Dua të falenderoj përfaqësuesit e opozitës në komisionin Ad-Hoc për Reformën në Drejtësi dhe ekspertët e opozitës të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Dua ti falënderoj  nga zemra për cilësinë e kësaj pune. Sot Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike iu bë një prezantim i plotë i draftit të amendamenteve kushtetuese për Reformën në Drejtësi me të gjitha reflektimet e ekspertëve dhe anëtarëve tanë të komisionit.

Parlamentarët tanë, parlamentarët e opozitës do të marrin gjithë javën e ardhshme, deri të mërkurën e ardhshme do të bëjnë një diskutim të zgjeruar për këtë draft të amendamenteve kushtetuese i cili në vlerësimin tim i jep zgjidhjet më të plota dhe më racionale për të gjitha çështjet e mbetura peng si rezultat i mungesës së dialogut politik dhe po kështu të shpreh shpresën se ky dialog politik nuk do të vonojë. Bëhet fjalë për komponentin e sistemit, pasi për komponentin antikorrupsion Partia Demokratike tashmë është shprehur qartë dhe prerë pro krijimit të strukturave të posaçme antikorrupsion, SPAK-ut, BKH-së, apo siç quhet tani njësisë hetimore të posaçme dhe natyrisht edhe pro procesit të verifikimit të integritetit të figurës së gjyqtarëve e prokurorëve apo siç njihet në anglisht procesit të “Vetingut”.

Për pjesën e sistemit ku “Venecia” ka thënë qartë që palët politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i ofruar shqiptarëve zgjidhje të standardit europian, Partia Demokratike ka tashmë një draft të konsoliduar, që u është prezantuar parlamentarëve. Dhe javën e ardhshme pas një diskutimi në grupin parlamentar të rakorduar plotësisht, ky draft do të përbëjë edhe bazën e negociatave tona me Partinë Socialiste, me Lëvizjen Socialiste për Integrim në procesin e finalizimit të diskutimit të draftit kushtetues për Reformën në Drejtësi.

Pyetje: Pse duhet një draft paralel z.Basha kur është rënë dakord që baza e reformës në drejtësi të jetë drafti i dy ekspertëve të OPDAT dhe EURALIUS?

Basha: Konstatimi i dytë është i gabuar Everest. Vetë ekspertët kanë shkruajtur të kuqe mbi të bardhë që këtu ka një sërë çështjesh politike që kërkojnë rakordim politik. Dhe për ta bërë procesin transparent dhe për të mos e lënë pre të keqinformormimit të publikut, sa me dashje nga ata që e kanë vonuar me të vërtetë reformën për dy vite me radhë e sa padashje nga ata që nuk e dinë se çfarë është reforma. Opozita për këtë pjesë të kuqe mbi të bardhë, për  zgjidhjet politike, po ofron vizionin e saj në përputhje me rekomandimet e “Venecias”.

Në fakt i takonte mazhorancës ta bënte, nuk e ka bërë. Arsyet përse nuk e ka bërë është më mirë të mos i paragjykojmë meqë kërkojmë dialog me ta. Por opozita edhe kësaj radhe po tregon se ka kredibilitetin dhe vullnetin për të ecur përpara me reformën. I takonte mazhorancës t’i kishte hedhur këto hapa. Po i hedhim ne këto hapa edhe në raport me komponentin antikorrupsion.

Ata sollën një reformë të orientuar nga kapja politike e sistemit me Saimir Tahirin nën një sqetull me pajisje përgjimi dhe nën sqetull tjetër BKH-në. Ne e sollëm  në një reformë standard, pra e hoqëm zvarrë nga duart e atyre që donin ta kapnin sistemin e sollëm këtu por ka nevojë për përmirësime të tjera. Po ku në fund të fundit kemi një sistem që i shërben qytetarëve, jo politikanëve, i shërben qytetarëve dhe jo politikës.

Qytetarët kanë nevojë për një gjyqësor të pastër nga korrupsioni, për një prokurori të pastër nga korrupsioni që heton dhe vë para përgjegjësisë penale apo para përgjegjësisë civile shkelësit e ligjit sipas ligjit. Dhe jo sipas porosive të Edi Ramës, apo të Ilir Metës, jo sipas pasurisë apo influencës të Klement Balilajt, apo të Habilajt, apo të Emiljano Shullazit por sipas ligjit. Ky është thelbi i reformës në drejtësi dhe Partia Demokratike, në fakt nuk dua të flas për veten time, por ekspertët tanë meritojnë dhe sot kanë përgëzimin tim maksimal që edhe në këtë hap ne jemi përpara mazhorancës. Po shkojmë me një draft për atë që na kërkohet nga “Venecia”, nga komuniteti ndërkombëtar, zgjidhjet politike për strukturën e sistemit.

Pyetje: Zoti Basha sa i takon strukturës, Partia Demokratike kërkon thjeshtëzim të arkitekturës së sistemit të drejtësisë me heqjen e të paktën tre institucioneve. A rrëzohet kështu reforma në drejtësi, PS ka thënë që në fillim se arkitektura e drejtësisë nuk preket? E ka thënë edhe “Venecia”

Basha: Jeni të keqinformuar kur citoni “Venecian”, duhet të kini pak më shumë informacion. Ju takon të kini më shumë informacion kur citoni një nga organet më superiore të drejtësisë në Europë siç është “Venecia”. “Venecia” e ka thënë e para që sistemi është tepër i komplikuar dhe duke qenë kaq i komplikuar kemi dyshime se mund të qëndrojë në këmbë dhe se Shqipëria ka kapacitetin e mjaftueshme ta mbajë  në këmbë.

Pas kësaj thotë që ne takuam Fatmir Xhafën dhe Fatmir Xhafa siguroi që në Shqipëri ka mjaftueshëm njerëz që sistemi të qëndrojë në këmbë dhe ne jemi të përgatitur të pranojmë një sistem të tillë, në qoftë se palët bien dakord. Mos ta harrojmë këtë pjesë të rëndësishme.

Po tani në qoftë se Fatmir Xhafa ka thënë që ne kemi 12 persona që do t’i paguajmë sa Presidenti i Republikës dhe shtatë të tjerë që do t’i paguajmë  dy herë sa Kryeministri për të bërë gjyqtarin e gjyqtarëve, kur shqiptarët kanë 25 vite tranzicion që shohin se ne mezi gjejmë anëtarët e përshtatshëm për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë atëherë kjo s’kërkon një analizë të thellë akademike, ligjore e politike. Shqiptarët e dinë që ne vuajmë për kapacitete të tilla. Kush janë këta 12 fatosa dhe 7 pionierë që do marrin përsipër?!

Arkitektura e sistemit mund dhe duhet të thjeshtohet për t’i shërbyer sistemit, për t’i shërbyer qytetarëve.

Ne ecim me propozime të cilat i shërbejnë qytetarëve. Në qoftë se duam t’i gjejmë vend pune Sokol Sadushit, Genti Ibrahimit, Ardian Dvoranit, Kristaq Trajës, Fatmir Xhafës në qoftë se e ka ndërmend për nesër, Enkelejd Alibeaj në qoftë se ka aspiratë të hyjë, atëherë hajde të bëjmë një reformë që t’i gjejmë punë 17 vetave me rrogë 6 milionë lekë në muaj. Por kjo nuk është Reformë në Drejtësi.

Gjërat janë shumë të thjeshta dhe nuk duhet të fshihemi pas paragjykimeve. Partia Demokratike është futur me vullnet të pastër për t’i dhënë shqiptarëve një sistem drejtësie që funksionon. Jo një sistem drejtësie që punëson me rroga të majme njerëz politikë. Jo një sistem bipartizan, një sistem jopartizan.

Këto propozime sot kanë marrë formë të plotë dhe i ka marrë Grupi Parlamentar. Javën e ardhshme do të mblidhemi përsëri, si një parti e debatit të hapur, jo e misterit, si një parti e mendjes së hapur, jo e syve të mbyllur dhe dorën lart për diçka që nuk e ka lexuar njeri. Do diskutojmë. Një diskutim i cili po kështu do të jetë publik, do të ndahet me qytetarët. Do të ndahet edhe me ju gazetarët që edhe ju të keni mundësinë të gjykoni se çfarë zgjidhjesh propozon Partia Demokratike dhe pse zgjidhjet tona funksionojnë. Sigurisht janë zgjidhje standard dhe janë zgjidhje, tek kjo këmbëngul, në përputhje me atë çfarë ka thënë Komisioni i Venecias.

Pyetje: Zoti Basha, thjeshtimi i arkitekturës, është kusht? Siç keni thënë për moskapjen e sistemit?

Basha: Ne jemi në procesin e dialogut dhe nuk hyjmë me kushte. Ne hyjmë me një kërkesë. Të jemi të arsyeshëm dhe të zbatojmë standardin europian dhe shpresojmë që edhe pala tjetër të ketë këtë vullnet. Sigurisht që për disa mund të jetë e dhimbshme, jua thashë. Për Sajmirin mund të jetë e dhimbshme sepse nga njëra anë i hoqën BKH-në dhe nga ana tjetër i ka rënë dhe valixhja e përgjimit.

Pyetje: Po nëse mazhoranca nuk pranon?

Basha: Po pse të gjitha lajmet sot do t’i jepni. Shpresojmë që do të pranojë njëherë. Pastaj po nuk pranuan do të jemi përsëri këtu. Shpresojmë që t’i pranojnë. Të jemi pozitivë.

Pyetje: Z. Basha, keni ndonjë koment për historinë e përgjimeve. Në Kryesinë e Kuvendit ka më shumë se 5 orë debate për sa i përket një historie përgjimesh, opozita këmbëngulë që ekziston një mundësi e tillë?

Basha: Ne kemi një pozicion të qartë për këtë çështje dhe pozicioni që kemi shpalosur përpara publikut është që ne kërkojmë transparencë. Transparenca është një detyrim kushtetues i ministrit të Brendshëm, i policisë, i organeve të tjera që janë thirrur sot në seancën dëgjimore të komisionit, i kryeministrit si personi me përgjegjësi politike për këtë çështje. Ne jemi investuar për transparencë ata janë investuar për mjegull.  Shikoni vetëm deklaratat e ministrit të Brendshëm gjatë 48 orëve të fundit. Mohoi pajisjen, pohoi pajisjen, me trajnime ose jo, e ka, s’e ka policia, s’mund ta ketë policia. Vetëm në emisionin televiziv të para dy netëve e ka kundërshtuar veten e vetë plotë 10 herë duke rënë ndesh me ligjet e Kushtetutën. E gjitha kjo bëhet për të investuar në mjegull dhe jo në transparencë. Ne kërkojmë transparencë e para. Dhe  e dyta ne kërkojmë zbatimin e ligjit. Këta kërkojnë t’i ikin me propagandë zbatimit të ligjit.

Zbatimi i ligjit në rastin konkret do të thotë që prokuroria të marrë në dorë e të hetojë pa ndikim, në mënyrë të plotë dhe të paanshme skandalin. Qëndrimi im, qëndrimi i Partisë Demokratike është sekjo nuk mund të ndodhë sa kohë që ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e lartë të policisë pengojnë hetimin e Prokurorisë.

Largimi i Saimir Tahirit dhe i drejtuesve të policisë është parakusht, parakusht për një hetim të plotë, të paanshëm dhe të pandikuar. Kjo nuk është kërkesë me sfond politik. Sigurisht që duam dhe kemi kërkuar largimin e Tahirit për Balilin, për Shullazin, për dhjetëra skandale të tjera.

Në këtë rast dua që ta kuptojnë mirë të gjithë shqiptarët, nuk ka për tu zbardhur ky skandal, Prokuroria nuk do ta zbardh dot, sa kohë që personat drejtpërdrejt të implikuar, Saimir Tahiri dhe drejtues të lartë të policisë së shtetit vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre.

Nëse duam një hetim të pavarur, të paanshëm, të pandikuar, largimi i Saimir Tahirit dhe i drejtuesve të policisë është parakusht. Çdo investim i heshtur apo aktiv i Kryeministrit për të mos larguar Ministrin e Brendshëm dhe drejtues të policisë implikon Edi Ramën në këtë skandal.

Një gjë është e sigurt, ashtu sikur ka qenë e sigurt edhe para 40 vitesh,  kur teknologjia ishte shumë më e prapambetur, dhe një presidenti amerikan i kushtoi detyrën, skandali do të zbardhet deri në fund dhe personat do të mbajnë përgjegjësi për shkeljen e ligjit.

Faleminderit!


 

Prononcim i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes se Grupit Parlamentar, 18 Maj 2016