Bashkëbisedim për plagën më të madhe të shoqërisë sot. Padrejtësitë skandaloze me largimet pa motiv nga puna, dhe zvarritja për të kërkuar të drejtën. Papunësia në rritje, dhe pagat skandaloze ku shfrytëzohen mijëra shqiptarë me orë të zgjatura

 

Paraditen e 1 majit në Sheshin e Lirisë u bashkuan qytetarë nga e gjithë Shqipëria të cilët biseduan me kreun e demokratëve Lulzim Basha për fenomenin e largimit të padrejtë nga puna dhe faturën e rëndë që kjo ka krijuar, faturë që rëndon edhe më shumë buxhetin e dërrmuar të shqiptarëve.

Drita Lamaj tregoi se mënyra se si e pushuan nga vendi i punës ishte diskriminuese, pasi me rëndësi nuk ishte eksperienca e punës dhe meritokracia, por prejardhja krahinore dhe përkatësia partiake.

 

Drejtoresha e gjimnazit Naim Frashëri në Durrës, Monada Mushketa pas një eksperience 20 vjeçare në arsim dhe pas arritjes së rezultateve të shkëlqyera për nxënësit e shkollës së saj, dha dorëheqjen nga posti i drejtoreshës. Mësuesja tregoi se ajo dhe kolegët e saj, të cilët mbeten pa punë për arsye që nuk lidhen fare me mësuesinë dhe profesionalizmin, mbeten mes katër rrugëve, pasi askush nuk i mundëson atyre transferimin në një shkollë tjetër.

 

Mushketa theksoi se shkarkimet bëhen në mënyrë selektive dhe mësuesit që largohen, nuk testohen apo vlerësohen paraprakisht.

 

Një tjetër mësues nga Durrësi, Veledin Rama, i shkarkuar nga puna dhe i zëvendësuar me një mësues me teser partie, falenderoi ata të cilët sakrifikojnë nga koha dhe mundi i tyre për të mbajtur në këmbë çadrën e protestës.

 

Këtë aksion e shoh si pengesën e fundit ndaj vendosjes së sistemit monist – tha Veledini duke i drejtuar thirrjen çdo qytetari shqiptar – ndaj gjithë ata që janë ngritur kundër diktaturës, duhet të qëndrojnë deri në fund të kësaj lëvizje, që qytetarë të gjithë Shqipërisë po e mbajnë me kaq sacrifice.

 

Eda Grimci me profesion avokate, tregoi eksperiencën e saj sallave të gjyqeve. Qytetarët pushohen nga puna pa arsyetim dhe enden sallave gjyqësore për të fituar të drejtën e tyre. Kjo e drejtë, si tregon avokatja, zvarritet edhe pas vendimeve të formës së prerë të gjykatave, të cilat vendosin për dëmshpërmblim monetar të të pushuarit nga puna. Këto para u merren shqiptarëve nga buxheti i tyre, nga taksat e qytetarëve shqiptarë.

 

Numri i të larguarve nga puna përbën rreth 30-40% të gjithë administratës. Këta enden me vendime gjykatash nëpër duar të cilat ende nuk janë zbatuar. Vetëm për vitin 2015 – 2016 në Gjykatën Administrative janë regjistruar mbi 5400 raste të reja të largimeve nga puna. 70 milion dollarë të shpenzuara nga buxheti i shqiptarëve vetëm për dëmshpërblim – tha Grimci.

 

Gladiola Bardhoshi tregoi se si në katër vite u largua dy herë padrejtësisht nga puna për arsye politike. E reja tha se pasi e larguan për herë të dytë vendosi të shkonte për azil dhe protestën e 18 qershorit në Tiranë e ndoqi nga përtej kufijve. Pas fjalëve të thëna ktu në këtë çadër dhe shpresës në to, vendosa të kthehem – tha Bardhoshi – vendosa dhe ti them kryeministrit se ky vend na përket të gjithëve ne.

 

Qytetarët të cilët denoncuan pushimin e tyre nga puna padrejtësisht, theksuan edhe faktin se çdo shqiptar që paguan taksa dhe tatime, sot paguan nga dy punonjës për çdo post në administratën shtetërore ku ka pasur parregullsi në largime nga puna. Taksapaguesit shqiptarë paguajnë njëherë ushtarin e Rilindjes të vënë në punë për shkak të ngjyrës vjollcë që i ka teseri i partisë, dhe njëherë dëmshpërblimin që qeveria e Rilindjes i paguan qytetarëve që i ka larguar pa të drejtë nga vendi i punës.

 

Lulzim Basha i tha qytetarëve se Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë në kohën kur qytetarët brohorisnin për lirinë dhe mirëqënien që nuk kishin, të shtypur nga një diktaturë mizore që shpenzonte 30% të buxhetit të shtetit për të ndërtuar bunkere.

 

“1 Maji është dita për të kujtuar se deri ku mund të poshtërohet një popull. Deri ku, mund të poshtërohet, një baba, një nënë para fëmijëve të vet, nga një rregjim i cili ka humbur cdo ndjenjë realiteti, cdo ndjenjë dhembshurie, cdo ndjenjë përgjegjësie, para fateve të popullit të vet.

