“Qëndrimi juaj, është gati një qëndrim heroik. Heroik sepse nuk qëndroi askush nga ne për interesa personalë. Nëse ju do të kishit bërë kalkulime dhe do të ndiqnit leverdinë personale, ndoshta do të kishit ndjekur turmën”.

“Fakti është se edhe ata që ndoqën nga pas Sali Berishën, i cili u fut mes nesh dhe përçau partinë në disa pjesë, nuk kanë bërë asgjë tjetër veçse janë një numër aty, në formacionin e tij të quajtur Foltore apo pa emër, i futur në koalicion me Ilir Metën.”

“Në këto kushte, secili nga ju është një individualitet, është një personalitet. Kjo na ka bërë të kuptojmë se dinjiteti qenka shumë më i rëndësishëm sesa interesi i momentit. Kështu përballë meje kam njerëz dinjitozë, njerëz që sistemi i analizës iu punon në tru, dinë të bëjnë vlerësimin kush është e mira dhe kush është e keqja. Të dallojnë çfarë është e partisë dhe çfarë është mbi partinë dhe me tej, çfarë është e Shqipërisë”.

“Pse e them këtë të fundit? E them, sepse debati nuk është thjesht se kush do të jetë kryetari. Por është më i thellë sesa kaq. Debati që ne kemi bërë të gjithë ka qenë nëse Partia Demokratike do të shuhet apo do të ekzistojë. Partia Demokratike do të hipotekohet në hipotekën personale të një individi, që e ka emrin Sali Berisha, dhe do të futet në hipotekën familjare të tij, apo do të jetë një Parti Demokratike e tillë, ku çdo anëtar i saj, që nga ’90 dhe deri më sot, të kenë aksionin e vet. Demokracinë e bëjnë shoqëritë anonime, nuk e bën një subjekt individual, qoftë ky juridik, apo person fizik”.

“Në rastin konkret demokratët e zgjodhën rrugën e tyre, sepse menduan edhe më shumë sesa kaq. Demokratët menduan se Partia Demokratike përfaqëson gjithçka, përfaqëson madje shumëçka, përfaqëson vlerat euroatlantike, vokacionin euroatlantik me të cilin ne krijuam Partinë Demokratike në ‘90, dhe për të cilën shqiptarët besuan te këto vlera, dhe menduan se shumë shpejt Shqipëria do të futet në Europë. Jo vetëm që nuk e bëmë si gjithë Europa, por shihni se ku e kemi katandisur”.

“Përfundimisht jemi në duart e tri vetëve, është Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta. Të tjerët janë thjesht derivatë të tyre, të punësuarit e tyre, çirakët e tyre. Dhe një nga arsyet pse pranova të futem në fushatë ishte edhe kjo: sepse fushatën do ta bëjnë më të lehtë këta që kanë zaptuar politikën, oligarkët politikë, oligarkët ekonomikë, të cilët me krimin e organizuar e lanë bërë Tiranën të pabanueshme për qytetarët e thjeshtë”.    

“Qytetarëve sot bashkia e Tiranës shkon dhe u merr pronën, për të ndërtuar kulla. Qytetarët nuk ndërtojnë dot një ëndërr, një projekt për një jetë të re. Një çifti të ri sot në Tiranë do t’i duhet të punojë katër jetë që të arrijë të blejë një apartament, për shkak të nivelit të çmimeve që kanë vendosur oligarkët ekonomike dhe politikë.”    

“Shqipërinë duhet ta ndihmojmë nëpërmjet partisë. Që ta ndihmojmë Shqipërinë, duhet që partinë ta bëjmë demokratike. Që kjo parti të mos shuhet dhe të mos hipotekohet në regjistrin personal të Sali Berishës, që vlerat tona, parimet tona, besimin që kemi mbi pronën, besimi që kemi në Zot, besimi që kemi te morali, vlera të cilat mbajnë familjet shqiptare në këmbë, të mos shuhet”.

“Të mos humbasim identitetin tonë politik, identitetin tonë personal. Prandaj nuk çuditem që gjen shumë njerëz dhe shumë demokratë kudo që shkoj, pavarësisht se në media, në studio televizive vazhdimisht thuhet, hë mos se dy vetë janë ata. Është Lula Brava dhe Alibasha. Asnjë tjetër nuk ekziston për ta. Dhe më këtë lloj fodullëku, me këtë lloj kapërdisje, që nuk është e paqëllimtë, e përcjellin këtë mesazh, duke u mbështetur nga kush, nga mediat e Edi Ramës. Me paratë e kujt? Me paratë e oligarëkeve. ”

“Një takim që zhvillon sot Sali Berisha i kushton 5 mijë euro. Kanë zhvilluar deri tani 13 takime për prezantim kandidatësh, të paktën nga ato që kanë sot nga shtypi. Kanë shpenzuar rreth 60 mijë euro. Imagjinoni se sa kohë ka ai, një vit e gjysmë që vjen vërdallë nëpër Shqipëri. Me çfarë parash, ku i gjen ai këto shpenzime marramendëse, si e mban gjithë atë ushtri me vete etj. Këto janë paratë që i kanë vjedhur te shqiptarët, janë paratë e taksapaguesve shqiptarë, ose janë paratë e krimit të organizuar, ose janë paratë e oligarkëve”.

“Për të trija këto është akuzuar ai, ngaqë është shpallur non grata. Britanikët e akuzuan si bashkëpunëtor me krimin e organizuar. Amerikanët e akuzuan si njeri që pengonte demokracinë, për korrupsion të qenësishëm, shqiptarët e kanë refuzuar si lider. I dhanë 1 milion votë kundër në vitin 2013, dhe sot në të gjitha sondazhet, janë mbi 70 për qind e shqiptarëve të cilët e refuzojnë, nuk e pranojnë më. Të vetmit që i shkojnë nga pas janë militantët të cilët i gënjeu, dhe u thotë hajdeni me mua se, për 6 muaj do të rrëzoj Edi Ramën”.

“Ju (që jeni në sallë) nuk shkuat se nuk u gënjyet, ata që u gënjyen shkuan. Do zhgënjehen dhe do të kthehen prapë. Do të vijnë te partia Demokratike,  sepse po e kuptojnë që tani se janë në kurth. Ku është kurthi? Ka bërë listën e kandidatëve të këshillit të bashkisë, dhe në 17 vetë, vetëm 2 vetë e gjysmë janë të Partisë Demokratike, të ish-partisë demokratike, pra, të pjesës sonë, demokratë që kanë qenë me ne. Dy e gjysmë janë, them gjysmë sepse njëri ka punuar edhe me Metën edhe me Berishën, dhe nëse do prishi balancat Meta, që të kalojë sërish me Edi Ramën dhe Erion Veliajn siç e ka zakon, mund të qëndrojë këtej, por mund të shkojë edhe andej”.

“Kështu që dy demokratë i mbeten, janë të sigurt në atë listë. Tani i fton demokratët dhe qytetarët e Tiranës dhe u thotë shkoni dhe votoni listën e Ilir Metës. Të votoni ata drejtorë të cilët iu hoqën juve nga puna. Të votojnë ata ministra, të votojnë ata militantë të LSI, që shkatërruan jetën e demokratëve. I përzunë masivisht nga puna kudo që ishin, edhe pse ishin në një qeveri të përbashkët me qeverinë e demokratëve. Kështu që kjo lloj martese që bëri Berisha me Metën është vetëm për interesa personalë.

”Dhe demokratëve tani u kërkohet të bëjnë me parti Ilir Metën, sepse Ilir Meta doli nga presidenca nuk kishte parti. Militantët, anëtarët e partisë ia mori PS-ja, sepse ata nuk ishin me ideal. Ata s’kishin ndonjë parim. Kur u krijua LSI, u dha vende pune, i bëri anëtarë, iu mori votën. Mbaroi LSI, ra në opozitë, s’kishte ç’tu jepte, u prish kontrata, u larguan ata”.

“Kështu që në këto kushte, i ftoj demokratët publikisht, mos i ndiqni më nga pas Sali Berishën. Refuzojeni Ilir Metën. Sali Berisha atë pjesë të Partisë Demokratike që ka marrë me vete kërkon t’ia lërë Ilir Metës. Votat e demokratëve, votat tuaja do të krijojnë partinë e Ilir Metës. Do t’i japin atij peshë politike dhe peshë publike në parlamentet lokale. Këtë peshë politike dhe publike do ta përdorë për të bërë pazarin e radhës me Edi Ramën dhe me çirakun e tij Erion Veliaj. Dhe pasi të bëjë këtë pazar, në 2025 do të shkojë me atë që ka shanse për të fituar. Që gjasat janë  që edhe në 2025, sa të jetë Sali Berisha në politikë i ka prapë Edi Rama, ose njëri i Partisë Socialiste që mund të zëvendësojë Edi Ramën”.

