FJALA E DEPUTETIT TË PD, KASTRIOT PIROLI
I nderuar themelues i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha.
Të nderuar demokratë dhe demokrate, themelues të Partisë Demokratike dega Kurbin. Të nderuar deputetë, znj. Metaliaj, znj. Hoti. I nderuar kandidati për kryetar bashkie Kurbin, z. Behar Haxhiu. I nderuar kandidati për kryetar bashkie Lezhë, z.Pashk Gjoni. I nderuar kandidati për kryetar bashkie Mirditë, z.Albert Melyshi. Të nderuar të ftuar, gëzuar 32 vjetorin e themelimit të Partise Demokratike, dega Kurbin!
Gjatë diktaturës terroriste gjakatare, shumë të rinj kurbinas, burra trima, janë përballur me forcat e së keqës. Janë përballur me pushkë e me penë. Kane luftuar për një Shqipëri demokratike. Kanë luftuar për ne, që si pasardhes të tyre të mos jetojmë të shtypur dhe me frikë, por të jetojme të lirë. Të kemi të drejta të barabarta mes të barabartëve. Veprat e tyre sa njerëzore po aq edhe hyjnore na japin shembull edhe sot se ne duhet të sakrifikojmë shumë pasi siç ka thënë edhe ish-Presidenti Amerikan, Ronald Regan: “Liria nuk është kurrë më shumë sesa një brez larg zhdukjes. Ne nuk ia kaluam fëmijeve tanë në mënyrë gjenetike. Duhet luftuar, mbrojtur dhe kaluar te fëmijet tanë, që ata të bëjnë të njëjtën gjë.
Demokratët e Kurbinit gjithmonë i kanë pasur betejat e vështira dhe në kushte jo të barabarta. Njerëzit e ndershëm duhet që të punojnë fort, të lodhen, të stërmundohen, me sakrificë dhe përkushtim që të arrijnë fitoret e përbashkëta. Qytetaret e Kurbinit po perballen me një qeveri, e cila vetëm vjedh, dhunon, mashtron, po ashtu mëson edhe kryetarët e emëruar të bashkive të bëjnë të njëjtat gjëra, por ne nuk dorëzohemi. Pavarësisht se si Bashkia apo Qeveria, iu bënin presion qytetarëve për shtëpiat dhe dyqanet e shembura nga termeti, apo në mënyrë fiktive iu jepnin para në dore, me justifikimin e plasaritjeve nga tërmeti. Pavarësisht se vjedhin me tenderat, që ato para t’i përdorin për fushatë, të angazhojne bandat, grupet kriminale dhe oligarkët në fushatë: Partia Demokratike në Kurbin ia arriti në zgjedhjet e 25 prillit, të fitonte me 5500 vota para. Ne sot duhet të jemi të Bashkuar që me 14 maj, Bashkia Kurbin të qeveriset nga demokratet nën drejtimin e z.Behar Haxhiu. Demokratët njihen që në shikim, pasi zemra e tyre e bardhë iu pasqyrohet në sy. Ju meritoni gjithçka të mirë që kjo tokë mban, për vete e për familjet tuaja, pasi keni dhënë gjithçka për Partinë Demokratike, pa interes dhe pa kërkuar asgjë në këmbim.
Rinia e Kurbinit ka një potencial të jashtëzakonshëm, që po pret me padurim ta nxjerrë në dritë. Ne duhet që të mbështesim me çdo kapacitet e mundësi të rinjtë dhe te rejat e vendit tonë. Ata po largohen dhe vendi ynë po plaket. Në një hark kohor prej 10 vitesh do të mbetemi pa doktorë dhe pa infermierë, pa mësues e pa pedagogë, pasi kjo qeveri e bashkitë po promovojnë rrugën e pasurimit të shpejtë dhe jo rrugen e drejtë dhe të ndershme. Duhet t’i inkurajojme të rinjtë, t’i motivojmë dhe të luftojmë bashkë me ta. Çdo ditë takoj banorë të Kurbinit që kërkojnë ndryshim dhe besojnë fort se vetem Partia Demokratike do e sjellë ndryshimin. Ne do të kontaktojmë çdo njeri, derë më derë, do i tregojmë programin, alternativën, idetë dhe vizionin tonë që Behari dhe Partia Demokratike, ka konsultuar me rininë dhe ekspertët më të mirë të të gjitha fushave. Partia Demokratike në qendër është borxhlie ndaj demokratëve të Kurbinit. Kurbini meriton të dalë në këto zgjedhje i bashkuar dhe me një kandidat nga opozita. Behari ka marrë përsipër një përgjegjësi të jashtëzakonshme, me bekimin në Primare dhe me bekimin e qytetarëve të Kurbinit do të arrijmë të fitojmë zgjedhjet e 14 majit. Zoti i bekoftë demokratet e Kurbinit dhe gjithë Shqipërisë. Festofshim përvjetorin e ardhshëm me fitore! Gëzuar Partia Demokratike Kurbin!