Berisha: 20 shkurti është dita e të gjithë shqiptarëve që zotohen t’i dalin zot kombit nga ky shkatërrim!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA BANESA E TIJ

EKSTRAKT

Vijon për të 45-tën ditë radhazi tubimi i  organizuar në mbështetje të liderit të opozitës poshtë banesës të tij në rrugën e quajtur tashmë si “Rruga e Shpresës”. Demokratët vijojnë të mbeten të solidarizuar dhe të mbajnë mbajtur fjalime duke kundërshtuar masën e sigurisë të dhënë nga regjimi i narkodiktaturës së Ramës për kryetarin e PD, Sali Berisha.

Berisha ka falenderuar mbështetësit e tij përmes fjalimeve që ka mbajtur nga dritarja e banesës.

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që po tubojnë poshtë banesës së tij që të mbajnë 1 minutë heshtje për opozitarin e pamposhtur ndaj regjimit diktatorial, barbar të Vladimir Putinit, Alexei Navalnyt.

Kryetari i opozitës, Sali Berisha, i bëri thirrje shqiptarëve që të mblidhen më 20 shkurt për t’i dalë zot kombit. Kryedemokrati tha se,ky proces shkatërrrimtar nuk duhet pranuar mbi qenien tonë kombëtare.

Berisha, tha në tubimin e mbrëmjes së sotme, se këto 10 vite, shqiptarët janë rrokullisur në mënyrë të pamëshirshme nga qeverisja e Edi Ramës. Berisha tha se, si në asnjë vend tjetër të Europës, pushteti përdoret vetëm për të vjedhur.

Kryetari i PD, Sali Berisha, duke folur sot përpara përkrahësve, tha se, më 20 shkurt do marrë përgjigje Edi Rama për aferën e tij me Charles McGonigal.

Berisha tha se, 20 shkurti është dita e shqiptarëve, është dita e atdhetarëve.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, edhe në praninë e sekretarit Blinken, për këtë bufator të Beogradit nuk ishte Serbia problemi i rajonit, por ishte Kosova.

Berisha iu drejtua Ramës, o tradhtar, 20 shkurti po vjen!

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetarë, qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të dinjitetit njerëzor, të guximit, kurajës, misionarë të shpresës dhe të ardhmes tonë.

Një përshëndetje të përzemërt ju dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që shohin 20 shkurtin si ditën e ngadhënjimit, si ditën e triumfit të dinjitetit të qytetarit shqiptar, triumfit të Shqipërisë dhe kombit tonë.

Miqtë e mi!

Në këtë fjalë dua të shpreh nderimin tim më të thellë për veprën e pavdekshme të disidentit, opozitarit të pamposhtur ndaj regjimit diktatorial, barbar të Vladimir Putinit, Alexei Navalnyt. Për çdo njeri që lufton për liri dhe dinjitet, Alexei Navaly do të mbetet frymëzimi i tij. Ai kaloi jo njëherë, por disa herë nga vdekja në vdekje dhe kurrë nuk pushoi së luftuari kundër diktatorit mizor dhe regjimit të tij.

Ndaj dhe ju ftoj ta nderojmë, ju ftoj ju luftëtarë të lirisë, ta nderojmë me 1 minutë heshtje këtë luftëtarë të lirisë, frymëzim për të gjithë ata që luftojnë kundër diktaturave, kundër regjimeve putiniste kudo që ndodhen. I përjetshëm kujtimi i tij!

Miqtë e mi!

Për ju, për ne, për çdo shqiptar kudo që ndodhet, në Shqipëri, emigracion dhe diasporë, 20 shkurti më shumë se çdo gjë tjetër është dita e dinjitetit tonë.

Sot ne jemi njerëzit më të përçmuar të Ballkanit, të Europës dhe më gjerë.  Sot ne jemi njerëzit më të nëpërkëmbur. Regjimi që sundon Shqipërinë, kontrollon vullnetin dhe votën tonë. Shkatërron çdo ëndërr, ccdo mundësi dhe alternativë ndryshimi. Si asnjë komb tjetër ne përjetojmë një mobokraci, një diktaturë bande.