“Sepse Sali Berishës ia kanë bërë të qartë ndërkombëtarët, i kanë thënë Stop! Ti Nuk do të jesh partner yni në Shqipëri, për qeverisje.  Shko në shtëpi, e mbarove kohën tënde, e mbarove ciklin tënd. Ai nuk do të dorëzohet, do të vazhdojë deri në fund, sa të marri frymë, sepse ai nuk e koncepton dot që partia që është e të gjithë demokratëve të quhet e të gjithë demokratëve. Ne nuk i kemi ndonjë borxh. E kemi mbështetur, kemi bërë sakrifica të pafundme për atë, dhe për të gjithë ata që ka me vete, ashtu siç kemi bërë për PD dhe për të gjithë demokratët. Nuk ia kishim borxh ta na futej në mes dhe të ndante. S’ia kishim borxh ta në ndërpriste udhëtimin tonë drejt pushtetit, si alternativë e djathtë për ta qeverisur Shqipërinë më mirë. Prandaj demokratët të mos bëjnë gabim që të votojnë Ilir Metën, por të votojnë vëllezërit e tyre, motrat e tyre që i kanë te Partia Demokratike. Në këtë fushatë, ne jemi e vetmja forcë e djathtë që konkurrojmë në Tiranë, sepse të gjithë kandidatët e tjerë janë të futur nën flamujt e partive të majta. Edhe Belindi është i Ilir Metës. Përfaqëson aty non-gratën, por përfaqëson edhe Ilir Metën, i cili dihet se çfarë reputacioni publik ka në Shqipëri. 1 për qind mbështetje ka te shqiptarët. Këta duan t’i japin oksigjen, duan ta bëjnë faktor. Le ta bëjnë por të marrin përsipër edhe pasojat”.

“Kandidatët e tjerë dihet se cilët janë, Marko Dajti, i Partisë Komuniste, kandidon me firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të Sali Berishës. Tjetri është Arlind Qorri, dhe tjetri Endri Shabani. Ndërsa Lejla (Përnaska) është gabim atje. Lejla duhet të ishte te Partia Demokratike. Lejla është një zonjë grua, që duhet të kishte merituar më shumë në PD. Nuk e kanë vlerësuar sa duhet në të shkuarën, nuk është vlerësuar as sot. Nuk duhet të kalonte te Shpëtim Idrizi, që vjen nga Partia Socialiste. Ka qenë drejtuesi i lartë i Partisë Socialiste dhe atë parti e ka krijuar andej, pavarësisht se ka dalë në emër të komunitetit çam.”

“Kështu që të gjithë flamujt e këtyre partive janë flamuj të kujt? I vetmi flamur blu, që u tentua të shkrihej, të asgjësohej dhe të mos paraqitej fare në këto zgjedhje, pas 32 viteve ishte flamuri i Partisë Demokratike, që ne e mbajtëm gjallë. Prandaj, unë vendosa të kandidoja në Tiranë, ta pranoja kandidimin në Tiranë, sepse e shikoj si një mision dhe një detyrë që duhet bërë, jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe më shumë, për qytetarët e Tiranës, për qytetarët shqiptarë. Sepse Tirana, në rastin konkret, për mënyrën sesi është luftuar Partia Demokratike dhe në çfarë gjendje është ajo, është si Stalingradi në Luftën e Dytë Botërore.”

“Këtë lloj simbolike mban Tirana sot. Që kur nazizmi pushtoi pothuajse të gjithë botën, u ndesh në Stalingrad, u thye aty, dhe prej andej filloi revanshi në krahun tjetër. Fillo thyerja dhe rënia e nazizmit.  Natyrisht, pa mbështetjen e aleatëve perëndimorë, kurrë nuk fitohej ajo luftë. Por ama, kjo është historia, kështu ndodhi, dhe kjo është simbolika që kemi ne sot. Ne duhet të përpiqemi jo vetëm për një rezultat të mirë, por kemi shanse që të fitojmë në Tiranë. Ju duket çudi? Ja pse j’ua argumentoj unë dhe pse kam besim”.

“Po të shikoni sondazhin mbi 70 për qind e popullsisë që janë kundër këtij establishmenti, kundër kësaj oligarkie ekonomike dhe politike. 45 për qind e demokratëve janë kundër Sali Berishës. 20 për qind ai i ka me vete dhe 25 apo 20 për qind të tjerë janë të pavendosur. Ja pra se cili është target-grupi ku ne duhet të fokusohemi. Ja pse ne duhet të jemi optimistë, të qartë, të vërtetë. Të vëmë zemrën në punën tonë, t’i shikojmë qytetarët në sy, të jemi të prerë, radikalë në qëndrimin ndaj Sali Berishës dhe berishizmit, sepse me atë nuk kemi asgjë personalisht, por e kemi me atë çfarë përfaqëson ai dhe dëmin që ka sjellë në PD, e t’u themi shqiptarëve që jemi ndarë një herë e mirë nga e kaluara”.

“Është shumë e dëmshme më tha një përfaqësues ndërkombëtar para disa ditësh, që vinte nga përtej oqeanit, që të ketë këto lloj paqartësish, lëkundjesh brenda grupit të deputetëve të PD-së”.

“Unë merrem me shkencat politike. Është e pafalshme që t’i thuash vetes deputet, politikan, të paguhesh për të bërë politikë, dhe në këto kohë betejash, ndarjesh të qarta, në këto kohë pozicionimi, kur kërkohet një vizion tjetër ndryshe, ti të mbash pozicion neutral. Është nonsens, ndryshe jep dorëheqjen nga deputet dhe largohu. Kur je politikan, je politikan që të përcjellësh, të mbash një linjë politike. Të bësh politikë, të bësh beteja, të ndeshesh, të humbasësh por edhe të fitosh, të fitosh por edhe të humbasësh”.

“Humbja në politikë nuk është humbje, është thjesht nxjerrje mësimi. Të nxjerrësh mësim, të korrigjohesh, të qëndrosh aktiv e të ecësh përpara. Jo të thuash unë rri neutral, do të shikoj këtej nga kulla ime, se çfarë bëjnë ata të tjerët, në fund kërkojnë llogari pse humbët ju. Zotëri, po ti kur  bëhej lufta, ku ishe? Si do ta mësosh notin pa u futu në ujë dhe si do ta fitosh betejën pa shkuar në betejë? Çfarë, të vritemi ne, ta bëjmë ne betejën dhe ti pastaj të thuash se unë fitova luftën se s’mora pjesë në luftë. Jo! Kjo është nonsens. Kjo na krijon turbullira brenda partisë në momentin më delikat. Në parti ka një rregull: kur merret vendimi i shumicës, edhe ai që është pakicë dhe ka një qëndrim apo mendim të kundërt, është i destinuar t’i qëndrojë vendimit të shumicës, qoftë ky deputet, funksionar partie, apo anëtar i thjeshtë i partisë. Kështu funksionojnë partitë politike në botë. Të drejtën e ke deri te qëndrimi yt. U mor vendimi, futu në resht, vazhdo punën, krijo frymën, dhe ec përpara, mos ço më pesimizëm te demokratët, tek ata që s’u ke dalë kurrë karshi, i ke lënë në rrugë të madhe, nuk i ke vlerësuar, dhe pastaj kërkon të shkosh si i padjegur, si i pakonsumuar, t’u marrësh demokratëve me ca fjalë të bukura edhe një herë mbështetjen e tyre, që ti të sigurosh komoditetin e jetës tënde, politike dhe financiare”.

“Jo, personalisht nuk jam larguar kurrë nga politika. Kurrë! Ama personalisht, nuk i kam ikur kurrë betejave të Partisë Demokratike. As në ditët më të vështira të Partisë Demokratike, në një kohë kur ata që janë bërë milionerë nga Partia Demokratike e kanë rrënuar atë me imazhin e keq të tyrin dhe janë larguar për të dorëzuar milionat e tyre, në ishujt ekzotikë të botës. Kam qenë me shokët e mi, me miqtë e mi, në ’90, në vendlindjen e diktatorit, u çuan studentët në peshë dhe tronditën diktaturën. Me kontributin tonë modest, aq sa kishim. Në ’97, ata të cilët e shfrytëzuan PD-në në katër vjet, morën arratinë, vodhën edhe paratë e qytetarëve shqiptarë, u pasuruan në kurriz të djersës së miliona shqiptarëve që ikin në emigracion, deh u kthyen dhe ndërtuan prapë partinë, që nga jugu në veri”.

“E kemi filluar me pesë vetë dhe e bëmë parti fituese brenda katër viteve, pavarësisht se në 2001 na manipuluan rezultatin. Pse? Sepse besonim, ishim idealistë, nuk ishim llogaritarë si tani, llogaritë ç’fitoj unë. Sot nuk gjen një burrë, një burrë që të mbajë fjalën. E kam fjalën për ata, të cilët paguhen për të qenë politikanë. S’bën dot një bisedë, nuk ndërton dot një strategji, ngaqë dalin nga strategjia sepse iu del skema ndryshe për interesa personale”.

