Juela Hamati, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD, është zgjedhur përfaqësuese e Shqipërisë në Rrjetin Europian të të Rinjve për Demokraci (EDYN), njëkohësisht edhe Presidente e këtij Rrjeti. Ky është një rrjet me të rinj të angazhuar në parti politike dhe në organizata të shoqërisë civile, i mbështetur nga USAID.

E intervistuar nga zyra e USAID në Shqipëri ,Juela Hamati tregon se kandidatura e saj ishte sugjeruar si më e përshtashmja për të përfaqësuar Shqipërinë si nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, (IRI) ashtu edhe nga partneri tjeter i Departamentit te Shtetit, Instituti Kombëtar Demokrat (NDI)

“Anëtarët e EDYN janë të rinj që e duan, shqetësohen për vendin e tyre dhe duan t’i ndryshojnë gjërat për mirë më vendet e tyre. Personalisht, përpiqem t’i ndryshoj gjërat duke u përfshirë politikisht, ndërsa shumë të rinj të tjerë të Rrjetit janë të përfshirë me shoqërinë civile- thotë Juela Hamati gjatë intervistës së saj me përgjegjësen e Programeve në Ambasadën e SHBA, Erin

Juela mendon se diversiteti është forca e Rrjetit, çka e bën këtë organizatë unike dhe të ndryshme nga gjithë të tjerat në Europë.

“Edhe pse kemi ideologji të ndryshme, ne kemi probleme dhe çështje të përbashkëta, për të cilat shqetësohemi njësoj, pavarësisht se jemi në vende të ndryshme të Europës. Duke identifikuar këto probleme, ne kemi mundësi të gjejmë një zgjidhje për problemin”-shprehet Juela Hamati gjatë intervistës.

E pyetur se cila ishte ngjarja politike, ku u angazhua për herë të parë, Juela Hamati tregon se ato ishin zgjedhjet lokale të vitit 2011, kur ajo ishte 16 vjeç, në shkollë të mesme.

“Në atë kohë, përballë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës që kishte drejtuar qytetin për 11 vjet, garonte një i ri. Edhe pse isha tepër e re për të kuptuar të gjitha teknikalitetet apo detajet, ndjeja se qyteti kishte nevojë të ndryshonte dhe shpresoja se ky i ri, Lulzim Basha, të fitonte. Mendova se ishte koha të ndaloja të shpresoja pa bërë asgjë dhe nisa të veproja. Dhashë kontributin tim modest që të ndihmoja të riun Lulzim Basha të fitonte zgjedhjet. Dhe ai fitoi.”.

Përfshirja në Rrjetin Europian të të Rinjve për Demokraci e ka ndihmuar Juelën të bëjë atë që nuk e kishtë imagjinuar disa vite më parë: të punojë me njerëz të ideologjive të ndryshme nga e saj “Nëse injorojmë njëri-tjetrin, nuk mund të arrijmë asgjë. Pra, është e rëndësishme të punojmë me njerëz nga grupe të ndryshme politike dhe  shoqërore.”- shprehet Juela Hamati.

Erin:  Ajo që thoni është mbresëlënëse. Cila është këshilla që ju do të përçonit tek udhëheqësit politikë sot në Shqipëri, që të mund të jenë në gjendje t’u zgjasin dorën kundërshtarëve, për të qenë të suksesshëm në mbështetjen e tyre ndaj qytetarëve të Shqipërisë?

Juela: Nëse duam të mbështesim qytetarët e Shqipërisë, ne duhet të mbështesim së pari të rinjtë, sepse ata janë e ardhmja. Nuk do të mbetet më njeri në këtë vend, nëse nuk e mbështesim të ardhmen e këtij vendi, që janë të rinjtë. Pra, para së gjithash, mendoj se secila

parti politike duhet të mbështesë të rinjtë që të marin të gjitha rolet, role të rëndësishme, jo vetëm t’i përfshijmë, por edhe t’i promovojmë ata, që të marrin role ekzekutive në parti apo në administratën publike. Unë gjithashtu kam një kërkesë për partitë politike: do t’ju kërkoja atyre të ndalojnë ikjen e trurit. Shumë të rinj të mirë-arsimuar po largohen nga vendi dhe kjo nuk është e mirë për të ardhmen tonë.”

E pyetur se çfarë mësoi nga udhëtimi në SHBA, i mundësuar nga USAID,  ku takoi

ligjëvënës, ekspertë në politikë, kolegë të rrjetit, Juela Hamati këmbënguli tek bashkëpunëmi mes palëve. “Ne duhet të dëgjojmë njëri- tjetrin , të jemi mendje hapur dhe gjërat pastaj vijnë vetë.”

Por çfarë i ka bërë më shumë përshtyje Juelës nga vizita në SHBA, për të cilën ka menduar se këtë gjë duhet ta sjellë edhe në Shqipëri?

“Është një mësim që mora nga vizita në Gettysburg të Pensilvanisë. Ne nuk duhet t’i marrim gjërat si të mirëqëna. Liria , demokracia nuk duhen marrë si të mirëqëna sepse nuk janë të lehta për t’u arritur. Ne duhet të luftojmë për to çdo ditë në mënyrën tonë.”- thotë Juela Hamati, e zgjedhur  përfaqësuese e Shqipërisë dhe drejtuese në Rrjetin Europian të të Rinjve për Demokraci.