Sapo kam pritur burrat, prindërit, baballarët nga Kukësi të cilët pasi u trajtuan në mënyrë shtazarake janë liruar me kusht ndërkohë që vazhdojnë të ndiqen penalisht. Shikojini këta njerëz, shikoni këta burra, shikoni fytyrat e tyre.

Këta janë njerëzit që mbijetojnë me mund dhe vështirësi dhe përballen me varfërinë ekspreme, shpërfilljen, mungesën e ndihmës ekonomike dhe shanseve për punë, të cilëve u është vënë taksa dhe trau tek dera.

Këta janë njerëzit në shtëpitë e të cilëve ka vetëm mjerim dhe varfëri, të cilët u ngritën për mbijetesën e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Këta janë njerëzit që Edi Rama i do në burg dhe për të cilët ka ngritur me hetuesinë politike Rama-Marku një proces për të terrorizuar qytetarët e Kukësit të cilët u ngritën për të drejtat e tyre.

Jam krenar që jam sot në krah të tyre dhe jam krenar që së bashku me deputetët e tjerë po hetohemi nga kjo hetuesi politike e cila në mënyrë të verbër mendon se mund të mbysë me akte të tilla revoltën e drejtë e njerëzve të thjeshtë.

Edi Rama është një frikacak i mbyllur në bunkerin e tij dhe nga bunkeri i tij nuk arrin dot të kuptojë dhimbjen, hallin, brengën që nxiti revoltën e këtyre njerëzve të thjeshtë për të mbrojtur familjet dhe fëmijët tyre.

Por futja në bunker është edhe fundi i autokratëve të korruptur e të inkriminuar.

Ndaj i bëj sot thirrje të gjithë shqiptarëve të vazhdojmë të gjithë së bashku kryengritjen qytetare. Aktin që ndërmorën qytetarët e Kukësit për të refuzuar grabitjen dhe padrejtësinë nga kjo qeveri, të vazhdojmë të gjithë deri në fitore në këtë përpjekje të përbashkët për ti dhënë fund njëherë e mirë një shteti grabitqar e të padrejtë.

Një shteti të privatizuar nga Edi Rama i cili për hir të xhepave të tij dhe të klientëve të tij vërsuli policinë kundër njerëzve të pambrojtur, i trajtoi ata si terroristë ndërkohë që kriminelët, trafikantët, ministrat e korruptuar, ata që jetojnë në saraje miliona dollarëshe, që kanë vënë miliona dollarë pasuri me lekët e taksës së qarkulllimit që vidhet dhe nuk shkon për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit dhe rrugëve të tjera, ata të japin përgjegjësi një orë e më parë para ligjit.

Kjo që ka nisur në Kukës nuk do ndalet dhe nuk do ndalemi derisa të lirohen të 11 qytetarët e Kukësit që mbahen me të padrejtë në qeli.

Nuk do të ndalemi deri të hiqet dhe anulohet taksa e Rrugës së Kombit. Nuk do të ndalemi derisa të ndalet persekutimi ndaj këtyre njerëzve dhe të shkojnë para ligjit urdhëruesit e kësaj dhune, projektuesit e kësaj dhune dhe egzekutuesit e kësaj dhune. Kjo është beteja jonë. Jemi dhe do të jemi deri në fund, deri në fitore në krah të këtyre njerëzve të thjeshtë.