Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Durrës Luan Hoti pati një takim me punonjësit dhe menaxheren e një fasonerie në Shkozet.
“Ju falenderoj që erdhët, që na konsideruat, që të shpresim shqetësimet tona dhe gjërat që na jep bashkia e Durrësit për momentin.
Ne jemi një fasoneri që mbajmë 34 persona, 34 familje brenda. Pjesa me e madhe kanë vite me ne por pakënaqësitë janë të mëdha për arsyen se taksat që paguajmë, taksat e bashkisë janë shumë.
E di që jemi bërë monotonë me këto “Ulni taksat!” por me çmimet që vijnë nga jashtë, duke qenë që Shqipëria konsiderohet ende një botë e tretë, brenda atij çmimi ne duhet të nxjerrim taksat, rrogat e punëtorëve, duhet të nxjerrim gjithë shpenzimet. Mendoj që është mirë që taksat e bashkisë të reduktohen”, i kërkoi Manjola Misiri, menaxherja e fasonerisë, kandidatit demokrat Hoti.
Misiri kërkoi edhe përmirësimin e infrastrukturës, parkimet, gjelbërimin dhe transportit publik, edhe pse paguajnë taksat por shërbimet nuk i marrin.
“Premtimet e mia nuk janë në ajër por me këmbë në tokë. Brenda 100 ditëve do të filloj një konsultim masiv me biznesin, nga biznesi i vogël deri te biznesi i madh. Unë mendoj që duhen përgjysmuar taksat e bashkisë për biznesin, që ta ndihmojmë biznesin. Unë do jem në bashkëbisedim gjithnjë me biznesin sepse dihet që është motorri i zhvillimit. Duke përgjysmuar taksat, punëson një njeri më shumë”, theksoi Hoti në përgjigjen e tij për taksat vendore.
Po ashtu Hoti tha se do bëhen përpjekje për të ndihmuar punonjësit e bizneseve me biletën e transportit publik, teksa sipas tij zhvillimi i biznesit sjell punë për të rinjtë që të mos largohen nga Durrësi.
Më pas Hoti komunikoi drejtpërdrejt me punonjëset e fasonerisë, duke i pyetur ato se çfarë do të donin që të ndryshonte në Durrës.