Deputeti demokrat, Halimi i kërkon Kryetarit të Kuvendit të fusë menjëherë në rendin e ditës kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për serverin e tatimeve

 

 

 

 

Prej më shumë se dy javësh mazhoranca refuzon ekzekutimin e  Vendimin te Gjykatës Kushtetuese që urdhëroi ngritjen e menjëhershme të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me skandalin e vjedhjes së të dhënave tatimore.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 132 të Kushtetutës , janë të detyrueshme për gjithkënd, dhe të gjithë janë të detyruar ti zbatojnë ato menjëherë, dhe pa vonesa, qoftë Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, dhe cdo qytetar i vendit.

Gjykata Kushtetuese, me datë 16 maj, në mënyre unanime, shpalli si delikt kushtetutes, refuzimin që mazhoranca i bëri opozitës për transparencën e ngjarjes së serverit të tatimeve, për fshehjen nga pergjegjesia direkte e Kryeministrit të vendit që urdhëroi vjedhjen natën të të dhenave tatimore.

Partia Demokratike, priti që mazhoranca të reagonte ndaj deliktit kushtetutes. Priti që Kryetari i Kuvendit të zbatonte vetë Kushtetutën e vendit, duke ekzekutuar vendimin e Gjykatës Kushtetutese.

Por pas heshtjes së plotë, me 3 qershor, Partia Demokratike iu drejtua Kryetarit të Kuvendit me kërkesën publike dhe të shkruar për ekzekutimin e ketij vendimi, ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor. 

Dje përsëri, me shkrim dhe në mënyrë publike, kryetari i Këshillit të legjislacionit, i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit me kërkesën për ta përfshirë në rendin e ditës, pa vonesa, ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit të kësaj gjykate, ngritjen e komisionit hetimor.

Kanë kaluar disa seanca plenare, dhe nesër është seanca e radhës ku serish, pa asnjë argument ligjor, mazhoranca ka vendosur mosekzekutimin e vendimit të kësaj gjykate, rast ky i paprecedentë në historinë 23 vjecare të parlamentit demokratik në vend. 

Refuzimi me arrogance i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushetutese eshtë në të vetvete një tjetër skandal. Qeveria, Kuvendi, e gjithë mazhoranca janë kapur në një krim kushtetues dhe vazhdojnë me arrogancë në rrugën e antiligjit dhe antikushtetushmërisë. 

Refuzimi me arrogancë i ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetutese, shkelje e mëtejshme e Kushtetutës tregon edhe njehere para qytetareve se sa i madh eshte zullumi  që eshte kryer natën në serverin e tatimeve.

Por Partia Demokratike nuk do të tërhiqet. Ne do të bëjmë gjithcka që Kushtetuta të zbatohet, që e vërteta e vjedhjes së të dhënave tatimore të dalë në dritë të diellit.

Ndaj dhe i kërkojmë edhe njëherë Kryetarit të Kuvendit që menjehere të përfshije në rendin e ditës nesër, ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetutese. 

Çdo vonesë e mëtejshme, çdo shkelje e mëtejshme e Kushtetutës,  vetem sa implikon edhe me tepër këtë mazhorance.