Prej disa ditësh, Partia Demokratike ka denoncuar aferën e dhënies me koncesion të ujërave termale “Llixhat e Peshkopisë”. Ne jemi angazhuar të jemi në krah të banorëve në protestat e tyre dhe këmbëngulim deri në zbardhjen e plotë të kësaj afere dhe nxjerrjen e përgjegjësve që janë përzier në të. Ky koncesion i dhënë pothuajse njësoj, me të njëjtat praktika korruptive, si tenderat e koncesionet e Unazës së Re apo HEC-eve duhet të anulohet dhe personat përgjegjës të vihen përpara drejtësisë. Partia Demokratike siç ka mbështetur banorët e Astir-it prej afro 80 ditësh, do të mbështesë banorët e Llixhave dhe qytetarët e Dibrës deri në anullimin e këtij konçesioni.

Pas denoncimit tone publik dhe protestës së organizuar nga banorët para bashkisë së Peshkopisë, banorët e llixhave janë takuar me deputeten e Partisë Socialiste,  znj. Almira Xhembulla, e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë, Muharrem Rama, Prefekti e Dibrës, Nexhmedin Shehu, duke u shfajësuar para qytetarëve sikur s’dinin gjë kur ndërkohë vendimi është i datës 11.12.2018.

Këto deklarata janë një mashtrim i pastër dhe që nuk garantojnë anulimin e procesit.

Përfaqësuesit e mazhorancës nuk mund të luajnë të paditurin, kur i gjithë dokumentacioni që firma ka dorëzuar në Shkodër është siguruar nga Bashkia e Dibrës, nga prefektura e Qarkut si dhe nga zyra e regjistrimit të pasurisë Dibër.

Si nuk ditkan gjë përfaqësuesit e mazhorancës kur bashkia vetë ka patur përfaqësuesit e vet në Këshillin e Basenit Ujor Drin – Bunë?

Si ka mundësi që përfaqësuesit e mazhorancës luajnë të paditurin, kur në këtë komision ka qenë pjesërmarrës i vëllai i deputetit socialist, Ulsi Manja.

Procedura korruptive e koncesionit, e miratuar me date 11.12.2018, cënon drejtpërsëdrejti interesat e mbi 3500 banoreve te qytetareve dibranë dhe favorizon interesat korruptive te Qeverise Rama. Me kete aktivitet jane te lidhur mbi 35 hotele, mbi 200 shtepi pritëse (biznese familjare).

Banorët e Dibrës e dinë mirë se nëse Qeveria Rama do kishte qenë e përgjegjshme dhe dashamirëse me Dibrën, do i kishte anulluar edhe HEC-et e Çidhnës dhe nuk do e shkatërronte Kanionin e Setës, ashtu siç ka thënë se do të anullojë HEC-et mbi Vjosë apo ato të Kanionit të Holtës.

U bëjmë thirrje institucioneve vendore dhe qeverisë “Rama” të mos mendojë se mund t’i mashtrojë dibranët përkohësisht, duke thënë se s’kishte informacion. Banorët e Dibrës presin anullimin e menjëhershëm të procedurës së koncesionit, përndryshe s’do t’i ndalojnë protestat dhe do të identifikojnë me emër dhe me mbiemër mashtruesit që po i shpronësojnë dhe po luajnë me jetën e tyre. ​