Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në takim përfaqësuesit e FMN, z.Nadeem Ilahi dhe z.Jens Reinke, me të cilët ndau shqetësimin mbi situatën e sektorit energjetik në vend, ku dënoi aksionet selektive të qeverisë dhe faktin se Kryeministri kërcënon e ndëshkon qytetarët që s’kanë mundësi financiare, në vend se t’u japë atyre mundësi për të bërë shlyerjen e detyrimeve.

Basha tha se nuk ka një reforme në sektorin energjetik, por thjesht një masë shtrënguese në kurriz të shqiptarëve, duke rritur cmimin e energjisë, duke ua ndërprerë energjinë atyre që nuk kanë mundësi të paguajnë, pasi janë pa punë dhe në mjerim ekonomik.

Kryetari i Partisë Demokratike gjithashtu ka shprehur shqetësimin për mungesën e transparencës që tregon qeveria në lidhje me rritjen e cmimit të energjisë.

“Eshtë vetë qeveria që nuk shprehet se sa do të rritet cmimi, ndërkohë që KESH, OST dhe OSHE që janë agjensi shtetërore, kanë dërguar kërkesat për rritje cmimi. Pra, nga njëra anë qeveria kërkon rritje cmimi dhe nga ana tjetër nuk po ia thotë shqiptarëve sesa do të rritet cmimi”, u shpreh Basha.

Basha u kujtoi përfaqësuesve të FMN se qeveria erdhi në pushtet me premtime si; ulja e cmimit të energjisë, heqja e TVSH-së për energjinë, por nuk bënë asgjë përkundrazi e rritën cmimin e energjisë.

Duke u ndalur në buxhetin e vitit 2015, Kryetari Basha u shpreh i shqetësuar për faktin se janë rritur shpenzimet qeveritare ndërkohë që janë ulur investimet, janë ulur fondet për mbështetjen sociale, nuk është shtuar numri i infermierëve apo mësuesve, por i policëve dhe i punonjësve të INUK.

Basha tha se rritja e re e taksave është e papranueshme ndërkohë që rritja e një viti më parë ka dhënë pasoja dramatike në ekonominë e vendit. Një rritje e re do të thellojë recesionin e do të ketë pasoja katastrofike.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 25 Nëntor 2014