DEKLARATË E SEKRETARES PËR PUSHTETIN VENDOR DHE DECENTRALIZIMIN NË PD, KRYETARE E DEGËS SË PD, LEZHË, AFRIDA MARKU

 

 

Projektet e nevojshme për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike janë zëvendësuar me skandalet e rradhës në Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me implikimin edhe të shumë bashkive në vend.

Denoncimi i Partisë Demokratike më 7 janar të këtij viti se të ashtuquajturit Parqe Fotovoltaike dhe Eolike do të rezultonin në skandale të mëdha abuzimi dhe korrupsioni sikurse Inceneratorët, tashmë po vërtetohet dita ditës.

Mijëra hektarë pyje e kullota pronë publike po jepen çdo ditë në përdorim me procedura të nxituara administrative, me konsultime të improvizuara me qytetarë, për zhvillimin e projekte që nuk janë paraprirë në planet e zhvillimit vendor me detaje sipas zonave të caktuara, duke anashkaluar interesin publik, përfitimin dhe lehtësitë ekonomike për familjet kryesisht në zonat ku pretendohet të zhvillohen këto projekte, pa transparencë mbi kriteret bashkëkohore të detyrueshme për materialet që do të përdorën, detyrimisht të riciklueshme, me operatorë ekonomik historiku e kapaciteti financiar i të cilëve nuk është në raport me peshën financiarë të këtyre projekteve.

Këto dhe të tjera janë pjesë që plotësojnë skandalin e radhës të kësaj qeverisje, e ku kuptohet që fshihen interesa të mëdha, miliarda euro.

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar mangësi në zbatimin e kontratave koncesionare gjatë periudhës Gusht 2018-Dhjetor 2021, duke shtuar se Komisionet e Vlerësimit të Aplikimeve për miratimin e impianteve fotovoltaike nuk kanë kryer një vlerësim të drejtë të aftësive teknike, financiare dhe ekonomike, të subjekteve aplikues, nuk janë analizuar pasqyrat financiare të tre viteve te fundit të audituara nga ekspert të licencuar si dhe nëse aplikuesit kanë  realizuar me sukses kontrata të ngjashme më parë në fushën e energjisë.

Por, pavarësisht rekomandimeve dhe detyrave të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me disa Bashki në vend, ka vijuar me praktika në të cilat ka dyshime të arsyeshme se janë abuzive dhe nuk kanë fokus interesin qytetar dhe nxitjen e drejtë të biznesit:

Në mospërputhje me Planin e përgjithshëm vendor dhe njesinë strukturore të tokës, Bashkia Shkodër ka nisur procedurat për dhënien në përdorim të sipërfaqes 140.48 hektarë  në ekonomisë pyjore Drin-Gjadër-Kir, për ndërtimin e parkut fotovoltaik nga Subjekti Natyra Energy, i cili sipas të dhënave të regjistrit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton me nje kapital prej vetëm 100 lek.

“Sitrof Energy and Construction”shpk, subjekti aplikues për marrjen në përdorim të 90.9 hektarëve nga fondi pyjor në Bashkinë Klos për ndërtimin e parkut fotovoltaik, për të cilin Bashkia dhe Këshilli Bashkiak Klos kanë nisur procedurat në tetor 2023, rezulton shoqëri e themeluar në korrik 2023, me kapital themeltar 100.000 lekë.

 

Me një proces të nxituar e paracaktuar ku subjektet që kanë aplikuar për marrjen në përdorim të pasurisë publike janë të njëjtët që kanë kryer dhe studimin paraprak, Bashkia Lezhë ka nisur procedurat për lejimin e asgjesimit të 15 hektarëve pyje në Brinjat e Kreshtës në Ungrej dhe  16 hektarëve në ekonominë pyjore “Molung” në njesitë  administrative Kolsh dhe Zejmen, për ndërtimin e Aerogjeneratorëve. Në rastin e parë, ndonëse jo pa shkak Bashkia Lezhë është kujdesur të mos bëjë publike të dhënat e plota, operatori ekonomik rezulton që në 2019 të ketë shpallur procedurat e falimentit. Në rastin e dytë, projekti është planifikuar të zbatohet afër zonës së banuar, duke rrezikuar jetën e shëndetin e banorëve nga rrezatimi i dëmshëm, zhdukjen e llojeve të caktuara të bimësisë dhe kafshëve, si dhe duke penguar perspektivën turistike të zonës.

Në 4 muajt e fundit, Bashkia Elbasan ka nisur procedurat për dhënien në përdorim të 168 hektarëve pyje e kullota, pa marrë asnjë masë dhe pa asnjë strategji për minimizimin e ndotjes alarmante në këtë Bashki.

I bëjmë thirrje Bashkive, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ti japin fund abuzimeve. Zbatimi me rigorozitet i projekteve te nevojshme strategjike për zhvillim, në rastin konkret i projekteve në sektorin e energjisë, kujdesi dhe venia ne eficence e  pronës publike, nxitja dhe mbështetja e drejtë, konform ligjit e operatorëve ekonomik, duhet të kene një objektiv të përbashkët:  interesi publik, përmirësimin e ekonomisë së familjeve shqiptare. përfitimin e drejtpërdrejtë nga energjia e prodhuar, nxitjen e zhvillimit të biznesit, dhe jo abuzimet në emër të interesit publik në shërbim të subjekteve të caktuar dhe me procedura jo transparente.

Partia Demokratike do të ndjekë rrugën ligjore për të denoncuar dhe adresuar në institucionet kompetente cdo rast abuzimi me pronën publike, interesat dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Ju faleminderit !