Berisha: 14 maji dita e ndryshimit, do të jetë edhe dita në të cilën ne vendosim për ti dhënë duart kësaj qeverie në vjeshtën që vjen

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ELEKTORAL NË GJIROKASTËR

EKSTRAKT 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar takimin elektoral në Gjirokastër, bashkë me kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë për bashkitë Gjirokastër, Memaliaj e Tepelenë, Përmet, Dropull dhe Këlcyrë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka komentuar gjuhën e përdorur nga kryeministri Edi Rama gjatë fushatës, ndërsa tha se kreu i qeverisë përdor gjuhë banale dhe logjikë cubi kur i drejtohet qytetarëve.

‘Qytetarët për të janë të shpërfillur. Ju e shifni si kalon nga takimi në takim, me një fjalor të varfër me 5 fjali, banal, të turpshëm, zorra qorre, zorra e hollë, kështu më tha gjyshja, kështu më ka thënë gjyshja, nuk kam motër se je çun i mirë, apo po votove opozitën nuk të jap para. Shikoni logjikën e një cubi, e një njeriu që nuk asnjë lloj norme, standardi moral, jo më demokratik’, tha Berisha. 

Ndërsa ai bëri thirrje se, 14 maji është dita e ndryshimit dhe dita në të cilën do të vendoset për ti dhënë duart kësaj qeverie në vjeshtën që vjen.

‘14 maji do të jetë gjithashtu dhe dita në të cilën ne vendosim për ti dhënë duart kësaj qeverie në vjeshtën që vjen. Ju garantoj se Edi Rama nuk mund të qëndrojë kurrë më gjatë në pushtet’ tha kryetari i PD-së Sali Berisha gjatë fjalës në Gjirokastër.

FJALA E PLOTË

Përshëndetjet më të përzemërta qytetare dhe qytetarë të Gjirokastër, vëllezër e motra, zonja e zotërinj. Nder i veçantë, kënaqësi e madhe të flas sot para jush dhe të ju përshëndes përzemërsisht të shpreh kënaqësinë time më të madhe.

Me këtë miting ne firmosim fitoren me 14 maj, jo vetëm në qytetin e Gjirokastrës, por në të gjitha bashkitë e këtij qarku, gjë e cila e ka tronditur thellë në shpirt Edi Ramën dhe e ka nxjerrë jashtë çdo lloj standardi normal.

I dashur zoti Tritan Shehu, drejtues politik i qarkut të Gjirokastrës, deputet në Kuvendi e Shqipërisë.

I dashur zoti Eri Shehaj, kryetar i PD, Gjirokastër. 

I dashur zoti Dorian Lani, kryetari i ardhshëm i BashkisëGjirokastër.

I dashur zoti Adil Xhelili, kryetar i ardhshëm i bashkisëLibohovë.

Zoti Albert Malaj, kryetar i ardhshëm i bashkisë Memaliaj.

Zoti Baftjar Imeri, kryetari i ardhshëm i bashkisë Tepelenë.

Zoti Edmond Komino, kryetari i ardhshëm i bashkisë Përmet. 

Zoti Thanas Maneka, kryetari i ardhshëm i bashkisë së Dropullit. 

Zoti Arjan Kasa, kryetari i ardhshëm i bashkisë Këlcyrë.

Miqtë e mi! 

Sot ne jemi në prag të një fitoreje të madhe e cila ka një rëndësi historike për Gjirokastrën, gjirokastritët, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë. Në këto 8 vite në Shqipëri u instalua regjimi i të gjitha pushteteve në duart e një njeriu dhe ky njeri, Edi Rama, i përdori ato pushtete në të keqen më të madhe, të gjirokastriteve, të tepelenasve, dropullitve, libohovitëve, përmetarëve, sarandjotëve, delvinjotëve, mbarë shqiptarëve. 

I përdori në të keqen më të madhe, sepse njerëz të varfër siç ishim ne, të rropatur në shekuj varfërie arritëm me mund e djersë, të dalim në rrugën e shpresës, arritëm të jemi njerëzit më mirë të paguar në rajon. Arritëm të realizonim një infrastrukturë që meritonim.

Por çfarë ndodhi nga 2013 e gjer sot. Nga 2013 e gjer sot koha jonë ngriu. Të gjithë ata që studiojnë të gjitha pushtetet në dorën e një njeriu, gjejnë se në rrafshin filozofik këto pushtete ndalojnë kohën. Këtë e provuam më mirë se kushdo tjetër ne shqiptarët.

Nga 2013-2023, rrogat tona jo vetëm që nuk u rritën, por ato u ulën në mënyrë të frikshme. Vetëm nga rritja e çmimeve nëpërmjet bordeve, çdo shqiptar pagoi për ushqimet e tij, 430 mijë lekë më shumë. Pagoi 2 pensione më shumë, 1 rrogë më shumë. Pa llogaritur këtu rritjen tjetër të çmimeve para vitit 2021.

Çfarë ndodhi me rrogat? Rrogat u ngrinë, rrogat jo që nuk u rritën, por për shkak të rritjes së çmimeve, shqiptarët humbën rrogën e 12, pensionistët humbën pensionin e 11 dhe 12. Kjo është e vërteta. Ky njeri gradualisht vendosi tiraninë e varfërisë mbi shqiptarët. Dhe në vend se ata të begatoheshin nga viti në vit, ata u varfëruan më shumë nga viti në vit.

Jo vetëm kaq, por pushteti në duar të një njeriu është dhunim masiv i të drejtave të njeriut. Sepse, në shoqëritë e lira, të drejtat i garantojnë para së gjithash gjykatat, drejtësia. Ndërsa sot nuk ka qytetar shqiptar që fiton një gjyq kundër shtetit. Ky njeri vetëm në vitin 2015 arrestoi 37 mijë shqiptarë vetëm për çështje civile, të cilat prej 3 shekujsh nuk bëhen kurrë penale, në të gjitha konventat dhe kodet, përveç se në shpirtin e keq, abuzimin e tmerrshëm me pushtetin e një njeriu, që ndihej zot i shqiptarëve dhe mund të bënte ç’të donte me ta.

Qytetarët në këto 8 vite u shpërfillën më shumë se kurrë. Mbrëmë isha në Vlorë, sheshi i Flamurit një shesh simbolik për çdo shqiptar nuk është më, sepse ka bërë ndërtimin në mes të sheshit. Po çfarë ndërtimi thoni ju.

Para 30 vitesh kam qenë në Paris dhe atje shkova rastësisht pashë një kasaphane kuajsh dhe ndërtimi i Edi Ramës më kujtoi kasaphanën e kuajve në një lagje të Parisit ku vareshin kuajt në shtylla. Pa pyetur asnjë qytetar vlonjat. Edhe këtu donte të ndërtonte unazën dhe të hidhte në anë kalanë. Ju lumtë gjirokastriteve që rezistuan, nuk e lanë. 

Qytetarët për të janë të shpërfillur. Ju e shifni si kalon nga takimi në takim, me një fjalor të varfër me 5 fjali, banal, të turpshëm, zorra qorre, zorra e hollë, kështu më tha gjyshja, kështu më ka thënë gjyshja, nuk kam motër se je çun i mirë, apo po votove opozitën nuk të jap para. Shikoni logjikën e një cubi, e një njeriu që nuk asnjë lloj norme, standardi moral, jo më demokratik. 

Me të gjitha këto, çfarë tregon ky, përçmimin ndaj qytetarëve. Tregon se ky nuk ka asnjë respekt për qytetarin. Përpiqet me fraza të tilla të vendosë një perde. 

Nuk pranon të dalë përpara, para jush. E kam ftuar me dhjetëra herë, hajde dalim në studio ose në shesh, të kthejmë xhepat, tu përgjigjemi shqiptarëve për çdo pyetje që ata kanë, por nuk del dot. Nuk del dot sepse familjarët e tij, në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, kanë fituar me qindra tendera. Baxhanaku, thjeshtra etj., etj., me radhë. Nuk del dot, se në mes të Vlorës po ndërtohet përbindëshi, kulla nga i vëllai i tij, Olsi Rama. 

Nuk del dot sepse thotë unë firmos, fap, fap, fap dhe pap, pap, pap. 420 milionë euro djegësa që nuk ekzistojnë kërkund, ndërmarrja falso me të cilën po vjedh shqiptarët. Nuk del dot se me dufet e tij të urrejtjes ndaj fjalës së lirë, mbylli televizionin dhe tani çdo shqiptar do të paguajë gjobën që i vunë Shqipërisë, 120 mln euro për Agon Channel. Po të tilla janë një seri procesesh dhe ky borxh për ne do të shkojë në 1.6 miliardë euro. 

Sa janë 1.6 miliardë euro? Janë më shumë se rrogat e dy viteve të të gjithë shqiptarëve. Nuk del dot sepse nuk mund të justifikojë mashtrimet e tmerrshme që u ka bërë qytetarëve. 

Nuk lejon të dalë as mafian e tij. Ky Golemi këtu që është edhe mjek, që është edhe turpi i mjekut. Erdha këtu para nja 10 ditësh dhe një djalë, një qytetar i ri u nis në mesnatë për në Tiranë për të operuar apendicitin, sepse Golemi e ka mendjen tek pasurimi i tij. Këta janë të shkëputur nga qytetarët, krejtësisht. Kudo që shkoj, del ky Golemi tani këtu me Dorjanin, nuk del dot sepse ka vjedhur, ka mashtruar, nuk del dot sepse ai nuk është kandidati juaj, sepse është kandidati i Edi Ramës, nuk del dot, asnjë prej tyre nuk dalin. 

Çfarë sekti janë këta, çfarë i lidh këta me qytetarët që nuk guxojnë të dalin para tyre, për të ju dhënë llogari. Kudo që shkoj kam kënaqësi të madhe, dëgjon programe. Këtu dëgjova të Dorianit, në Sarandë dëgjova të zotit Cikuli dhe me radhë. Programe njerëzish seriozë, qeveritarësh të vërtetë, programe qytetarësh të cilët ju kanë dëgjuar ju, kanë diskutuar me ju, kanë bërë projektet dhe vijnë të qetë para jush, vijnë të votuar nga ju.

Kurse këta nga vijnë? Nga vjen kandidati i Libohovës, i MirelaSherrit. I implikuar me drogë, me procese penale, në prokurori dhe kudo. Kështu janë në tërësi këta. 

Pa le më tmerri i Tepelenës, Tërmeti i cili në çdo variant të përkthyer shqip e ka emrin tmerr. 

Koha është të firmosim ndryshimin dhe Edi Rama e ka ndjerë këtë, e ka ndjerë tmerrësisht. E sheh se jugu po e flak, e sheh se jugu në datën 14 do ti japë atë që meriton dhe vota juaj është për mbarë Shqipërinë, për mbarë kombin shqiptar. Duhet të largohet nga pushteti ky njeri, sepse solli vetëm drama. Kurrë shqiptarët nuk janë larguar nga Shqipëria si në këtë periudhë. 

Nuk janë larguar, sepse nuk janë ndjerë kurrë në varfërim në rritje si sot. Të shpërfillur si sot, të injoruar si sot. Ndaj dhe largimi i Golemit është një goditje e rëndë për këtë monizëm, për këtë varfërim, vjedhje të madhe, të pashembullt.

Po vij nga Saranda. Kishte dërguar në Konsipol sot, kë kishte dërguar thoni ju, Belinda Lluksin. Sepse me Belindën vjedhin në mënyrë të tmerrshme pasurinë tuaj, energjinë. Ju duhet ta dini, se dy vitet e fundit, falë asaj strategjie të ndërtimit të HEC-eve, Shqipëria ka një prodhim 2 miliardë kilovat orë energji më shumë se sa nevojat e saj. Po përfitoi kush prej tyre? Dy vetë, Edi Rama dhe Belinda Balluku. Në vend që të ulë çmimin për biznesmenët, ta çojë në 6 lek siç ishte ua bëri 220 lekë. Qytetarëve ua rriti në 95 lekë, sepse digat i zbraz verës kur ligji e ndalon. E shet te sekserët e vet me 20-30 euro kilovatin dhe pastaj e rishet po atë energji me 150-200 euro dhe paratë shkojnë në kontot offshore të Ramës dhe Ballukut, apo mbushen valixhet për të blerë vota, këtu dhe aty. 

Këta janë.

Por 14 maji, shënon fundin e tyre. 

Në këtë fushatë vazhdon mashtrimet, ai nuk ka turp dhe thotë një fjalë e urtë; kur nuk ke turp, thua çdo gjë. U tha shqiptarëve do u rris rrogat, do e bëj rrogën mesatare 900 euro. E çoi ligjin në komision dhe e mbylli parlamentin. Sot i kam kërkuar publikisht ditën e enjte të hapim parlamentin të votojmë rritjen e rrogave. Nëse si herët e tjera edhe kjo të jetë një mashtrim i radhës. 

Mësuesve u premtoi 250 mijë lekë, ua ka rritur 25 mijë lekë. I pyesni mësuesit. Mjekëve u premtoi 450 mijë lekë, ua ka rritur 15 mijë lekë. Pra, mashtrime dhe vetëm mashtrime. 

Nëse bazohet ky. Edhe ky Golemi mashtron fëmijët për vota, me telefona. Ka krijuar një dyqan aty dhe u dhuron telefona, me siguri gjysëm falso, por merreni u thotë fëmijëve. Do të dënohesh, ta them unë ty, Golem do të ndiqesh si kriminel elektoral dhe ky krim do të ndjerë gjer në fund, nuk ke ku shkon. 

Miqtë e mi! 

Në çdo aspekt ne fitoren tonë me 14 maj do ta shndërrojmë në fitore për çdo qytetar. Ajo që unë mund të ju garantoj, se DorianLani dhe gjithë kryebashkiakët e këtij qarku, do të bëjë gjithçka për të lehtësuar barrën tuaj fiskale, për të lehtësuar ju nga tarifat e rënda, për të ofruar shërbimet më të mira, për një shërbim shëndetësor, e arsim më cilësor. Për një llogaridhënie të plotë, për transparencë.

Por 14 maji do të jetë gjithashtu dhe dita në të cilën ne vendosim për ti dhënë duart kësaj qeverie në vjeshtën që vjen. Ju garantoj se Edi Rama nuk mund të qëndrojë kurrë më gjatë në pushtet. 

Do ikë si një njeri që boshatisi Shqipërinë, varfëroi atë, si një njeri që braktisi në tërësi Shqipërinë. Ishte para ca ditësh këtu dhe tha se ajo, qeveria e mëparshme e urrente Gjirokastrën, nuk e donte Gjirokastrën.

Tani dy fjalë do i them këtij mashtruesi. Ajo qeveria e mëparshme e vlerësonte shumë Gjirokastrën, sepse Gjirokastra është një epiqendër e qytetërimit shqiptar, me një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Ajo qeverisja e mëparshme sigurisht mund të bënte edhe më shumë, por të paktën gjirokatritët sot shkojnë në Tiranë për 2 orë e gjysëm. Gjirokastritët gjithashtu qarkullojnë në rrugë normale nga Koshovica në majën Çajupit. Ndërtua pothuajse gjysma e rrugës së Karrdhiqit, për gjysmën tjetër u deshën 10 vite për tu ndërtuar nga Edi Rama.

U garantoj se një nga projektet më të para do të jetë boshti i jugut që ua shkurton ju edhe me 90 km distancën Gjirokastër-Tiranë, sikundër synimi dhe qëllimi ynë është mëkëmbja e qytetarëve shqiptarë. 

Ne ja dolëm të dalim në krye për rroga e pensione ndër vendet e rajonit, sot jemi të fundit. Por u jap fjalën e nderit se PD-ja në pushtet përsëri do të nxjerrë shqiptarët në krye për rrogat dhe pensionet më të mira për të gjithë rajonin, mbasi Shqipëria është padiskutim vendi më i pasur i Ballkanit dhe absolutisht një nga më të pasurit e kësaj toke.

Pasuritë e saj duhet të kthehen në mirëqenie, në mirësi për banorët, qytetarët e saj. 

Duke përfunduar unë bëj thirrje mbarë gjirokastritëve kudo që janë, në këtë rreth, në Tiranë, emigracion, diasporë dhe kudo, të votojmë me datën 14 maj, të votojnë 1-shin.

Edi Rama bëri çdo gjë për të na nxjerrë jashtë, fati na solli 1-shin, numrin më të votuar, të votojnë kandidatët tanë, të votojnë ndryshimin. 

Ndryshimi është në duart tuaja.

Rroftë Gjirokastra, rroftë Shqipëria.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale