Republika e re sapo shënoi fitoren e saj të parë. Falënderimi im dhe mirënjohja jonë më e thellë, është për qytetarët fisnikë të Kavajës, për të rinjtë dhe të rejat e Kavajës, për kreshnikët e lirisë dhe demokracisë, që vulosën me qëndrimin e tyre tërheqjen e Edi Ramës nga plani ogurzi për të rikthyer monizmin në vendin që përmbysi diktaturën komuniste.
Dua të falënderoj nga zemra, ata qindra mijëra kavajas demokratë dhe luftëtarë të lirisë, të cilët me qëndresën e tyre u bënë një barrierë psikologjike e pakapërcyeshme për planet ogurzeza të mafias dhe krimit.
Dua të falënderoj po kështu, të gjithë qytetarët e Kavajës, edhe ata që dëshironin një alternativë me të vërtetë të majtë, por që vendosën të refuzojnë fasadën e shëmtuar kriminale që iu ofroi Rilindja dhe Edi Rama me datë 7 maj.
 
E gjithë Shqipëria e njeh kurajon e qytetit tuaj që solli demokracinë, 27 vite më parë. Tashmë ne e dimë, shqiptarët e dine, bota e di, dhe Edi Rama e njohu refuzimin tuaj masiv për të qenë pjesë e fasadës së diktuar nga krimi më 7 maj. Ky është paralajmërimi më i madh dhe kontributi i dytë historik që Kavaja jep për demokracinë dhe lirinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Do të mjaftonte qëndresa e kavajasve të lirë dhe refuzimi i çdo kavajasi dhe kavajase për të qenë pjesë e kësaj fasade kriminale, për mposhtjen dhe dorëzimin e planit ogurzi të Edi Ramës.
Pa dyshim, kjo është një betejë që Kavaja mund dhe do ta fitonte edhe e vetme, siç e nisi betejën kombëtare për liri dhe demokraci.
Por, ndryshe nga 27 vite më parë, tirania e krimit dhe e drogës që ka bërë folenë në republikën e vjetër e dinte dhe e di se me 7 maj nuk do të kishte para vetëm qytetarët fisnikë të Kavajës, por bashkimin më të madh të shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
 
Eshtë ky bashkim i paprecedent i shqiptarëve me këtë lëvizje të madhe që kalon kufijtë e çdo partie dhe çdo aleance, eshtë ky bashkim i madh për Republikën e re të shpresës, të lirisë së vërtetë, të demokracisë së vërtetë, që e fitoi betejën e Kavajës, dhe bëhet gati të fitojë betejën për Shqipërinë europiane.
 
Kjo lëvizje nuk ndalet, nuk frikësohet, nuk manipulohet, nuk shitet as nuk blihet, por marshon drejt fitores.
 
E vërteta do të ishte e paplotë, pa konstatuar se Edi Rama kishte të drejtë ku, përveç frikës së refuzimit dhe përballjes me qytetarinë kavajase dhe me mbarë shqiptarët ditën e dielë, shprehu edhe frikën e destabilizimit.
Por Edi Rama e di, unë e di, partnerët tanë e dinë, kavajasit e dinë dhe është koha t’ia themi çdo shqiptari se, faktori i vetëm i destabilizimit në Shqipëri janë bandat e lidhura me pushtetin. Janë bandat kriminale, dhe shqiptarët duhet ta dine, se bandat që po bëheshin gati të lanin hesapet me njëri-tjetrin në Kavajë i përkasin një dhe vetëm një krahu politik, rilindjes së inkriminuar dhe krimit të rilindur.
 
 
***
Krimi i bërë njësh me pushtetin, droga dhe paratë e drogës janë faktori i vetëm i destabilizimit të Shqipërisë, rreziku numër një për zgjedhjet e lira, për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve. Ndaj sot, tani, është momenti të përsëris ftesën time drejtuar Edi Ramës, drejtuar mazhorancës, për t’u bërë pjesë e zgjidhjes politike.
Rruga e vetme për tu bërë pjesë e zgjidhjes është ndarja me krimin dhe drogën, dy faktorët kryesorë për destabilizimin e Shqipërisë, dy kërcënimet kryesore për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
 
Rruga e vetme për tu bashkuar me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarjen me krimin dhe ndarjen me drogën, është qeveria teknike.
 
Paqësorë por të vendosur, kjo lëvizje që nisi si bashkimi më i madh i shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe sot është bashkimi më i pathyeshëm për republikën e re, do të vazhdojë.
 
Rruga e preferuar e kësaj zgjidhje politike, të parashtruar para historisë dhe momentit të diktuar nga krimi e droga me lidhje qeveritare që duan të asgjesojnë vullnetin e shqiptarëve, rruga e preferuar, mbetet rruga e dialogut të vërtetë për zgjidhje të vërtetë politike.
 
Sonte, ishte një mësim i madh për të gjithë skeptikët e pushtetit të inkriminuar. Ne jemi gati t’ju mirëpresim si qytetarë të Republikës së Re, por ne dhe gjithe shqiptarët nuk jemi dhe nuk do të jemi më kurrë qytetarë të republikës së vjetër.
 
Bashkohuni sa nuk është vonë me këtë vullnet të pandalshëm të shqiptarëve për të marrë në dorë fatet e tyre. Bashkohuni dhe mos u bëni pengesë e të pandalshmes. Teatri i kukullave do të marrë fund, demokracia dhe Shqipëria do t’u kthehet shqiptarëve.
 
Zgjedhjet e vetme që do të mbahen në Shqipëri, do të jenë vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vetëm me pjesmarrjen e opozitës, vetëm me zgjidhjen politike, e cila, për këtë lëvizje, kalon nga qeveria teknike dhe garancia e nevojshme për votën e lirë të qytetarëve.
 
Ftesa qëndron e hapur për zgjidhje me dialog, por ultimatumet për 18 qershorin e rënë politikisht, moralisht dhe ligjërisht, janë të papranueshme dhe ne i refuzojmë. 18 qershori ka rënë politikisht, moralisht dhe ligjërisht.
 
Le të bashkohemi pra me një premtim të madh kombëtar ndaj brezave, për Shqipërinë europiane, përmes zgjidhjes së përcaktuar nga ky bashkim popullor dhe qytetar nga kjo qëndresë e pamposhtur 77 ditore. Përfundimi i vetëm i kësaj beteje do të jenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
 
Ultimatumet e republikës së vjetër, i refuzojmë. Bëhuni pjesë e zgjidhjes për Republikën e Re, republikën e qytetarëve shqiptarë, republikën e lirisë, zgjedhjeve të lira dhe demokracisë së vërtetë, ose përballuni me bashkimin dhe marshimin më të madh të qytetarëve javën e ardhshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pas kësaj në çdo shesh e në çdo rrugë të çdo qyteti e të çdo fshati, ku vullneti i shqiptarëve për demokraci, nuk sprapset kurrë më.
 
Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Luftë dy faktorëve të destabilizimit në Shqipëri, drogës dhe krimit. Preferojmë me dialog, por jemi të vendosur, për të marshuar paqësisht dhe vendosmërisht drejt zgjidhjes.
 
Këto janë rrugët nga e cila kalon e ardhmja europiane e Shqipërisë. Shpresa e çdo shqiptari të ndershëm, Republika e Re që po agon.
Zoti e bekoftë Kavajën!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti i bekoftë shqiptarët!


Mesazhi i Lulzim Bashës në Sheshin e Lirisë, pas tërheqjes së Edi Ramës nga zgjedhjet farsë në Kavajë, 5 Maj 2017