Shteti i të drejtës ka qenë është e do të jetë garanci për demokraci funksionale, për të ruajtur balancat e pushteteve e për tu siguruar që ekzistojnë mekanizmat por njëkohësisht dhe garancitë se sistemi funksionon.

Po ditët e kohët e fundit besoj të gjithë mund ti kemi bërë pyetjen vetës: kush i kontrollon kontrollorët?

A kemi sot më shumë apo më pak drejtësi? A kemi sot më shumë apo më pak barazi para ligjit? Sa kohë i duhet një qytetari për të përfunduar një çështje në sistem gjyqësor, po një biznesi? A mbarojnë punë më shpejt investitorët e huaj apo shqiptarë? Po çështja e pronave është zgjidhur në kuptimin e drejtësisë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet të kemi parasysh kur pyesin a ka pasur rezultate reforma në drejtësi?!

Përtej çdo presioni, intimidimi, përtej çdo akuze e çdo sulmi, përtej baltës së rrugës e të parlamentit, sot sigurisht situata është ndryshe.

Sot situata është ndryshe, kuptohet që nga momenti kur ministri i drejtësisë sulmon SPAK-un e deri kur antarët e KLP-së numërohen sa majtas sa djathtas, kush është pro e kush është kundër qeverisë.

Sot, kur jepet një vendim gjyqësor, kur dëgjojmë për një të korruptuar a kriminel, një ish ministër a ish deputet nga qeveria e majtë në këtë rast, pyesim a e kish kaluar vettingun gjygjtari? Sikur vettingu të jetë garanci se vendimi është i drejtë.

A ka sot më shumë apo më pak influencë në gjyqësor, në vetting në drejtësi?

Kjo është pyetja që ne sot duhet ti përgjigjemi si deputet e si politikanë e ca nga ne dhe si votues të reformës në drejtësi, ca me hir e ca me pahir.

Një nga qëllimet kryesore të Reformës në Drejtësi ka qenë pikërisht shmangia e korporatizmit në sistemin e drejtësisë. Kuptohet, që të aplikohet ky parim duhet që institucionet e emërimeve në drejtësi të kenë parasysh etikën dhe parimet mbi të cilat u ngrit i gjithë sistemi i ri i drejtësisë.

Detyra e KLP është që të kryejë emërime sa më pak evazive që hapin sa më pak diskutime, që mendoj duhet t’i shkonin për shtat drejtësisë së re e nuk po ndodh. Sikundër gjykoj dhe besoj që emërimet në sistemin e drejtësisë duhet të përmbajnë disa kritere që shkojnë përtej kritereve teknike.

Prandaj i takon sot KLP e cila në dhjetor të 2022 kaloi një test jo të lehtë, praktika tregon që ka dëshmuar varësi politike dhe nuk e ka kuptuar akoma peshën që ka. Sikundër gjykoj që ne duhet të shohim mundësinë dhe se si mund të kontrollojmë KLP që kjo e fundit të mos jetë më kaq symbyllur ndaj problemeve që po shfaqen gjatë emërimeve në drejtësi dhe jo vetëm.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për KLGJ që duhet të mbushë boshllëqet për trupën e re të gjyqtarëve. Por, njëkohësisht edhe të jetë e kujdesshme në emërimet në gjykata, në gjykatën speciale që  ka një rol të veçantë në arkitekturën e re të drejtësisë.

Së fundi, jo për nga rëndësia dua të evidentoj një problem që e kam parë të preket shpesh edhe nga Prokurori i Përgjithshëm. Në vitin 2015 kur u votua reforma në drejtësi një tjetër ndryshim ka qenë edhe decentralizimi i prokurorisë. Qe një masë, që kolegët e mi deputetë të asaj kohe dhe sot, e konsiderojnë një qasje më shumë administrative sesa një qasje politike. Por nga ana tjetër, këtu bëhet fjalë për një vendimmarrje politike.

Tani, dukshëm situata duhet të përkthehet  jo për të përforcuar apo centralizuar pushtetin por për t’i dhënë një forcë reale drejtuesit të Prokurorisë së Përgjithshme. Fatkeqësisht pushteti i tij administrativ është shumë i zbehtë dhe më shumë ai duket se ka një rol dispatcher-i sesa si kontrrollor dhe si drejtues i prokurorisë.

Por nuk janë vetëm probleme si korporatizmit, situata me emërimet në gjyqësor apo dhe zhdukja e kompetencave tek drejtuesit e prokurorisë që po krijojnë probleme duke mbledhur anëtarë të një familje në një prokurori. Problem tjetër themelor është edhe mungesa e efiçencës e cila po krijon probleme jo veç në çështjet gjyqësore por edhe në hetimet.

Sot një qytetari i duhen minimalisht 10 vite për të pasur një çështje të përfunduar dhe të gjykuar në 3 shkallët, afate jashtëzakonisht të gjata që po e dëmtojnë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Vëmendja, me të drejtë, e qytetarëve dhe politikës mbetet te SPAK që është kurora e reformës në drejtësi. Por, askush nuk duhet të harrojë që një pjesë e hetimeve te SPAK-ut janë duke kaluar dhe tej afatit të hetimeve për çështje që përbëjnë interes të lartë publik, që po dëmton besimin e qytetarëve në sistem.