“Jo, personalisht nuk jam i tillë dhe jam i lumtur që kam shumë shokë e shoqe dhe miq, zonja dhe zotërinj në krahë, dhe këta jeni ju. Të tillë jeni ju. Përderisa qëndruat dhe jeni në këtë sallë, nuk keni bërë llogarinë me laps ç’fitoni sot, pa se çdo vij nesër nuk ka rëndësi. Kjo është situata. Jam shumë i kënaqur që gjej demokratë kudo që shkoj. Shumë më shumë se ç’e kanë imagjinuar ata dhe shumë e shumë më tepër se ç’ua pret mendja se jemi ne. Jemi shumë dhe do të bëhemi më shumë, sepse përtej na pret elektorati gri, na presin qytetarët që janë të mërzitur, na presin demokratët që deri tani janë të hallakatur dhe nuk e kanë kuptuar se çfarë po ndodh në Partinë Demokratike. Të djathtët që nuk e dinë se ku mund të jenë, në cilin krah. Apo të dinë një gjë, të dinë mirë, që janë me Amerikën, që janë me Europën, që janë me Anglinë, që nuk janë me Rusinë, që nuk janë me serbin, që nuk janë me ata të cilët po t’u jepet rasti Shqipërinë e rrafshojnë, e zhdukin. Ky është pozicioni i duhur, prandaj thashë qëndresa juaj nuk është thjesht për PD-në, për politikën, ajo është për Shqipërinë.”

“Këtu do të marrë rrugë Shqipëria, do të jetë në Perëndim, apo në Lindje. Fjalori, artikulimi që bën Sali Berisha duke bërtitur dhe sharë me ligjërimin e tij, tmerrësisht joetik, kundër Ambasadores Amerikane, kundër faktorit ndërkombëtar, kundër kujtdo me atë mëri, helm, vrer që nuk e di nga i vjen dhe nxjerr, nuk e kuptoj dot, sa i prish punë Shqipërisë.”

“E zëmë se u bë Sali Berisha kryeministër. Si do të ulet në NATO ai? Ai është i refuzuar nga amerikanët. Kryeministri ynë, i një vendi anëtar të NATO-s që nuk do të marrë pjesë në konferencat e NATO-s. Si do të vejë ai në Parlamentin Europian, është i refuzuar. Si do ta prezantojë ai Shqipërinë në botë.  Është i refuzuar. Çfarë jemi ne? Nuk kanë shqiptarë një bir apo bij që ta nxjerrë dhe të drejtojë këtë vend dhe të jetë njeri normal pa ngarkesat e së shkuarës. Kjo është pyetja dhe kjo është përgjigja që duhet të japin demokratët dhe shqiptarët klasës së vjetër politike, oligarkisë ekonomike dhe krimit të organizuar, që i ka zënë frymën Tiranës, që i ka zënë frymën Shqipërisë. Qëllimi ynë në këto zgjedhje është të heqim kthetrat e tyre nga kurrizi i brishtë i Tiranës, nga prona publike, të atyre që ditën bëjnë sikur zihen për beteja politike dhe natën mblidhen me fëmijët e tyre, me oligarkët e tyre, me kushërinjtë e tyre, ndajnë sinorët, ndajnë dhomkat e mëdha, ende të pakapura, që i kanë ngelur Shqipërisë”.

“Ne duam ta çlirojmë Tiranën nga kjo kolerë që i ka rënë përsipër, t’i japin frymëmarrje qytetarëve dhe kryeqytetit, biznesit, tregut të lirë, të simulojmë konkurrencën e ndershme dhe meritokracinë. Ta hapin garën dhe pas datës 14 me organizmin e Partisë Demokratike, t’iu japim shqiptarëve një parti të mirëfilltë demokratike, një parti jo të kryetarit e të një kaste të vogël drejtuesish, por një parti të demokratëve, të forumeve, pse jo një parti të referendumeve”.

“Ku vendimet e mëdha politike të merren me referendum nga anëtarësia, ku pushtetet në parti të jenë të ndara, ku pushteti i kryetarit të jetë i kontrolluar nga kryesia, pushteti i kryesisë nga këshilli kombëtar, ku këshilli kombëtar të jetë i kontrolluar nga anëtarësia, dhe anëtarësia në fund, për vendet e rëndësishme të partisë, të shprehet me referendum. Kjo është Partia Demokratike, për të cilën kanë nevojë shqiptarë. Nuk e kanë shijuar në këto 32 vite shqiptarët një parti të tillë demokratike dhe për pasojë nuk kanë shijuar as demokracinë në Shqipëri dhe akoma më tepër nuk kanë shijuar as kapitalizmin, sepse kapitalizmi ka rregulla konkurrence, nuk do monopole. Monopolet e dëmtojnë kapitalizmin dhe i detyrojnë qytetarët të marrin arratinë, siç kanë ikur 1/3 e qytetarëve shqiptarë. “Jam shumë besimplotë për ta çuar deri në fund misionin e përbashkët që kemi nisur. Ju faleminderit”