Kryetari i Partisë Demokratike dëgjon nga afër shqetësimet e banorëve të Fierit për papunësinë, për mbylljen e bizneseve, për shtrenjtimin e naftës, të farërave, për padrejtësitë që u bëhen qytetarëve

Fieri ka qenë ndalesa e radhës e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, në turin e bashkëbisedimit të tij me qytetarët për situatën ekonomike që po kalon vendi.

Në takimet me tregtarët në  Fier, me banorë dhe fermerë të Cakranit, Levanit dhe Strumës, zoti Basha është njohur me situatën e rëndë ekonomike, papunësinë dhe me faktin se dhjetra biznese janë drejt mbylljes për shkak të taksave të larta dhe rënies së fuqisë blerëse.

“Shqipëria duhet të përjetojë një dhjetor të dytë”,- i thanë qytetarët Bashës, duke sjellë në vëmendje nevojën për një ndryshim të madh.

“Gjendja është shumë e vështirë. Blerës nuk ka fare, nuk po na vjen njeri, është shumë keq. Llogaritë, kur vjen robi që i bie  vdekja, thotë: ma jep dot këtë kostum me të shënuar emrin?!”, shprehet një qytetar.

“Jemi persekutuar tërë jetën me Enver Hoxhën, na kanë persekutuar tash më shumë, s’kemi ç’hamë”, thotë një grua.

“Eshtë tallje apo ironi që të them unë: “urdhëroni, hajde blini mobilje!”, kur ai thotë unë s’kam mbushur barkun”, pohon një tregtare.

“Duke mbyllur vendet e punës, duke ulur rrogat, duke shtuar papunësinë, dyfishon taksat. Ku do i gjejnë shqiptarët lekët për të vajtur në master apo specializim?!”, thotë një qytetar

Basha: Sa familjarë jeni ju në shtëpi?

“Shtatë”.

Basha: Sa vetë ke në punë?

“Për momentin asnjë, babai im punon në ndërtim dhe ka një vit, zero…”

“Kam kamion vetë, jam me licencë, me të gjitha. Janë rritur taksat, kanë vajtur sa …Jam gati ta mbyll licencën”, ankohet një banor i zonës.

“Populli i gjithë 23 qershorin e quan si ditën më të zezë dhe fatkeqësia e këtij kombi. Duhet një  dhjetor i dytë z. kryetar!”, kërkon i revoltuar një qytetar.

Edhe në Fier, zoti Basha është ndeshur me shqetësimin e banorëve për pamundësinë për të përballuar rritjen e kostos së punës dhe pamundësinë e shitjes së prodhimeve. Rritja e naftës ka dyfishuar çmimin për punimin e tokës dhe shërbime të tjera, një rritje tjetër e çmimit të naftës, sipas fermerëve do të   bëjë që asnjë pëllëmbë toke të mos punohet më. Edhe fermerët e Fierit, ashtu si ata të Lushnjes, nuk kanë  përfituar asnjë subvencion deri tani nga qeveria për prodhimet bujqësore.

 “Plugimi ka vajtur 14 mijë lekë dylymi”, thotë një fermer.

Basha: Sa e keni pasur para një viti?

“Para një viti ka qenë 7 mijë lekë”.

Basha: Eshtë dyfishuar do me thënë…

“Dyfishuar”.

“Kam bërë 40 kuintal misër, 70 kuintal rrush, 5 kuintal fasule, asgjë nuk kam shitur”,shprehet një fermer.

Basha: Pse nuk ke shitur?

“Ku do gjej treg?  Sot jemi mizerje”.

“Na vini prapë një tabelë atje, “kamp internimi”, siç ka qenë se nuk ka më keq se jemi”, ankohet një burrë.

“I hiqet pensioni këtij?”, pyet një qytetar.

“Më hoqën  pensionin, pa ndihmë, pa gjë, unë nuk kam me se të ushqehem”, pohon banori.

“Dhe fëmijët i ka sëmurë edhe gruan te semure”, shton një i njohur i tij.

Basha: Të thanë pse e hoqën?

“E hoqën se donin “xhixha”…”

“Të mbjell tokën sot, unë nuk kam me se ta mbjell, do traktorin të plugohet, do fara. Fara është 85 mijë lekë 1 kuintal, bën 85 mijë lekë.

Basha: Sa ka qenë përpara?

“Gjashtëdhjetë”

“Hallet ekonomike tonat na kanë çuar në ditë të gazepit”, ankohet një tjetër.

“Duhet të ngrihemi të gjithë siç jemi, Iku koha e llafeve, dil aty, protesto!”, kërkon një qytetar i revoltuar i zonës.