Pyetje: Zoti Basha, a vendosi Grupi për një draft përfundimtar të Partisë Demokratike?

Basha: Siç e bëmë të ditur kjo javë u mor për të shqyrtuar propozimet e Partisë Demokratike për aspektet politike të reformës, të cilat siç theksojnë edhe ekspertët ndërkombëtarë, autorë të draftit të tretë, por siç thekson edhe Komisioni i Venecias janë përgjegjësi e vendimmarrjes së legjislatorit, pra të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Kështu që sot për më shumë se dy orë grupi parlamentar diskutoi në mënyrë shumë të hapur dhe konstruktive mbi draftin e propozimeve kushtetuese të hartuar nga ekspertët tanë sa i përket dy komponentëve, arkitekturës dhe vendimmarrjes.

Do ta bëj të qartë për të gjithë ata që nuk e kanë kuptuar, se ka edhe nga ata që e kanë kuptuar por bëjnë sikur nuk e kanë kuptuar: tek vendimmarrja ne qëndrojmë fort mbi propozimin e bërë nga faktori ndërkombëtar për vende të rezervuara. I kemi thënë “Po” dhe për ne këtu çështja konsiderohet e zgjidhur. Sigurisht duhet dhe pala tjetër të shprehë vullnetin për të cilin kemi marrë garanci nga faktori ndërkombëtar.

Për arkitekturën, “Venecia” e thotë qartë, drafti e përsërit në pjesën të kuqe mbi të bardhë se arkitektura që pamundëson kapjen politike është përgjegjësi e legjislatorit. Pra, nuk ka dhe nuk mund të ketë NJE formulë, e në veçanti nuk mund të ketë pranueshmëri të një formule e cila nuk garanton moskapjen politike.

Thënë më shkoqur, Partia Demokratike nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë kurrë institucione të drejtësisë që lënë shtegun e hapur për një drejtësi alla Shullaz dhe alla Kokëdhima. Me fjalë të tjera, ku Kryeministri aktual apo cilido kryeministër në të nesërmen të fusë duart e të bëjë çorbën sipas qejfit të tij.

Këtë Partia Demokratike nuk e pranon dhe kjo nuk duhet t’i vijë askujt si çudi, sepse ne këtë e kemi thënë prej ditës tonë të parë. Prej ditës tonë të parë kemi thënë Po për Reformën në Drejtësi, por jo kapjes politike. Dhe sot qëndrojmë për të njëjtin parim, Po Reformës në Drejtësi. Aspektin antikorrupsion, atë që iu nxin jetën qytetarëve, korrupsionin në nivele të larta qeveritare, korrupsioni në drejtësi, kemi që në mars që themi ejani të votojmë amendamentet, sigurisht bashkë me aktet ligjore dhe ti hapim rrugë.

Nuk duan ti votojnë, duan ti votojnë të gjitha bashkë. Dakord! Por kurrsesi nuk mund të përdoret kjo për ti bërë presion opozitës me hipokrizira të tilla si: ka kohë e s’ka kohë. Parimi është më i rëndësishmi dhe parimi është drejtësi e pakapur.

Drejtësi alla Shullaz, alla Prenga, drejtësi alla Kokëdhima ne nuk kemi pranuar dhe nuk do të pranojmë kurrë. Drejtësi të standardit europian, kemi sugjerimet tona, propozimet tona. Mendoj unë janë jashtëzakonisht të shoshitura, të bazuara mbi standardin europian. Nëse ka vullnet të ulemi, ti negociojmë dhe të ecim përpara.

Pa dyshim që kjo kërkon kohë dhe jo presion, dhe as  hipokrizi. Sepse në qoftë se ka një gjë urgjente sot në Shqipëri është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ta harrojnë kushdo që profeson ndryshe se Bashkimi Europian do ti hapë dyert për negociata një Shqipëria që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Bashkimi Europian kurrsesi nuk mund dhe nuk do t’ia hapë negociatat Shqipërisë për sa kohë që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe koha për të rënë dakord, për të krijuar sëbashku kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme po mbaron. Kjo është koha që po mbaron, e në veçanti për propozimin tonë për votimin elektronik, votimin biometrik që po kështu do të thotë numërim elektronik.

Dhe Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi 100 për qind të përkushtuar për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse pa zgjedhje të lira dhe të ndershme gjithçka tjetër është fiasko, është falso, është kot dhe kot do të përfundojë.

Kjo është Republikë Parlamentare, nuk është Republikë Prokuroriale, as nuk është Republikë Gjyqësore.

Nëse zgjedhjet e ardhshme shqiptarët nuk kanë mundësi të zgjedhin me votën e tyre të lirë dhe të ndershme një qeverisje të përgjegjshme dhe përgjegjëse ndaj tyre nuk ka prokuror dhe gjyqtarë ta shpëtojë republikën.

Prandaj zgjedhjet e lira dhe të ndershme të cilat zunë një pjesë të mirë të debatit  dhe të diskutimit në grupin parlamentar janë prioriteti numër një i vendit. Siç është prioritet absolut edhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, për të cilin sapo ka nisur procesi i verifikimit. Nguti për ta asgjësuar ligjin akoma pa nisur procesi i verifikimit tregon që pas ferrave ka jo lepur por derra të mëdhenj.

Por le t’ia lëmë ligjit bashkë me kërkesën tonë ndaj organeve përkatëse, e në veçanti ndaj prokurorisë që të bëjë verifikime të plota, të shpejta për personat me rekorde kriminale në Parlamentin e Shqipërisë. Sot që flasim i kanë fshehur ato, sipas të dhënave paraprake që ne disponojmë dhe po i verifikojmë por edhe po kështu në institucione të tjera.

Dekriminalizim, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të hapur për t’i dhënë formë përfundimtare reformës në drejtësi. Ku kemi rënë dakord tashmë në aspektin antikorrupsion për të cilin shqetësohen qytetarët dhe ku për aspektin e arkitekturës të institucioneve kushti ynë i vetëm është ai që ka qenë prej ditës së parë, drejtësi e pakapur, jo drejtësi alla Shullazi, jo drejtësi alla Kokëdhima, drejtësi e pakapur e standardit europian. Dhe për këtë Partia Demokratike nuk është gati të bëjë kompromis për cilësinë. Sigurisht është gati të negociojë për zgjidhje dhe alternativa të ndryshme që do të mishërojnë një drejtësi të pakapur.

Pyetje: Zoti Basha a mund të quhet hipokrizi deklarata e ambasadores së Bashkimit Europian se koha është tani për të miratuar reformën sepse do të ikë koha për të marrë ftesën për hapjen e negociatave për anëtarësim?

Basha: Deklaratat e ambasadorëve i komentoni ju sepse duhet të kuptoni që unë kam punë më të rëndësishme sesa komentet e deklaratave të ambasadorëve. Por mund t’ju them se Bashkimi Europian nuk mund dhe nuk do të hapë kurrë dyert e negociatave për një vend që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Faleminderit! Ditën e mirë!


Prononcimi per mediat i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, 25 Maj 2016