Koordinatori i Partisë Demokratike, Salianji dënon trajtimin ndëshkues të qeverisë, dhe kërkon futjen e banorëve debitorë në sistem, por me këste të ulëta mujore të mundshme për gjëndjen e tyre të rënduar ekonomike 

Dhjetra banorë në zonën e Fushës së Aviacionit në Tiranë, gjenden prej javësh në errësirë, për shkak se janë përballur me fatura abuzive dhe aforfe, fatura që nuk kanë pasur mundësi të paguajnë. Një prej këtyre familjeve, me asnjë të punësuar, është faturuar për një muaj, në muajin qershor, me 1 milionë e 500 mijë lekë. Qeveria nuk i dëgjon shqetësimet e banorëve dhe nuk jep shpjegime për këto mbifaturime abuzive. E vetmja masë që merr qeveria, është ndërprerja e dritave, duke lënë të moshuar, prindër, fëmijë e nxënës, në errësirë prej javësh.

Banorët ankohen për trajtim preferencial, dhe selektiv nga autoritetet, duke akuzuar se dikush lihet në errësirë, ndërsa dikujt tjetër që është pranë qeverisë nuk i preken dritat. Banorët shprehen të gatshëm të paguajnë energjinë, por duhet ta shlyejnë me këste të ulëta mujore.

 “Siç dëshmohet nga qytetarët, nga banorët e njësisë 7 në Tiranë, prerjet e energjisë elektrike janë selektive. Kanë ardhur dhe kanë prerë energjinë tek njerëz që janë të pamundur, që nuk kanë krah qeveritar, të njerëzve të cilëve ua kanë blerë votën në zgjedhjet e 23 qershorit, dhe tani nuk japin asnjë llogari. Qytetarët pretendojnë se kanë fatura abuzive dhe aforfe nga ana e OSHEE-së. Qeveria dhe OSHEE-ja nuk u jep asnjë përgjigje. Qytetarët që marrin asistencë sociale apo kanë të ardhura prej 30 mijë lekësh të vjetra në muaj, qeveria u kërkon të paguajnë këste mujore prej 900 mijë lekësh për të paguar faturat e tyre aforfe”, tha kordinatori i Partisë Demokratike për denoncimet, Ervin Salianji i cili takoi banorët e lagjes.

Për Salianjin duhet krijuar mundësia që të gjithë qytetarët të paguajnë, por duhet gjetur mekanizmi stimulus, e jo ndëshkues.

“Ne inkurajojmë qeverinë që të formalizojë dhe të fusë në sistem të gjithë qytetarët që të paguajnë energjinë por është e papranueshme që qytetarë të cilët nuk kanë të ardhura, qytetarë që nuk kanë mundësi, ti kriminalizosh dhe të hapësh një plagë të re sociale dhe të mos i fusësh në sistem dhe tu lesh një mundësi për pagesë me këste. Qeveria duhet tu lerë një mundësi tjetër që pagesën ta bëjnë 10 mijë lekë të vjetra në muaj  dhe pjesën tjetër, atë që konsumojnë, ta paguajnë me faturën që vjen dhe jo me faturim aforfe, dhe jo 140 mijë lekë në muaj për dy persona të moshuar, por të paguajnë energji as sa harxhojnë. Kjo është zgjidhja. Një zgjidhje e pranueshme edhe për qytetarët edhe për qeverinë për ta formalizuar dhe për t’i futur në sistem ata që ajo i quan debitorë, dhe qindra debitorë të tjerë që i toleron sepse janë klientë dhe votuesit e saj”, u shpreh Salianji.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 25 Nëntor 2014