçka për të rrëmbyer mandatin e zgjedhjeve të ardhshme.
Për çdo shqiptar sot është e qartë se cili është pozicioni i peng Bashës. Më i turpshmi në historinë 32 vjeçare të pluralizmit. Me 10 vota beson se mashtron shqiptarët se po punon për ata, në një kohë kur ai po punon për mandatin e Edi Ramës dhe të qeverisjes së bashku me të. Në këto kushte beteja merr dhe një rëndësi më të madhe, më të jashtëzakonshme.
Por unë sot jam këtu për t’u bërë thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, të bashkohet me ju në këtë betejë, në këtë moment vendimtar për fatin e Shqipërisë. Kjo është kohë kthese. Ju jeni sot pishtarët e vërtetë të demokracisë. Ju jeni qytetarët e guximshëm, njerëzit e sakrificës që mblidheni këtu çdo natë për të mbrojtur një kauzë të vërtetë. Ju keni shndërruar platformën e rrugës së shpresës në platformën më të fuqishme të mbrojtjes së demokracisë.
Në platformën më të fuqishme të denoncimit të narkokracisë. Në platformën më të fuqishme të denoncimit të korrupsionit. Të denoncimit të organizatës kriminale me në krye Edi Ramën.
Të dashur miq!
Nuk është betejë e lehtë, sepse frika që mbjellë diktatura e drogës dhe krimit është e pranishme kudo. Por ju garantoj ju se zgjimi i luanit të fjetur nga ju, do të shkrijë me shpejtësi të madhe frikën dhe do të ngrejë në këmbë qytetarët. Kjo betejë është vendimtare për të shpëtuar Shqipërinë nga katastrofa në të cilën e ka zhytur regjimi i Edi Ramës.
Kjo betejë është vendimtare për të rikthyer dinjitetin e munguar qytetarëve shqiptarë. Është vendimtare për të rikthyer votën e lirë shqiptarëve.
Të dashur miq!
Komentoni shpesh dhe normale është, roli i faktorit të huaj. Së pari, ju garantoj se fatin e Shqipërisë nuk mund ta zgjidhë kurrë kush tjetër përveç shqiparëve, përveç jush. Ndaj edhe, ta marrim atë në duart tona dhe do ta zgjidhim. Do fitojmë!
Por nga ana tjetër unë do t’u jap ju vetëm disa shembuj. Institucionet më të rëndësishme europiane dënoncuan Edi Ramën publikisht deri për mohimin e të drejtave të opozitës për komisionet parlamentare. Komisioni Europian i tha Edi Ramës se me mohimin e komisioneve provon fajësinë tënde si hajduti më i madh në historinë e shqiptarëve, si një nga hajdutët më të mëdhenj në Europë.
Të njëjtën gjë, Ministria e Drejtësisë së SHBA dërgoi në gjykatë dosjen në të cilën Edi Rama denoncohet se ka paguar 225 mijë dollarë, tradhtarit McGonigal për të luftuar opozitën.
Ministria e Drejtësisë së SHBA dërgoi në gjykatë dosjen në të cilën akuzon Edi Ramën se me ndërhyrjen e Charles McGonigal ndryshoi licencat e naftës për llogari të Damian Gjiknurit dhe ish-oficerit të sigurimit të shtetit, Agron Neza.
Pra, miqtë e mi!
Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë, a nuk është koha tani të pyesim veten se çfarë po bëjmë ne për të shpëtuar Shqipërinë nga Edi Rama?
Në cilin vend që kryeministri të akuzohet nga prokuroria e një vendi për vepra të rënda kriminalre dhe të pranohet si kryeministër?
Cili kryeministër në Europë akuzohet nga KE-ja se bllokon komisionet e hetimit, vetëkuptohet për shkak të vjedhjeve të tmerrshme dhe skandaleve që ke bërë? Pra, diçka nuk shkon te ne. Kjo tolerancë nuk na nderon ne.
Ky durim është i tepërt është i dëmshëm, ndaj dhe duhet të ngrihemi.
Përsëri po në këtë çështje, Edi Rama për të bërë ndryshimet që do në Kodin Elektoral mori pengun e tij për ta servirur si opozitë. Pengu me porosi të Ramës, mashtroi shqiptarët kur u tha se, kanë ndërmjetësuar partnerët tanë. Partnerët njëri pas tjetrit e përgënjeshtruan Ramën dhe pengun e tij. I thanë se ne nuk mund të ndërmjetësojmë kurrë në akte false, në pseudoreformë.
Në këtë rast i bëj thirrje ODIHR, këtij institucioni serioz, në traditën e shkëlqyer të bashkëpunimit të mbajë parasysh se Edi Rama dhe peng Basha janë një dhe vetëm një. Detyra e ODIHR dhe misioni i tij ka një kusht, bashkëpunimi me të dy palët.
Pra, në këtë kontekst çdo ndihmë për binomin Rama-Basha është ndihmë për monizmin është ndihmë për konsolidimin e pushtetit të krimit të Edi Ramës.
Miqtë e mi!
Edhe njëherë nga zemra u falënderoj për këtë sakrificë që keni bërë.
Çdo ditë që kalon me dritën e të vërtetës, me kauzën që mbrojmë ne bëhemi më të fuqishëm, ne bëhemi më të mbështetur. Ne ecim më të sigurtë në rrugën tonë drejt fitores.
Fitore, fitore, fitore.
Rrofshi ju! Rroftë opozita shqiptare! Rroftë Shqipëria!