Çështje me interes të lartë publik që lidhen me vepra penale të funksionarëve të lartë publik duhet të jenë prioritare; sepse kjo ishte edhe një nga qëllimet thelbësore të krijimit të SPAK — ndëshkueshmëria e zyrtarëve që abuzojnë me detyrën, që korruptohen, që vjedhin si në rastin e inceneratorit te Tiranës.

Për t’u rikthyer dhe një herë tek pyetja e parë se kush i kontrollon sot kontrrollorët, a është dikush që e kontrrollon sot KLP-në, KLGJ-në  që të mos kthehen në organin që emëron persona në kundërshti me frymën e ligjit?

Sikundër na shtyn të mendojmë se çfarë ndodh me vendimet e tyre, se si përkthehen ato vendime sot në arkitekturën e sistemit të drejtësisë?

Dukshëm, seti i ndryshimeve kushtetuese që paraqet paketa e re e ndryshimeve ligjore që institucionet i kanë dërguar Kuvendit merret dhe me këto çështje.

Edhe njëherë parlamenti ëahtë shumë larg drejtësisë, të paktën në letra dhe në ligje, por është po ky institucion që ka në dorë kontrollin e buxhetit të këtyre institucioneve, në teori të pavarura. Ndaj është kjo forcë e portofolit, e buxhetit që ka parlamenti që duhet t’ia rrisi dhe kërkesën e llogarisë se çfarë po ndodh me betejën për një drejtësi të pa kapur nga politika, ashtu dhe nga kooperatizmi, kontrrolli nga keqmanaxhimi, nga nepotizmi, nga influencat e pandershme etj.

Sot, jo vetëm drejtuesit e institucioneve të drejtësisë por edhe çdo anëtar apo punonjës i tyre duhet të kuptojnë rëndësinë që kanë. Nuk mund të shesim fasadën e ndryshimit nëse në thelb kemi të njëjtat zakone ashtu si sistemi i vjetër. Kjo do të ishte një hipokrizi fatale për të gjithë.

Asnjë institucion drejtësie nuk ka pasur mbrojtjen, sigurinë, pavarësinë dhe super buxhetin që kanë institucionet aktuale. Asnjë institucion drejtësie nuk ka pasur mbështetjen ndërkombëtare dhe të partnerëve tanë strategjikë më shumë se sa këto 5 institucione.

Prandaj sot është jetike që të kemi rezultate konkrete, reale që çdokush të bëj dallimin dhe diferencën për një mision që ky parlament i ka caktuar këtyre institucioneve me Kushtetutë.

Prandaj, e përsëris, hipokrizi me një sistem fasadë nuk mund të bëjmë. Hipokrizi me një sistem ku pjesa më e madhe e emërimeve duket sikur janë ulur në prehrin e politikës por në të vërtetë influcohen përsëri po nga të njëtjat vese dhe zakone që influencoheshin dhe në sistemin e vjetër.

Këtë hipokrizi më së pari e nuhat media që e di më parë se ne se kush udhër arrestu ëahtë prerë. E nuhasin politikatën që flasin dhe sulmojnë SPAK-un. E nuhasin njëkohësisht dhe ministrat, ata në hetim dhe ata që do të hetohen. E nuhasin sigurisht ata që janë pushtet. A e keni vënë re që askush nga ata që kanë shkuar përpara SPAK-ut nuk mban më një funksion publik? A e keni vënë re që të gjithë çuditërisht përjashtohen, ju hiqen emërimet në momentin kur shkojnë përpara drejtësisë, madje shumë kohë më përpara?

Për mua ky është një problem shumë i madh, kjo ndarje e informacionit, kjo “transparencë” e organe e të drejtësisë me qeverinë, ky shkëmbim fluid interesas, sigurisht që është një problem që drejtësia e vjetër ia kaloi drejtësisë së re.

Nga ana tjetër, rekrutimet e gjyqtarëve me lista politike, me emërime partiake, nuk kanë arritur dot që ta ngrenë Shkollën e Magjistraturës në një nivel tjetër. Kontrolli i magjistratëve në detyrë; megjithëse pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë ka pasur me mijëra denoncime nga qytetarë dhe biznese, rastet kur  duhet të ishij marrë masa disiplinore, ato nuk janë të shumta.

Shumica e këtyre denoncimeve janë arkivuar për shkak se ka kaluar afati i parashkrimit të masës. Besoj që ILD është ngritur për këtë detyrë dhe ILD duhet patjetër që të mbështetet në këtë mision.

Se fundmi, krimet zgjedhore; unë kam qënë një ndër deputetet e vetme në këtë sallë që nuk e kam sulmuar asnjëherë SPAK-un, e kam mbështetur gjithmonë në punën e tij, ka treguar guxim por duhet të tregojë akoma më shumë, guximin që kjo sallë parlamenti nuk e ka parë akoma. Dua të përshëndes vendimin e prokurorisë speciale për hetimin e krimeve zgjedhore në kohë reale gjatë procesit zgjedhor, por fatkeqësisht akoma nuk kemi parë asnjë masë për hetimin e këtyre dosjeve. Dosja 339 dhe 184 që ka dhe ministër sot në qeveri që duhet të ishte përpara drejtësisë, fatkeqësisht nuk po hetohet.

Kjo do të jetë prova e lakmusit për sistemin e ri të drejtësisë, ata që sot i sulmojnë ata institucione, a do të shkojnë dot nesër përpara tyre?