Bashkë me naftën e me mallrat e tjera, dhe me pasagjerët për 25 vite me radhë, hekurudha Ballsh-Fier-Vlorë do të marrë me vete edhe mandatin e deputetes Valentina Leskaj, nënkryetare e Kuvendit.

Ekskluziviteti që Edi Rama i dha djalit të nënkryetares së Kuvendit, nuk është vetëm një korrupsion i pastër e ndarje privilegjesh, por njëkohësisht është shkelje e rëndë e ligjit.

Ky fakt përbën shkelje flagrante të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar.

Neni 24 i këtij ligji, parashikon shprehimisht se personat e lidhur me deputetin, fëmija madhor i një deputeti nuk mund të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik.

E zezë mbi të bardhë.

Pika 1 e nenit 21 shprehimisht përcakton: “Asnjë individ, kur ky njësohet me një zyrtar në njërin nga funksionet e përcaktuara nga ligji (ku përfshihet edhe deputeti), nuk mund të lidhë kontratë apo nënkontratë me asnjë institucion publik”.

Ndërkohë pika 3 e nenit 24 parashikon se: “Ndalimet dhe kufizimet për zyrtarin, (deputetin) zbatohen edhe për personat e lidhur me të, ku sipas ligjit përfshihet edhe fëmija në moshë madhore (pika 1 e nenit 24)”.

Po pavarësisht këtij ndalimi, Edi Rama ka standardin e tij të dyfishtë dhe kur vjen puna tek miqtë e tij, ligji pushon së ekzistuari. Ndaj ai lidhi kontratë me djalin e Valentina Leskajt.

Nga dita që hekurudha Ballsh-Fier-Vlorë mori emrin hekurudha Leskaj, nënkryetarja e Kuvendit është në shkelje të ligjit, është në papajtueshmëri me ligjin, çdo ditë që mban mandatin, çdo ditë që paraqitet në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga dita e dhënis së këtij koncesioni zonja Leskaj është në shkelje të Kushtetutës, ku neni 71 i saj parashikon rastin e papajtueshmërisë së mandatit.

Partia Demokratike do të paraqesë sot në Kuvend kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetes Leskaj.

Partia Demokratike nuk do të lejojë shkeljen e ligjit dhe do ta çojë deri në fund këtë çështje.


Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani