Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, njëherazi anëtar i Këshillit të Mandateve, i ka kërkuar Kryetares së Kuvendit zyrtariësht që të mbledh Këshillin e Mandateve sot pasdite, si dhe i ka kujtuar se po i fsheh deputetëve, në Kundërshtim me Rregulloren kërkesën dhe dokumentet e dërguara nga Prokuroria. Z. Bardhi e konsideron të papranueshme që anëtarët e Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet të njihen nëpërmjet medias me kërkesën e paraqitur nga prokuroria, për shkak se Kryetarja e Kuvendit nuk përmbush detyrimin e saj sipas Rregullores së Kuvendit.

Sipas Rregullores së Kuvendit kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokurori. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.

“Deri në këtë moment, asnjë nga anëtarët e opozitës në Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, nuk është njoftuar zyrtarisht lidhur me kërkesën dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit.” – shprehet z. Bardhi.

Gjithashtu, Grupi Parlamentar i PD ka kërkuar thirrjen pa vonesa të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, për të shmangur dëmtimin e provave në banesën e Ahmetajt.

“Sa kohë kërkesa përmban edhe nevojën për të autorizuar kontrollin e banesës së deputetit, për të shmangur çdo vonesë që do t’i jepte kohë z. Ahmetaj të kryente veprime që mund të pengonin drejtësinë, përmes zhdukjes apo fshehjes së provave, në mbështetje të nenit 13, pika 6 dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, në emër të 5 anëtarëve të opozitës kërkojmë thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e hënë, datë 10.07.2023, ora 18:00” – thekson z. Bardhi.