20 shkurti është dita të marrim Shqipërinë në dorë, është dita t’i dalim vetes zot, është dita të vendosim në piedestal dinjitetin tonë, është dita të ndahemi përgjithmonë nga tiranë të cilët përçmojnë dhe shkelmojnë dinjitetin dhe qenien tonë.

Miq!

Ne jemi njerëzit më të përçmuar. Ne jemi njerëzit më të shpërfillur sepse të gjithë sa jemi këtu dhe kudo që ndodhemi, më shumë se gjysmën e të njohurve tanë nuk i kemi më në Shqipëri. Janë larguar nga një tokë e bekuar, sepse Edi Rama dhe klika e tij dhe organizata e tij kriminale dhe rilindja e tij kriminale e shndërroi Shqipërinë, dheun e tyre në tokë të mallkuar.

Ka shumë sot që e quajnë kombin tonë, një komb që po merr fund, një komb që po shuhet, një komb që gradualisht po vdes. Dhe këta nuk janë armiq të Shqipërisë, këta janë vëzhgues, soditës.

Mjerisht shqiptarët vetë janë të tillë. Kurrë ndonjëherë këtë katastrofë kombëtare nuk duhet ta pranojmë.

Nuk duhet të pranojmë këtë proces shkatërrimtar mbi qenien tonë kombëtare.

20 shkurti është dita, ‘o burra të shpëtojmë Shqipërinë’.

20 shkurti është dita të përballemi me më të keqen që kombi ka njohur në histori.

20 shkurti është dita e guximit pra, është dita në të cilën ne duhet të ftojmë për mbi 1 milionë shqiptarë që u larguan nga Shqipëria të përzënë nga kushtet e këtij regjimi.

20 shkurti është dita e të gjithë shqiptarëve që zotohen t’i dalin zot kombit nga ky shkatërrim, si asnjë luftë tjetër.

Miqtë e mi!

Sërish theksoj se ekziston një raport shekullor, mijëra vjeçar mes hajdutit dhe atij që vidhet. Sot ne jemi të përçmuar, sot ne jemi të shpërfillur, sepse nuk ka njerëz, nuk ka qytetarë më të vjedhur, më të poshtëruar se shqiptarët.

Ne jemi dëshmitarë se në ekzistencën tonë, më shumë se çdo gjë tjetër na kanë munduar varfëria, skamja e tmerrshme, por jemi dëshmitarë se liria bëri të mundur që të dalim nga honet më të zeza të varfërisë dhe mjerimit dhe të ecim në rrugën e vendeve me prosperitet në rritje të vazhdueshme.

Në vitin 2013 ne që ishim më të varfrit e këtij gadishulli, nuk them se u bëmë më zengjinët, por paguheshim më mirë se të gjithë të tjerët. Dhe kjo ishte një arritje e shekujve për shqiptarët.

Çfarë ndodhi me ne këto 10 vite?

Këto 10 vite në u rrokullisëm në mënyrë të pamëshirë nga Edi Rama dhe organizata e tij kriminale, përsëri të fundit e të fundve në rajon për rrogat. Kjo sepse, si në asnjë vend tjetër të Europës, pushteti përdoret vetëm për të vjedhur. Kjo sepse, shpallet emergjencë për djegësat, shpenzohen 200 mln euro dhe sot asnjëri nuk funksionon.

Kjo sepse, shpallet emergjencë për të vjedhur. Shpenzohen 130 mln euro dhe djegësi në Tiranë nuk ka as themele, nuk ekziston sepse vjedhja është e Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Kjo sepse, sot rrugët që nuk përfundojnë kurrë, ndërtohen me një çmim 15-20 herë më të shtrenjtë se kudo në Europë.

Kjo sepse, pasuritë përrallore publike ndahen mes qeveritarëve e trafikantëve, bandave kriminale. Kjo sepse, ekonomia kontrollohet nga klientela e qeverisë e cila është aksionere në të gjithë plaçkitjet dhe grabitjet që bëhen.