 

E shkelën ligjin, duke nxjerrë nga puna mijëra punonjës publikë të trainuar me lekët e shqiptarëve, të trainuar me lekët e europianëve dhe amerikanëve, e shkelën ligjin për t’i nxjerrë nga puna, dhe sot janë prapë shqiptarët që do të paguajnë nga taksat e tyre 40 milionë deri në 70 milionë euro fatura, për të mbuluar padrejtësitë e Edi Ramës, për të paguar padrejtësitë e tyre, që nga njëra anë nxorrën nga puna nënpunësit, duke i lënë në mes të katër rrugëve, dhe nga ana tjetër, faturën për këtë paligjësi ia japin shqiptarëve”, tha Basha.

Basha theksoi se kush e harron historinë,  është i destinuar ta përsërisë. Kjo lëvizje popullore, ky bashkim i madh qytetar, e ka bërë zgjedhjen e saj dhe, ftesa ime, ndaj cdo shqiptari të ndershëm, që nuk dëshiron të zvarritet në këtë bulevard si para 27 vitesh, para oligarkisë krimit dhe pushtetit të inkriminuar të Rilindjes, është të ngrihemi e ti shporrim, me forcën e bashkimit popullor, deklaroi Basha.

 

Basha tha se dy instrumentet e diktaturës, propaganda dhe mashtrimi, janë arma e vetme e Kryeministrit, propagandë e cila e nxjerr edhe më zbuluar realitetin e shqiptarëve.

 

“Sot, shpallën mashtrimin e ditës së punës. Sipas kryeministrit 79 mijë e 980 të punësuar në 3 vite nga zyrat e punës. Pra, afërsisht 80 mijë vetë qenkan futur në punë nga zyrat e punës këto vite. Gënjeshtra më e turpshme më e pamoralshme, e njeriut që premtoi 300 mijë vende pune, e sot në fund të mandatit të tij ka për bilanc 300 mijë shqiptarë të larguar nga vendi i tyre në azil politik. Ky është fakt.

 

Fakti tjetër është i botuar nga Banka Botërore, nga Elen Goldshtajn, një mikeshë e kryeministrit, e cila ka firmosur qindra milionë euro kredi, që kryeministri i ka vjedhur, i ka shpërdoruar dhe abuzuar. Raporti shkruan se në gjashtë vitet e fundit në të gjithë Ballkanin Perëndimor, janë krijuar 300 mijë vende pune. Në gjithë Ballkanin perendimor, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni,  Mal i Zi, Kroaci, Bosnje. Vetëm në Shqipëri e Bosnje nuk janë krijuar vende pune, por janë humbur vende pune. 2,4%, vende pune më pak në Shqipëri, 5% më pak në Bosnje”.

 

Ky raport, konfimon atë që cdo shqiptar e di fare mirë, e di; në Shqipëri me Edi Ramën, ekonomia u shkatërrua, vende të reja pune nuk u krijuan, por vendet ekzistuese të punës u asgjesuan nga Rilindja, nga krimi, nga korrupsioni.

Lulzim Basha tha se qeveria me dekrete tenton të fshehi pas fasadave problemet e shqiptarëve.

 

“Para disa javësh deklaruan se do të rrisin pagën minimale nga 22 në 24 mijë lekë në muaj.  Por shqiptarët e dinë mirë se pagat e rritura me dekret janë zero, nuk vlejnë aspak sepse pagën dhe mirëqenien e rrit ekonomia, jo dekreti. Po nuk u rrit ekonomia, nuk rriten pagat.  Unë kam qenë në dhjetëra punëdhënës të mëdhenj dhe kam pyetur punëmarrësit dhe kryesisht punëmarrëset femra, sa është paga e tyre reale, kur paga minimale me ligj ishte 22 mijë lekë. Ato merrnin 150 apo 160 mijë lekë të vjetra, pra 15 apo 16 mijë lekë të reja. Kjo është paga reale e shqiptarëve që punojnë 6 ditë në javë me orare të zgjatura, me kushte të mjera pune dhe një pagë të padenjë për realitetin gjeografik europian”.

 

Lulzim Basha i tha qytetarëve se e vetmja pengesë e Edi Ramës për të ruajtur pozicionin e tij dhe klientëve të tij, janë zgjedhjet e lira ndaj kërkon ti kapë ato me cdo kusht.

 

“Kjo betejë për të ndalur me çdo kusht zgjedhjet e lira dhe të ndershme, para se të jetë një betejë politike për rilindjen, për Edi Ramën është një betejë ekonomike, është një betejë për burime, është një betejë për të ruajtur kontrollin mbi të ardhurat, mbi buxhetin, mbi tenderat, mbi koncensionet, mbi pasuritë e shqiptarëve. Ndaj mosbindja civile do të shtrihet në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo fshat për të kulmuar në 18 qershor ku shqiptarët e bashkuar do të rimarrin kontrollin fizik të Shqipërisë që i takon dhe iu takon vetëm atyre dhe kurrë krimit, drogës dhe qeverisë së lidhur me ta”, deklaroi Lulzim Basha.