FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA BANESA E TIJ
EKSTRAKT
Qindra qytetarë u mblodhën sërish mbrëmjen e sotme në protestën e organizuar në mbështetje të liderit të opozitës poshtë banesës të tij në rrugën ‘Mustafa Matohiti’. Demokratët janë solidarizuar me kryetarin e PD, Berisha dhe kundërshtojnë masën e sigurisë të dhënë nga GJKKO për Berishën.
Berisha, i cili ndodhet në masën e arrestit në shtëpi, prej disa ditësh ka falenderuar mbështetësit e tij përmes fjalimeve që ka mbajtur nga dritarja e banesës.
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha tha gjatë fjalës së tij para qindra qytetarëve të ndodhur poshtë banesës së tij se, Edi Rama e shndërroi qeverinë e tij në një organizatë të mirëfilltë kriminale.
Berisha tha se, Edi Rama organizoi në bashkëvjedhje me inceneratorët, Agaçin, Metanin, Ahmetajn, Gjiknurin dhe Kokën.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Damani i SKAP-it është mburoja e Ramës për vjedhjen e shekullit! Berisha shtoi më tej se, këtë aferë do e gjykojnë vetëm qytetarët shqiptarë.
Berisha tha se, Gonxhja u bë ministër se ndau reston me Edi Ramën. Berisha tha se, qytetarët do e fshijnë Surrelin nga faqja e dheut.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vëllazërore, më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufijshme ju, luftëtarëve të pamposhtur të betejës pa kthim.
Ju, të cilët me idealet tuaja, sakrificat, vendosmërinë, e shndërruat këtë rrugë në një burim shprese, burim drite për mbarë shqiptarët. Ju që me fjalët tuaja çdo natë, e shndërruat këtë rrugë në burim të të vërtetës dhe të kauzës sonë të drejtë. Ju që me praninë tuaj këtu çdo natë, krijuat polin e pushtetit të qytetarëve, polin e të vërtetës, polin e lirisë, polin e shpresës.
Miqtë e mi!
Sot ju keni përzgjedhur me mençuri të trajtoni para shqiptarëve, një nga aferat korruptive më të mëdha që Europa ka njohur, të trajtoni atë të cilën e keni quajtur vjedhja e shekullit. Në meritën e madhe të veprimtarëve të PD, të këshilltarëve të PD të qytetit të Elbasanit, të deputetëve të PD, u zbulua se afera e djegësave ishte afera e një vjedhje të parashikuar në 30 vite prej 1 miliard euro.
Por kjo aferë kishte aspektin e saj më të zi, më dramatik. Veprimtarët e PD, deputetët e saj, faktuan para shqiptarëve dhe botës kjo aferë ishte afera e Edi Ramës. Se në këtë aferë, Edi Rama shndërroi qeverinë e tij në një organizatë kriminale. Edi Rama e shndërroi qeverinë e tij në një organizatë kriminale, sepse në praktikat e njohura të mafies botërore, ai vendosi të bëhej miliarder duke vjedhur me plehrat qytetarët e Tiranës, Elbasanit, Fierit, Kavajës, Krujës dhe qyteteve përreth.
Pikërisht me këtë qëllim, Edi Rama do të urdhëronte hedhjen poshtë të strategjisë së trajtimit, mbetjeve me landillin, seleksionim, depozitim, riciklim, strategji e financuar nga BE dhe e faktuar si më e mira e kohës. Do të ishte Edi Rama, kreu i organizatës kriminale që do krijonte grupin e zëvendësministrave për të shpallur emergjencën.
Miqtë e mi!
Nga 11 zëvendësministra, 9 prej tyre hodhën poshtë propozimin. Pas kësaj, Edi Rama i pandalshëm në veprimtarinë e tij, organizon me të deleguarin e tij Artur Metanin, mbledhjen e dytë me pesë zëvendësministra. Përsëri në nderin e tyre tre prej tyre e hedhin poshtë propozimin. Pas kësaj, Edi Rama mbledh një nga një firmat në kryeministri në kundërshtim me ligjin dhe shpall atë që quhet emergjenca e vjedhjes së shekullit.
Të dashur miq!
Edi Rama është kreu suprem i vjedhjes së shekullit.
