• Në 21 Qershor, Shqipëria në protestë. Edi Rama duhet të largohet me sa më pak kosto si kryeministri që bleu zgjedhjet me krimin dhe përgjegjësi kryesor për mbylljen e derës së Europës për të tretën herë!

 

DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI

 

Javën e ardhshme Bashkimi Europian do të vendosë nëse Shqipërisë do t’i hapen apo jo negociatatat për anëtarësim. Fatkeqësisht, çdo media serioze ndërkombëtare, së fundmi, edhe Reuters, EU Observer, Euroactiv kanë të njëjtin motiv, kur citojnë zyrtarë të lartë europianë që refuzojnë nisjen e bisedimeve me vendin tonë : “Shqipëria është një problem i madh dhe nuk është aspak premtuese”.

 

Për fat të keq, janë vendet më me ndikim sot në Bashkimin Europian ato që kundërshtojnë hapjen e negociatave për Shqipërinë, për faktin e vetëm se Shqipëria drejtohet nga një qeveri dhe nga një kryeministër, që njihet në të gjithë Europën si kryeministri më i korruptuar, që ka blerë pushtetin në pakt me krimin e organizuar.

 

Përgjimet e publikuara pak ditë më parë në gazetën gjermane Bild, me qarkullimin më të madh në Europë, provuan si plotësisht të vërtetë çdo denoncim të Partisë Demokratike se Edi Rama nuk ka vullnet për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, se Edi Rama, për pushtetin dhe pasurinë e tij personale, bën pakt edhe me djallin. Në përgjimet e gazetës gjermane Bild gjendet arsyeja përse Europa refuzon të pranojë në familjen e vet një vend, ku bandat dhe krimi i organizuar janë zotër të partisë në pushtet, Partisë Socialiste, blejnë vota dhe kërcënojnë kundërshtarët politikë për llogari të kryeministrit Edi Rama.

 

Po risjellim edhe një herë në vëmendjen e publikut përgjimet e publikuara nga e përditshmja gjermane Bild, përgjime të cilat po e detyrojnë Edi Ramën të sajojë çdo marrëzi, për të larguar vëmendjen prej të vërtetës – Edi Rama ka blerë pushtetin me krimin, ai është kryeministër ilegjitim dhe ai duhet të largohet me sa më pak kosto për vendin.

 

PËRGJIMET E BILD

 

Shqiptarët janë dëshmitarë se përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane Bild nuk janë një rast i shkëputur. Disa muaj më parë, investigimi i Zërit të Amerikës paralajmëroi shqiptarët sesa e thellë ishte gropa e krimit dhe e korrupsionit, në të cilën ishte futur Edi Rama, duke tërhequr me vete edhe Shqipërinë. Përgjimet e publikuara nga Zëri i Amerikës, edhe ato pjesë e dosjes 339, tregojnë se Edi Rama kontrollon gjithçka, nga rezultati i zgjedhjeve në bashkëpunim me bandat, deri tek emërimi i policëve në burgje.

 

Nuk ka sot asnjë shqiptar apo mik të Shqipërisë që nuk e di se Edi Rama është arkitekti i vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri nëpërmjet paktit të tij me krimin e organizuar. Nuk ka sot ansjë dyshim, se Edi Rama, si përgjegjës kryesor i krizës politike, kushtetuese, i krizës ekonomike dhe sociale në vend, si përgjegjës për mbylljen e derës së Europës dhe si rreziku më i madh për rikthimin e vizave për shqiptarët, duhet të largohet.

 

Largimi i Edi Ramës si standardi minimal europian i një kryeministri të kapur në flagrancë në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe oligarkinë duke vjedhur zgjedhjet, taksat dhe pasuritë publike të shqiptarëve është hapi i vetëm që i hap rrugën një zgjidhjeje politike sipas standardeve demokratike perëndimore, krijimit të një qeverie tranzitore për t’I garantuar vendit zgjedhje të lira e të ndershme.

 

Me këtë qëllim, qytetarët do të bashkohen të premten e ardhshme, më 21 Qershor, si kurrë më parë në histori, për t’i treguar botës mbarë vendosmërinë e palëkundur se ne, shqiptarët, nuk heqim dorë nga aspirata për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas!

 

Boll më me Shqipërinë që duan Edi Rama, një grusht pushtetarësh të korruptuar në palcë, një grusht kriminelësh dhe oligarkësh grabitqarë! Tani është koha për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve!