Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma vizitoi vendodhjen e depozitimit të plehrave të qytetit në Porto Romano, e cila është kthyer në një burim ndotje alarmante për qytetin. Duma tha se pastrimi i qytetit është emergjencë dhe do të niset nga diferencimi i plehrave që kur hidhen nga qytetarët. Ajo u shpreh se do të ndërtohet një impiant modern i përpunimit dhe riciklimit të plehrave ç’ka do të mbrojë Durrësin nga ndotja e madhe dhe do të hapen vende pune.

“Kjo zonë është emergjencë për tu pastruar dhe për të kthyer riciklimin e plehrave edhe në një aktivitet ekonomik, siç e ka gjithë bota. Në fakt plehrat kanë nevojë për një tjetër trajtim. Kanë nevojë për trajtim që në burim ku i hedh secili nga ne. Do ti ndajmë plehrat në 3 kategori dhe do fillojmë që nëpërmjet procesit të riciklimit të ndërtojmë një fabrikë të reciklimit të plehrave shumë herë më moderne e cila është edhe për të shpëtuar ambjentin por edhe për vende pune”, tha Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 30 Maj 2015