Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në takim kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, z.Talat Xhaferri, me të cilin ndau vlerësimin dhe kenaqësinë që sjell caktimi i tij në krye të Parlamentit në vendin fqinj, si një shenjë kjo e emancipimit politik dhe progesit të shoqërisë maqedonase, si tregues i ecjes përpara në realizimin e të drejtave të shqiptarëve, dhe si pikë kulmore e bashkejetesës demokratike.

Partia Demokratike, tha z.Basha, e ka interesin e shqiptarëve dhe interesin kombëtar, në krye të qëndrimeve dhe vokacionit të saj politik.

Basha tha se PD ka mbështetur dhe ka nxitur vazhdimisht respektimin dhe përmbushjen e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe integritetin territorial të Republikës së Maqedonisë, si një interes strategjik i vendit tonë.

Kryetari i Partisë Demokratike nënvizoi se përmbushja e plotë e Marrëveshjes së Ohrit me avancimin e mëtejshëm të të drejtave të shqiptarëve dhe gjuhës shqipe atje, është rruga drejt sigurisë dhe stabilitetit në Maqedoni dhe më gjërë në rajon.

Partia Demokratike, theksoi Basha, do të vazhdojë të mbështesë pa u kursyer procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO.

Duke u ndalur në zhvillimet e brendshme, kryetari i opozitës, vuri në dukje se rreziku kryesor që kanos ëndrrën europiane për Shqipërisë dhe vendet e tjera të rajonit, është korrupsioni dhe krimi i organizuar i lidhur me qeverinë.

“Korrupsioni dhe krimi I lidhur me qeverinë, janë armiku numër një i demokracisë, i ekonomisë, i qytetarëve”, u shpreh Basha, duke theksuar se përgjigja ndaj këtyre fenomeve është ngritja dhe konsolidimi i institucioneve të pavarura, sidomos atyre të drejtësisë.

Basha bëri të ditur se opozita në Shqipëri do të luftojë deri në fund, për Kushtetutën, dhe për drejtësinë e pavarur që lufton krimin e korrupsionin.