Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit, z. Hoyt Yee, i cili shoqërohej nga ambasadori i SHBA-së në Tiranë, z. Donald Lu.

Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që SHBA dhe ambasadori Lu po i japin iniciativës së Partisë Demokratike për procesin e dekriminalizimit.
Kryetari i Partisë Demokratike ndau shqetësimin për mungesën e vullnetit të mazhorancës për të miratuar aktet ligjore që do të ndalonin personat me precedentë kriminalë të garonin në zgjedhjet e 21 qershorit dhe të promovoheshin ne administratën publike.

Zyrtarët e lartë amerikanë përgëzuan z. Basha  për hapat konkretë dhe vullnetin e treguar në një vendimmarrje të guximshme për të çuar përpara procesin e dekriminalizimit. Lideri i opozitës Lulzim Basha ka ritheksuar se për Partinë Demokratike është më e rëndësishme pastërtia e figurës së kandidatit sesa kalkulimet elektorale, gjë që u vlerësua si një standard i lartë, vendosur nga Partia Demokratike.

Me gjithë angazhimin e Partisë Demokratike – tha z. Basha, ka mungesë vullneti nga ana e mazhorancës, për të realizuar procesin e dekriminalizimit e cila vazhdon të promovojë  persona me precedentë kriminalë të cilët janë sot pjese e garës për kryetarë bashkie.

Një vend të rëndësishëm në këtë takim zuri dhe situata zgjedhore në Shqipëri, ku z. Basha ka shprehur shqetësimin për përpjekjet e vazhdueshme të mazhorancës për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve, duke vënë në rrezik standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Basha theksoi se dyshja Rama-Meta ka nisur të ngrejë skemën e blerjes së votave, duke u bërë presion të hapur drejtorëve te administratës publike, për të blerë votat përmes  falsifikimit të  kartave të identitetit e shtimit të votuesve në zona të ndryshme të vendit, fakte të cilat janë bërë publike dhe çuar para drejtësisë, konkretisht në Durrës dhe në Kavajë.

Kryetari i PD-së shprehu shqetësimin edhe për dhunën e ushtruar ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike gjatë tubimeve elektorale. Z. Basha solli në vëmendje rastin e Durrësit, ku militantët e PS dhunuan anëtarë të PD-së, rastin e Ersekës ku u tentua të goditet kryetari i opozitës, rastin e Malësisë së Madhe, ku pas takimit elektoral, policia ushtroi kontrolle ndaj simpatizantëve të PD-së. Në Vorë dhe në Sukth, persona me precedentë kriminalë, të armatosur janë vënë në shërbim të Partisë Socialiste dhe LSI dhe terrorizojnë banorët.

Kulmi i shantazhit qeveritar është presioni i hapur që i bëhet kandidatit të Partisë Demokratike në Vorë apo kandidatit të Ersekës që është kërcënuar nga ministri i Mjedisit. Dhuna policore dhe presioni ndaj disa kandidatëve janë një shembull i keq i përdorimit politik nga qeveria të Policisë së Shtetit, me përpjekjen për të shantazhuar mbështetësit e opozitës.

Sipas zotit Basha është e dënueshme dhe e papranueshme gjuha fyese e kryeministrit ndaj kandidatëve të opozitës dhe presioni e kërcënimet që ai u bën qytetarëve, kur thotë se do të bllokojë fondet nëse nuk votojnë kandidatët e tij. Po ashtu, u denoncuan edhe rastet e vendosjes së qeverisë dhe aseteve të saj në shërbim të kandidatëve të majtë, si një shkelje flagrante e Kodit Zgjedhor. Kjo situatë po dëmton procesin normal zgjedhor, – theksoi z. Basha.

Pasi u njoh me situatën nga zoti Basha, zëvendës – ndihmës sekretari i shtetit, z. Hoyt Yee tha se do të merren të gjitha masat që vëzhguesit e ambasadës së SHBA të jenë prezentë dhe monitorojnë me kujdes procesin në të gjithë bashkitë, në zgjedhjet e 21 Qershorit.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 8 Qershor 2015