Miqtë e mi!

Nuk ka situatë më dramatike.

Por çfarë ndodh? Ajo që quhet drejtësia e re e huajtur nga fjalori i Enver Hoxhës, Shqipëria e re, është shndërruar në mburojë të shëmtuar të krimit shqiptar dhe ndërkombëtar, të vjedhjes shqiptare dhe ndërkombëtare, të korrupsionit shqiptar dhe ndërkombëtar.

Ndaj dhe qytetare dhe qytetarë, Shqipëria në duar tuaja!

Merrni fatin tuaj në dorë, merrni fatin e Shqipërisë në dorë, se përndryshe shfarosja na pret.

Sot më shumë se kurrë duhet të ngrihemi sepse çdo gjë që bën një komb të suksesshëm, që i bën një kombi të mundshëm zhvillimin e tij, këtu shkatërrohet me shpejtësi të tmerrshme.

Mos harroni, sot për 1 mijë banorë kemi mjekë aq sa kishim në vitet 1960. Kemi ecur mbrapa 40 vite. Mos harroni se sot, fëmijët tanë në shkolla kanë një cilësi arsimi më të keqe se 20 vite më parë.

A nuk janë këto të gjitha akte të tmerrshme poshtërimi ndaj nesh, shpërfillje ndaj nesh. A nuk janë këto kushtrim për çdo shqiptare dhe shqiptar, në këmbë në 20 shkurt për t’u ndarë me tiraninë.

Miqtë e mi!

Qytetarë dhe qytetare, ju ftoj të mos pranoni të jeni një komb i përçmuar. Të mos pranoni kurrë të jeni njerëz të përçmuar. Nuk ka arsye sepse ne, në ADN-në tonë i kemi dalë zot vetes, ndofta më shumë se kushdo tjetër në kohëra të caktuara.

Si mundet të pranojmë ne një kryeministër që paguan shefin e kundërzbulimit të vendit më të fuqishëm të botës, për të shkatërruar opozitën, për të luftuar Sali Berishën, për të luftuar PD, për të çelnikosur në pushtet Edi Ramën.

Kujt ia kanë bërë më thoni mua. Cili komb ka pësuar një gjë të tillë? Kurse ne shohim njëri-tjetrin.

20 shkurti është dita t’i japim atë që meriton RamëGonigalit, këtij bastardi të xhelatëve hoxhistë që zhduk pluralizmin me korrupsion ndërkombëtar, që arreston liderin e PD nga frika dhe tmerri i tij, që mbyll parlamentin si të ishte kuzhina e Lindës dhe jo tempull i popullit dhe demokracisë.

20 shkurti është dita e shqiptarëve, është dita e atdhetarëve.

Edhe dje në praninë e sekretarit Blinken, për këtë bufator të shpifur të Beogradit nuk ishte Serbia problemi i rajonit, por ishin shqiptarët, ishte Kosova.

O tradhtar, 20 shkurti po vjen, shqiptarët do të japin ty, atë që meriton.

Miqtë e mi!

Në rast se duam këtë komb, duam fëmijët tanë, duam veten tonë, dua të ndalemi dhe të mendojmë se Shqipërinë e bëjnë shqiptarët dhe vetëm shqiptarët, se drejtësinë e bëjnë shqiptarët dhe vetëm shqiptarët.

Se demokracinë në Shqipëri, e ndërtojnë shqiptarët dhe vetëm shqiptarët.

Ndaj dhe të besojmë tek njëri-tjetri. ADN-ja shqiptare, idealet e lirisë së shqiptarëve, por mbi të gjitha dinjiteti i qytetarëve shqiptarë, dhe me 20 shkurt të mblidhemi, sepse 20 shkurti është fundi i tiranëve, është dita në të cilën shqiptarët përmbysin tiraninë.

Rrofshi ju!

Le ta bëjmë 20 shkurtin ditën e dinjitetit tonë, ditën e guximit tonë, ditën e trimërisë sonë, ditën e idealeve tona, ditë e demokracisë, ditën e shpresës për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale