• Vendimi burracak për të mbajtur si të burgosur politikë kryetarët e PD në Përrenjas dhe Librazhd është represion ndaj kundërshtarëve politikë, i urdhëruar direkt nga Edi Rama.

 

  • Opozita nuk frikësohet dhe as nuk tërhiqet. Edi Rama mund t’u ketë premtuar të kalojnë vetingun. Unë dua t’u premtoj se do ta shoqërojnë Edi Ramën përpara drejtësisë.

 

  • Protestat e mëdha popullore e kanë futur në panik Edi Ramën. Tani ai ka vendosur të zbatojë një plan të rrezikshëm, për nxitjen e ndarjeve dhe përplasjeve sociale në Shqipëri.

 

  • Edi Rama po kërkon të nxisë dhunë masive dhe vëllavrasje. Motoja e tij është: të shkretohet çdo gjë, që ai të ruajë karriken dhe milionat. Ky plan i dëshpëruar është fundi i tij.

 

  • Ne nuk do të lejojmë që fundi i Edi Ramës të arrihet me kosto për Shqipërinë. U bëj thirrje të gjithë atyre që e ndjekin verbërisht në këtë aventurë, të mos bëhen kurban i Edi Ramës.

 

  • Do të protestojmë më 21 Qershor, do të qëndrojmë deri në fitore. Të bashkuar, nuk na ndal asgjë. Forca jonë është e pathyeshme, sepse ne jemi shumica, Ne jemi e drejta dhe e vërteta.

 

DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

 

Të dashur qytetarë,

 

Prokuroria dhe gjykata e Elbasanit vendosi sot, të mbajë në burg Kryetarin e PD të Librazhdit zotin Bujar Vreto dhe kryetarin e PD të Përrenjasit zotin Arjan Karriqi, si dhe dy qytetarë të tjerë zotin Dashamir Boja dhe zotin Bujar Kllojku.

 

Krimi i tyre është se kanë protestuar në buzë të rrugës ku kaloi Edi Rama.

 

Është vendim burracakësh i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar të Edi Ramës.

Është represion ndaj kundërshtarëve politikë i urdhëruar direkt nga Edi Rama.

 

Qëllimi është vetëm një: persekutimi dhe trembja e kundërshtarëve politikë për të shuar protestën dhe përpjekjet kundër qeverisjes së kriminalizuar të Edi Ramës.

 

Duke shprehur solidaritetin tim për familjet e katër demokratëve të arrestuar që nuk do t’i kenë prindërit dhe bashkëshortët në shtëpi sot, dua t’i drejtohem Edi Ramës dhe klanit të tij kriminal në qeveri:

 

Opozita nuk frikësohet.

Opozita nuk trembet.

Opozita nuk tërhiqet.

 

Unë, të gjithë demokratët në çdo cep të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarët e bashkuar do ta luftojmë këtë qeveri kriminale derisa Edi Rama dhe kriminelët e tij të dalin para drejtësisë së vërtetë.

 

Dua t’ju drejtohem, gjithashtu, të gjithë policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Elbasanit, të cilët sot vendosën të mbajnë të burgosur politikë njerëz të pafajshëm, ndërkohë që kanë vite që tolerojnë dhe mbrojnë krimet e Qazim Sejdinit dhe të bandave të Elbasanit:

 

Ju e dini shumë mirë se çfarë është ligji dhe drejtësia!

 

Ju e dini shumë mirë se është kriminale që një prokuror dhe gjyqtar të braktisë ligjin dhe interesin publik për t’i shërbyer politikës dhe krimit.

Ju e dini, edhe ne e dimë. Të gjithë njerëzit e dinë.

 

Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do t’jua falë korrupsionin dhe shkeljet ligjore. Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do ta kaloni vetingun. Kurse unë dua t’ju premtoj se shpejt do ta shoqëroni Edi Ramën përpara drejtësisë.

 

Prokurori dhe gjykatësi i korruptuar është funksionari më i rrezikshëm në shoqëri. As njerëzit dhe as unë nuk do ta harrojnë dhe tolerojmë krimin dhe korrupsionin tuaj.

 

Tani, dua t’ju drejtohem të gjithë ju bashkëqytetarë:

Në 21 vjet pushtet, Edi Rama ka vjedhur përditë çdo gjë që i ka dalë përpara. Në etjen e tij të pangopur për para, ai u fut që herët në rrugën e bashkëpunimit me krimin. Kjo rrugë e çoi në më shumë krime dhe e ka sjellë në një pikë kur ai dhe krimi tashmë janë e njëjta gjë.

 

Për shumë vite, vjedhjen, korrupsionin dhe krimin e tij Edi Rama e mbuloi me propagandë dhe me aftësinë e tij të madhe për të mashtruar dhe gënjyer, pa patur asnjë lloj skrupulli.

 

Dhjetëra miliona euro janë harxhuar për të kapur mediat dhe zërat publikë me qëllim fshehjen dhe manipulimin e të vërtetës përmes propagandës dhe keqinformimit.

 

Por vendimi i tij për të lejuar kultivimin dhe trafikun masiv të drogës dhe për të përdorur paratë e trafikut për të ruajtur pushtetin ishte fatal për të, sepse ky krim nuk mund të fshihej dot si të tjerët.

 

Tani e gjithë bota po zbulon më në fund Edi Ramën e vërtetë: një të inkriminuar pa ndjenja, i cili për para dhe karrike nuk ndalet para asgjëje.

 

Një megalloman diabolik që nuk njeh as familje, as shoqëri, as popull, as atdhe.

 

Tani që e ka kuptuar se u zbulua, dhe se pushtetin nuk e mban dot më me blerje zgjedhjesh dhe propagandë, Edi Rama ka vendosur ta mbajë atë me dhunë.

 

Pasi asgjësoi gjykatat dhe vuri nën kontroll të plotë prokurorinë, ai ka disa muaj që ushtron dhunë sistematike kundër opozitës dhe qytetarëve.

 

Mbi 500 qytetarë janë ndaluar gjatë 5 muajve të fundit.

Mbi 50 qytetarë janë arrestuar.

Me dhjetëra gazetarë janë dhunuar në krye të detyrës.

Me mijëra qytetarë janë sulmuar me gaz lotsjellës dhe mjete të forta nga policia.

 

Por dhuna e tij dështoi.

Njerëzit nuk u frikësuan.

Protestat u bënë përherë e më të mëdha!

 

Në protestën e fundit ka patur qytetarë pa asnjë lidhje me partitë e opozitës aq sa nuk ka patur kurrë më parë.

 

Protestat tona tani janë protesta të mëdha popullore, protesta të njerëzve që nuk pajtohen më me krimin dhe korrupsionin që po shkatërron jetët e njerëzve.

 

Kjo e ka trembur dhe e ka futur në panik Edi Ramën. Prandaj, tani ai ka vendosur të zbatojë një plan të rrezikshëm, për nxitjen e ndarjeve dhe përplasjeve sociale në Shqipëri.

Edi Rama tani po kërkon të nxisë dhunë masive në Shqipëri, ai po kërkon të nxisë përplasje mes qytetarëve, po kërkon të nxisë luftë mes militantëve të ndryshëm politikë, po kërkon të nxisë vëllavrasjen mes shqiptarëve.

 

Për këtë qëllim, ai po përdor policinë, prokurorinë, gjykatat dhe mercenarët e tij në media, për të krijuar ngjarje që provokojnë, që ndezin emocionet, që nxisin revoltim dhe reagime publike.

 

Këtë qëllim kanë arrestimet e fundit të drejtuesve të PD.

Këtë qëllim kanë përplasjet e policisë me qytetarët protestues.

Këtë qëllim ka vazhdimi i një fushate të paligjshme.

Këtë qëllim ka retorika e djegies, përmbysjes dhe e dhunës.

 

Motoja e Edi Ramës tani është: Çdo gjë të sakrifikohet, çdo gjë të shkretohet vetëm që ai ai të ruajë karriken dhe milionat e tij. Është një plan i dëshpëruar që do të sjellë fundin e tij, dhe ne nuk do të lejojmë që fundi i Edi Ramës të arrihet me kosto për Shqipërinë.

 

Ndaj dua t’u bëj thirrje së pari të gjithë atyre që e ndjekin verbërisht nga pas në këtë aventurë, që të mos bëhen kurban i Edi Ramës.

 

U bëj thirrje veçanërisht punonjësve të institucioneve ligjzbatuese: refuzoni të bëheni vegla të verbra për të shkelur ligjin, për të dhunuar popullin dhe për të kryer krime në emër të Edi Ramës.

 

Ne nuk do të na thyeni dot,

Ne nuk do na lëvizni dot asnjë centimetër.

 

E drejta, e ndershmja, ligji dhe drejtësia janë në anën e njerëzve. Ju jeni në anën e krimit. Në anën e Dakove, Sejdinëve. Gjiknurëv, Manjëve, Ballave, Xhafajve, Avdylajve, Bajrave, Shullazëve dhe kriminelëve të tjerë. Ju jeni në anën e Edi Ramës, një hajduti të kriminalizuar që do ta ketë fundin e keq. Ju keni ende kohë të reflektoni.

 

Ju bëj thirrje të gjithë demokratëve dhe të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të jenë kurajozë dhe të bashkuar si deri më sot. Ne jemi të fortë. Ne jemi të vendosur. Ne kemi të drejtën me vete.

 

Do të protestojmë, do të qëndrojmë deri në fitore. Të bashkuar, nuk na ndal asgjë dhe i fusim frikën në palcë Edi Ramës dhe mercenarëve të tij.

 

Ftoj të gjithë qytetarët që të na bashkohen në protestën e të premtes së ardhshme.

 

Forca jonë është e pathyeshme sepse ne jemi shumica, sepse ne jemi e drejta, sepse ne jemi e vërteta.

 

Ne luftojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, kurse ata janë zvarranikë që luftojnë për karriken që kanë marrë duke ju vjedhur votën, paratë, pronat dhe mundësitë.

 

Tani është koha t’i merrni ato mbrapsht.

 

Asnjë hap pas, deri në fitoren e afërt të betejës tonë për Shqipërinë si gjithë Europa.