Ia ka thënë Arben Ahmetaj se mbreti tha Arben Ahmetaj, nuk jam unë, mbreti është ai që detyroi të firmosin 17 firma në 24 orë ministra dhe shkruar ministrave.
Edi Rama është kreu i aferës së vjedhjes së shekullit sepse buxheti i shtetit nuk kishte një qindarkë të përcaktuar dhe ai me shpejtësi përcaktoi fondet që do i vidhte së bashku me Erion Veliajn dhe ministrat e tij. Edi Rama si kreu i organizatës kriminale, përligji me firmën e tij, të Agaçit, Metanit, praktikën korruptive të ndaluar me ligj, procedurën më të korruptuar në historinë e Shqipërisë. Edi Rama organizoi në bashkëvjedhje Agaçin, Metanin, Ahmetajn, Gjiknurin, Kokën. Ai zgjodhi për inceneratorin e Tiranës të vjedhë kryesisht së bashku me Erion Veliajn.
Ja pra se si Edi Rama e shndërroi qeverinë e tij në një organizatë të mirëfilltë kriminale, ku ministrat, këshilltarët, firmosnin për procedura antiligjore, që lejonin vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.
Miqtë e mi!
Afera vjedhja e shekullit është organizata kriminale më gjigande. Paratë tuaja për të mbuluar këtë vjedhje të tmerrshme u shpërndanë në fusha dhe institucione të tjera. U vodhën qindra e qindra milionë dhe iu shpërndanë mediave, Bolinove, Blushit dhe shumë hajdutëve të tjerë, të cilët këndonin në mediat e tyre këngën e vjedhjes së shekullit dhe mashtronin qytetarët. Edi Rama, me Erion Veliajn janë dy autorët kryesorë të vjedhjes së shekullit, inceneratorit të Tiranës.
Të dashur miq!
Përllogaritjet e sakta të specialistëve të pavarur, por edhe atyre të PD, të cilët unë dua t’i përgëzoj me mirënjohje për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë, kanë treguar se me djegësin e Tiranës, taksapaguesit e Tiranës, Krujës, Kavajës, Durrësit, do paguanin në 30 vite, jo 430 milionë sa thotë kontrata, por do paguanin fiks 930 milionë, pra rreth 1 miliardë euro.
Por, kjo vjedhje gjigante, kjo organizatë kriminale gjigante, ka përdorur dhe po përdor si mburojë, organizatën tjetër kriminale, SKAP-in e partisë, i cili përbën sot një nga grupet më kriminale në historinë e këtij vendi.
Çfarë bëri Damani i SKAP-it për të mbrojtur Edi Ramën? Ky kriminel e copëzoi hetimin në dhjetëra hetime e aferës së djegësve. Ky kriminel që është shndërruar në mburojë kryesore të vjedhjes së shekullit, i ndau copë-copë hetimet. Kërkon të paraqesë Kokën për Edi Ramën, kërkon të paraqesë Arben Ahmetajn për Edi Ramën. Bën gjithçka për të mbrojtur Edi Ramën.
Damani i SKAP-it përveç kësaj nuk merret me procedurën, por merret me Taulantin, merret me Simixhiun. Afera 1-miliardëshe sot ka falë Damanit vetëm dy drejtorë të bashkisë të prangosur.
Po pse nuk merret Damani? Pse zgjodhi këtë rrugë Damani i SKAP-it?
Zgjodhi këtë rrugë sepse po të merrej me procedurën, të gjitha fijet, të gjitha lidhjet të çojnë te Edi Rama, të çojnë te Agaçi, të çojnë te Erion Veliaj, të çojnë te ministrat.
Ja pra se si ky shërbëtor besnik i Edi Ramës shkelmon mbi interesat tuaja, shkelmon mbi taksat tuaja, ndërkohë që fëmijët tuaj ikin dhe marrin rrugët e dheut. Ndërkohë të tjerë kërkojnë ushqim te koshat e plehrave. Damani bëhet mburojë për Edi Ramën, kryeautorin e vjedhjes së shekullit.
Miqtë e mi!
