Qindra qytetarë të Elbasanit protesuan sot në zemër të qytetit, në parkun Rinia, duke kërkuar largimin e Edi Ramës.

Të gjithë bashkë, qytetarët protestues marshuan përmes parkun dhe bulevardit kryesor të qytetit duke i bërë thirrje qytetarëve të Elbasanit të bashkohen në protestën e madhe me 16 shkurt në Tiranë.

Rikthimi i shpresës për të jetuar në Shqipëri, mundësi punësimi, uljen e çmimeve të naftës, dritave, ushqimeve, ndaljen e betonizimit të skajshëm, ndaljen e krimit që ka marrë peng qytetin e Elbasanit, ishin kërkesa kryesore të protestuesve.

“Ka ardhur koha që të protestojmë vëllezër. Ekonomia jonë është e dobët dhe vetëm na kanë gënjyer. Ku janë 200 mijë vendet e punës? Ne i kërkojmë qeverisë që të ulet çmimi i karburantëve, i energjisë, të hapë vende pune që fëmijët tanë të mos ikin jashtë shtetit. Vendi ynë është këtu. Ndaj në datën 16 të jemi të gjithë në Tiranë. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve”, tha një prej pensionistëve të Elbasanit.

“U bëj thirrje të gjitha grave dhe nënave në 16 shkurt të jemi të gjithë në Tiranë. Të jemi në emër të fëmijëve tanë, në emër të gjallërimit të jetës në këtë vend që fëmijët të mos largohen nga ky vend. Ky vend po vdes cdo ditë dhe ti japim shpresë”, apeloi një qytetare e Elbasanit.

“Ky qytet nuk mund të jetë arkivol ndaj me 16 shkurt duhet t’i japim shuplakën dhe shkelmin e duhur Edi Ramës”, tha aktivisti Aulon Kalaja.

Në përfundim të protestës, qytetarët e Elbasanit bënë thirrje për bashkim për të ndalur rrënimin e qytetit të tyre nga krimi i organizuar që po i merr të ardhmen qytetit të tyre. ​