Sot, kam pritur përfaqësues të nderuar të Aleancës për Teatrin, artistë dhe intelektualë të shquar, njerëz me kontribut të jashtëzakonshëm për dekada me radhë radhë për artin, kulturën, për vetëdijen e shqiptarëve, përfaqësues të elitës së mendjes dhe shpirtit të shqiptarëve, të cilët ndajnë një shqetësim të madh që është edhe shqetësimi i qindra mijëra qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, artdashësve dhe padyshimi shqetësimi i Partisë Demokratike dhe i imi personalisht.

Nesër në Kuvendin e Shqipërisë do të kryhet një akt antikushtetues. Në vend të rrëzimit apo pranimit të dekretetit të Presidentit të Republikës për ligjin korruptiv Rama-Fusha, do të amendohet ky ligj për t’i hapur rrugën një procesi fasadë 30 ditor, në fund të së cilës krimi i organizuar dhe përfaqësuesit e tyre përsëri do të marrin lejen për të gllabëruar pronën publike, për të shkatërruar një perlë të kulturës, historisë, trashëgimisë kulturore dhe memories qytetare dhe kombëtare, siç është rrethi kulturor Skënderbeg, Teatri Kombëtar dhe për të pastruar paratë e krimit dhe të drogës me një përfitim marramendës prej 200 milionë eurosh për Edi Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë krim.

Partia Demokratike ka një qendrim të qartë dhe të pandryshuar. Ligji Rama-Fusha është një ligj antikushtetues. Ai duhet të rrëzohet nesër në parlament.

Do t’i them sot çdo deputeti të rilindjes që do të jetë në atë sallë se votimi i një ligji që do t’i hapë rrugë shkatërrimit të teatrit është i papranueshëm për Partinë Demokratike; është akt grushti shteti dhe vendos çdo deputet të rilindjes në pozita të barabarta me terroristët, terroristët të cilët, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, tjetërsojnë pronën publike, shkatërrojnë memorien historike, gllabërojnë dhe shkatërrojnë vlerat kulturore për të mbushur xhepat e Edi Ramës dhe kriminelëve që bashkëqeverisin vendin me të.

Nesër opozita do të mbajë një qendrim të qartë dhe të prerë, në varësi të ngjarjeve. Sonte secili prej kartonmbajtësve të rilindjes në Kuvendin e Shqipërisë ka orët e fundit të reflektojë që nesër çdokush që ngre kartonin për të kaluar një ligj të tillë antikueshtetues dhe për të shembur në mes të terrorit shtetëror godinën e Teatrit Kombëtar do të trajtohet politikisht nga opozita si terrorist shtetëror.