Berisha: 20 shkurti po afron. Është fundi i narkodiktaturës, fundi i Edi Ramës dhe regjimit të tij

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA BANESA E TIJ

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, ku sot u fol për fermerin dhe problemet e tij, iu bëri thirrje këtyre të fundit që të bëhen bashkë dhe në 20 shkurt të dalin në protestën e madhe në Tiranë.

Berisha tha se, fundi i Ramës dhe regjimit të tij është i afërt.

Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje që qytetarët të mbështesin protestën e fermerëve. Berisha tha se, “Ballkani i Hapur” i Ramës dhe Vuçiçit i ka shkatërruar fermerët shqiptarë.

Berisha iu drejtua fermerëve shqiptarë se, 20 shkurti është dita juaj, është dita të zbrisni në Tiranë me të gjitha mjetet që keni.

Kryetari i PD, Sali Berisha foli edhe për skandalin e zhvatjes së 2.8 miliardë eurove me Call Centerat nga Amant Josifi dhe Olsi Rama. Berisha tha se, SKAP-i amnistoi Amant Josifin dhe Olsi Ramën. Ai tha se, Dumani është i kapur nga Edi Rama.

Berisha i bëri thirrje Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të tërhiqet nga afera korruptive me Ramën për për Butrintin. Berisha tha se, në të kundërt me një peticion do i kërkojmë hetim Kongresit të SHBA për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta!

Mirënjohje të pakufijshme ju misionarëve të vërtetë të shpresës së shqiptarëve, luftëtarëve të pamposhtur për dinjitet njerëzor, për drejtësi sociale, për interes kombëtar.

Protesta juaj ka nj rrezatim të fuqishëm në të katër anët e vendit.

Kudo në Shqipëri sot zien pakënaqësia e madhe ndaj narkoregjimit të Edi Ramës. Por miqtë e mi, kjo protestë ka tmerruar Edi Ramën, i cili çdo natë le çdo gjë dhe ngulet para protestës me shpresë se do gjejë ndonjë ngushëllim.

Sonte do ju rrëfej një gjë që më kanë informuar disa ditë më parë.

Çdo natë, dërgonte hafijet dhe maste rrugën që mbushni ju, përpiqeshin të numëronin, por nuk arrinin ndonjëherë, pjesëmarrësit, qendrestarët në ‘Rrugën e Shpresës’.

E vërteta është se raportet që i shkonin, e tmerruan. Raportet flisnin për mijëra e mijëra protestues. Në fakt, ai nuk i zvogëlonte, por i zmadhonte me bashkëbiseduesit.

Çfarë ka ndodhur dhe pse, miqtë e mi?!

Disa vite më parë, ish-udhëheqësi i rëndësishëm i UÇK, Fatmir Limaj më tregon: Isha në Hagë thotë, në gjykatë, në burg aty ishin gjeneralë kryesorë serbë. Një ditë, njëri prej tyre më pyet, Fatmir, në muajin mars të vitit 1998, sa forca të UÇK-së gjendeshit në Klinë? Fatmiri i thotë, ne ishim tre kompani, rreth 300 luftëtarë. Fatmir, i thotë, ne na raportonin se ishin 6 mijë luftëtarë.

Ua thashë këtë shembull se çfarë bën frika, se sa e keni tmerruar ju Edi Ramën. Imagjinoni ju se ç’ndodh me 20 shkurt, kur t’i kujtohen pamjet e zvarritjes së babait të tij shpirtëror. T’i kujtohet udhëtimi me familjen e tij prej bllokmeni që bëri me autoblind drejt bunkerëve të Zall Herrit.

Pra, 20 shkurti po afron. Është dita juaj, dita e shqiptarëve, dita e fitores. Është fundi i narkodiktaturës, fundi i Edi Ramës dhe regjimit të tij.

Të dashur miq!

Sot unë nga kjo dritare, nga kjo protestë duhet t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta fermerëve shqiptarë kudo që janë. Të përshëndes fermerët e Devollit, fermerët e Korçës, fermerët e Myzeqesë dhe t’i ftoj ata, o sot o kurrë të ngrihen për të drejtat e tyre, për interesat e tyre. Të ftoj qytetarët, demokrate dhe demokratë, o sot o kurrë, të mbështesin fermerët tanë.

Europa, Bashkimi Europian, nga Mesdheu në detrat e veriut, është përfshirë nga protestat më të fuqishme të fermerëve europianë. Fermerët e Greqisë e gdhinë mbrëmë në rrugët e qyteteve të vendit fqinj për kërkesat e drejta të tyre.

Por në qoftë se një njeri, një fermer shqiptar, pyet dhe krahason se cila është mbështetja që një fermer grek, një fermer italian apo gjerman, fiton nga shteti, krahasuar me mbështetjen që i jep shteti shqiptar atij, do të gjejë se kjo mbështetje është realisht 10, 15 herë më e vogël se sa e tyre.

