“NDIHMA U DHA ME PIKATORE”, BASHA: SHTYRJA E GJENDJES SË FATKEQËSISË, PROVË E DËSHTIMIT TË QEVERISË PËR T’U PËRBALLUR ME KRIZËN

 

Pyetje: Cili është mendimi juaj për vendimin e qeverisë që të shtyjë gjendjen e fatkeqësisë deri në 23 Qershor? U diskutua në Këshillin e Sigurisë?

Lulzim Basha: Jo, nuk u diskutua. Gjendja e fatkeqësisë shërben për diçka. Shërben për te trajtuar problemin kryesor që është virusi dhe shërben për të trajtuar pasojat e këtij problemi që është kriza ekonomike. Për këtë arsye është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore.

Tani të shohim çfarë është bërë këto javë, që kur është shpallur gjendja.

Në radhë të parë, nuk ka asnjë përmirësim sa i përket financimit të shëndetësisë dhe në veçanti rritjes së testimeve. Ne mbetemi vendi i fundit për sa i përket testimeve. Shikoni Maqedoninë apo vendet e tjera. Ne jemi një vend, ku kryeministri ka vendosur që testimet të mbahen në minimum. Dhe kur ke testime të pakta, do të kesh edhe zbulime të pakta, por kjo nuk na ndihmon. Ja ku kemi ardhur sot tek vendimi për të shtyrë emergjencën. Pse u shty emergjenca? E shpjegoi kryeministri këtë? Shpjegoi që këto 5 javë që ka kërkuar sakrificë të shqiptarëve për të qëndruar në shtëpi nuk ka marrë asnjë masë reale për të na treguar ku është infeksioni? Kjo mundet kur ti ke mjaftueshëm testime. Na shpjegoi pse e ka marrë këtë masë në raport me atë që duhet të bëjë për të mbështetur të prekurit nga kjo masë, sepse sa e shtyrjes së gjendjes së fatkeqësisë presupozon që qeveria do të vazhdojë të ushtrojë pushtetet e veta për të urdhëruar mbyllje të bizneseve apo reduktim të orareve. Pra, në masa shtrënguese kemi qenë të bollshëm, në komunikim në facebook kemi qenë të bollshëm, por deri më sot, qeveria dhe kryeministri kanë dhënë me pikatore ndihmën që qytetarët meritojnë, ndihmën financiare apo ushqimore për të cilat qytetarët dhe bizneset kanë më shumë se kurrë nevojë sot. Ndaj, nga kjo pikëpamje, shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është një tjetër provë e dështimit të qeverisë në këto 5 javë për t’u përballur me krizën.

 

“QEVERIA I LA NJERËZIT NË BALTË, EKONOMIA PO FUNDOSET”, BASHA: AMNISTIA FISKALE, NJË SHASHKË PËR TË LARGUAR VËMENDJEN SE QEVERIA NUK KA AS PLAN, AS STRATEGJI PËR PËRBALLIMIN E KRIZËS

 

Pyetje: Sot Edi Rama prezantoi amnistine fiskale. Si e shikoni këtë lëvizje?

Lulzim Basha: Nuk është asgjë e re, është një ide e vjetër e qarkulluar,  siç kanë qarkulluar dhjetëra gjëra për të hequr vëmendjen nga diçka që shqiptarët po e përjetojnë  ditë për ditë, nga mungesa totale  e çdo ndihme financiare për njerëzit në pamundësi ekonomike, nga pamundësia e bizneseve  për të përfituar ato që përfiton biznesi në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në çdo vend tjetër të rajonit. Pra është një truk për ta zhvendosur vëmendjen nga  braktisja totale që 5 javë pas nisjes së intensifikimit të krizës dhe karantinës dhe bllokimit ekonomik, karakterizon qeverinë e Tiranës që është e fundit në Europë qoftë me ngadalësinë e masave  të shpallura dhe ç’ështe më e rënda në moszbatimin e këtyre masave. Hapa që hidhen gjysmakë, hapa që  shpallen nga Facebook-u, por që kurrë nuk arrijnë tek qytetari, nuk arrijnë tek pensionisti, nuk arrijnë tek njerëzit në nevojë ekonomike, nuk arrijnë tek bizneset.  Kjo është emergjenca sot. Pesë javë  pas shpalljes së karantinës, njerëzit, të gjithë pa anjë dallim, nga njerëzit në shtrëngesë ekonomike  tek biznesi dhe punëmarrësi i madh janë  të gjithë të braktisur dhe të lënë në baltë ndërkohë që qeveria vazhdon të flasë e të flasë e të ngopë me lugë bosh.

Pyetje: Ju  thoni se kjo lëvizje është një mekanizëm i pastrimit të parave, por Rama tha se krimi dhe politikanët nuk do të përfitojnë. Ku qëndron skema e pastrimit të parave në informacionet që ju keni?