Flakët e inceneratorit po djegin shtetin e mafies. Edi Rama, duhet ta dish se nuk ka Daman që të bën derman. I them Damanit, ti që vërtitesh në zyrë dhe merr peng gazetarë për të mbrojtur Edi Ramën, po kryen një krim monstruoz duke përjashtuar procudurën. Arben Ahmetaj njoftohet dhe ikën, kurse gjobëvënësi që publikoi faturat, hyn dhe del si ndërlidhës midis dhe Damanit dhe Surrelit. Midis Surrelit dhe Damanit.
Miqtë e mi!
Djegësat janë afera e shekullit. Atë do e gjykoni vetëm ju, do e gjykojnë qytetarët e Tiranës, do e gjykojnë qytetarët shqiptarë.
Sepse nëse ne presim që Erion Veliajn ta gjykojë Arben Kraja, ish-kaleci i policisë sekrete të Enver Hoxhës, ne bëhemi qesharakë, ne mashtrojmë.
Mos harroni se paratë e djegësave, gjer tani 130 milionë, kanë kanë bykosur me dhjetëra media dhe gojë. Kanë verbuar dhe kanë bukosur edhe prokurorët e SKAP-it të partisë.
Ta pyesim pak, ish-oficerin e sigurimit të Enver Hoxhës, që qëndron në detyrë në shkelmim të plotë të ligjit, a ke fytyrë, a ke karakter, a ke nder, a ke dinjitet? Asnjërën prej tyre nuk ke ti që heton dy vite Erion Veliajn dhe nuk e merr njëherë në pyetje autorin kryesor të djegësit të Tiranës.
Pse talleni ju me shqiptarët, o kriminelë? Populli do vijë tek ju, ju garantoj se në plehra do të keni vendin me këto krime që kryeni, me këtë mburojë që u bëni Edi Ramës, që i bëni Agaçit, që i bëniErion Veliajt, që i bëni hajdutëve të mëdhenj të aferës së shekullit.
Pra miqtë e mi, afera e shekullit pret përgjigje, pret gjykim. Gjykatës, prokurorë do jeni vetëm ju, jo ata të cilët janë mburojë e Edi Ramës. Jo ata të cilët janë bërë sot grup i strukturuar kriminal që mbrojnë Edi Ramën.
Çdo ditë dalin në pah skandale dhe super-skandale.
Këto ditë po lexoja, i famshmi, hajduti numër 3 në serialin e hajdutëve të kombit, Blendi Gonxhe, para se të emërohej ministër, kishte mbyllur tenderin për ndërtimin e ndërtesës së drejtorisë së transportit.
Me sa, thoni ju? 1350 euro metrin katror në ndërtim. Ja ku është ministria e financave. Para një viti ka vlerësuar me 300 euro metrin katror në një zonë që është ngjitur me qendrën e Tiranës, kurse për hajdutin Gonxhe, kostoja e ndërtimit shkon e barabartë me atë të Erion Veliajt në shkollën ‘Sami Frashëri’, shkon pra 1350 euro metri katror.
Po ku shkuan këto kur ajo ndërtohet maksimumi me 250-300 euro metri katror? Si doli Gonxhja ministër? Gonxhja doli ministër se ndau restin me Edi Ramën, se përndryshe hajduti duhet të shkonte në burg. Por Edi Rama e ka SKAP-in në xhep dhe atë e bën ministër dhe jo në burg.
Së fundmi, përsëri t’i themi Edi Ramës: Edi Rama, kjo rruga nën ballkon çdo ditë e më shumë zgjerohet dhe bëhet autostradë e shpresës për shqiptarët. Kjo rruga nën ballkon, çdo ditë, çdo natë shndrit më shumë, rrezaton më shumë shpresë, vendosmëri tek mbarë shqiptarët.
Kurse Surreli yt, çdo natë e më shumë, zhytet në errësirë. Surreli yt, çdo natë e më shumë ngjet me një kalbësirë që pret vrullin e qytetarëve për ta fshirë nga faqja e dheut.
Edhe njëherë, mirënjohjen time më të pakufishme për ju që lini çdo gjë, për ju që lini çdo punë dhe ngriheni për të mbrojtur të vërtetat në rrugën e shpresës, në rrugën e besimit, në rrugën e fitores. Nderim të madh për ju.
Ftoj demokratët të bashkohen me ju dhe të ecim të sigurt drejt fitores së merituar.
Rrofshi ju, rroftë opozita, rroftë Shqipëria!