Në qoftë se fermeri shqiptar pyet cilat janë politikat fiskale të qeverive të BE ndaj fermerëve, ai do të gjejë se ato janë politika të favorshme, se TVSH atje është e bazuar si në shitje, ashtu edhe në blerje. Se subvencionet kanë në bazë prodhimin dhe çdo njësi prodhimi subvencionet.

Do të gjejë fondin e garancisë nga përmbytjet dhe fatkeqësitë natyrore. Do të gjejë shërbimet falas në të gjithë territorin. Kontrollin e rreptë të të gjitha inputeve.

Po fermeri shqiptar? Përballet me një qeveri armiqësore, e cila është e vetmja në botë që ka vendosur zero TVSH në blerje dhe 20 përqind në shitje. Dhe kjo e tëra është rezultat i Ballkanit të Hapur që vendosi Edi Rama me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç, në mënyrë që përpunuesit shqiptarë të preferojnë importet serbe krahasuar me prodhimet e vendit.

Çfarë po ndodh miqtë e mi? Katastrofë, katastrofë. Në Belsh numri i krerëve në një vit dhe i prodhimit të bulmetit është ulur me 55 përqind, me 54 përqind në Mallakastër. Krerët e gjedhëve në rrethin e Fierit nga 59 mijë kanë rënë në 39 mijë brenda një viti.

Qytetarë dhe qytetare, ngrihuni dhe mbështesni fermerët, sepse kjo ka bërë që sot në qytetet e Shqipërisë, bulmetrat të kenë një çmim 110 përqind të çmimit mesatar në BE.

A mund të imagjinoni ju që qytetarët Tiranës, Vlorës, Korçës, Elbasanit, Fierit blejnë kilen e qumështit, djathit, bulmetra të tjera, vezën, më shtrenjtë se në Francë, më shtrenjtë se në Itali, më shtrenjtë se në Greqi, më shtrenjtë se në Poloni, më shtrenjtë se në në shumicën e vendeve anëtare të BE.

Ndaj qytetarë, në këmbë për të mbështetur kauzën e drejtë të fermerëve tanë!

Mos të harrojmë, Shqipëria në Europë është vendi me peshën më të madhe në ekonomi nga bujqësia. Dhe bujqësia e saj po shkatërrohet nga viti në vit në mënyrë të pandalshme.

I garantoj fermerët se PD me programin e saj do të ndalojë rrokullisjen, do stopojë të keqen që i ka kapur ata, do shënojë kthesën e vërtetë. Do rrisë subvencionet, të paktën nga e sotmja me 8 herë.

Do garantojë shërbimet, do garantojë cilësinë e inputeve, do garantojë taksën e ndershme të barabartë në blerje dhe shitje, do garantojë subvencionin për njësi prodhimi, do nxisë eksportet e tyre, do mbrojë prodhimet e tyre.

Fermerë shqiptarë, 20 shkurti është dita juaj, është dita të zbrisni në Tiranë me të gjitha mjetet që keni, është dita të fitoni ju, të fitojë Shqipëria.

Miqtë e mi!

Shqipëria është sot vendi i skandaleve më të mëdha në Europë. Një vend me 28 mijë kilometra katrorë, prodhon skandale më të mëdha se çdo vend tjetër. Dje, SKAP-i  i partisë informoi publikun për amnistinë e Amant Josifit dhe Olsi Ramës.

Miqtë e mi!

Amant Josifi, ortak i Olsi Ramës, me një rrjet të tërë call-centerash, në kuadrin e një grupi supermafioz europian, u kanë plaçkitur qytetarëve gjermanë, italianë, spanjollë dhe të vendeve të tjera 2.8 miliardë euro me Bitcoin-in. E gjitha kjo, krimi i shëmtuar ishte një skemë e shtrirë në disa vende, por Shqipëria e vockël kishte 40 përqind të kësaj veprimtarie kriminale banditeske. Në krye të kësaj veprimtarie ishte Amant Josifi, i biri i kryetares së administratës së Edi Ramës, ortaku i Olsi Ramës.

Çfarë bëri Altin Dumani me SKAP-in e tij? Kur mediat dhe opozita kërkuan të arrestohej Amant Josifi, jo tha, nuk kemi pse dhe ai nuk lëshoi urdhër-arresti. Olsi Rama e përcolli për në Dubai. Një gjykatë e një qyteti të vogël të Spanjës, pas ankesës së qytetarëve të atij qyteti, lëshoi urdhër-arresti. Policia spanjolle e gjeti atje ku ishte, e gjeti në Dubai.

Çfarë u thotë sot shqiptarëve, Altin Dumani? Në mënyrën më kriminale u thotë se për Amant Josifin, kemi rënë dakord ta hetojë prokuroria spanjolle. A ka akt më të turpshëm se ky?

Amant Josifi miqtë e mi, krimin e tij të shëmtuar, vjedhjen e miliarda eurove në Bitcoin, e ka kryer nga Tirana me Olsi Ramën, me punonjësit e tij, i mbrojtur politikisht prej Olsi Ramës. Krimi pra, ka ndodhur në Shqipëri, por për Dumanin jo, jo. Sepse e di që Amanti po të hetohet, do thotë se e kisha me Olsin ortakërinë. Dhe Dumani nuk guxon të shqipërojë emrin e Olsit, sepse është i kapur, i ngërthyer nga Edi Rama.

Dhe u them dumanistëve se mbrojtja e Dumanit është mbrojtje e krimit, se mbrojtja e Dumanit është mbrojtje e Edi Ramës. A ka logjikë njerëzore të thotë se në Shqipëri ndodh vrasja, por ta gjykojë në një vend tjetër? A ka logjikë njerëzore të thotë se nga Tirana janë vjedhur 2 miliardë euro europianëve, por ta gjykojë një vend tjetër?

Ky është turp, kjo është faqe e zezë, ky është krim i shëmtuar.

Së fundmi miq, kam një mirënjohje shumë të thellë ndaj Organizatës Botërore të Trashëgimisë Kulturore, UNESCO-s, e cila në raportin e saj që ka fshehur Edi Rama, zbërtheu copëtimin, shkatërrimin e Edi Ramës me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të parkut më përrallor që ka Europa, parkut kombëtar të Butrintit.

Më lejoni të falënderoj para jush, përzemërsisht deputeten Ina Zhupa, e cila qendroi e pamposhtur nga çdo presion, për t’i mbrojtur Shqipërisë pasurinë e saj më përrallore, kulturore, natyrore, Parkun e Butrintit. Të falënderoj profesor doktor Apollon Baçen, avokat i pamposhtur i kësaj trashëgimie. Të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e Butrintit dhe të gjithë ata të cilët u përballën me presionet më çnjerëzore, më të gjithanshme, por qendruan në mbrojtje të kësaj pasurie të pashoqe e theksoj edhe njëherë.

Parku i Butrintit, nga qyteza arkeologjike te Kepi i Stillës, përbën ndoshta një nga mrekullitë më të mëdha në botë.

Ky park u mbrojt dhe duhet t’u rrëfej këtu se nga viti 1993, gjer në vitin 2013, Fondacioni i Lordit Rothchild, luajti një rol shumë pozitiv në mbrojtjen e tij. Unë ju kujtoj ju se në një moment kur zgjeruam rrugën për çështje sigurie, protestat e tyre te qeveria shqiptare ishin të përsëritura dhe të fuqishme.

Por çfarë ndodhi më vonë? Parku u copëtua me projektin e Edi Ramës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan.

Unë jam këtu për t’i kërkuar publikisht Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, tërhiquni menjëherë nga projekti, kërkoni të falur, sepse keni kryer një akt shumë të rëndë ndaj një pasurie përrallore të kombit shqiptar.

Është pikërisht projekti juaj, i bazuar në studimin tuaj korruptiv me Edi Ramën, që i dha këtij të fundit mundësinë të projektojë, të ndërtojë te Gjiri i Manastirit, te Kepi i Stillës me qindra e mijëra banesa.

Unë kam pasur një bashkëpunim të ngushtë, të frytshëm, kam respektuar shumë, kam vlerësuar lart të gjithë kontributin e këtij fondi. Kam pasur marrëdhënie miqësore me presidentin e tij. Por natyrisht, Butrinti ishte për mua, interesi i shqiptarëve ishte mbi të gjitha.

Ndaj i them, zoti Granoff, tërhiqe projektin. I bëtë një dëm të madh. Ju keni kontribute të padiskutueshëm në dhjetëra e dhjetëra projekte në Shqipëri. Por, ajo që bëtë është e paimagjinueshme. U bëtë bashkautor në një megakorrupsion të tmerrshëm me Edi Ramën. Përndryshe, me një peticion do t’i kërkojmë hetim Kongresit të SHBA për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, keqpërdorimin e tij nga Edi Rama.

Miqtë e mi!

Shqipëria është vendi më i korruptuar në Europë. Por u garantoj se korrupsioni nuk është vetëm shqiptar. Se korrupsion është çdo prokurim pa garë. Se korrupsion është çdo ligj i veçantë për persona të veçantë. Se korrupsion dhe kapje është çdo vendim qeverie për persona të veçantë.

Ndaj dhe ftoj shqiptarët të mbështesin 20 shkurtin.

20 shkurti duhet të jetë dhe do jetë dita e interesit kombëtar, dita e interesit të shqiptarëve, dita e Shqipërisë në duart e shqiptarëve.

Edvin, sa të thanë sonte ato hafijet janë këtu? Mijëra e mijëra. Mjerë ti. 20 shkurti po vjen!

Je i pashpresë, je i pashpresë, je i pashpresë

Rrofshi ju, rroftë opozita, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale