Përshendetje, demokrate dhe demokratë
I nderuar z.Berisha, z.Meta dhe të gjithë të pranishmit
Gëzuar këtë përvjetor të PD.
Së pari, momenti kur fillojmë ekonominë e tregut, do ta quaja jo 32 vite, por 30 vite. Viti ’93 kur ekonomia shqiptare hyri pa kufizime në çmime dhe në regullat e lojës së biznesit falë disa reformave të guximshme, edhe me kosto politike që mori qeveria në vitin ’92.
Në 30 vite, nga ’93, përfshi 2022, ekonomia shqiptare ka arritur të prodhojë një vlerë të shtuar, një produkt kombëtar bruto prej 30 trilion lekësh, për koencidencë, 30 vite, 30 trilion në çmime koherente. Në çmime konstante të krahasueshme me vitet para ’90 vlera arrin në 17 trilion.
Sa për krahasim një vlerë të tillë 30 vjeçare në çmime të krahasueshme 17 trilion lek, ekonomia e krahasueshme e socializmit as nuk e ëndërronte në 30 vitet e saj të fundit, ajo nuk ka arritur të prodhojë as 8 trilion lekë.
Por, ndërsa ky është lajmi i mirë që liria funksionon, unë do t’ju jap edhe një lajm të keq. Liria dhe ekonomia dekoratike ka dy armiq. Këto janë paraja kriminale dhe qeveria e skandaleve. Do t’ju jap vetëm 4 shifra për dy përiudha krahasimore. 7 vitet e qeverisjes me kryeministër Sabli Berishën, 2006-2012, 7 vite të plota buxhetore, dhe 7 vitet e qeverisje Rama, 2014-2021.
Qeveria Berisha rriti borxhin me 360 miliardë lekë, qeveria Rama e rriti me 340 miliardë lekë, s’po fus këtu PPP-t e famshme, se po të fus ato duhet të kap tavanin, nuk e kap dot.
Ekonomia e qeverisë Berisha me të njëjtin borxh me atë Rama u rrit me 530 miliardë lek, në 7 vitet e qeverisë Rama u rrit me 210 miliardë lek, diferenca është 320 miliardë lek të humbura nga mundësitë e rritjes të kësaj ekonomie në këtë qeveri.
Paraja kriminale ka qenë shumë më e shumtë në 7 vitet e fundit, sesa në 7 vitet pararendëse.
Ndaj them, liria ekonomike punon, por ajo ka dy armiq dhe këto dy armiqtë ne duhet t’i mundim. Këtë kosto oportune të 320 miliardë lek që shqiptarët i kanë humbur si konsum, si punim, si investim, ne duhet t’ja themi bashkë me shumë të vërteta, shtëpi për shtëpi shqiptarëve, t’i bindim ata që mos ta bëjnë më gabimin të pësojnë kosto të tilla nga qeveri të papërgjegjshme. Nga qeverisje të tilla që as nuk dinë, as nuk duan. Faleminderit!