Prej disa ditësh qeveria shqiptare ka mbi tryezë  pyetje zyrtare të Komisionit Europian, i cili i kërkon qeverisë të japë shpjegime mbi Ligjin Special  “Rama – Fusha shpk”, përmes të cilit shëmbet Teatri Kombëtar dhe grabitet toka publike  për të ndërtuar aty kulla me më shumë se 20 kate.

Pyetjet e Komisionit Europian janë të qarta e të shkoqura; që unë i përmbledh fare mirë në një të vetme: pse ja dhatë kontratën pikërisht kompanisë Fusha shpk. pa tender e pa garë e sidomos pse me ligj të veçantë?  Dhe nuk ka bir nëne që mund t’u pérgjigjet ketyre pyetjeve pa e bërë beli:

-se është shkelur Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, Kushtetuta e një gjysëm duzine ligjesh

– se behet Ligji Special Fusha shpk për të shmangur Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku PS nuk ka shumicën e duhur për tjetërsimin e pronës publike

– se caktohet Fusha shpk  që Rama&Co të pastrojnë paratë

Para dy javësh ne këtë foltore denoncova shkeljen e rëndë që Ligji Special Fusha shpk i bën Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian dhe shtova se Komisioni Europian ka të drejtë e detyrë të ndërhyjë. Këtë shqetësim ne e kemi ngritur edhe në letrën që, bashkë me 3 kolegë demokratë, i dërguam Komisionit Europian ku shprehëm qartë se Ligji Special Fusha shpk përjashtoi nga gara kompanitë e tjera, përfshirë edhe ato të Bashkimit  Europian.

Ligji special “Fusha shpk” përveçse që kaloi shpejt, nga sytë këmbët, në Kuvend, ai  nuk u lejua të shqyrtohej  në Komisionin e Integrimit europian. Pikërisht në Komisionin që ka detyrë të verifikojë nëse p.ligjet janë në përputhje me MSA e legjislacionin europian!

Sot mund të shtoj diçka tjetër: Se nuk ishte thjesht arroganca shkaku që qeveria e përjashtoi opozitën nga mbledhja e Këshillit të Stabilizim Asociimit në nentor 2017 duke prishur një traditë pozitive të iniciuar shumë vite më parë nga mazhoranca e PD. Ky përjashtim duket se ka qenë i paramenduar pasi sipas MSA neni 74 (Kontratat publike) Këshilli i Stabilizim-Asociimit shqyrton periodikisht nëse  Shqipëria lejon pjesëmarrjen e kompanive komunitare europiane në gara për kontrata publike. Dhe natyrisht që qeveria rilindiste nuk lejon as kompani  shqiptare  e as komunitare në tenderat e saj përveç fushave shpk. Dhe normalisht që opozita, si shahit i bezdisshëm, më mirë të përjashtohet nga mbledhja.

Ne nuk presim që qeveria t’i thotë të vërtetën Komisionit Europian.

Por gjithësesi  është koha që Qeveria të mos vonojë asnjë ditë më shumë përgjigjet e saj për Komisionin Europian; dhe t’i bëjë ato menjëherë publike, me transparencë, sepse tani kjo nuk është më një çështje e rutinës parlamentare.

Partia Demokratike, si alternativë e pushtetit,  do të hartojë pergjigjet e veta ndaj pyetjeve të Brukselit, do t’i paraqesi ato në BE dhe do t’i publikojë ato. Qytetarët le të gjykojnë pastaj.

Afera Fusha shpk me shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, është çështje e çdo shqiptari që, në vend të sundimit të krimit dhe korrupsionit, do Europën!