Deputeti Bogdani denoncon shkeljet me tenderin për dekorin e qytetit. Prokurim i drejtpërdrejtë për kompaninë që ka të njëjtën adresë, të njëjtin apartament me kompaninë e vëllait të Erion Veliajt

Vizita e Papa Franceskut në Tiranë ka qënë një mundësi e mirë pasurimi për qeveritarët.

Me prokurorim të drejtpërdrejtë, Edi Rama ka futur në xhepat e kompanisë EAG Communication, 394 milionë lekë, për shërbimet e ofruara gjatë vizitës së Papës.

Kompania EAG edhe pse është krijuar në janar të këtij viti, dhe nuk plotëson kriteret teknike, është kontraktuar nga qeveria.

Të gjithë e dinë se kush është kompania EAG dhe pse ajo u shpall fituese, dhe pse u pasurua brenda ditës. EAG është biznesi i Erion Veliajt, për të cilën kujdeset vëllai i tij.

Megjithë maritetet e përdoruara, Erion Veliaj ka lënë gjurmë diku.

Nga këto dokumenta që kemi këtu të lëshuara nga QKR, rezulton se në një moment të historikut të tyre, kompania GOGEL, e cila ligjërisht zotërohet nga Arbër Veliaj, vëllai i Ministrit të Mirëqënies, ka të njëjtën adresë, të njëjtën rrugë, të njëjtën shkallë, të njëjtin apartament me kompaninë EAG, fituese e tenderit.

Gogel e Erion Veliajt dhe EAG e 394 milionë lekëve të vizitës së Papës, bashkohen në apartamentin 3/5, të Rrugës Ibrahim Rugova, pallati përbri Plus, Tiranë.

Pra është e qartë; Eshtë Erion Veliaj, me emër tjetër dhe administrator tjetër.

Ky skandal, dëshmon se Edi Rama dhe të tijtë, janë aty për të shfrytëzuar cdo mundësi, edhe vizitën e Papa Franceskut, për t’u pasuruar.

Qytetarët shqiptarë ose të vobektit, sic i quan Ministri, duhet të kuptojnë mirë, se sa qesharake është kur Erion Veliaj flet për të varfërit, teksa me një firmë përvetëson 394 milionë lekë të taksapaguesve shqiptarë.

Dhe qytetarët e kuptojnë mirë se sa qesharake është kur Edi Rama flet për drejtësi e shtet ligjor, kur në shkelje të cdo procedure i jep Ministrit të tij, 394 milionë lekë të taksapaguesve.

Partia Demokratike e denoncon këtë rast të pastër korruptiv dhe bëjmë me dije se në ditët në vijim do të nxjerrim në dritë të tjera fakte mbi këtë makutëri të pashoqe, të pasurimit dhe abuzimit, edhe me vizitën e Papa Franceskut.