Sapo përfundoi Konferenca e Kryetarëve ku u mor në shqyrtim kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për marrëveshjen me mirëkuptim mes qeverisë shqiptare me CEZ. Për fat të keq, nga diskutimet që u bënë në Konferencën e Kryetarëve, maxhoranca vazhdon me praktikat e vjetra të kundërshtimit të iniciativave të opozitës për të ngritur komisione hetimore parlamentare, me argumenta që tashmë janë adresuar mirë nga Gjykata Kushtetuese, si argumenti që paralelisht po heton edhe prokuroria për këtë çështje.

Gjykata Kushtetuese është shprehur në vitin 2014, me rastin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për serverin e tatimeve, se fakti që heton Prokuroria nuk e përjashton Kuvendin të ngrejë komisione hetimore parlamentare dhe të hetojë të njëjtën çështje nga pikëpamja administrative. Madje është shprehur fare qartë që të dy organet nuk zëvendësojnë dot njëri tjetrin dhe kanë fusha të përcaktuara dhe për rrjedhojë mund të hetojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

Po kështu mazhoranca përdor truke, duke propozuar që komisionit hetimor parlamentar i propozuar nga ne, ti zgjerohet fusha e objektit, duke hetuar dhe marrëveshjen për privatizimin e CEZ dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje, gjatë viteve që funksionoi privatizimi. Dua të them që ne nuk jemi kundër asnjë lloj iniciative për të hetuar çdo periudhë të privatizimit dhe funksionimit  të CEZ në  sektorin energjitik shqiptar, gjë që e kemi shprehur dhe në debatin që është zhvilluar para disa muajsh rreth kësaj çështjeje. Është e drejta e mazhorancës ta kërkojë këtë komision. Ne do ti japim edhe votat e opozitës, në mënyrë që të ngrihet dhe mazhoranca të hetojë çdo gjë që mendon se ka vend për të hetuar. Ka pasur kohë në periudhën kur ka qenë opozitë që të mund ta ngrinte këtë komision, por nuk e ka ngritur. Ka rastin ta ngrejë edhe tani që është në mazhorancë madje ka edhe më shumë mjete e mundësi të hetojë të gjithë periudhën që nga privatizimi dhe funksionimi i CEZ në Shqipëri. Por me këto truke, me këto marifete nuk mund të pengojë punën dhe objektivin e opozitës për të hetuar zgjidhjen me mirëkuptim të marrëveshjes ndërmjet qeverisë shqiptare dhe CEZ, një aferë ku te paktën 500 milionë euro iu morën shqiptareve. Sigurisht nuk pati mirëkuptim nga mazhoranca për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe u la që të arrihet ndoshta deri të enjten, që të mund të konsultohet më mirë, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të vihet ndoshta me ndonjë vendim të ri, ditën e enjte. Por në thelb ajo që desha të theksoj është se po vazhdohet me taktikat e mosrespektimit të vendimeve  të Gjykatës Kushtetuese, për të cilët kemi pasur një dakortësim, një marrëveshje në Dhjetor të 2014, ku pati dhe ndërmjetësim të ndërkombëtarëve.
Qëndrimi që u mbajt në Konferencën e Kryetarëve ka të bëjë pra me shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët janë e zezë mbi të bardhë të qartë që është e drejta e pakicës të kërkojë ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare për një cështje dhe është detyrim i mazhorancës, i Kuvendit ta ngrejë këtë komision dhe ta miratojë pa ekuivoke. Kjo gjë nuk po ndodh deri tani dhe shpresoj  të korigjohet ditën e enjte.


Prononcim i nënkryetarit të Kuvendit, Edmond Spaho pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, 12 Prill 2016