Lulzim Basha: Në fakt, ka një besueshmëri shumë të lartë zoti Rama kur flet për krimin dhe për drogën, siç e vërtetoi edhe tërheqja  e akuzës  ndaj revistës Bild që tregoi se sa të fuqishme janë lidhjet midis krimit dhe qeverisë së tij.  Por kjo nuk është tema sot. Çështja kryesore janë tavolinat e zbrazura  të shqiptarëve. Janë xhepat e zbrazur të  kryefamiljarëve. Janë  dhjetëra të infektuar vetëm në 24 orët e fundit nga fasoneritë  të pambyllura ndonëse kemi  4 javë që e kërkojmë këtë dhe që mbahen të hapura për një arsye farë të thjeshtë: Sepse lekët e shqiptarëve tani që shqiptarëve u duhen më shumë  se kurrë, lekët e taksave të tyre  që janë rritur këto 7 vite të qeverisjes Rama, nuk shkojnë tek qytetarët, por shkojnë tek oligarkët. Shkojnë tek aferat e tyre kurruptive. Shkojnë në tendera sekretë dhe korruptivë. Dhe kjo është arsyeja se pse 5 javë pas nisjes së karantinës askush s’mund të na thotë çfarë plani ka qeveria për arsyen e thjeshtë se qeveria nuk ka plan, as strategji për t’u përballur me krizën, për të shtruar rrugën e daljes nga kriza dhe për të mbështetur njerëzit në nevojë dhe ekonominë gjatë kohës së krizës. Dhe në mungesë të saj plas shashkë pas shashke lajmet e vjetra që i riciklon si lajme të reja. E vërteta e vetme që është një kambanë alarmi për këdo dhe duhet të është kambanë alarmi për qeverinë që ekonomia po fundoset, bizneset ditë për ditë largojnë njerëz nga puna dhe që me datë 20 prill shumica dërrmuese e atyre që u është premtuar edhe me ligj, edhe me VKM ndihma që e ka për detyrë qeveria që t’ua japë në gjendje të emergjencës, nuk kanë marrë asnjë kacidhe.

 

BASHA: PA TESTIME ECIM ME SY MBYLLUR DHE MUND TË PËRFUNDOJMË NË GREMINË

 

Pyetje: Ju keni prezantuar një plan emergjence dhe mesa kam parë, pika juaj e pestë, për hapjen e ekonomisë, është më e rëndësishmja.

Lulzim Basha: Në fakt është pika e parë. Janë testimet. Rritja e testimeve dhe kombinimi i tyre që të na mundësojë përmasat e vërteta të infeksionit.

 

Pyetje: A i kemi ne kapacitete për të bërë kaq shumë testime sa ju thoni sepse laboratori i QSUT-së mund të bëjë 400 testime në ditë?

Lulzim Basha: Kjo nxjerr zbuluar propagandën, sepse kanë kaluar 5 javë dhe ne nuk kemi kapacitete të mjaftueshme laboratorike dhe mjaftueshëm kite. Kjo është arsyeja, të tjerat janë fjalë kot. E vërteta është se Shqipëria ishte e papërgatitur, qeveria u kap e papërgatitur. Gënjeu kur tha që ishte e përgatitur. Kishte më shumë se 45 ditë kohë që nga plasja e pandemisë aq më shumë që për fat të keq u angazhua një nga vendet fqinje tona siç është Italia dhe e ka harxhuar gjithë këtë kohë më justifikime, me propagandë dhe me gënjeshtra. Fakti është se Shqipëria vazhdon të mbetet vendi me kapacitetet më të ulëta testuese dhe për rezultat nuk ka testime. Pa testime ne nuk mund të dimë ku janë të infektuarit, ku janë të prekurit, ku janë kontaktet e tyre që t’i izolojmë dhe të marrim masën e karantinës apo sipas nevojës t’i trajtojmë në spitalet tona. Pra hapi i parë janë testimet dhe kjo nuk është diçka që e ka shpikur Partia Demokratike apo opozita. Kjo është një kërkesë që përsëritet 10 herë në ditë nga të gjitha autoritetet shëndetësore dhe në fakt kjo është receta që ka përdorur Gjermania dhe vendet e tjera që duket se po fillojnë ta vënë nën kontroll pandeminë. Ndërkohë këtu shqiptarëve u kërkohet të rrinë në shtëpi, por nuk u tregojnë se çfarë plani ka qeveria për t’i nxjerrë nga shtëpia . në vend të kësaj zgjatet gjendja e emergjencës dhe prapë nuk tregohet se çfarë do të bëhet me testimet! Çfarë do të bëhet për ta gjurmuar, për ta izoluar virusin se vetëm me këto dy hapa pastaj mund të planifikohen hapa të tjerë me risk sa më të vogël për njerëzit dhe për ekonominë. Pa bërë këtë gjithçka tjetër është të vazhdojmë të ecim me sy të mbyllur, por me sy të mbyllur edhe vendi, edhe shëndetësia, edhe shëndeti i njerëzve, edhe ekonomia dhe mund të përfundojmë në greminë.

Pyetje: Megjithatë hapja e një sërë sektorësh sot është ajo që ju kërkuat një ditë më parë. A është një nga pikat e platformës tuaj?

Lulzim Basha: Edhe njëherë, të marrësh hapin e pestë e të thuash që po e bëjmë këtë hap nuk ka gjë më të gabuar, sepse natyrisht pasi hidhesh nga avioni, do të përfundosh në tokë. Çështja është do të hidhesh me parashutë dhe do të përfundosh shëndoshë e mirë apo do të bëhesh copë e thërrime ndërkohë që bie. Dhe strategjia e një hapje pa e ditur dhe pa pasur asnjë plan sesi do të kontrollosh infeksionin është një strategji që mund të rezultojë në probleme shumë të mëdha.

Pyetje: Sot janë nisur 60 infermierë në drejtim të Italisë, keni një opinion sa i përket këtij veprimi, jeni pro apo kundër?

Lulzim Basha: Pa diskutim ne duhet t’i gjendemi pranë Italisë e cila po vazhdon të ketë një situatë kritike, por ka një hipokrizi që nuk i ka shpëtuar as italianë dhe as shqiptarëve. Një vrapim drejt propagandës ku nga njëra anë trumbetohet diçka që në fakt është një detyrim moral para një kombi dhe para një shoqërie që na ka ndihmuar kaq shumë në këto 30 vite siç është Italia. Dhe nga ana tjetër bashkëatdhetarët tanë i lanë në Kapshticë, në Kakavijë dhe në pikat e tjera kufitare sikur mos të ishin njerëz. Pra është ky standardi i dyfishtë  që tjetër gjë bëhet e tjetër gjë thuhet. Trumbetohet më të madhe diçka që siç e thashë është një detyrim moral dhe është një gjë e mirë që bëjmë gjithçka për ti ardhur në ndihmë italianëve në këto kohë, por nga ana tjetër ka një shpërfillje totale, një arrogancë dhe një qasje, do të thoja në kufijtë e çnjerëzores, me kategori të tërë shqiptarësh të cilët vazhdojnë të vuajnë për shkak të virusit dhe për shkak të masave të marra prej virusit.

 

“QEVERIA PO IMPROVIZON, ÇFARË SHPALL NË DREKË, E NDRYSHON NË DARKË”, BASHA: KURBA E INFEKSIONIT SILLET SI I PARI I QEVERISË, PA STABILITET

Pyetje: Ka kritika se Kryeministri Edi Rama është duke menaxhuar situatën me koronavirusin në një mënyrë autoritariste. Madje pretendimet shkojnë më tej sa thonë se shefi i qeverisë po e përdor situatën për të shtuar fuqinë e tij.  Lejet për qytetarët dhe fashat orare për daljet nga karantina së pari por edhe propozimet e ndryshimeve ligjore që maxhoranca miratoi me forcën e kartoni në Parlament duke se e çojnë edhe më tej këtë shqetësim. Si mendoni ju?

Lulzim Basha: Kjo është një tjetër simptomë e qeverisjes improvizuese, e qeverisjes së papërgatitur që diçka thotë në mëngjes dhe e ndryshon në drekë dhe pastaj atë që thotë në drekë e ndryshon në darkë, shpall një masë të premten dhe e ndryshon të shtunën. Në vend që të përdorë institucionet, ligjin, Kushtetutën për t’u shërbyer qytetarëve përdor Facebook-un, për të vjedhur orë të  tërë përmes propagandës që në fund të fundit ku jemi? Aty ky ishim. Pesë javë në karantinë ekonomike dhe distancim social të qytetarëve dhe kurba e infeksionit vazhdon të sillet njësoj si i pari i qeverisë, me të njëjtën mungesë stabiliteti shkon lartë, shkon poshtë, për arsyen e thjeshtë, sepse qeveria nuk ka asnjë plan, nuk ka asnjë strategji, nuk ka ndërmarrë asnjë hap domethënës as për të frenuar përhapjen e virusit për të cilën duhet patjetër testimi, duhet një strategji e re testimesh. Duhet jo thjesht një rritje, por duhet një ndryshim kryekëput I qasjes së testimeve dhe as për të mbështetur shtresat në nevojë, për të mbështetur bizneset, të cilat sot në Shqipëri në letër marrin më pak sesa marrin në Kosovë, ndërsa në praktikë nuk kanë marrë pothuajse asgjë fare. Dhe kësaj sjellje improvizuese, çfarë themi tani e ndryshojmë pas dy orësh, kësaj i shkojnë për shtat edhe këto lloj vendimesh të cilat pastaj më kot mundohen ti veshin me ndryshime qesharake, dhe sa na takon ne antikushtetuese dhe totalisht të paligjshme si ato që adoptoi Parlamenti ilegjitim para një jave.