Sa për dijeni z.kryeministër, si fillim, në Milot sot ka vdekur nga i ftohti një fëmijë 7 vjeç. Meqë jeni me kaq humor sot dhe bëtë mirë që folët për një orë e treçerek në këtë podium, sepse besoj se të gjithë shqiptarët e kanë parë se pse po shkojnë drejt rrënimit. E kanë parë se pse ky vend po shkon drejt shkatërrimit, vetëm se ka këtë kryeministër. E filloi, një orë e treçerek, dhe e përfundoi për opozitën, bile edhe për problemet e zorrës së trashë që ka ky kryeministër që kur ka qenë në rini, edhe për ato e ka fajin opozita. Ja se kë kemi kryeministër sot! Prandaj jemi në këtë gjendje! Bëre mirë që fole. Jam i detyruar të jap një përgjigje, jo për ty, për shqiptarët sepse edhe pse e kanë kuptuar edhe ata që të kanë dhënë votën në 23qershor, ata që të kanë dhënë realisht votën, prapë ne duhet t’i respektojmë si opozitë, duhet t’u japim atë që nuk mund t’ua japë kjo qeveri. Nuk mund t’ua japë ky kryeministër që fillon dhe mbaron fjalën me zorrën e trashë. Ky është kryeministri që keni, ky është kryeministri që do t’u shpëtojë, me gjithë problemet që po ky, ua krijon.

Tha këtu se opozita, si për gjithçka, qenka fajtore edhe për kriminalitetin që po rritet çdo ditë në Shqipëri. Sigurisht, ne nuk i urojmë askujt ti shkatërrohet prona, shtëpia me tritol, asnjë qytetari të thjeshtë, qoftë ky edhe Sajmir Tahiri, aq më tepër nuk i urojmë kujt t’i cenohet jeta, qoftë ky edhe kryeministri Rama. Janë të tjerë ata që e kanë zakon të fërkojnë duart. Eshtë ky këtu që e ka zakon të fërkojë duart kur të tjerëve u bien fatkeqësi, kur krimi kërcënon, kur krimi godet. Ky është, jo vetëm fërkon duart, por edhe e urdhëron krimin të veprojë.

Meqë e kishte merak, atë punën e gjyqit me mua dhe z.Ristanin. E dëgjuat prapë, burg tha, të ndërrojmë ligjin e bërë nga Bashkimi Europian edhe për shpifjen se kështu po fus në burg opozitën. Të jeni të bindur se burg do për të gjithë, sikur ta kishte në dorë të gjithë ne këtu në burg do të ishim. E ka gjetur edhe Ambasadën Jugosllave, vetëm ajo i mbeti të thoshte sot. Jemi ne që e kemi vënë bombën. Le ti marrë deputetët t’u bëjë një gjyq në bodrum, gjë që i bëri edhe mikut të tij Gjika dhe pastaj ti dërgojë policinë ti rrëmbejë e ti fusë në burg. Këtë ëndërron. Për të, një opozitë e mirë është ajo që është në burg, si babai i tij shpirtëror, e ëndërron. Sigurisht që do të gjej tjetër dhe shumë shpejt meqë po vazhdon kështu.

Thash lidhur me ngjarjen e para dy ditëve, nuk i urojmë askujt të keqen, as Sajmir Tahirit. Por nuk jemi ne fajtorët që gjendja ka ardhur këtu, përkundrazi, dhe na kërkojnë solidaritet: “Përse nuk solidarizohet opozita?!”. Të solidarizohemi për çfarë, luftën kundër krimit?! Kemi bërë shumë më tepër se kaq. Kemi paralajmëruar, kemi kaq kohë që paralajmërojmë, se kështu si po ecën kjo qeveri shumë shpejt as ajo vetë nuk do të jetë e mbrojtur nga krimi.

Pse jemi në këtë situatë sot? Sepse ky kryeministër, kjo mazhorancë, kjo qeveri që kur erdhi në pushtet erdhi në bashkëpunim me krimin, aleanca e qelbësirave. Aleanca e qelbësirave, bërtiste miku i Ramës, le të bëhet aleanca e gjithë qelbësirave që të vijë Rama në pushtet, u bë aleanca dhe këta erdhën në pushtet. Ka një shprehje që thotë: “Krimi nuk paguan pasi ka bashkëpunuar me ty për të sjellë në pushtet”. Sot krimi kërkon shpërblimin.

Tha që ne jemi gëzuar për atë që ndodhi, jo zotëri nuk jemi ne që urdhërojmë goditjen e deputetëve të opozitës dhe pastaj dalim në këtë podium dhe themi: “Dhuna verbale solli dhunën fizike”. Kjo është të fërkosh duart pas asaj që ndodhi. Nuk jemi ne që, kur krimi kërcënon kryetarin e opozitës, çfarë bën kryeministri?!

Nuk hesht, se kjo do të ishte e keqja më e vogël. Ndërkohë që krimi kërcënon kryetarin e opozitës, ky zotëria kërcënon Sekretarin e Përgjithshëm dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Siç bëri edhe sot, se do ti fusë në burg. Prandaj po i rikthehem edhe një herë çështjes që kishte me merak, gjyqin që ka me kryetarin e Grupit Parlamentar dhe jo me Edi Palokën dhe me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike. Po e përsëris, se, nëse mendon se është aq i trashë dhe nuk ka kuptuar akoma në këto 25 vite, në qoftë se realisht mendon se mund të na trembë, atëherë është tërësisht jashtë realitetit. Në qoftëse i shkon në mend. Në qoftëse mendon se mund të na trembë me kërcënime kriminelësh apo me burg?! Ta harrojë, do të thotë se s’ka njohur asgjë nga ky grup. Nuk na ka njohur hiç. Për gjyqin po i them që të përgatitet, po ja bëj favor. Nuk do të jetë shou siç e mendon ky zotëria, të përgatitet të sjellë në Gjykatë tabulatet e telefonave. Të përgatitet t’u përgjigjet dokumenteve, shërbimeve të huaja, ku janë përgjuar telefonat e këtij që sot është kryeministër. Të përgatitet për ekspertiza fotosh për lidhjet e tij. Po ja bëj favor se mund të mendojë se po shkonim kshu për shou në atë gjyq. Të përgatitet të japë përgjigje akuzave të drejtuesve të policisë, dhe për testin e drogës do të ishte mirë ta bënte sot. Testin e drogës kryeministri duhej ta bënte sot dhe ta bëjë që ta marrin vesh shqiptarët se pse flet nga një orë e gjysëm, e treçerek, dhe në fund të fjalimit zbardhet dhe fillojnë i dridhen duart. Ne, tha kryeministri, jemi ata që po i japim zemër krimit. Nuk e di se si i jepet zemër krimit duke i kujtuar kësaj qeverie se e ka ulur krimin në tryezë. Nuk i jepet zemër krimit nga opozita. Krimit i jepet zemër kur e thërret për bashkëpunëtor që të të sjellë në pushtet. I kërkon ndihmë edhe që të të mbajë në pushtet dhe pastaj të kërkon haraçin.

Krimit i jepet zemër atëherë kur sapo vjen në pushtet shkarkon të gjithë specialistët e policisë dhe i zëvendëson me militantë dhe ca më keq, i zëvendëson me të inkriminuar. Krimi merr zemër kur policia bën çdo gjë tjetër, por vetëm luftë kundër krimit jo. Krimit i jepet zemër kur policia bëhet pjesë e bandave dhe bandat pjesë e policisë, kur policia përdoret si palë në luftën kundër bandave, në krah të një bande në luftë kundër bandave të tjera. Krimi merr zemër kur vetë Ministri i Brendshëm shëtit me makinë figura të njohura të krimit, apo ha dreka e darka me ta. Krimi merr zemër kur djali i deputetes të qeverisë vret një njeri, mbas asaj del nga burgu brenda një viti. Denoncohet po nga pjesëtarë të policisë, se është duke u marrë me drogë, dhe prapë është i paprekshëm. Dhe pastaj vret 4 të tjerë, e prapë gjykata për pak nën ndikimin e këtij kryeministri e nxjerr gati të pafajshëm sepse për atë që kreu, ai dënim që duan t’i japin, është njësoj si ta nxjerrësh të pafajshëm. Krimi merr zemër kur kërcënohet kryetari i opozitës dhe kryeministri thotë, bravo çuna, sepse indirekt atë tha.

Një njeri e mori në telefon kryeministrin për ta lavdëruar, e pastaj e shau dhe përfundoi në birucë për kërcënim të kryeministrit. Një tjetër në kohën tonë i shkatërruan makinën dhe mori në telefon ramën e i tha, më kanë shkatërruar makinën, dua paratë e makinës. E futëm ne në burg atë sepse kryeministri i sotëm tha, më kërcënuan me vdekje. Po sot ça bën ky kryeministër? I thotë atyre që
kërcënuan kryetarin e opozitës, bravo çuna. Doni t`i gjeni ata që kanë kryer aktet? Kërkojini në llumin e kënetës tuaj, aty i keni, dhe mos na akuzoni ne.

Pse guxoka krimi kaq shumë sot? Eshtë thënë disa herë këto ditë, si mund të guxojë krimi të kërcënojë ministrin e brendshëm pas mazhorancës sepse ky ministër është bërë terrori i krimit. Nuk ka nevojë të bëjë komente të tjera. Çdo shqiptar e kupton se këtë përrallë nuk mund ta hajë kush. Kë kanë arrestuar? Edhe në aksionin e tyre më të madh , më të famshëm, Lazaratin, arrestuan Gaten dhe gjithë kapotë e tjerë, jeni prapë sot të lirë, Gatja ishte kryekrimineli.

Kemi bërë ne aksione policie. Në 2005 kur ministër ishte Sokol Olldashi, por edhe më tej, janë eliminuar bandat më të rrezikshme të Shqipërisë, bandat më të rrezikshme, nuk guxoi kush të merrej me ministrin e brendshëm.

Pse guxon krimi sot? Guxon krimi sepse sot guxojnë të ngrenë laborator kokaine në Shqipëri, për herë të parë, guxon krimi se sot për herë të parë, meqë kryeministri ka qejf të thotë – “Për herë të parë “.

Për herë të parë u përdorën pistat në aeroportet e Shqipërisë për trafik droge.

Për herë të parë përdoren njerëz të Forcave të Armatosura dhe bëhen pjesë e bandave të trafikut të drogës.

Prandaj guxon krimi dhe po të vazhdojmë kështu, krimi do të guxojë edhe më shumë.

Në qoftë se, vazhdojmë akuzojmë opozitën, dhe për këtë sigurisht gjendja nuk do përmirësohet dhe ne nuk jemi të shqetësuar në këtë rast, po në këtë rast nuk jemi të shqetësuar për qeverinë, jemi të shqetësuar për qytetarët, jemi të shqetësuar për vete, jemi të shqetësuar për fëmijët tanë, për këtë jemi të shqetësuar.

Prandaj, çdo shqiptar duhet ta kuptojë sot se kjo qeveri nuk mund ta luftojë krimin, e kam thënë edhe një herë tjetër këtu, ka ndodhur edhe më parë, edhe këtu edhe në vende të tjera që politika e ka përdorur krimin, por fatkeqësisht sot jemi në një moment kur kjo qeveri është e përdorur nga krimi, nuk kanë fuqi t`i dalin më përballë krimit që vetë e ulën në sofër, sot janë këta lolot e krimit, janë këta që përdoren nga krimi dhe nuk mund t`i dalin përballë. Monstrat, tha kryeministri Rama kafshuan, absolutisht po, po ku ishin këta,nuk ishin monstra këta, kriminelë, kur vranë Artan Santon, kur vranë Artan Santon  reagimi kryeministrit ishte – “Na iku dhe një çun Tirone”.

Nuk ishin monstra ata, nuk janë monstra ata që vënë tritol përditë, qytetarëve të tjerë, jo, ato janë larje hesapesh për kryeministrin.

Nuk janë monstra, ja pra pse krimi këtu ka arritur këto nivele dhe kjo qeveri nuk mund ta luftojë kurrë sepse kjo qeveri nuk ia ka vënë duart në fyt krimit, siç tha kryeministri , kjo qeveri duart në fyt ia ka vënë popullit të saj dhe po i merr shpirtin, prandaj shqiptarët nuk duhet të rrinë më , të presin se ç`bën kjo qeveri se çdo ditë që kalon është një ditë më vonë, është një ditë më e keqe, prandaj duhet të gjithë të çohemi që kjo qeveri të mos jetë më këtu, sepse përndryshe nuk do jemi më ne, në shtëpitë tona.

Ju faleminderit!