Kur një muaj më parë, vrasësi i katër grave hyri në sallën e gjyqit, kamerat e pothajse të të gjitha televizioneve shqiptare u përqendruan mbi fytyrën e tij dhe e dhanë drejtpërdrejt e me një pritje trishtimisht të papranueshme nëse do të kthente përgjigje kur u pyet në ishte penduar për vrasjet makabre që kishte bërë?

Gjithçka, pra, pra drejt e nga salla e gjyqit po ndodhte në emer të lirisë së medias. Me qëllimin e dukshëm për të bërë lajm, dhe jo me qëllimin për të dënuar femicidit media po shkaktonte lehtësish etikëcid, moralicid, pra një shoqëricid të frikshëm.

Shihni mbrëmjet shqiptare. Ato prodhojnë shumë nervozitet, konflikt që natyrisht buron edhe nga politika konfliktuale që kemi ndërtuar të gjithë bashkë. Plot 12 programe politike i ke çdo mbrëmje në televizionet shqiptare, ku ndonjëherë janë thirrur edhe specialistë të hapjes së dyerve të blinduara të Partisë Demokratike, duke harruar në fakt si po u mësonin keqbërësve se si të hapen dyert e blinduara të familjeve shqiptare.

Mjedisi ynë audiovizual është një mjedis i ndotur akustik dhe etik, me njerëz që i gërçasin njëri-tjetrit, që zgjedhin në mirë të hedhin mllef, se të argumentojnë, që flasin me zë të lartë, aq sa ua hapën kafkën shqiptarëve dhe po e kthejnë Shqipërinë në çmendinë. A është kjo ajo që duan shqiptarët?

Këtë konteks shumë të brishtë nga pikëpamja e ndarjes mes së drejtës dhe së drejtës, pra, mes së drejtës së medias dhe së drejtës për mbrojtjen e fëmijëve nga ekspozimi i vrasësve, të drejtën e prezumimit të fajit, të drejtën e privatësisë, por edhe të drejtën njerëzore të ruajtjes nga pamje të padëshirueshme, ky ligj, dhe as arnimet që duam të kalojmë sot, nuk e rregullojnë.

Pra, nuk e rregullon atë rol thelbësor që Shimon Peres ia quan si deyrim medias: që ta bëjë diktaturën të pamundur, por jo demokracinë të padurueshme.

Në Shqipëri kjo lehtësi e së padurueshmes shkon nga represioni dhe shantazhi i hapur shtetëror mbi median tek abuzimi publik me kast i operatorëve dhe individëve të caktuar me lirinë e medias. Në këtë hapësirë pa kontroll, ky ligj në disa pjesë të tij e shton edhe më shumë paqartësinë. (Neni)

Kur Edi Rama erdhi në pushtet në vitin e harruar 2013, mes përvojave të tjera personale, kishte edhe atë me median, dhe ishte po kjo shoqëri, e cila sulmin personal ndaj tij si njeri i fjalës e kishte perceptuar si sulm ndaj fjalës së lirë, pa në këta dhjetë vjet shndërrimin trishtimisht të papranueshëm të atij vetë si kryeministër i shqiptarëve në raport me median.

Të gjitha këto shërbime të shqiptarëve ndaj tij, i ka harruar dhe i ka tejkaluar vetë me pushtetin e tij tashmë gati absolut, jo me thyerje kockash të hundës ndaj kritikëve, por me blerje të hapura të medias kur mundet, ose me rrënime televizionesh si Agon Channel, duke u lënë shqiptarëve faturën e 110 milion eurove; me tritol në mes të plazhistëve ditën e lume në një nga asetet e “Fokus media”, me qëllimin që ta shkatërrojë, sepse kushedi se ku i ka mbetur kunji; me shkujdesjen për të gjetur autorët e sulmit mbi Top Median me kushedi ç’qëllim në prapaskenë, me fyerjet e tij personale ndaj gazetarëve faqe shqiptarëve me qëllim intimidimi dhe depersonalizimin e tyre; me gërhushjet dhe talljet e tij nëpër studiot televizive, veçmas ndaj gazetareve femra nga kushedi ç’inate të vjetra.

Kryeministri ynë është një nga politikanët më të përkedhelur nga media, në mos personazhi i krijuar nga media apo spektakli i rremë apo nga koraca pa subtancë e pashaizmit shqiptar. Ai tashmë kontrollon gati të gjitha mediat, shenjë kjo që e ndryshon fare nga diktatorët klasikë. Jo vetëm i kontrollon, por qeras me to bujarisht edhe ato pjesë të Opozitës që ia sigurojnë më mirë pushtetin. E thotë progres-raporti i Bashkimit Europian, e thotë raporti i fundit i DASh-it, e thonë relacionet e shoqatave të mediave europiane dhe shkalla e ulët të lirisë së shprehjes në pikëzimin botëror të vendeve.

Dhjetë vjet më pas, pupaci i spektaklit mediatik, duket i nginjur nga media, aq sa nuk e merr seriozisht as nisjen e një fushate, duke zbritur në nivelin e tallavasë, të cilën madje po e promovon si gjetje shumë të zgjuar të vetën. Është po i njëjti njeri që në fundvitin e tij të parë në pushtet i thirri në një darkë të pagabuar figurat kryesore të medias shqiptare, duke i fyer dhe bullizuar drejtpërdrejt në televizion, si t’ua parathoshte kthimin e tyre, me hir a pa hir, në shqytarë të tij.

E kush e mendonte se njeriu që në ato takime tentoi të ishte si Baraku i Obamës, sot nga lodhja mediatike e turbofolkut po i ngjan Farukut të Brrakës, i cili, ngaqë i janë ngatërruar akrepat e kohës dhe të mendjes, fle ditën i dendur nga rakia, dhe natës bën saze e gostira, duke i bërë stërvitje nervash lagjes, në detyrën si dishepulli i prijësit të shoqërisë shqiptare, i cili qysh prej çështjes McConigal ka hyrë në agjërim politik, duke na e zbehur shumë teatrin këtu në Parlament, e me ç’duket edhe në agjërim mediatik. Amin! Amen!

Nxitimi për arnat e këtij ligji sot e që ju do ta kaloni, e tejkalon kujdesin e domosdoshëm për shqyrtimin e tij. Vonesa nga mbyllja e procesit të diskutimit publik, deri në përcjellje në Parlament, shqyrtimi me publikun në vetëm një muaj kohe, mospërshirja e të gjitha grupeve të interesit në amendimet e nevojshme, mungesa e konsultës me shoqatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve edhe pse ligji bën rregullime të tilla, shtyrja për një kohë tjetër e sugjerimeve të përfaqësuesve të biznesit të fushës, nxitimi për ta kaluar në parlament veshur me ambalazhin e detyrimeve të procesit të integrimit, më bëjnë skeptike, gjë që do ta bëjë skeptike edhe votën time.

Ndreqjet e këtij ligji do të kërkojnë akte të reja nënligjore nga AMA dhe madje shumë shpejt një infrastrukturë te re për kryerjen e detyrave që i lë ky ligj. Jam e bindur se AMA do të vijë shumë shpejt me një kërkesë të re për shtimin e personelit, ku nuk ka as pak javë që kaluam në heshtje të plotë një rritje prej 30 % të tij dhe më së shumti personel pa efektivitet, magazinierë e postierë, jo monitorues e mbikëqyrës të tregut audioviziv.

Ndryshe nuk do të na ndodhte që në oret e paradites së një të shtune, kur të gjithë fëmijët janë para ekranit dhe nëpër shtëpira, një televizion i nderuar jep këshillat e një seksologeje që flet për përparësitë e vibratorëve dhe lodrave të seksit, në përputhje me transparencën e policisë së shtetit gjatë kontrollit të një vile të ish-minitrave të saj. Ishte kjo frikë që më bëri të mendoja se kjo strukturë joefektive që kaluam, ishte vetëm një qokë elektorale për t’i gjetur punë një shpure patronazhistësh apo aktivistësh në tentativë.

Rregullimi në ligj kërkon që pronarët e platformave autodiovizive të jenë tranparentë dhe të shënuar qartë, dhe po të mos e kujtosh se vetëm disa ditë më parë dy portale të rëndësishme të informimit të publikut, si JOQ dhe Lolita të mos sulmoheshin nga persosnazhi më abuziv mediatik që kohët shqiptare kanë njohur ndonjëherë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, do ta besoje se rregullimi është i sinqertë.

Ndreqjet e këtij ligji kërkojnë që tregu audioviziv të veprojë në bazë të vetërregullimit, por në fakt në një treg pa rregulla të qarta vetërregullim do të thotë abuzim, do të thotë gjoba. Gati në 3 mijë euro shkon heqja e një shkrimi të padrejtë nga portalet abuzive, pjesa më e madhe e të cilëve janë media të licensuara, të cilat nuk mbajnë asnjë përgjegjësi askund.

Pra, kush na siguron se pas miratimit të këtij projekt-ligji do të ecim mbarë? Kështu le të ecim ngadalë, por kurrë të mos ecim së prapthi, siç na këshillon Linkolni.