Intervistë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Brukseli ku mori pjesë në punimet e Samitit të Partive Popullore Europiane

Pyetje: Partia Europiane Popullore ka një rol kyç tashmë në negociatat apo ndërmjetësimin mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri për të zgjidhur ngërçin politik dhe çfarë ju është thënë sot?

Basha: Partia Popullore Evropiane është shprehur qartë me rezolutën e asamblesë politike dhe ka ecur një hap më përpara duke emëruar europarlamentarin Kukan si një nga dy negociatorët evropiane të cilët kanë marrë përsipër misionin e ndërmjetësimit midis opozitës dhe shumicës për një marrëveshje politike që do të mundësonte funksionimin normal të parlamentit. Do të mundësonte zbatimin e Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese sot dhe të nesërmen, jo si një favor i njërës palë ndaj tjetrës, por si një detyrim për shtetin e së drejtës. Do të mundësonte procesin jetik për Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian, dekriminalizimin e Kuvendit dhe të institucioneve të larta publike.

Pyetje: Kemi marrë vesh në fakt nga burime të ndryshme se jeni afër arritjes së një marrëveshje dhe mesa duket palët janë dakord për të pestë pikat. Është e vertëtë?

Basha: Unë nesër do të takoj në Tiranë zotin Flekenshtajn dhe të hënën zotin Kukan. Shpresat dhe besimi im është që përmes reflektimit në përputhje me problemet kryesore që shkaktuan këtë gjendje, qe ishte përdorimi i dhunës me skenarë të mirëorganizuar në Kuvendin e Shqipërisë kundër opozitës si dhe shkelja flagrante e kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga shumica, të tejkalojmë këtë situatë përmes një marrëveshje politike, do t’i hapim rrugë rikthimit të normalitetit të parlamentit të Shqipërisë.

Pyetje: Ministri i jashtëm i Sllovakisë, Lajçak, ka thënë se ai është optimist se në fakt Shqipëria mund të arrijë një marrëveshje shumë shpejt, madje është edhe një lloj dhurate ditëlindje për krishlindjet. Mund të jetë e arritshme kjo?

Basha: Unë nuk besoj në dhurata, besoj në vullnet të palëve për të kontribuar në përputhje me parimet, normat, standartet e Bashkimit Evropian për një Shqipëri evropiane e cila nis me një parlament që i bindet kushtetutës, që e zbaton atë, në një parlament të pastër nga influencat e krimit të organizuar, i denjë për përfaqësimin e qytetarëve shqiptarë. Dhe padyshim, nëse ka vullnet politik, kjo është në dorën e palëve. Në radhë të parë të shumicës që ka edhe përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar dhe së dyti edhe të opozitës shqiptare e cila e ka shprehur tashmë prej kohësh vullnetin për të ecur përpara.